Kisha – bashkësi faljeje – rrëfimi

Apr 2 • Këndvështrime

“Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen!”  (Gjn 20, 22-23)

“Vetëm një gjë është e domosdoshme: rrëfimi. Nuk është asgjë tjetër përpos veprim përvujtërie. E quajmë “sakramenti i pendesës”, por vërtet është sakramenti i dashurisë, faljes… Është një vend ku unë ia mundësoi Jezusit që të çrrënjosë  dhe gjithçka që na ndanë dhe asgjësojnë. Në Rrëfimi do të duhej të ishte shumë të thjeshtë, si fëmijë.” (Nëna Tereze)

 

E tërë vepra e shëlbimit është për të na çliruar nga robëria e mëkatit dhe vdekjes. Shërimi i përket tërësisë së njeriut, trup dhe shpirt, si mjek dhe mik i mbarë njerëzimit. Për këtë Ai ka bërë shumë mrekulli. Në një rast tha: “Biro, të janë falur mëkatet!”. (Mk 2, 5), dhe pastaj shëroi edhe trupin: “Unë po të urdhëroj – i tha të paralizuarit – Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!” (Mk 2, 11)

Kisha besnikërisht vazhdon mësimin dhe jetën e Jezusit. “Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin – faljen e mëkateve.” (Kol 1, 13)

Për ta bërë këtë Jezusi ka themeluar dy sakramente: rrëfimin apo pajtimin dhe sakramentin e vajimit.

“Shumë prej asish që besuan vinin e rrëfenin ballafaqe dhe i tregonin veprimet e veta të shortisë.” (Vap 19, 18)

“Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na pastrojë nga çdo padrejtësi.” (1 Gjn 1, 9)

“Rrëfeni mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin që të shëlboheni!” (Jak 5, 16)

Koncili i Trentit, e përcakton rrëfimin kështu: sakrament i themeluar prej Jezu Krishtit për faljen e mëkateve pas pagëzimit. I njëjti Koncil, i ka vendosur edhe kushtet themelore për falje:

  • Pendimi për mëkatet e bëre;
  • Rrëfimi i mëkateve të bëra;
  • Shpërblimi për mëkatet e bëra, që e cakton rrëfyesi, Kisha, si pendesë për mëkate.

Koncili Dytë i Vatikanit e paraqet mëkatin në botëkuptimin biblik, si dëbim i Zotit dhe dashurisë së tij, pra, pajtimi si veprim dashurie, kthim kah Zoti dhe bashkësia e krishterë, Kisha, nëpërmjet sakramentit të faljes.

Duhet të shkojmë te rrënjët e së keqes, mëkatit, që është gjithmonë përvoja e largim prej Shtëpisë së Atit, dëbimi për të qenë dhe për t’u sjellë si bir apo bijë (krhs. Lk 15, 12-13).  Mëkati e largon njeriun prej Zotit, por edhe prej bashkësisë së shëlbimit, Kishës. Në sakramentin e rrëfimit besimtarët marrin mëshirën e Zotit dhe faljen e mëkateve nëpërmjet Kishës, dhe kështu pajtohen me Zotin, me Kishën dhe me të afërmin, sepse mëkati ka shkaktuar një plagë. (khs. LG 11)

Rrëfimi dhe pajtimi i vërtetë, është dashuria për Zotin, dhe për dashuri ndaj Tij, urrejtja ndaj të keqes dhe mëkatit, robërisë, që theksohet mirë në “Rendin e pendesës” “për të arritur te pajtimi i plotë me Zotin dhe me Kishën.” (khs. nr. 5)

Për fat të keq, shumë të krishterë kanë humbur ndjenjën e fesë si jetë me Zotin, e me këtë edhe ndjenjën e mëkatit, dhe shi për këtë, nuk arrijnë më ta kuptojnë dhe përjetojnë marrëdhënien mes Zotit dhe jetës sonë, veprimeve dhe mëkateve tona.

Tjerët nuk e kanë humbur fenë, por e përjetojnë atë si marrëdhënie të ngushtë personale, dhe nuk kuptojnë më dimensionin kishtar apo komunitar të mëkatit dhe të faljes apo pajtimit; sipas tyre mëkati është një veprim krejtësisht personal, intim, individual dhe asgjë tjetër.

Duke humbur lidhjen bijësore mes Zotit dhe njeriut, nuk ka më mëkat, dëbim të Zotit. Humbja e lidhjes mes mëkatit, mëkatarit dhe bashkësisë, Kishës, nuk pranohet më as fytyra e rrëfyesit, si përfaqësues i Zotit dhe bashkësisë së krishterë.

Ja, pse fatkeqësisht është në krizë sakramenti i rrëfimit apo pajtimit, sepse në jetën e besimtarëve mungojnë dy shtylla: Zoti dhe Kisha.

“Rendi i pendesës” kërkon rikuperimin e ndjenjës së Zotit dhe të bashkësisë së krishterë nëpërmjet kremtimit të Fjalës së Zotit, si pikënisje “sepse pikërisht  Fjala e Zotit na fton në pendim dhe pendesë që është kthimi i vërtetë i zemrës.” (nr. 24)

Shpeshherë na mundon ndjenja e fajit dhe mëkatit, por, si të dalim  nga kjo çështje? Vetëm duke u lëshuar tërësisht në dorë të Krishtit me shumë fe dhe dashuri, me fenë e Kishës dhe në Kishë, në sakramentin e pajtimit, që është nisje nga ana e Zotit.

Sa bukur është marrja e pajtimit dhe faljes nga ana e Zotit, që nuk na mohon kurrë atë, nëse ia kërkojmë me fe dhe dashuri! Do të ishte bukur që të mësojmë edhe ne të falim, për të qenë dëshmitarë të asaj që Zoti na dhuron neve, si dhe për dëshminë e fuqisë së mëshirës, dashurisë dhe faljes së Tij, si parakusht dhe mundësi për ne dhe për të tjerët, për të gjithë.

Zoti na ofron dhe mundëson gjithmonë mundësinë e dashurisë, pra, të faljes, mëshirës, kthimit, dhe edhe ne, së bashku me Të, duhet ta kemi “stilin” e Tij, pra, veprimin ndaj tjerëve duke kërkuar dhe dhuruar falje në vazhdimësi.

Besimtari kurrë nuk është i dëshpëruar, as i gatshëm për gjykime, përgojime, dënime ndaj tjerëve.

“Kur vetëdijesohemi se jemi mëkatarë dhe nevojtarë për falje, do të jetë shumë më lehtë t’i falim tjerët. Deri sa nuk do ta kuptoj këtë, do ta kam vështirë të them: “Të fali”, kujtdo që më drejtohet. Nuk është e nevojshme të jemi të krishterë për të falur. Çfarëdo të jetë feja jonë, duhet të mësojmë të falim, nëse duam vërtet të kemi dashuri.” (Nëna Tereze)

Për çdo njeri, është mjaft vështirë pranimi i kufizimeve dhe paaftësive për të realizuar ndonjë dëshirë apo projekt. Po ashtu është vështirë të pranojmë se kemi nevojë për tjerët për të konkretizuar ndonjë nevojë, dëshirë, projekt… Nëse mosaftësia është absolute, si rasti i ndonjë të sëmuri të pashërueshëm, apo ndonjë miqësi që dukej e përjetshme, por papritmas thyhet, e ne s’mund të ndërmarrim asgjë për ta ndryshuar këtë gjendje… Rastet e tilla shkaktojnë dhembje, vuajtje, lodhje, mërzi, ndjenja paaftësie, frustrimi…

Përvojave të tilla i përngjan edhe mëkati edhe mëkatari, kur zbulojmë kufizimet, të metat, veset tona, varret e shpirtit. Dëshira për ndërrim dhe përmirësim është e fuqishme, por mundësitë janë të vogla, ndoshta tejet të vogla. Si të ishin në ndonjë hark të mbyllur.

Çka mund të bëjmë? Të ecim përpara duke u dorëzuar, gati si fatalizëm, apo ta kërkojmë ndonjë zgjidhje jashtë vetvetes!

Vetëdija për kufizime arrihet edhe nëpërmjet mëkatit, është një lloj hallke që na lidhë me gjithëpustetësinë e Zotit. Nëse kemi sigurinë e Dashurisë hyjnore, mëkati atëherë është një rast për ta sprovuar mëshirën dhe dashurinë e Zotërisë.

Çelësi i ndërrimit është Jezusi, dorëzimi në duart e Tija, sepse vetëm Ai e ka mundur botën, mëkatin, vdekjen, djallin. Rasti më i mirë që na ofron dhe dhuron Zoti për ndërrimin tonë është rrëfimi.

Rrëfimi nuk është vetëm vajtimi i së kuluares së tretur, rrëmim i hollësishëm i ndërgjegjes, verifikimi i vendimeve dhe veprimeve tona, gjesti i përvujtërimit para Zotit: rrëfimi është  gjithë kjo, por mbi të gjitha është takim me Jezusin për t’i hapur dyert e mëshirës dhe dashurisë për një të ardhme më të mirë. Prandaj sakramenti i rrëfimit nuk është vetëm për të kaluarën, por garanton të tashmen dhe përgatit të ardhmen, faljen, dashurinë, besimin që Ai na dhuron, si bazë për një jetë ndryshe, për një ecje të re, për një njeri të ri, për një botë të re.

“Vetëm një gjë është e domosdoshme, rrëfimi. Rrëfimi nuk është asgjë tjetër përpos vepër përvujtërimi, nëpërmjet cilit Zoti na mundëson dhe dhuron faljen e Tij, Dashurinë, si garanci për ndërrim.” (Nëna Tereze)

Nëse mëkati është qenësisht dëbimi i dashurisë së Zotit, rrëfimi atëherë është veprim pranimi i kësaj dashurie, e cila është gjithnjë më e madhe se mëkati ynë. Ndërrimi i jetës sonë është vepër e Zotit, jo e njeriut. Kjo është e vërteta e thellë e fesë së krishterë, argumenti më i mirë se Jezusi është i gjallë në botë. Çka për njeriun është e pamundshme, ndërrimi i vetvetes, për Zotin është e mundshme, por me lirinë dhe përgjegjësinë tonë.

Këtë duhet ta besojmë, kërkojmë, bëjmë të mundshme, për ne dhe për tjerët, duke u hapur dhe bashkëpunuar me Zoti dhe të afërmin.

“I krishteri duhet të mësohet të falë, për ta pranuar faljen. Pa falje dhe dashuri nuk ka jetë… Rrëfimi e përforcon shpirtin, nëse rrëfehemi vërtet mirë – si kthimi i birit të tretur që kthehet te ati, na bënë të përvujtë dhe përvujtëria është fuqiArgument duhet të jenë mëkatet e mia, dhembja ime, falja: si t’i mundim tundimet, si ta zbatojmë virtytin, si ta shtojmë dashurinë për Zotin…

Sakramenti i pendimit është vepër e dashurisë së përsosur të Zotit ndaj njerëzve dhe mbarë gjithësisë. Është kërkesë për pajtim të njeriut me Zotin, njeriun me njeriun dhe njeriun me krijesat e Zotit, duke zbatuar bashkimin në Krishtin, me Krishtin dhe nëpër Krishtin për të gjithë atë çka ka rrënuar mëkati. Për ne është identifikimi i hareshëm me Krishtin e kryqëzuar… Duhet të dimë të dallojmë ndërgjegjen tonë dhe mëkatin. Njohja e vetvetes na ndihmon të ngritemi, ndërsa mëkati  dhe dobësia na drejtojnë kah rënia dhe mosbesimi. Atëherë drejtojuni kah Jezusi, që t’iu përkrahë në dobësitë tuaja, sepse nëse besoni që jeni të fortë, nuk do të mendoni që keni nevojë për Zotërinë…

Rrëfimi është dhuratë e Pashkëve e pajtimit të Krishtit të ngjallur me secilin prej nesh dhe ne duhet ta përdorim si mjet për t’i shëruar plagët e mëkatit të rrjedhshëm dhe pasojat e tija, por edhe në emër të njerëzisë së robëruar. Nuk duhet të kemi frikë. Zoti na do dhe dëshiron që të duhemi me njëri-tjetrin si na do Ai ne. Të mjerë, të dobët, mëkatarë, si jemi ne, Ai na do me dashuri të pakufishme dhe besnike.” (Nëna Tereze)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »