Sytë e mi e panë Shëlbimin…!

Feb 2 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela IV gjatë vitit A –  Kushtimi i Krishtit

 

Leximi i parë   Mal 3, 1-4

Do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni.

 

Lexim prej Librit të Malakisë profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen! – thotë Zoti i Ushtrive. Kush do t’i qëndrojë ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t’i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan! Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar. Do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t’ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë. Atëherë do t’i pëlqejë Zotit flia e Judesë dhe e Jerusalemit si në ditët e dikurshme, si në vitet e para.”Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi (24)

 

Ref: Eja, o Zot, në Tempullin tënd të shenjtë

————————————-

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj!

Lartësohuni, o dyer të amshueshme,

që të hyjë Mbreti i lavdisë!

————————————-

Kush është ky Mbreti i lavdisë?

Zoti, i forti, ngadhënjyesi!

Zoti, ngadhënjyesi në luftë!

————————————-

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj!

Lartësohuni, o dyer të amshueshme,

që të hyjë Mbreti i lavdisë!

————————————-

E kush është ky Mbreti i lavdisë?

Ai, Zoti i ushtrive,

ai vetë është Mbreti i lavdisë!

————————————-

 

Leximi i dytë   Heb 2, 14-18

U desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Mbasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes – domethënë djallin – për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes. Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit. Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit. Dhe, vërtet, shi pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’u ndihmojë atyre që janë në sprovë. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Sytë e mi e panë shëlbimin tënd: Dritën që bën të njohin Ty pagabët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 2, 22-40

Sytë e mi e panë Shëlbimin tënd.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, – sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit ‘një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem aso here jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Tempull. Kur prindërit e sollën Jezusin foshnjë për të kryer rregulloren e ligjit mbi të, Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të njohin Ty paganët, e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.” Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do tëi kundërshtojnë. Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.” Ishte aso here edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet, jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet, kurse si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë. Shi në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit. Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti; dhe hiri i Hyjit ishte në të. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Sot njeriu nuk njihet më se i përket Hyjit. Kultura e sotme nuk është më e ndriçuar nga vizioni i besimit, por e zotëruar nga largimi i njeriut nga jeta e mbinatyrshme.

“Jozefi dhe Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit”. Sipas ligjit judaik çdo i parëlindur është i shenjtë e duhet t’i dorëzohet ose flijohet Hyjit. Kuptimi i kësaj oferte do të kuptohet në dritën e Kalvarit, ku Jezusi, i Parëlinduri, do t’i dorëzohet Atit si qengji i flijuar për shpëtimin e njerëzve.

“Në Jeruzalem jetonte një njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste ngushëllimin e Izraelit”. Plaku Simon, i frymëzuar prej Hyjit, njeh në këtë fëmijë Mesinë e shumëpritur. Ai ka parë Shpëtimtarin, jo vetëm të Izraelit, por të të gjithë popujve, dhe e di se Ky do të jetë kuptimi dhe drita e historisë.

“Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe”. Simoni ndahet nga historia, duke parë me qetësi dhe shpresë të ardhmen, sepse i Lyeri i Zotit do t’u çojë shpëtimin të gjithëve. Ai është Drita që detyron njerëzit të marrin një vendim në favor ose kundër Tij. Simoni i shpall Marisë një fat dhimbjeje e lotësh: me Jezusin ajo do të bashkëndajë mundimet dhe kryqëzimin.

“Ana profeteshë i shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë”. Ana e Simoni, plot me Shpirt Shenjt, kuptojnë se ai fëmijë është Mesia, sepse jetojnë në lutje e në bindje ndaj vullnetit të Atit. Për këtë janë të aftë të njohin e të pranojnë Dhuratën e madhe të Hyjit në histori..

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër dhe motra së bashku me Marinë e Jozefin, edhe ne, secili sipas thirrjes së vet, jemi ftuar të jemi besnikë ndaj Ligjit të Zotit e ndaj dashurisë së tij.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, na e trego dritën tënde.

 

L. Për Kishën, tempulli i Hyjit të gjallë, që të jetë gjithmonë e butë dhe e bindur ndaj Shpirtit Shenjt, që ta gjallërojë e ta udhëheqë në kohë dhe në histori. Të lutemi.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, që ashtu si shenjtërit Simoni e Ana të jenë shërbëtorë besnikë të Hyjit, gjithnjë të gatshëm për të bekuar dhe lavdëruar Hyjin. Të lutemi.

L. Për të shuguruarit, që të imitojnë Krishtin e varfër, të pastër e të bindur, që jeta e tyre të jetë një dëshmi e gëzuar besimi e dashurie ndaj Hyjit dhe vëllezërve. Të lutemi.

L. Për ne këtu të bashkuar, që familjet tona e bashkësitë tona të jenë vende të favorshme për lindjen e thirrjeve të reja dhe të shenjta në jetën e shuguruar. Të lutemi.

M. O Zot, hapi edhe brenda nesh sytë e zemrës, që ne të të njohim si Shpëtimtari, Ai që është dashuri e na çliron nga frika e nga e keqja. Ti që jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »