Kur e mban Fjalën, fiton jetë

Apr 1 • Meditimi i ditës

1 prill 2020 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 3,14-20.24-25.28; Ps: Dan 3,52-56; Gjn 8,31-42)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti dhe kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria 

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhen qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuarvetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 


 

Gjn 8, 31-42

31 Pastaj Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të:

“Nëse do ta mbani fjalën time,

vërtet do të jeni nxënësit e mi;

32 do ta njihni të vërtetën

dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.”

33 Ata iu përgjigjën:

“Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’“

34 Jezusi u përgjigj:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them:

kushdo bën mëkat

është skllav (i mëkatit).

35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi,

ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi.

36 Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë,

me të vërtetë do të jeni të lirë.

37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit,

e megjithatë kërkoni të më vritni,

sepse fjala nuk gjen vend në ju.

38 Unë flas çka pashë tek Ati

e ju bëni

çka dëgjuat prej atit [tuaj].”

39 Ata iu përgjigjën:

“Ati ynë është Abrahami.”

Jezusi u tha:

“Po të ishit bijtë e Abrahamit,

do të bënit veprat e Abrahamit!

40 Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua,

që ju fola të vërtetën,

që e dëgjova prej Hyjit.

Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë.

41 Ju bëni veprat e babait tuaj.”

[Atëherë] i thanë:

“Ne s’kemi lindur nga fëlligështia ‑ kemi vetëm një baba ‑ Hyjin”

42 Jezusi iu përgjigj:

“Po ta kishit Hyjin Atë,

do të më donit edhe mua,

sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha;

nuk erdha prej vetvetes,

por Ai më dërgoi.

 


 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit  të Shenjtë:

 

  • “E vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.” Kjo është një nga thëniet më të cituara të Jezusit. Por cili është kuptimi i “së vërtetës” dhe cili është kuptimi i “njeriut të lirë”, lirimit? Jezusi diskuton këto çështje me dëgjuesit e tij. Ky debat ka vazhduar edhe sot e kësaj dite midis besimtarëve dhe madje edhe jo-besimtarëve.
  • A do të thotë kjo deklaratë ndonjë gjë për ty personalisht? A mund të veçosh një ngjarje ku je përballë me një të vërtetë që të ka liruar nga robëria, disa lidhje, varësi, ndonjë ngashënjim, errësirë të brendshme …?
  • Gjoni do të shkruajë më shumë rreth dashurisë më vonë në Ungjijtë dhe letrat e tij. Por përdorimi i tij i fjalëve në këtë lexim vjen si befasi për ne. A e ke vënë re atë?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri, thjesht lejo që këto rreshta të Ungjillit të jehonë në mendjen dhe zemrën tënde.

 

Bashkëbisedimi

Kjo “ta mbash” apo “të qëndrosh në fjalën e Jezusit”, do të thotë të fitosh jetë, të frymëzohesh, gjallërohesh nga Fjala. Ajo jetë ështëvetë Krishti, ai është dashuria e Atit.

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Të jesh nxënës/e, dëgjues/e, është jetë dhe qëndrim në të vërtetën, duke e ditur se Jezusi, të cilit i drejtohemi në lutje, vjen nga Hyji dhe është me Hyjin. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »