Festa e Zojës së Lurdit në Famullinë e Stubllës 2020

Feb 13 • Kisha në Kosovë

Edhe pse Famullia e Stubllës i kushtohet Shën Jozefit, kjo famulli me shumë dashuri e devocion e kremton edhe festën e Zojës së Lurdit, që kremtohet më 11 shkurt, që përkujton 18 shfaqjet e Marisë Virgjës në Lurd të Francës, saktësisht në një shpellë të kësaj qyteze, që ia kishte dëftuar vajzës 14 vjeçare Bernadete Soubirous në vitin 1858. Bernadete Soubirous, kishte parë Virgjërën Mari në një shpellë shkrepi, apo një “grua të zënë pa mëkat”, e cila, sipas Bernardette kishte pasur tesha të bardha, lule të verdha tek të të dyja këmbët, ashtu siç ishte edhe rruzarja e saj.

Kjo shpellë e Lurdit, e cila u bë një vendshtegtim lutjeje e shërimi për shumëkënd, për çdo vit improvizohet në kishën famullitare të Shën Jozefit në Stubëll, për të kujtuar e kremtuar Zojën e Bekuar dhe mesazhet e saja që ia dhuroj kishës dhe mbarë njerëzimit nëpërmjet Bernadetës.

Sivjet, meshën solemne të kësaj festë e kryesoi Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Sapës, Imzot Simon Kulli, që ishte ftuar enkas nga famullitari i Subllës, Don Jeton Thaqi.

Imzot Simoni, në homelinë e tij, shprehu mirënjohjen për këtë ftesë, që për herë të parë të kremtonte me këtë famulli të kremten e Zojsë së Lurdit, që njëherit është edhe Dita Botërore e të Sëmurit, që e kishte themeluar Papa i Shenjtë Gjon Pali II, në vitin 1992.

“Në festën e Zojës së Lurdit, kur kisha e kremton ditën botërore të të sëmurve – e fillonte homelinë e rastit Imzot Kulli – i lutemi ndërmjetësisë së Virgjërës Mari – Zojës së Lurdit, duke i kushtuar një kujdes të veçantë të gjithë personave që vuajnë në trup dhe në shpirt, pra njerëzit me sëmundje, por edhe njerëzve që kujdesen me dashuri ndaj kësaj shtrese që ka nevojë, me qëllim që t’iu lehtësojnë sado pak dhimbjet e tyre trupore e shpirtërore, që janë mjekë, personel mjekësor, familjarë, vullnetarë e të tjerë.”

Duke u ndalur në mesazhin e sivjetmë për këtë ditë të lëshuar nga Papa Françesku, kremtuesi i meshës tha se ”Ky është viti i 28-të radhazi që kremtohet kjo ditë, që ka filluar me Shën Gjon Palin II. Si viteve tjera, edhe sivjet Papa Françesku iu drejtohet me temën «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh» (Mt 11, 28), i cili thekson se, Biri i Zotit që është bërë njeri, nuk e ka larguar prej jetës së njeriut sëmundjen dhe vuajtjen, por e ka shndërruar, duke i thënë një domethënie, një kuptim të ri për ata që dinë ta mbajnë. Besimi në Krishtin e kryqëzuar është forcë e dashurisë deri në fund; jo vetëm një pjesë e jetës sonë, por deri në fund.”

Dhe duke na e tregoi se ku të marrim mësim për të shërbyer këtë kategori nevojtarësh, shkoqiti figurën e shenjtëreshës sonë: “Në personin e Shën Terezës së Kalkutës, modelin kryesor të bamirësisë, e cila me duart e veta nuk ka pasur kurrë ndrojtje që t’i marr të sëmurët, të gërbulurit e rrugëve të Kalkutës, e t’i strehojë në shtëpinë e familjes së saj, ku jetonte me motrat e saja. Ky është modeli që duhet ta ndjekim në jetën tonë të krishterë, për të qenë afër atyre që kanë nevojë. Edhe kur është e nevojshme t’iu shërojmë plagët me duart tona.”- ishin ndër të tjera fjalët e ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli.  

Pas meshës së shenjtë u bë procesioni tradicional me truporen e Zojës së Lurdit, ku marrin pjesë gjithë besimtarët me lutje e këngë.

Festës së Zojës së Lurdit në Stubëll, përherë i paraprinë përgatitja treditore shpirtërore, e cila karakterizohet prej lutjeve, rruzarës, adhurimit, rrëfimit dhe homelive të veçanta, gjatë së cilave marrin pjesë edhe besimtarët e bashkësive famullitare të kësaj pjese të Dioqezës sonë./drita.info

Teksti dhe fotot nga: Anton Koliqi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »