Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 3. Identiteti

Feb 4 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Adoleshenca sot nuk është vetëm një kohë e pritjes, sikur mendohej dikur, dmth. një kohë e zbraztë, e cila kalon ngadalë duke jetuar në ankth për të arrirë sa më parë te qëllimet serioze. Sot të rinjtë përjetojnë një të tashme të stërmbushur, stërkërkuese, e cila është përplot me mundësi dhe situata përzgjedhëse. Në anën tjetër, janë para një të ardhme që është e errët, e pasigurt dhe e paparashikueshme. Ka të rinj që këtë pasiguri biografike, siç e quajnë disa këtë gjendje, arrijnë ta shndërrojnë në shans të kërkimit dhe të pasurimit, porse ka edhe të atillë që mbesin të shtypur, prandaj edhe lëshohen në qëndrimin e tyre pasiv, i cili bën të dorëzohen përballë luftës për identitetin e tyre personal.[1]

Allan Guggenbühl, psikolog për fëmijë nga Berni, dëshiron t’iu jep zemër prindërve kur i shikojnë fëmijët e tyre që mahniten për macho-ideale dhe për primadona apo kur rebelohen: të gjitha këto janë tentime të përkohshme të të rinjve në kërkim të identitetit dhe roleve të reja si persona të pjekur. Ai e citon për këtë Konrad Lorenz: “Rinia është krejtësisht e ndryshme. Të rinjtë nuk janë të orientuar aq materialisht dhe për konsum, sa jemi ne!” Kur të rinjtë bëhen simbol, atëherë ata përfaqësojnë panoramën e brendshme të shoqërisë së të rriturve. Kritikat dhe gjykimet e ashpra të të rinjve nxjerrin në shesh dështimet e jetës sonë. Nëse ne i gjykojmë të rinjtë për spontanitet të tepruar, konsumizëm, materializëm apo për stil të ri të jetës (khs. punk), atëherë këto janë shenja komplementare të gjendjes sonë shpirtërore. Ndoshta tek ta, thjeshtë, ne i projektojmë përmbajtjet tona psikologjike apo në atë mënyrë ne iu japim një shfryrje.

Në një kulturë ku fëmijët janë të rrallë dhe ku janë të drejtuar kah pjekuria, rinia paraqet ndërmjetësuesin kah ndjenjat personale, të filozofisë së jetës dhe të sjelljes. Në këtë mënyrë rinia bëhet metaforë për diskutime publike. Kur të rinjtë akuzohen për mentalitet harxhues, për kërkim të dëfrimit, për pamoralitet, për kriminalitet apo delikuencë, atëherë ata na hyjnë në punë vetëm për të bartur diskursin mbi frymën e kohës që ekziston.

“Çka domethënë rinia për mua?” – do të duhej ta bënte këtë pyetje çdo prindër vetes kur të vije puna e ballafaqimit me adoleshentët dhe të shikojë në çfarë mase e projekton vetveten tek biri apo bija e tij. Vetëm atëherë kur të kemi mësuar pak a shumë të dallojmë ndërmjet asaj çfarë do të thotë për ne biri apo bija dhe çfarë në realitet është karakteri i tij apo saj, do të jemi të aftë sigurojmë hapësirën e lirë për të rinjtë, e cila ju jep mundësinë e realizimit të vetvetes.[2]

Adoleshenca është periudhë që e karakterizojnë kriza dhe sfida të ndryshme, kështu që një ecuri pozitive nganjëherë është e rrezikshme, e cila varet jo vetëm nga proceset e brendshme psikike, por edhe nga disa faktor shoqëror. Megjithatë, detyra qendrore është formimi i identitetit dhe hyrja në botën e të rriturve. Ky qëllim nuk arrihet përherë, prandaj është e dobishme të shqyrtojmë disa variante të mundshme të këtij procesi.

1. Adoleshenca adekuate, është një ecje e kërkuar. Ajo arrihet përmes identifikimit të kualiteteve pozitive që i gjënë tek personat e pjekur, posaçërisht prindërve, siç janë forca, zemërgjerësia, falënderimi. Arritja e këtij qëllimi është proces gradual dhe i lodhshëm, që nuk e mbërrijnë të gjithë, por përpiqen të ikën nga sfida e identitetit personal.

 2. Adoleshenca e vonuar, është rast i shpeshtë, posaçërisht në shoqërinë tonë perëndimore, që është një shoqëri konsumiste dhe relativisht e pasur. Nëse një i ri/e re nuk ka mësuar që nga ditët e hershme se gjithçka ka çmimin e vetë, shpejt do të mbyllet në kaçubën e tij/saj mbrojtëse të periudhës latente (fëmijëri e vonë): do të mbyllet para sfidave për t’u ballafaquar me veten e vetë, që në mënyrë kreative të zgjedh konfliktet e tija/saja. Me fjalë tjera, nuk do të dojë të ndahet prej sigurisë prindërore dhe do të mbetet një fëmijë i rritur. Analizat klinike kanë treguar se te personat e këtillë, kriza e adoleshencës, jo rrallë, shpërthen me atë fuqinë elementare në periudha të vonshme, nganjëherë në vitet e katërdhjeta (shpesh përputhet me lindjen e fëmijëve të tyre), e kështu mund të ndodh që duhet t’i përmirësojnë ato që iu kanë munguar në adoleshencë. Ekzistojnë sot një lloj i tillë të rinjve të moshuar, që iu imponohen të rinjve si liderë rebelë; mjafton të kujtojmë disa pop-grupe, të cilët kanë shumë sukses në mesin e adoleshentëve, që janë të përbërë prej të katërdhjetëve!

3. Adoleshenca e zgjatur, është rasti tjetër, që do të mund t’i quanim edhe me emrin “adoleshentë të përhershëm”, të cilët kurrë nuk janë bërë njerëz të rritur. Këta të rinj refuzojnë të bëhen njerëz të rritur, refuzojnë të marrin vendime të prera e përfundimtare që do të mund të lidheshin me to. Jetojnë një jetë sot për nesër, një jetë pa obligime, një jetë bohemi. Analizat klinike për këtë lloj tregojnë se aq shumë janë të lidhur, në mënyrë pavetëdijshëm, me pritjet e prindërve të tyre sa që nuk duan t’i zhgënjejnë, por më mirë mbesin në gjendje të papërgjegjësisë.

4. Adoleshenca flijuese, është situatë që për shkaqe të ndryshe një i ri/e re nuk ka mundësi t’i kushtohet zhvillimit të personalitetit. Kjo ndodh shpesh tek fëmijët, të cilët që nga mosha e vogël iu është imponuar të bëhen gjeni të vegjël, qoftë në lëmin e sportit, qoftë në art a shkencë, e në këtë mënyrë kapërcejnë periudhën e adoleshencës, apo bëhen të rritur pa një kapërcim të natyrshëm.[3]/drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————–

[1] Khs. P. E. Rici Bitti, “Biografie in costruzione”, Psicologia Conteporanea, 21 (1994) N° 125, 45-49.

[2] Khs. A. Guggenbühl, Pubertät – echt ätzend. Gelassen durch die schwierigen Jahren, Freiburg im Breisgau, 2000, 115-117.

[3] Khs. R. Canestrari, Psicologia generale e dello sviluppo, Bologna, 1984, 592-593.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »