Lotët e Jezusit si ilaç që rikthejnë jetën

Mar 29 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela V e Kreshmës (A)

 

Leximi i parë   Ez 37, 12-14

Profeti Ezekiel shpall se Zoti vetë do ta nxjerrë popullin e Izraelit jashtë nga varri dhe do ta çojë në atdheun e tij.  Kjo është shenja e një çlirimi tjetër, shumë më i rëndësishëm dhe mbarëbotëror, me të cilin Hyji nëpërmjet mundimeve të Jezu Krishtit do të fitojë mbi vdekjen dhe mbi të keqen.

 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Ç’ka them unë, atë edhe e bëj – thotë Zoti Hyj. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  130

 

Ref: Zoti është mirësia dhe mëshira

—————————————-

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu

zërin e lutjes sime.

—————————————-

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,

o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? 

Por tek ti gjendet falja

që të dimë të të druajmë.

—————————————-

Shpresoj në ty, o Zot,

shpirti im shpreson në premtimin e tij. 

E pret shpirti im Zotin

më tepër se rojtarët agimin.

—————————————-

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira

dhe i madh është tek Ai shpërblimi. 

Ai do ta nxjerrë Izraelin

Prej të gjitha paudhësive të tija.

—————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 8, 8-11

“Mishi” dhe “Veprat e trupit” janë simboli i egoizmit tonë, kundër të cilit Shën Pali na paralajmëron dhe na fton të luftojmë. Apostulli na kujton arsyen e kësaj lufte që duhet ta përballojmë çdo ditë: forca e Jezu Krishtit të ngjallur është me ne; Ai që ka fituar mbi vdekjen na jep forcën për të përballuar provat e përditshme.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij.  E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjallli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam ngjallja dhe jeta, thotë Zoti: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli    Gjn 11, 1-45

Tregimi i vdekjes së Lazrit ka një domethënie që i përket Pagëzimit dhe një tjetër që i përket Pashkëve. Pas vdekjes së Lazrit shihet vdekja e Krishtit. Vdekja takohet me Jezusin në personin e mikut të tij dhe Ai është i turbulluar. I gjithë tregimi shpall se vdekja e Jezusit po ndodh, por Ai është më i fortë dhe do të fitojë mbi vdekjen me anë të ngjalljes.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Aso here ishte i sëmurë njëfarë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. Maria ishte ajo, që e pati përuruar Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte sëmurë. Prandaj motrat i çuan fjalë: “Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.” Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj Biri i Hyjit.” Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude.” Nxënësit i thanë: “Mësues, tani judenjtë deshën të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?” Jezusi u përgjigji: “Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë? Kush ecën ditën, nuk merr në thua, sepse e sheh dritën e kësaj bote. Kush ecën natën, merr në thua, sepse nuk ka dritë në të.”  U tha kështu, pastaj shtoi: “Lazri, dashamiri ynë, fle, por po shkoj ta zgjoj.” Atëherë, nxënësit e tij i thanë: “Zotëri, nëse fle, do të shërohet!” Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. Atëherë Jezusi u tha haptas: “Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, shi për ju, që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!” Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!” Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. Shumë judenjtë kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.  Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. Por edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do ta japë.” “Do të ngjallet vëllai yt!” – i tha Jezusi. “E di se do të ngjallet – i përgjigji Marta – në ringjallje, ditën e fundit.” Jezusi u përgjigji: “Unë jam ringjallja dhe jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?” Marta i përgjigji: “Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit, ai që duhej të vijë në botë!”  Jezusi, kur e pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?” “Zotëri, eja e shih!” – i përgjigjën. E Jezusit i ngufi vaji. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbërit, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?” Mandej Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë, e grykën ia kishin zënë me një gurë. Jezusi tha: “Hiqnie gurin!” Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Vdiq, qe, katër ditë!” “A nuk të thashë – i përgjigji Jezusi – nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?”  E hoqën, pra, gurin. Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha: “O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën. Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.” Si foli kështu, thirri me zë të madh: “Lazër, dil jashtë!” Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidhne dhe lënë të ecë!” Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të.  Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njeriu i çdo epoke ka provuar të luftojë kundër vdekjes për ta mundur, për këtë ai kërkon të gjejë një domethënie për ta përballuar. Vetë Biri i Hyjit, duke thirrur Lazrin nga varri, zbulon kush është Ai për çdo njeri: është Ai që zotëron plotësinë e jetës dhe e komunikon.

“Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin”. Jezusi kishte një marrëdhënie të dashur e të thellë me familjen e Lazrit. Ai dëshiron të jetë miku personal i secilit prej nesh e i familjeve tona. Kur Jezusi arriti në Betani, Lazri “ishte varrosur para katër ditësh”. Jezusi gjen mikun e tij tashmë të burgosur nga vdekja, dhe e mund me fjalën e tij dhe çliron Lazrin. “Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë”. Jezusi dëshiron të drejtojë drejt besimit të vërtetë Martën dhe dishepujt. Të besosh domethënë t’i thuash një po të plotë duke iu dorëzuar Atij, e pra duke u bërë më të gjallë. “Unë jam ngjallja dhe jeta”: qysh tani, në të tashmen, Jezusi është për të gjithë besimtarët ajo jeta hyjnore, e amshuar që nuk do të vdesë kurrë. Nëse Jezusi është në ty, nuk do të vdesësh. Britma që tingëllon, “Lazër, dil jashtë!”, është thirrja e Atij që në ditën e fundit do të thërrasë të vdekurit nga varret e tyre, por është edhe zëri i atij, i cili që tani thërret të vdekurit shpirtërisht të ngjallen dhe të jetojnë.

Jezusi di të shohë në vdekjen e mikut, në vdekjen e vet, në vdekjen e të gjithë neve një domethënie të re, nëpërmjet së cilës vdekja kthehet në një gjumë në pritje të zgjimit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, leximet e sotme janë një katekezë e vogël mbi vdekjen si bashkim me Krishtin e ngjallur. Thërrasim mbi ne fuqinë e Zotit për t’u ngjallur me të në jetën e re.

L. Të lutemi së bashku duke thënë: Na jep jetën tënde, o Zot.

L. Për Kishën, që të shpallë në botën tonë të tronditur mesazhin e Krishtit, duke hapur zemrën e shumë vëllezërve drejt shpresës. Të lutemi

L. Për burrat dhe gratë e kohës sonë, që të zbulojnë kuptimin e vërtetë të jetës dhe të lëshohen me besim në duart e Hyjit. Të lutemi

L. Për të krishterët, që të bashkohen me Krishtin në misterin e vdekjes dhe të ngjalljes dhe të ndihen të bashkuar me të sëmurët dhe të vuajturit. Të lutemi

L. Për ne këtu të pranishëm, që të jetojmë plotësisht mundimet e Zotit dhe të fitojmë një rritje besimi, shprese dhe mirësie. Të lutemi

M. O Hyj, që ke dërguar Birin tënd për të marrë mbi vete dhimbjen e botës, dëgjoji lutjet tona dhe nëpërmjet fuqisë së Kryqit jepi njerëzimit të vuajtur mundësinë për të kaluar pragun e shpresës për t’u ndjerë i bashkuar me ty që je Dashuria. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »