Paragjykimi rritet atje ku nuk pranojmë ta dëgjojmë tjetrin

Mar 28 • Meditimi i ditës

28 mars 2020 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 11, 18-20; Ps 7, 2-3.9bc-10.11-12; Gjn 7, 40-53)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? I pa brengosur? I turbulluar?
Ndoshta jam i qetë, i lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i frustruar, i brengosur dhe i zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çka dëshiron të më thotë.

 

Gjn 7, 40-53

 

40 Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin:

“Ky është me të vërtetë Profeti!”

41 Të tjerë thoshin:

“Ky është Mesia!”

Prapë disa të tjerë thoshin:

“Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia? 42 Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?”

43 Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij.

44 Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të.

45 U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë:

“Pse nuk e sollët?”

46 Rojtarët u përgjigjën:

“Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!”

47 Atëherë farisenjtë u përgjigjën:

“Po a mos u mashtruat edhe ju? 48 Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? 49 Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin ‑ qoftë mallkuar!”

50 U tha njëri prej tyre, Nikodemi ‑ ai që më parë pati qenë te Jezusi:

51 “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?”

52 Ata iu përgjigjën:

“A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!”

53 Dhe se cili shkoi në shtëpinë e vet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Paragjykimi për Jezusin është i madh për shkak të qytetit të tij të lindjes Nazaretit. Ky paragjykim bazohet në mosdije. Nuk pranonin të besojnë në të se është Krishti (Shpëtimtari) për arsye pse nuk është nga Betlehemi, e po të kishin kërkuar pak më mirë…
  • Mjaft paragjykime bazohen në mosdije apo në gjysmë të vërteta. Paragjykimi rritet atje ku nuk pranojmë ta dëgjojmë tjetrin. Lutja na hap zemrën kur në të i përfshijmë ata të cilët më së shumti i kundërshtojmë.
  • Paraqitja dikë Zotit të kryqëzuar, përfshije në lutjen tënde dhe do të shohësh që qëndrimet dhe sjelljet e tua ndaj atij personi ngadalë do të ndryshojnë. Dashuria ndaj Hyjit, e dhuruar dhe e pranuar, i zbut paragjykimet nga më të mëdhatë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »