Papa lutet për fundin e pandemisë: O Zot, mos na le në mëshirën e stuhisë!

Mar 28 • Kisha në botë

E premtja e 27 mars 2020, do të mbetet në historinë e Kishës dhe të njerëzimit. Në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, para sheshit bosh, por i lidhur shpirtërisht me të gjithë të krishterët e botës, Papa Françesku, në praninë e figures së Zojës “Salus Populi Romani” e të kryqit të Shën Marçelit, që ndali murtajën në Romën e vitit 1522, i kërkoi Zotit ta dëgjojë lutjen e gjithë burrave e grave, në këto kohë pandemie nga coronavirusi. Pas lutjes dhe ungjillit, mbi të cilin Papa bëri një reflektim prekës, ndau bekimin e veçantë  “Urbi et Orbi”, për të gjithë ata që ishin lidhur me të në lutje, përmes mjeteve të komunikimit, por edhe të gjithë besimtarët, që u bashkuan me Papën shpirtërisht e me njetin e zemrës, edhe pse nuk kishin mundësi ta shihnin apo ta dëgjonin lutjen, patën mundësi të marrin Ndjesën e plotë, sipas kushteve të Kishës.

 

LUTJA

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm,

shikoje gjendjen tonë të dhimbshme:

ngushëlloji bijtë e tu

e hapni zemrat tona për shpresën,

që ta ndiejmë mes nesh praninë e Atit Qiellor. Amen

 

 

Nga Ungjilli sipas Markut (4, 35-41)

Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve: “Të kalojmë matanë!” Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër.  E përcillnin edhe lundra të tjera.  Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: “Mësues! A nuk shqetësohesh që po mbytemi?” Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit: “Qetësohu! Shuaj!” Era pushoi e u bë fashë e madhe. Atëherë u tha: “Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri tjetrit: “Vallë, kush është ky të cilit po i nënshtrohen era dhe deti?”

 

 

Reflektimi i Papa Françeskut

Kur u err” (Mk 4, 35). Kështu fillon Ungjilli që e dëgjuam. Që prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Re të errëta janë dendësuar mbi sheshe, rrugë e qytete; kanë marrë në dorë jetën tonë, duke e mbushur gjithçka me një heshtje shurdhuese e me një boshllëk dëshpërues, që paralizon çdo gjë kur kalon: ndihet në ajër, shihet në gjeste, na e thonë vështrimet. Ndihemi të frikësuar e të humbur. Si dishepujt e Ungjillit, u kapëm të papërgatitur nga një stuhi e papritur dhe e furishme. E kuptuam se jemi të gjithë në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë e të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të thirrur për t’u dhënë rremave së bashku, të gjithë me nevojën për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Mbi këtë barkë… jemi të gjithë”. Sikurse këta dishepuj, që flasin me një zë dhe me ankth thoshin: “po mbytemi” (rr. 38), kështu edhe ne e kemi kuptuar se nuk mund të shkojmë tutje secili për llogari të veten, por së bashku.

Është e thjeshtë ta gjejmë veten në këtë histori. Ajo çka rezulton e vështirë është si ta kuptojmë qëndrimin e Jezusit. Derisa, natyrisht, dishepujt janë të alarmuar dhe të dëshpëruar, Ai qëndron në pope, pikërisht në pjesën e barkës që e para fundoset. Dhe çfarë bën? Pavarësisht stuhisë, ai fle i qetë, i sigurt në Atin – është hera e parë dhe e vetme në Ungjill që e hasim Jezusin duke fjetur – Kur zgjohet pastaj, pasi e qetësoi erën dhe ujërat, iu drejtohet dishepujve me një zë qortues: «Pse keni frikë?  Pse frikësoheni? Po a ende nuk besoni?” (rr. 40).

Le të përpiqemi të kuptojmë. Ku qëndron mungesa e fesë së dishepujve, e cila është në kundërshti me besimin e Jezusit? Ata nuk kishin ndalur së besuari në Të, në fakt e thërrasin. Por le të shohim se si e thërrasin: “Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?” (rr. 38). A nuk je në kujdes: mendojnë se Jezusi nuk interesohet për ta, nuk kujdeset për ta. Mes nesh, në familjet tona, një nga gjërat që më së shumti lëndon është kur dëgjojmë të thuhet: “Nuk je në kujdes për mua? Nuk të intereson për mua?”. Është një frazë që plagosë dhe shkakton stuhi në zemër. Do ta ketë tronditur gjithashtu edhe Jezusin. Sepse askush nuk është më shumë se ai në kujdes për ne. Në fakt, një herë i thirrur, i shpëton dishepujt e tij të dekurajuar.

Stuhia e zhvesh dobësinë tonë dhe qet në shesh siguritë e rreme dhe të teprueme me të cilat i kemi ndërtuar agjendat tona, projektet tona, zakonet dhe përparësitë tona. Na tregon se si kemi lënë në gjumë dhe kemi braktisur atë që na ushqen, na mbështet dhe i jep fuqi jetës sonë dhe bashkësisë sonë. Stuhia i qet në pah të gjitha qëllimet e “paketuara”  e të harruara që e kanë ushqyer shpirtin e popujve tanë; të gjitha këto përpjekje për të anestezuar me zakone me sa duket “shpëtimtare”, të paafta për t’u bërë thirrje rrënjëve tona dhe për të thirrur kujtesën e pleqve tanë, duke na rrëmbyer kështu nga imuniteti i nevojshëm për t’u përballur me fatkeqësinë.

Me stuhinë, ka rënë mashtrimi i atyre stereotipeve me të cilat i maskonim “egot” tona gjithmonë të shqetësuar për përgjasimin e vet; dhe ka mbetur e zbuluar, edhe një herë, kjo përkatësi (e bekuar) e përbashkët prej së cilës nuk mund të shpëtojmë e të ikim: përkatësia si vëllezër.

“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” O Zot, Fjala jote këtë mbrëmje na godet dhe na prek, të gjithëve. Në këtë botën tonë, që Ti e donë më shumë se ne, kemi ecur përpara me shpejtësi të plotë, duke u ndier të fortë e të aftë në gjithçka. Lakmitarë për të fituar, e kemi lejuar veten të përthithemi nga gjërat dhe të hutohemi nga nxitimi. Nuk jemi ndalur para thirrjeve tua, nuk jemi rizgjuar përballë luftërave dhe padrejtësive planetare, nuk e kemi dëgjuar britmën e të varfërve dhe të planetit tonë të sëmurë rëndë. Kemi vazhduar pa kthim, duke menduar se do të qëndrojmë gjithmonë të shëndetshëm në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa jemi në një det të trazuar, të përgjërohemi: “Zgjohu, o Zot!”.

“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” O Zot, na drejto një thirrje, një thirrje në fe. Që s’ka të bëj me besimin se Ti ekziston, por të vijmë te Ti e të besojmë në Ty. Në këto Kreshme tingëllon thirrja jote urgjente: “Kthehuni”, “kthehui me gjithë zemër kah unë” (Jl 2,12). Na thërret që ta pranojmë këtë kohë të provës si një kohë të zgjedhjes. Nuk është koha e gjykimit tënd, por e gjykimit tonë: kohë për të zgjedhur atë që vlen e atë që kalon, për të ndarë atë çka është e nevojshme nga ajo që nuk është. Është koha për të rivendosur rrjedhën e jetës drejt teje, o Zot, dhe ndaj të tjerëve. E mund t’i shohim shokët e shumtë të udhëtimit shembullor, që në frikë, kanë reaguar duke e dhënë jetën e tyre.

Është fuqia vepruese e Shpirtit Shenjt e derdhur dhe e formuar në përkushtime të guximshme dhe bujare. Është jeta e Shpirtit e aftë të rimarrë, të forcojë dhe tregojë se si jetët tona janë të endura dhe të mbështetura nga njerëzit e zakonshëm – zakonisht të harruar – që nuk figurojnë në titujt e gazetave dhe revistave, ose në tepihun e kuqshow të fundit, por pa dyshim, sot po i shkruajnë ngjarjet vendimtare të historisë sonë: mjekë, motra e vëllezër mjeksorë, punonjës të supermarketeve, pastrues, kujdestarë, bartësit, pesoneli i rendit, vullnetarë, priftërinj, murgesha dhe shumë, vërtetë shumë të tjerë që e kanë kuptuar se askush nuk shpëtohet i vetëm. Përballë vuajtjes, ku matet zhvillimi i vërtetë i popujve tanë, zbulojmë dhe përjetojmë lutjen priftërore të Jezusit: “që të gjithë të jenë një” (Gjn 17, 21). Sa njerëz çdo ditë ushtrojnë durim dhe shpresë të pafund, duke u kujdesur që të mos mbjellin panik por bashkëpërgjegjësi. Sa etër, nëna, gjyshër dhe gjyshe, mësues u tregojnë fëmijëve tanë, me gjeste të vogla dhe të përditshme, si të përballemi dhe ta kalojnë një krizë duke i përshtatur zakonet, duke e lartësuar shikimin e duke nxitë lutjen. Sa njerëz luten, ofrojnë dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Lutja dhe shërbimi i heshtur: janë armët tona ngadhënjyese.

“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” Feja fillon kur të kuptojmë se kemi nevojë për shpëtim. Nuk jemi të vetëmjaftueshëm, të vetëm; të vetëm fundosemi: kemi nevojë për Zotin sikur detarët e lashtë për yjet. Ta thrrasim Jezusin në barkat e jetës sonë. Le t’ia japim atij frikën tonë, që Ai ta mundë atë. Ashtu si dishepujt edhe ne do të përjetojmë që, bashkë me Të në barkë, nuk do të kemi aniethyerje. Sepse kjo është fuqia e Hyjit: t’i kthejmë në të mirë të gjitha ato që ndodhin, madje edhe gjërat e këqija. Ai sjell i fashit të gjitha stuhitë tona, sepse jeta me Hyjin nuk vdes kurrë.

Zoti na sfidon në mes të stuhisë sonë dhe na fton ta zgjojmë e ta aktivizojmë solidaritetin dhe shpresën, të cilat janë të afta të japin qëndrueshmëri, mbështetje dhe kuptim në këto orë kur gjithçka duket se po përmbytet. Zoti zgjohet për ta zgjuar e për ta ringjallë besimin tonë pashkvor. Ne kemi një spirancë: në kryqin e tij kemi qenë shpëtuar. Kemi një timon: në kryqin e tij kemi qenë shpërblyer. Kemi një shpresë: në kryqin e tij kemi qenë shëruar e përqafuar derisa asgjë dhe askush të mos na ndajë nga dashuria e tij shëlbuese. Në mes të izolimit, në të cilin po vuajmë nga mungesa e afërsisë dhe takimeve, duke e provuar mungesën e shumëçkaje, le ta dëgjojmë edhe një herë kumtin që na shpëton: ai është ringjallur dhe jeton me ne. Zoti na sfidon nga kryqi i tij që ta gjejmë jetën që na pret, të shikojmë drejt asaj që pretendojnë, për të përforcuar, për të njohur dhe për të nxitur hirin që banon në ne. Le të mos e shuajmë fitilin tymues (khs. Is 42,3), që nuk fiket kurrë e le ta lejojmë që ta rindezë shpresën.

Me e përqafua kryqin tënd do të thotë me e gjetë guximin për me i përqafua të gjitha kundërshtimet e kohës së tanishme, duke braktisur për një çast ankthin tonë për gjithëpushtetësinë dhe zotërimin, e për t’i dhënë hapësirë kreativiteti që vetëm Shpirti është i aftë ta ngjallë. Do të thotë të gjesh guximin për të krijuar hapësira, ku të gjithë mund të ndjehen të thirrur dhe të lejojnë forma të reja mikpritjeje, vëllazërie dhe solidariteti. Në kryqin e tij kemi qenë shpëtuar për të pranuar shpresën dhe për ta lën atë t’i forcojë dhe t’i mbështesë të gjitha masat dhe rrugët e mundshme që mund të na ndihmojnë që të mbrohemi e t’i mbrojmë të tjerët. Ta përqafojmë Zotin për ta përqafuar shpresën: ja forca e besimit, e cila të çliron nga frika dhe të jep shpresë.

“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” Të dashur vëllezër e motra, nga ky vend, që dëshmon fenë shkëmbore të Pjetrit, sonte, dua t’ju besoj të gjithëve Zotit, me ndërmjetësinë e Zojës, shëndeti i popullit të vet, ylli në detin e stuhishëm. Nga kjo kolonadë, që përqafon Romën dhe botën zbrittë mbi ju, si përqafim ngushëllues, bekimi i Hyjit. O Zot, bekoje botën, dhuroju shëndet trupave dhe ngushëllim zemrave. Ti na kërkon të mos kemi frikë. Por feja jonë është e dobët e ne kemi frikë. Por Ti, o Zot, mos na lër në mëshirën e stuhisë. Na thuaj prapë: ‘Mos kini frikë’. E ne, bashkë me shën Pjetrin, ‘ta lemë Ty çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne’ (khs. 1 Pjt 5,7)./drita.info

 

Përgatiti për Dritën: Don Nikson Shabani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »