Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 4. Delikuenca

Feb 13 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Termi “delikuenca rinore” zakonisht përdoret për veprime të dënuara me ligj, të cilat i kanë bërë të rinjtë e moshës nga 16 deri në 18 vjeç. Natyrisht, delikuenca në vetvete është një koncept juridik, jo psikologjik, sepse ajo që konsiderohej kriminale në një periudhë, mund të bëhet e ligjshme në periudha tjerët (p.sh. prohibicionizmi, dmth. ndalimi i prodhimeve dhe shitja e alkoolit, kurse sot gjithnjë e më shumë flitet për legalizimin e drogës). Hulumtimet më të reja tregojnë se shkaktari më i shpeshtë, që të rinjtë i shpijnë në akte kriminale janë vështirësitë ekonomike, që janë fryt i shpërndarjes së padrejtë i të mirave sociale. Rritja e delikuencës tek të rinjtë (dhe probleme tjera) shfaqet e ndërlidhur me mungesën e solidaritetit brenda bashkësisë, posaçërisht në shpërbërjen e bashkësisë familjare (p.sh. në lagje të mbyllura të qyteteve, t. a.q. geto, porse edhe në disa lagje jashtëzakonisht të pasura). Një gjë e tillë e gjejmë më të rrallë në qytetet e vogla, që janë kompakte, tradicionale dhe relativisht të izoluara.

Në mesin e faktorëve brenda familjes, që më së tepërmi mund të jenë potencial për sjellje kriminale, në vend të parë është raporti i të rinjve me familjen. Qasja e edukimit të prindërve të dekliventëve të ardhshëm zakonisht është jo e përshtatshme, i kohëpaskohshëm dhe shumë i rreptë, i themeluar më tepër në dënimin fizik se sa në bindje. Faktor jashtëzakonisht kritik është mungesa e kontrollit të prindërve. Prindërit e fëmijëve dhe adoleshentëve agresiv, që janë të prirë për delikuencë, zakonisht nuk kanë “rregull të brendshëm”, dmth. prindërit nuk i kontrollojnë fëmijët e tyre dhe nuk dinë si të ballafaqohen me problemet brenda familjes e as t’i zgjidhin në forma adekuate. Në mënyrë konkrete, faktorët që mund të lidhen me sjelljet delikuente të fëmijëve (studimi kap të burgosurit e mitur) më së shpeshti janë: problemet ekonomike dhe të banimit, probleme që kanë të bëjnë me organizimin e familjes, vështirësi që kanë të bëjnë me raportin prind fëmijë, që shfaqen në procese të ndryshme ndaj birit apo bijës; zakonisht bëhet fjalë për qëndrim më të hapur ndaj birit, kurse më të mbyllur dhe më autoritar ndaj bijës, shkak që vajzat i shtyjnë të largohen nga shtëpia.[1]

Së fundi, një varg hulumtimesh pohojnë ndërlidhjen mes kriminalitetit të të rinjve dhe ndarjes së prindërve. Megjithatë duhet të shtojmë se te prindërit e ndarë (ku është e pranishme vetëm nëna), ku karakterizohet një kohezion afektiv i rëndësishëm dhe ndihma e ndërsjellë, rastet e delikuencës të të rinjve dukshëm bien, në krahasim me ato familje ku, ndonëse janë unike, mbretëron armiqësia, indiferenca dhe apatia.[2]

Në mesin e hipotezave të reja mbi mundësinë e shkaktarëve të kriminalitetit të të rinjve dalin edhe nga miqtë e natyrës. Horst Petri, specialist i psikiatrisë së fëmijëve, e sheh një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet papastërtisë së ambientit dhe çrregullimve shpirtërore të të rinjve, jo ndoshta aq për shkak të faktorëve biologjik sa për shkak të faktorëve psikologjik. Sot, fëmijët ndjehen të lënë në fatin e tyre, të lënë pas dore, të shitur dhe të mashtruar nga gjenerata e prindërve të tyre, të cilët pa skrupull e kanë flijuar natyrën për shkak të mirëqenies së tyre. Pasojat e këtyre ndjenjave negative janë humbja e gëzimit për jetën, apatia, depresioni, por edhe dhuna dhe agresiviteti.[3]

Christina Meves, psikologe e njohur, ia ka kushtuar krejt jetën studimit të të rinjve dhe ndihmës ndaj tyre. Përvojën e saj disavjeçare e ka përmbledh në librin, e cila që në titull e prek shoqërinë e mirëqenë për ndikimet e shumta destruktive tek brezi i të rinjve.[4] Çdo nëntitull i librit të saj është një gjykim; autorja një nga një i analizon sloganet popullore të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, të cilët kanë premtuar çlirim dhe lumturi, e në vend të kësaj e kanë shkatërruar thuajse një gjeneratë të tërë. Shtypja e ndjenjës së fajit nuk të çliron, por krijon pengesa neurotike. Nga pikëvështrimi i baraspeshimit psikologjik, është më mirë të ballafaqohesh me gabime dhe ta pranosh përgjegjësinë për to, se sa t’i mohosh ato. Zëri i ndërgjegjes mund të shtypet, porse nuk mund të çrrënjoset. Ne duhet të jemi të kënaqur që ekziston zëri i fuqishëm i ndërgjegjes, sepse është shenjë se në ne jeton një alarm që mund të na mbrojë nga shumë vendime të gabuara. Sloganet tjera ngashënjyese janë ato që premtonin liri seksuale, që sakatoi pasoja në raportet e shëndosha ndërnjerëzore. “Fitorja” e tretë e madhe e viteve të gjashtëdhjeta ishte tendenca e marrëzishme e barabarësisë, që nënkuptonte barazim të çdo gjëje e gjithsecilit: të rriturit duhej të bëheshin me forcë të rinj, të rinjtë të rritur, kurse fëmijët me forcë i bënin “të rritur” para kohës. Shpallnin barazinë e plotë ndërmjet mashkullit dhe femrës. Të pasurit të uleshin në nivelin e të varfërve, të largohen të gjithë titujt, dhe shenjat e familjeve fisnore. Hapi i fundit në këtë trend ishte mendimi pluralist. Pasoja tragjike e gjithë kësaj ishte varfëria e paparë shpirtërore./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————————————-

[1] Khs. D. Ricca, “Famiglia, ragazzi e ragazze della violenca e del disagio”, Orientamenti Psicologici 41 (1994) 1290-1291.

[2] Khs. P. H. Mussen et al, Lo sviluppo del bambino e la personalità, Bologna, 1986, 475-480.

[3] Khs. H. Petri, Umweltzerstörung und die seelische Entwicklung unserer Kinder, Zürich, 1992.

[4] Ch. Meves, Manipulierte Maßlosigkeit. Psychische Gafahren im technisierten Leben. Die Schwierigkeit, im Wohlstand glüklich zu sein. “Befreiung zum Sex” – 30 Jahren danoch. Gleichheitsideologie am Ende, Stein am Rhein, 1977.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »