Mesazhi i Atit të Shenjtë Papa Françesku për Ditën XXVIII Botërore të të Sëmurit 2020

Feb 11 • Kisha në botë

«Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë

e unë do t’ju çlodh» (Mt 11, 28)

 

Të dashur vëllezër e motra,

1. Fjalët e Jezusit «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh» (Mt 11,28), tregojnë ecjen e mistershme të hirit që iu zbulohet të thjeshtëve dhe që i ofron çlodhje të lodhurve. Këto fjalë shprehin solidaritetin e Birit të njeriut, Jezu Krishtit, ndaj njerëzimit të lodhur dhe të vuajtur. Sa njerëz vuajnë në trup e në shpirt! Ai i thërret të gjithë të shkojnë te Ai, «ejani te unë», dhe ju premton atyre lehtësim dhe prehje. «Kur Jezusi e thotë këtë, ka para sysh personat që i takon çdo ditë rrugëve të Galilesë: shumë njerëz të thjeshtë, të varfër, të sëmurë, mëkatarë, të mënjanuar nga barra e ligjit dhe sistemi social shtypës… Këta njerëz përherë kanë shkuar pas tij për t’ia dëgjuar fjalën – një fjalë që jepte shpresë» (Angelus, 6 korrik 2014).

Në Ditën XXVIII Botërore të të Sëmurit, Jezusi i thërret të sëmurit e të shtypurit, të varfërit që dinë të jenë të varur tërësisht nga Zoti, dhe të lënduar nga barra e provës, kanë nevojë për shërim. Jezu Krishti, atyre që e jetojnë ankthin e gjendjes së tyre të brishtë, të dhimbjes dhe të ligështisë, nuk ju imponon ligje, por ju ofron mëshirën, përkatësisht personin e tij që dhuron çlodhje. Jezusi e shikon njerëzimin e lënduar. Ai ka sy që shikojnë, që vërejnë, sepse shikojnë në thellësi, nuk ecën indiferent, por ndalen dhe e pranojnë njeriun në të gjitha përmasat, çdo njeri në gjendjen e tij shëndetësore, pa e përjashtuar askënd, por duke e ftuar çdonjërin të hyjë në jetën e tij për të bërë një përvojë të butësisë.

2. Pse Jezu Krishti i ushqen këto sentimente? Sepse vet Ai u bë i dobët, duke e përjetuar vuajtjen e njeriut e duke pranuar ngushëllim prej Atit. Vetëm ai, në fakt, që e bënë këtë përvojë në personin e tij, do të dijë të jetë ngushëllim për të tjerët. Janë format e ndryshme të rënda të sëmundjeve: sëmundje të pashërueshme dhe kronike, patologji psikike, ato që kërkojnë rehabilitim dhe kujdes paliativ, paaftësi të ndryshme, sëmundje të fëmijërisë e të pleqërisë… Në këtë rrethana ndonjëherë mungon përqasja e ngrohtë njerëzore, prandaj lind nevoja e përqasjes së personalizuar ndaj të sëmurit, duke ia shtuar fjalës kujdes, të marr në kujdes – përkujdesje, me qëllim që të jetë një shërim njerëzor i tërësishëm. Përvoja e sëmundjes e bën personin të ndjehet i kërcënuar jo vetëm në integritetin e tij fizik, por edhe në përmasën e tij relacionale, intelektuale, afektive dhe shpirtërore. Për këtë arsye, përveç terapive, ai pret mbështetje, nxitje, vëmendje… Me një fjalë, pret dashuri. Përveç kësaj, afër një të sëmuri është një familje që vuan dhe kërkon edhe ajo ngushëllim dhe afërsi.

3. Të dashur vëllezër e motra, sëmundja të vë veçanërisht në mesin e atyre “të lodhurve dhe të shtypurve”, të cilët e tërheqin shikimin dhe zemrën e Jezusit. Nga atje vjen drita për çastet e juaja të errëta, shpresa për shkurajime. Ju thërret të shkoni te Ai: «ejani». Tek Ai, në fakt, shqetësimet dhe pyetjet që lindjen në ju, në këtë “natë të errët” të trupit dhe të shpirtit, do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar. Jezusi nuk na ka dhënë receta, por me mundimin, vdekjen dhe ringjalljen na liron nga kthetrat e të keqes.

Në këto kushte është e qartë se ju keni nevojë për një vendpushim. Kisha dëshiron të jetë përherë e më shumë  “bujtina” e Samaritanit të Mirë që është Krishti (khs. Lk 10, 34), do të thotë shtëpia ku mund të gjeni hirin e tij që shprehet në familjaritet, në pranim dhe në lehtësim. Në këtë shtëpi mund të takoni persona që, të shëruar në brishtësinë e tyre nga mëshira e Hyjit, do të mund t’ju ndihmojnë ta bartni kryqin dhe ju aftësojnë që plagët e juaja t’i shikoni me perspektivë të re. Në këtë mënyrë do të keni mundësi të shikoni përtej sëmundjeve tuaja një horizont të ri drite dhe frymëmarrjeje për jetën tuaj.

Rolin kryesor për të ofruar çlodhje dhe freski për vëllezërit e motrat e sëmurë e kanë shërbimi i punëtorëve shëndetësor, mjekët, infermierët, personeli sanitar dhe administrativ, asistentët, vullnetarët, të cilët me punën e tyre me kompetencë bëjnë që pacientët të ndjejnë praninë e Krishtit, që ofron ngushëllim dhe merr në kujdes të sëmurin duke ia shëruar çdo plagë. Edhe këta janë burra e gra me brishtësi e sëmundje të tyre. Në mënyrë të veçantë tek këta bëhet e vërtetë ajo që «njëherë kur të kesh fituar ngushëllimin dhe çlodhjen e Krishtit, jemi të thirrur që ne të bëhemi ngushëllim dhe çlodhje për vëllezërit, me një përqasje të butë e të përvuajtë, t’u i përngja Mësuesit» (Angelus, 6 korrik 2014).

4. Të dashur punëtorë shëndetësor, le të kujtojmë se çdo ndërhyrje diagnostike, preventive, terapeutike, hulumtim, kujdes apo rehabilitacion është në shërbim të personit të sëmurë, ku emri “personi”, vjen gjithmonë përpara mbiemrit “i sëmurë”. Prandaj, puna juaj gjithmonë le të ketë qëllim dinjitetin dhe jetën e çdo personi, pa rënë në tundimin e çfarëdolloj kompromisi për eutanazi, vdekje të asistuar apo heqje dorë nga jeta, edhe në raste të sëmundjes terminale.

Edhe kur ballafaqoheni me kufizimet apo dështimet e mundshme të shkencës medicionale përballë rasteve klinike gjithnjë e më problematike dhe të diagnozave të kobshme, jeni të thirrur të jeni të hapur përmasës trashendente, e cila mund t’iu ofrojë kuptimin e plotë të profesionit tuaj. Të kujtojmë se jeta është e shenjtë dhe i përket Zotit, prandaj është e paprekshme dhe e patjetërsueshme (khs. Donum vitae, 5; Evangelium vitae, 29-53). Jeta duhet të pranohet, të mbrohet, të respektohet dhe të shërbehet që nga lindja deri në vdekje; këtë e kërkon njëkohësisht si arsyeja ashtu edhe feja në Zotin, autorin e jetës. Në disa raste, kundërshtimi i ndërgjegjes për ju është zgjidhje e domosdoshme për të mbetur koherent “po-së” suaj për jetën e për personin. Profesionaliteti juaj, i ushqyer nga dashuria e krishterë, do të jetë shërbimi më i mirë ndaj të drejtës së vërtetë të njeriut, që është e drejta për jetën. Kur nuk do të mund të shëroni, gjithmonë do të mund të kujdeseni me gjeste dhe procedura që japin prehje dhe lehtësim për të sëmurin.

Për fat të keq, në disa kontekste të luftës dhe të konflikteve të dhunshme, bëhen pre personeli shëndetësor dhe strukturat që angazhohen për pranimin dhe asistimin e të sëmurëve. Në disa zona edhe pushteti politik pretendon të manipulojë me kujdesin mjekësor për favore të tyre personale, duke i kufizuar autonominë legjitime që duhet të ketë profesioni shëndetësor. Në realitet, t’i sulmosh ata që ia kushtojnë jetën shërbimit të anëtarëve të vuajtur të shoqërisë, nuk shkon në përftim të askujt.  

5. Në këtë Ditë të XXVIII Botërore të të Sëmurit, i kam në mendje shumë vëllezër e motra gjithandej nëpër botë, që nuk kanë mundësi të kenë kujdes shëndetësor, sepse jetojnë në varfëri. Për këtë arsye, ju bëj thirrje institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe qeverive të të gjitha vendeve të botës, që mos ta lënë pas dore drejtësinë sociale, për shkak të preokupimeve ekonomike. Uroj që duke i bashkuar parimin e solidaritetit dhe subsidiaritetit, të bëhen përpjekje për të bashkëpunuar që të kenë të gjithë qasje në trajtimin e përshtatshëm shëndetësor, me qëllim të ruajtjes dhe kthimit të shëndetit të tyre. I falënderoj përzemërsisht vullnetarët që vihen në shërbim të të sëmurëve, shpesh duke plotësuar mangësitë e strukturave dhe duke shfaqur me gjestet e tyre të butësisë dhe të afërsisë, fytyrën e Krishtit, Samaritanit të Mirë.

Virgjërës Mari, shëndetit të të sëmurëve, ia besoj të gjithë ata persona që janë duke e bartur barrën e sëmundjes, familjarëve të tyre, si dhe gjithë punëtorëve shëndetësor. Duke ju siguruar të gjithëve afërsi të ngrohtë në lutje, ju jap nga zemra Bekimin Apostolik.

 

Nga Vatikani, 3 janar 2020

Përkujtimi i Emrit Tejetshenjt i Jezusit

                                                                       Françesku

 

 

——————————–

Përktheu: Revista “Drita”

Shpërndaje

Comments are closed.

« »