Liria dhe demokracia: raport i ndërsjellë – I?

Apr 2 • Opinion

Nga Zef Ahmeti

 

  1. Koncepti i demokracisë

Demokracia si koncept është përdorur që në kohën e antikitetit. Padyshim se ky koncept gjatë historisë ka marrë kuptime të ndryshme dhe dallon me konceptin e sotshëm të demokracisë.

Përderisa demokracia e antikitetit nuk ka të bëjë fare me shtetin (pasi që shteti si koncept vihet në jetë më vonë), sot kur flasim për demokracinë, kuptojmë shtetet demokratike,[1] pra demokracinë si formë e organizimit të një shteti. Dallimi mes demokracisë antike dhe asaj moderne nuk qëndron vetëm në madhësinë dhe hapësirën gjeografiko-demografike, që në të vërtetë kërkon zgjidhje krejt të ndryshme, por edhe në qëllimet dhe vlerat e këtij sistemi. Në kohën antike nuk kanë ekzistuar liritë individuale. Individi i ka takuar një tërësie sociale, shoqërisë. Pra, kryesisht flitet për një koncept të njëjtë, por që dallon shumë nga demokracia e përjetuar sot.

Një definicion i përgjithshëm për demokracinë, deri më tani, për shkencën juridike perëndimore, ka qenë i pamundur. Kufizimi apo definimi i konceptit demokraci nuk ka mundur të arrihet.[2] Pamundësia për të përkufizuar konceptin e demokracisë mendohet se ka lidhje me faktin se ky koncept përdoret më shumë si etiketë për ca sisteme politike, që shpesh kanë strukturë të ndryshme, madje edhe që bien në kundërshtim. Megjithatë, demokracia vlerësohet si sinonim i një forme të mirë të shtetit që nga fillimi shekulli XX, kurse demokracitë perëndimore vlerësohen si atraktive dhe ideale, posaçërisht pas rënies së Bllokut të Lindjes.[3] Edhe pse ekziston pamundësia për ta definuar demokracinë, ekzistojnë veçoritë, teoritë organizative që munden ta përshkruajnë demokracinë.[4]

 

  1. Llojet/tipet e demokracive perëndimore

Meqë edhe demokracia është një koncept që është zhvilluar gjatë historisë, ne dallojmë disa faza.[5] Historia na ka mësuar se reaksionet përballë absolutizmit kanë krijuar prapavijë shoqërore për modelin liberal të demokracisë, pastaj atje ku nuk ka pasur radikalizëm kemi pasur kthesa drejt teorisë republikane të demokracisë. Më tutje, me revolucionin industrial shkaktohen edhe ndryshime thelbësore në shoqëri. Interesat individuale gjithnjë e më shumë (para)shtrohen me anë të organizimeve në grupe. Si rezultat i kësaj zhvillohet modeli i teorisë së demokracisë realiste. Me zhvillimet e mëtutjeshme lind një diskrepancë mes nevojës në drejtimin e shtetit dhe aftësisë së shtetit në udhëheqjen efektive të shoqërisë. Nga kjo lind teoria e demokracisë komplekse dhe e drejtimit të proceseve.[6]

Nga kjo që u theksua më lart ne dallojmë katër lloje të teorive demokratike:

TEORIA DEMOKRATIKE REPUBLIKANE – pikënisje e kësaj teorie është njeriu (individi), të cilin e sheh të lidhur ngushtë me të tjerët në bashkësinë e tij, se një njeri i tillë ka interes për një shoqëri, bashkësi të tillë. Teoria republikane vlerësohet si mësim i të mirës demokratike të përbashkët. Rrënjët e kësaj teorie i kemi qysh në antikitet. Me fillimin e Kohës së Re e hasim tek Johannes Althusius. Në Renesancën italiane kemi përfaqësuesit si: Girolamo Savonarola, Niccolo Machiaveli dhe Donato Giannoti. Disa shekuj më vonë takojmë në Angli James Harrington-in. Në SHBA ky mendim përfaqësohet nga James Madison dhe Alexander Hamilton. Pastaj më të theksuar këtë teori e hasim tek francezi Jean-Jacque Rousseau.[7]

– TEORIA DEMOKRATIKE LIBERALE – Mësim ky që flet për lirinë e individit në një shoqëri të lirë. Si parim bazë i kësaj teorie nuk është barazia, por liria e individit. Sipas saj, individi të drejtën për vetëvendosje nuk e fiton, por e mbartë vetë për arsye të natyrës. Shoqëria nuk është një shoqëri e ndarjes së vlerave dhe qëllimeve, siç e thotë teoria republikane, por më tepër një vend i koekzistencës së individëve autonomë. Përderisa teoria republikane tematizon integritetin social të njeriut, ajo liberale koncentrohet më tepër në integritetin personal të individit.[8]Përfaqësuesit kryesorë të kësaj teorie janë: John Lock (1690) dhe John S. Mill (1859).

– TEORIA E DEMOKRACISË REALISTE – Kjo teori përfshin kryesisht pluralizmin dhe funksionalizmin, përkatësisht është mësimi që flet për funksionimin e baraspeshimit të forcave sociale. Rëndësia e figurës së njeriut nga kjo teori relativizohet. Kjo teori është marrë shumë me individin. Ajo thekson se duhet të merret me aftësinë e funksionimit të organizatës politike si sistem, dhe politika nuk bëhet nga populli vetë, por nga grupet e interesuara dhe organizatat. Kështu që të gjitha grupet e mbajnë njëri tjetrin nën kontroll dhe të gjithë janë të varur prej njëri tjetrit dhe për këtë janë të detyruar për bashkëpunim. Kjo teori krijon një rregullim funksional në kuptimin e bashkëpunimit të forcave shoqërore konform sistemit.[9]Si përfaqësues kryesorë këtu mund të përmenden; Robert Dahl, Ernst Fraenkel, Joseph Schumpeter dhe Giovanni Sartori.[10]

– teoria e demokracisë komplekse – Si element kryesor i kësaj teorie vlerësohet të jetë, që postulatet normative të demokracive të vjetra t`i bëjnë të përdorshme në realitetin e krijuar sot dhe në kushtet e sotshme. Vendimtare këtu tash-më nuk është raporti mes individit me shoqërinë dhe shtetin, por raporti mes aspekteve të ndryshme të identitetit njerëzor përballë lidhjeve sociale, në të cilin qëndron individi (ekonomia, kultura, familja etj). Pra këtu është fjala kryesisht që të përmirësohen shanset e individit për pjesëmarrje politike aktive brenda sistemit pluralist. Si përfaqësues, apo bartës të kësaj teorie vlerësohet se janë: Fritz Scharpf, Jürgen Habermas, Jörg Paul Müller, Richard Bäumlin, Peter Saladin.[11]

 

  1. Demokracia direkte dhe indirekte

Nga aspekti i funksionimit të proceseve të vendimmarrjeve demokratike, ne dallojmë demokracinë direkte (të drejtpërdrejtë) dhe demokracinë indirekte (reprezantive). Tek demokracia e drejtpërdrejtë, apo direkte kemi të bëjmë me vendimmarrje, apo shprehje tëvullnetit të popullit nëpërmjet zgjedhjeve, votimeve të vetë pjesëmarrësit (qytetarët) e të një bashkësie (shteti).[12]Për sa i përket kësaj forme të demokraci-së, mendohet se aktualisht është e zbehur ose nuk ekziston fare. Vlerësohet se qeverisja e popullit nga vetë ai është vetëm njëra mënyrë e sundimit demokratik, ndërsa një identitet real mes sunduesve dhe të sunduarve, shikuar në aspektin historik, është një trillim. Me identitetin real duhet të kuptojmë që populli duhet të ishte në çdo vendim njëkohësisht qeverisës dhe i qeverisur, njëkohësisht urdhërdhënës dhe urdhërpranues, dhe se të gjitha vendimet duhet të merreshin nga të gjithë. Duke e menduar pamundësinë e kësaj forme shtohet se demokracia direkte mund të kuptohet vetëm në kuptimin ideal, dhe se demokracia nuk mund të jetë pa pushtetarë.[13]

Ndërsa sot forma më e përhapur është ajo reprezantive. Kjo formë shpreh parimin e reprezentimit të popullit nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur me votën e lirë. Demokracia reprezentative ka shpesh parasysh elemente të demokracisë së drejtpërdrejtë, pra elementet plebishitare. Më tutje, rëndësi kanë po ashtu edhe referendumet dhe demoskopet, të cilët kanë karakter pyetësor ndaj popullit, po që nuk janë të detyrueshëm.[14]

Në demokracinë direkte si element i rëndësishëm vlerësohen referendumet. Varësisht nga kushtetutat nacionale dhe futjes së formave direkte të formave të vendimmarrjes nga populli, Zvicra vlerësohet të jetë udhëheqëse në botë sa u përket referendumeve.[15] Një ndarje dallon tre lloje të demokracisë direkte: Si grup më vete i referendumeve nacionale vlerësohen referendumet për kushtetuta të reja apo vendosjen e regjimeve të reja. Çështjet territoriale kanë po ashtu një domethënie të rëndësishme, nëse më këtë nënkuptojmë ngritjen e shteteve të reja, ndryshimin e autonomive politike. Në këto raste bëhet fjalë për të drejtën e një populli për vetëvendosje.

Një kategori e re e referendumeve është ajo për hyrje në organizatat transnacionale apo edhe si rasti i hyrjes së shteteve në BE, meqë me hyrjen në këto struktura do të thotë edhe tërheqje nga disa kompetenca të suverenitetit nacional. Ndërsa si kategori e tretë numërohen format plebishitare të marrjes së vendimeve, kur bëhet fjalë për vendime me natyrë dhe rëndësi të veçantë për qeverinë.[16]

 

  1. Parimi i shumicës

Parimi i shumicës është një nga elementet e formës demokratike të organizimit të një shoqërie. Meqë jeta në një bashkësi njerëzore kërkon edhe përgjigje në çështje të ndryshme që lindin, duhet që të gjendet edhe forma përgjigjeje. Në zgjidhjen e problemeve nuk do të korrej sukses nëse në një bashkësi do duhej të vendosej sipas parimit të njëzëshmërisë, sepse realizimi i këtij parimi shumë rrallë do mundej të arrihej e si rezultat që do të shkaktonte një situatë status quo me diskutime të pafundme. Kështu është dashur një mekanizëm tjetër që proceset të mos bllokohen. Ky mekanizëm quhet parimi i shumicës.[17]

 

  1. Legjitimiteti i pushtetit nga populli

Politikës i nevojitet legjitimiteti dhe akceptimi. Në shekullin XXI demokracia është bërë burim i legjitimitetit. Sistemet politike deklarohen si demokratike, qeveritë arsyetojnë veprimet e tyre si demokratike.[18]Parimi kryesor i demokracisë është ai i legjitimitetit të pushtetit nga populli.[19]

Koncepti i legjitimitetit përshkruan në politikë çështjet që kanë të bëjnë me vlerësimin dhe arsyetimin e shtetit, shteteve. Ne këtu duhet të dallojmë po ashtu mes legjitimitetit dhe legalitetit. Legaliteti ka të bëjë me ligjshmërinë me rregullat dhe ligjet e aplikueshme dhe me mënyrën se si ato rregulla duhet të aplikohen, dhe të vihen në jetë.[20] Legjitimitetit ka të bëjë me elementet kryesore të formës së shtetit – këtu mund të theksojmë njohjen e shtetit, përkatësisht pranimin nga ana e qytetarëve që jetojnë në atë shtet.[21]

Historia e njerëzimit dhe e kulturave të ndryshme të popujve deri sot kanë luajtur rol në llojet e ndryshme të pikëpamjeve rreth legjitimitetit.[22] Ne këtu mund të ndajmë disa lloje që kanë shërbyer për të legjitimuar format shtetërore:

1) Legjitimiteti fetar – ku hyjnë ato shtete që gjatë historisë janë legjitimuar vetëm nga bindjet fetare (kujto monarkitë e krishtera) në periudhën e absolutizmit (shek. 17-19), por edhe sistemet mesjetare ku rol luante »dëshira e Zotit«, i cili me dëshirën e tij emëronte, dhe njëkohësisht legjitimonte, mbretërit për të sunduar në tokë.

2) Legjitimiteti tradicional – që lidhet me bindjen se një formë e caktuar e sundimit është e mirë dhe e pranueshme, mbasi atë e kanë pranuar edhe paraardhësit, atje ku tradita ngritët në normë dhe bindje (të kujtojmë këtu Kinën deri në fund të shek. 19)

3) Legjitimiteti individual (shek. 17, 18), me çka filozofët e kohës mendonin se individi ishte ai që legjitimon. Mbase ne këtu duhet të dallojmë mes formës kolektive të legjitimitetit që e hasim në demokraci. Legjitimiteti individual e kishte bazën në logjikën e të menduarit liberal.

4) Legjitimiteti racional – dikur ishte i tillë nëse vërtetohej nëpërmjet »argumentit shkencor« dhe të »arsyeshmërisë« – mbase këtu nuk luan rol individi, porse arsyeja, argumentet »racionale«- pra nëpërmjet normave të »drejta« dhe të »vërteta«. Kjo logjikë ishte e pranishme në kohën e iluminizmit, ndërsa më vonë si përfaqësues kryesor njihet Karl Marksi- me rezultatin e njohur »realsocializmin«.

5) Legjitimiteti nacional – lind në Evropë me Revolucionin Francez. Absolutizmi i shek. 17 dhe 18 i paraprin këtij lloji të legjitimitetit- ndërsa në shek. 19. kjo formë bëhet bazë edhe e krijimit të shteteve të reja nacionale.

6) Legjitimiteti demokratik – për këtë shih më lart.

Një dallim tjetër në këtë aspekt e hasim mes demokracisëreprezentuese (në kuptimin e demokracive perëndimore) dhe demokracisë së ashtuquajtur popullore që dominon(te) gjatë ekzistencës së ish Bashkimit Sovjetik- në shtetet e Evropës lindore por edhe në vendet tjera në Azi- ku edhe është jetësuar pikëpamja marksiste-leniniste.[23]

Një pikë tjetër e rëndësishme është edhe pjesëmarrja, apo mundësia e barabartë për të marrë pjesë në pushtet. Një pushtet mund të jetë i të gjithëve (i popullit) vetëm atëherë kur secili (individ) gëzon lirinë dhe respektin përballë dinjitetit të tij. Ky princip vlerësohet si themelor në një shtet demokratik, dhe se sundimi në demokraci do të thotë nënshtrimi i gjithë njerëzve përballë ligjit.[24] Parimi i shumicës është njëri nga elementet tjera që e karakterizon këtë formë të organizimit të shoqërisë.

 

       6. Disa variante dhe kritere të konceptit të demokracisë

Mbas gjithë asaj që u tha, ne mund të bëjmë ndarjen, sistemimin e konceptit të demokracisë, siç është vënë re, në katër rrafshe kryesore:[25]

  1. Demokracia si sistem kompleks – shërben si koncept për të bërë dallimin me format tjera të organizimit të shtetit, të sistemeve të qeverisjes si monarkia, asistokracia etj., mbase edhe dallimin mes një demokracie të sistemit perëndimor, demokraci liberale, dhe në anën tjetër demokracitë moniste, siç kemi cekur, demokracia popullore sipas kuptimit që ka ekzistuar në Bashkimin Sovjetik.
  2. Demokracia si formë legjitimuese e sistemeve politike – këtu bëhet fjalë për reprezentuesit e ligjshëm të një shteti, që mundëson ardhjen në pushtet të regjimeve të ndryshme me pikëpamje dalluese politike.
  3. Demokracia si princip i rendit (formë e sundimit)– me çka kuptojmë forma të caktuara të organizimit dhe metodave për rregullimin e konflikteve, kontrollimi i pushtetit me anë të mekanizmave të ndryshëm.
  4. Demokracia si princip i sjelljes – që shpreh një kulturë të caktuar politike dhe pikëpamjet e tyre. Disa virtyte demokratike si: toleranca, aftësia për kritikë, të qenurit i hapur për interesat e grupeve tjera, aftësia dhe gatishmëria për kompromis, të gjitha këto vlerësohen të jenë elemente të sjelljes që mësohen dhe janë shumë të rëndësishme për një demokraci të gjallë – pra demokracia si proces që lidhet me detyrën për edukim politik (demokracia si formë jete).

Nocioni i demokracisë, përveç ndarjes së lartshënuar në disa rrafshe, e përshkojnë edhe disa principe themelore e të rëndësishme për një demokraci të avancuar:[26]

a) barazia para ligjit, barazia në shanse, mundësia e të gjithë qytetarëve për të marrë pjesë në jetën politike të një vendi;

b) principi i shumicës që vlerësohet si ultimaratio pragmatik atëherë kur diskutimet nuk mund të sjellin konsensus në çështje të caktuara që vihen në diskutim;

c) relativizmi, mendimet politike të konfiguruara vlerësohet se janë të kufizuara me mandatin e qeveritarëve deri sa janë në mandatin e tyre, kështu që mendimi i caktuar i shumicës mund të jetë i kufizuar vetëm për një mandat të caktuar;

d) ligjet e aplikueshme në rastin ideal nuk janë vetëm shprehje e një pakice, porse ato duhet të jenë si reflektimi i bashkëndikimit të të gjithë qytetarëve.

Si element i rëndësishëm që duhet të theksojmë është edhe artikulimi i kritikës, që do të përfshinte të gjitha diskutimet publike, meqë e drejta për kritikë ka sigurinë e saj në bazat e të drejtës së shprehjes së mendimit, pra në të drejtat themelore, e që kufizohet vetëm nëse cenohet personaliteti, dhe të drejtat që mbrojnë personalitetin.

Demokracitë në botë (burimi: Huntington, 1991:26)

 

Valët e demokratizimit (burimi: Huntigton 1991:16)

 

  1. Demokracia në Bashkimin Evropian

Në kuadër të Bashkimit Evropian dhe procesit të demokratizimit është bërë një dallim ku vlerësohet se Evropa në gjirin e saj ka dy lloje të demokratizimit. Në njërën anë bëhet fjalë për procesin dhe demokratizimin e shteteve nacionale, ndërsa në anën tjetër kemi të bëjmë me demokratizimin e Evropës politike, përkatësisht të Bashkimit Evropian, që ka gjenezën në vitet e 1950’.[27]

Procesin e demokratizimit të shteteve nacionale të Evropës studiuesit e kanë ndarë në pesë pjesë, që përkatësisht e lidhin me pesë faza kryesore që vlerësohen avancuese të demokracisë.[28] Këtu bëhet fjalë për ngjarjet historike vijuese:

  1. Revolucioni Francez 1789- Kjo ngjarje pavarësisht nga kritikat që i bëhen, edhe pse nuk ka qenë si faktor vendimtar për kthesë drejt demokracisë, edhe pse kjo ngjarje ndodhë në Francë, vlerësohet se ka pasur ndikimin e saj në tërë Evropën. Vlerësohet gjithashtu se ky revolucion ka qenë edhe i Evropës dhe kishte ndikimin e vet sidomos në vënien e kushtetutave shtetërore.
  2. Revolucioni i vitit 1848 – i cili përcillet po ashtu me mendime kontradiktore lidhur me rolin e tij në procesin e demokratizimit të shteteve të Evropës. Megjithë atë ai vlerësohet se ka pasur ndikimin e vet dhe si ngjarje evropiane.
  3. Ngjarjet e vitit 1918/19 vlerësohen ngjashëm si ngjarje evropiane. Për disa vende evropiane ishte hapje drejt demokracisë. Kjo ngjarje lidhet me Luftën e Parë Botërore, por ky proces i demokratizimit përfundon me një kolaps me Luftën e Dytë Botërore.
  4. Një ripërforcim i demokratizimit të shteteve Evropiane bëhet në vitet 1945/57. Çlirimi nga okupimet e Gjermanisë naziste dhe prosperiteti ekonomik kishin ndikuar në këtë proces por edhe me zbulimin e shtetit të mirëqenies. Vlerësohet se suksesi i kësaj periudhe që përforcoi demokracinë lidhet ngushtë me fillimin e krijimit të organeve supranacionale të Evropës dhe kontrollin e ndërsjellë nga vetë shtetet demokratike evropiane.
  5. Si fazë e pestë vlerësohen ngjarjet e vitit 1989/91 kur në Evropë fillon të vdesë sistemi totalitar komunist përkatësisht shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik që shpinte në demokratizimin e shteteve që deri atëherë kishin pasur sistemin komunist si formë të qeverisjes- ku si model po merrnin demokracitë perëndimore.

Në kuadër të këtyre proceseve, e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, më konkretisht në vitet e 1950’ fillojnë integrimet me struktura ndërnacionale që fillojnë sidomos në fushën ekonomike. Fillimi i proceseve të kësaj periudhe kanë çuar në gjendjen e sotshme që ka Bashkimi Evropian.

Gjatë procesit të përforcimit të integrimit të Evropës drejt një subjekti të së drejtës ndërkombëtare publike janë vërejtur deficite në demokraci përbrenda BE-së që nga shumë autorë evropianë është vënë në diskutim. Me gjithë avancimet e demokratizimit të shteteve nacionale të Evropës, vlerësohet se kalibri i Evropës politike është diçka e re dhe se shumë aspekte në nivel nacional nuk mund të barteshin në kuadër të strukturave dhe organeve BE-së. Kjo lidhet edhe me mosgatishmërinë e shteteve anëtare të BE-së që përfundimisht të heqin dorë e ta dorëzojnë pushtetin politik në organet ndërnacionale evropiane, por njëkohësisht edhe për shkak të frikës përballë këtij eksperimenti të ri dhe që mund jetë edhe i rrezikshëm tani që po emërtohet si demokraci evropiane.[29] Mbase është vënë re, se BE-ja ka rënë në një »pauzë« politike sa i përket miratimit të kushtetutës evropiane që është vlerësuar edhe paraprakisht si proces i vështirë./drita.info

 

 


[30]/drita.info

[1][1] Sartori, 1997: 274.

[2]Jochum, 1997:23.

[3]Jochum, 1997:25.

[4]Jochum, 1997:25.

[5]Ahmeti, 2005:59.

[6]Ahmeti, 2005:60.

[7]Mastronardi, 1998: 386.

[8]Mastronardi, 1998:388.

[9]Matronardi, 1998:390.

[10]Ahmeti, 2005:61.

[11]Mastronardi, 1998:391.

[12]Funk, 196:73.

[13]Jochum, 1997:29.

[14]Ahmeti, 2005:63.

[15]Linder, 1999:325.

[16]Ahmeti, 2005:64.

[17]Pelinka, 2000:13.

[18] Pelinka, 2005:14.

[19]Jochum, 1997:26.

[20]Becker, 1983:15.

[21]Becker, 1983:16.

[22]Becker, 1983:18.

[23]Becker, 1983:45.

[24]Jochum, 1997:28.

[25] Lieber, 1993:938.

[26] Lieber, 1993:939.

[27]Kaelble, 2001:7.

[28]Kaelble, 2001:205.

[29]Kaelble, 2001:207.

[30]Siedentop, 2002:7.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »