Dekreti i Pendestarisë Apostolike në lidhje me dhënien e Ndjesëve të veçanta besimtarëve në situatën aktuale të pandemisë (19 mars 2020)

Mar 28 • Kisha në botë

Pendestaria Apostolike

 

DEKRET

 

U jepet dhurata e Ndjesëve të veçanta besimtarëve të infektuar nga virusi COVID-19, përgjithësisht i quajtur coronavirus, si dhe punonjësve shëndetësor, familjarëve dhe të gjithë atyre që me çfarëdo mënyre, edhe me lutje, kujdesen për ta.

“Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në lutje të qëndrueshëm!” (Rom 12, 12). Fjalët e shkruara nga Shën Pali drejtuar Kishës së Romës tingëllojnë përgjatë gjithë historisë së Kishës dhe orientojnë gjykimin e besimtarëve përballë çdo vuajtje, sëmundjeje dhe fatkeqësie.

Momenti i tanishëm ku gjendet i gjithë njerëzimi, i kërcënuar nga një virus i padukshëm dhe i rrezikshëm, të tashmë prej kohës ka hyrë dhunshëm në jetën e të gjithëve, rimohet ditë pas dite nga frika të ankthshme, pasiguri të reja dhe sidomos nga një vuajtje e përhapur fizike e morale.

Kisha, sipas shembullit të Mësuesit Hyjnor, gjithmonë e ka pasur për zemër mbështetjen ndaj të sëmurëve. Siç ka thënë Shën Gjon Pali II, vlera e vuajtjes njerëzore është e dyfishtë: “Është mbinatyrore, sepse i ka rrënjët në misterin hyjnor të shëlbimit të botës, dhe është, po ashtu, thellësisht njerëzore, sepse në të njeriu rigjen vetveten, njerëzimin e vet, dinjitetin e vet, misionin e vet” (Let. Ap. Salvifici doloris, 31).

Edhe Papa Françesku, gjatë këtyre ditëve të fundit, ka dëftuar afërsinë e vet atërore dhe ka përtërirë ftesën për t’u lutur pareshtur për të sëmurës nga coronavirus.

Me qëllim që të gjithë ata që vuajnë për shkak të COVID-19, pikërisht në misterin e kësaj vuajtje të mund të rizbulojnë “të njëjtën vuajtje sëmbuese të Krishtit” (ibid, 30), kjo Pendestari Apostolike ex auctoritate Summi Pontificis, duke u mbështetur në fjalën e Krishtit Zot dhe duke e konsideruar me shpirt feje epideminë aktuale, që duhet jetuar në stilin e kthimit personal, jep dhuratën e Ndjesëve me përmbajtjen e këtij dokumenti.

U jepet Ndjesa e plotë besimtarëve të infektuar nga coronavirus, të nënshtruarve regjimit të karantinës me dispozitë të autoritetit shëndetësor në spitale apo në banesat e tyre nëse, me shpirt të shkëputur nga çfarëdo mëkati, do të bashkohen shpirtërisht me anë të mjeteve të komunikimit me kremtimin e Meshës së shenjtë, me lutjen e Rruzares së shenjtë, me praktikën e përshpirtshme të Udhës së Kryqit ose me forma të tjera të devocionit, ose nëse, të paktën do të thonë Besojmën, Atynën dhe lutje të përshpirtshme drejtuar së Lumes Mari Virgjër, duke e kushtuar këtë provë me shpirt feje në Hyjin dhe dashurinë ndaj vëllezërve, me vullnetin për të kryer kushtet e zakonshme (rrëfimi sakramental, kungimi eukaristik dhe lutja sipas qëllimeve të Atit të Shenjtë), sapo të kenë mundësi.

Punonjësit shëndetësor, familjarët dhe ata që, sipas shembullit të Samaritanit të Mirë, duke u përballur me rrezikun e infektimit, ndihmojnë të sëmurit nga coronavirus sipas fjalëve të Shëlbuesit hyjnor: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të jap jetën e vet për miqtë e vet” (Gjn 15, 13), do të marrin të njëjtën dhuratë të Ndjesës së plotë me të njëjtat kushte.

Kjo Pendestari Apostolike, gjithashtu, u jep me kënaqësi, me të njëjtat kushte, Ndjesën e plotë me rastin e epidemisë aktuale botërore, edhe atyre besimtarëve që kushtojnë vizitën te i Shenjtërueshmi Sakrament, ose adhurimin eukaristik, ose leximin e Shrkimeve të Shenjta për të paktën gjysmë ore, ose e lusin Rruzaren e shenjtë, ose praktikën e përshpirtshme të Udhës së Kryqit, ose lutjen e Rruzaren e Mëshirës hyjnore për të kërkuar prej Hyjit të Gjithëpushtetshëm ndalimin e epidemisë, lehtësimin për ata që janë të prekur prej saj dhe shpëtimin e amshuar të atyre që Zoti i ka thirru te vetja.

Kisha lutet për ata që gjenden në pamundësi për të marrë sakramentin e Vajimit të të sëmurëve dhe të përshtegtimit, duke ia besuar Mëshirës hyjnore të gjithë dhe secilin me anë të bashkësisë së shenjtërve dhe i jep besimtarit Ndjesën e plotë në fill të vdekjes, mjafton që ai të jetë i gatshëm siç duhet dhe të ketë thënë në mënyrë të zakonshme gjatë jetës ndonjë lutje (në këtë rast Kisha plotëson tre kushtet e zakonshme të kërkuara). Për marrjen e kësaj ndjese porositet përdorimi i kryqit ( khs. Enchiridion indulgentiarum, nr. 12).

E Lumja Mari gjithmonë Virgjër, Nëna e Hyjit dhe e Kishës, Shëndeti i të sëmurëve dhe Ndihma e të krishterëve, Pajtorja jonë, e ndihmoftë njerëzimin e vuajtur, duke e larguar prej nesh të keqen e kësaj pandemie dhe duke fituar për ne çdo të mirë të nevojshme për shpëtimin dhe shenjtërimin tonë.

Ky Dekret është i vlefshëm pavarësisht prej çfarëdo dispozite të kundërt.

 

Dhënë në Romë, nga selia e Pendestarisë Apostolike, më 19 mars 2020.

 

                                                                                      Kardinal Mauro Piacenza

                                                                                           Pendestar Madhor

                                                                                                                                               Krzysztof Nykiel

                                                                                                                                                      Regjent

Shpërndaje

Comments are closed.

« »