Studime psikologjike: Disa momente kritike të raporteve prind – fëmijë

Apr 2 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Të shtrojmë një pyetje, që në shikim të parë na duket e tepërt: A i duan vërtet prindërit fëmijët e vet? Nëse jemi të sinqertë, duhet ta pranojmë se përgjigja e kësaj pyetje nuk është aspak e thjeshtë. Në realitet, s’është aspak e sigurt se shumica e prindërve kanë fëmijë prej dashurisë ndaj fëmijëve. Përkundrazi, shumë prindër kanë fëmijë thjesht sepse i kanë ose për shkak se të kesh fëmijë është pjesë e martesës. Apo, në rastin më të mirë, i kanë fëmijët sepse nëpërmjet tyre e ëndërrojnë njëfarë pavdekësie, por gjithsesi, për fatin e tyre (“ta kem dikë për pleqëri”). Sido që të jetë, do të ishte e tepërt të pohojmë se shumica e prindërve i lindin fëmijët për shkak të fëmijëve, d.m.th. prej dashurisë ndaj fëmijëve. Në të vërtetë, gjithë apo thuajse gjithë prindërit e pohojnë këtë, por shpesh janë shumë larg këtij ideali. Për këtë arsye, një ndër qëllimet më të rëndësishëm të edukimit, siç e thonë me pak ngjyra provokuese English i Pearson, që t’i mbajmë sa më larg dhe sa më të vogla të jenë ndjenjat negative, madje edhe ato më armiqësore ndaj fëmijës.[1]

E pranoj se një paraqitje e këtillë e raporteve ndërmjet prindërve e fëmijës tingëllon pak e jashtëzakonshme dhe ndoshta te ne shkakton reagim pakënaqësie. Megjithatë, të bëhemi të guximshëm e t’i shqyrtojmë gjërat edhe nga kjo pikëpamje. Përveç kësaj, nuk ka nevojë të argumentohet këtu në mënyrë të veçantë se në edukimin e fëmijëve jo të gjithë prindërit janë njëjtë të mençur e të aftë. Po ashtu, është e vërtetë, se jo të njëjtit prindër e dojnë njëjtë secilin fëmijë – gjë e kuptueshme për të gjithë. Ndoshta s’është shembulli më i përshtatshëm, por mendoj që i përket po kësaj kategorie, fenomeni kur prindërit nuk janë të kënaqur me gjininë e fëmijës së tyre: e kanë pritur me mall t’iu lind djalë, kurse ka lindur vajzë, ose anasjelltas. Nëse, marrim shembull, me djalin e tyre janë sjell me vite si të ishte vajzë, ose anasjelltas, është evidente se nuk e duan atë fëmijë, por figurën që e bartin për të.[2]

 

Dështimet e dashurisë prindërore

Në raportet ndërmjet prindërve dhe fëmijës mund t’i gjejmë të gjitha nuancat ndërmjet dy ekstremeve: prej dashurisë së vërtetë deri te braktisja e vërtetë. Meqenëse për fëmijën dashuria prindërore është e nevojshme, nuk ka më pak rëndësi sa fiton prej asaj dashurie dhe çfarë është ajo. Duke pasur parasysh zhvillimin e këtij raporti, është e dobishme t’i shqyrtojmë disa mundësi: (1) prindërit, në rend të parë nëna, janë indiferent ndaj fëmijës; (2) fëmija është i padëshirueshëm, prandaj, jo i dashur e i braktisur në anën psikologjike; (3) Prindërit janë shumë të merakosur për fëmijën dhe e shkatërrojnë me dashuri (p.sh. duke krijuar te ai kompleksin e mirënjohjes); (4) janë tepër tolerantë, e përkëdhelin. Të gjitha këto raste e kanë të përbashkët dashurinë e dëmshme prindërore.

T’i shqyrtojmë, prandaj, më gjerë këto katër situata.

  1. Prindërit indiferent – Mungesa e kujdesit dhe dashurisë amnore në vitet e para të jetës mund të ketë pasoja të papërmisueshme për zhvillimin psikik të fëmijës. Për këtë kemi shkrime të shumta. Mungesa e dashurisë amnore e bren besnikërinë themelore të fëmijës për jetën dhe për njerëzit, dhe ai kurrë nuk do ta ndjejë vetën i përshtatshëm. Në të kundërtën, nëse është atë indiferent, kjo do të ketë pasoja të pakënaqshme përgjithësisht tek djali, i cili më s’do të ketë një ideal bindës burrëror dhe pastaj do të takohet me vështirësia në lidhje me identitetin e tij seksual. Tek vajzat kjo mund të shkaktojë mosbesim ndaj meshkujve.
  2. Prindërit armiqësor – Ky qëndrim armiqësor i prindërve ndaj fëmijës shumë mirë ilustron shembulli i vogël, i cili, përveç kësaj, është mjaft i shpeshtë, që e sjellin të përmendurit English dhe Pearson; rasti i nënës, e cila ia tërheq vërejtjen burrit se do të ndahet prej tij, nëse ndaj bijës së saj tregon aq dashuri. Është krejt e qartë se ajo nënë kultivon ndjenja armiqësore, sepse atë e përjeton si antagoniste. Nëse nëna ka një raport armiqësor ndaj të birit, mund ta varros raportin normal të mëvonshëm ndaj femrave. Këtu duhet cekur se secili prind ka raporte të ndryshme ndaj fëmijës me të njëjtin gjini, apo të gjinisë tjetër, çka është normale. Zakonisht më tepër i duan fëmijët e gjinisë tjetër: etërit i duan më shumë bijat, kurse nënat bijtë. Vetëm se duhet të kihet kujdes, që ndaj fëmijës të gjinisë së njëjtë të mos kultivojmë ndjenja armiqësore.
  3. Prindërit tepër të merakosur – Edhe ky qëndrim, më shumë raste, është shprehje e dashurisë defekte. Dashuria e prindërve me merak të tepruar, afërmendsh se nuk është racionale, posaçërisht nëse ajo është reaksion mbrojtës kundër ndjenjave personale armiqësore ndaj fëmijës, për të cilat prindi bëhet i vetëdijshëm në një moment, mirëpo përsëri me plot fuqi ato i shtyp, që tani i mbikompenzon me kujdes të tepruar. Ka frikë që mos t’i ndodhë diçka e keqe fëmijës, prandaj s’merr guxim për ta ekspozuar ndaj çfarëdo rreziku. Në këtë mënyrë fëmija nuk e merr dashurinë e vërtetë dhe nuk përgatitet për jetë. Situata të këtilla shpesh gjejmë te personat me vështirësia në përshtatje. Një vajzë 16-vjeçare e cila kishte ardhur për të kërkuar ndihmë në Këshillimore tonë, gjatë analizës pati deklaruar: “Kurrë nuk kam pasur hapësirë për të marr vendime, në vend timin gjithmonë kanë menduar dhe vendosur prindërit”.
  4. Prindërit tepër tolerant – Po ashtu edhe këta nuk i duan fëmijët e vet me dashuri racionale. Për ta fëmija është lodër, argëtim, zbavitje, shërben për kënaqjen e nevojave personale. Nëse fëmijës ia lejojmë të gjithat, nëse përherë ai ka të drejtë, atëherë ai fëmijë kurrë nuk do të bëhet një person i rritur i përgjegjshëm, i cili di ta kontrollojë vetveten dhe i di të jetojë me të tjerët; nuk do të jetë i aftë për flijime, për altruizëm. Një atë i ligsht është model i keq për të birin. Përveç kësaj, nëse s’do t’i jepet rasti asnjëherë të përplaset me dëshirën e të atit, s’do ta zhvillojë asnjëherë ndjenjën morale dhe ndërgjegjen e përgjegjshme.

Natyrisht, gjendja e relacionit prindër-fëmijë asnjëherë s’është në këtë formë skematike siç e kemi paraqitur këtu. Në jetë ekziston një varg i tërë i rasteve të fatit, të cilat s’mund t’i parashikojmë. Duke e marrë parasysh praninë e prindërve në jetën e fëmijës, nëse i marrim këto sipas pikëshikimit të fëmijëve – janë rastet më të sinqerta, gati mund të themi, si tragjedi: mungesa e atit, ndarja e prindërve dhe lindja e vëllait apo motrës së vogël. Këto janë trauma të fëmijërisë./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

————————

[1] S. English – G. Pearson, Emotional Problems of Living, London, 1973, 63.

[2] Khs. C. Campagnoli, “Un bambino a qualunque costo?”, në: Anime e Corpi, 133 (1987) 559-571.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »