Kush është për ty Jezusi?

Feb 20 • Meditimi i ditës

20 shkurt 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jak 2, 1-9; Ps 34, 2-7; Mk 8, 27-33)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa jam ulur këtu, të rrahurat e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment, dhe bëhem i/e vetëdijshëm/e për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të bëhem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojë dëshira për posedim dhe për pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të të shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 8, 27-33

27 Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet:

“Çka thonë njerëzit, kush jam unë?”

28 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”

29 Atëherë i pyeti ata:

“Po ju, kush thoni se jam?”

“Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

30 Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të.

31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. 32 Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. 33 Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • I lejoj Jezusit të më pyet me të butë: “Po ti, kush thua se jam unë?”
  • Ekziston koha për reflektim dhe lutje dhe koha për shpallje. Do të përpiqem të shoh sesi koha për lutje lehtë mund të bëhet vetëm kohë e bluarjes me mend në vend që të jetë kohë e një dëgjimi më të thellë se çka dëshiron të më thotë Zoti.

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe e meditoj Fjalën e Hyjit?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën time.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhënë gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »