Të rinjtë dhe prindërit e tyre: momentet kritike në fëmijëri

Apr 6 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

1. Mungesa e atit – Deri tash përgjithësisht kemi folur mbi rolin e nënës, përkatësisht rëndësinë e dashurisë së saj në edukimin e fëmijës. Por, psikologët gjithnjë e më shpesh dhe me këmbëngulësi na tërheqin vëmendjen në rëndësinë e rolit të atit në zhvillimin e fëmijës. E kemi thënë se të birit/djalit prania reale e të atit është e nevojshme për dy arsye (flasim për praninë e njëmendtë, jo fiktive: nuk është e mjaftueshme që fëmija ta ketë të atin, por nuk e sheh me javë apo ndoshta me muaj): djalit i nevojitet personi i rritur mashkull si model të cilin mund ta imitojë e ta mësojë rolin mashkullor, d.m.th. ta ushtrojë identitetin e tij gjinor. Në anën tjetër, ndalesat e të atit për të janë të nevojshme, që me ndihmën e tyre ta kontrollojë agresivitetin e vet dhe t’i kanalizojë ndjenjat e dashurisë. Ky është roli pozitiv i tij për të famshmen situatën e edipit: i ati është personi i cili në jetën ndijore të fëmijës e mbjell parimin e realitetit, d.m.th. e detyron ta kuptojë se objekti i vërtetë i dashurisë për të nuk është nëna, por duhet ta kërkojë tjetërkund.

Prania e atit është më se e nevojshme në gjashtë vitet e para, shumë e rëndësishme në fëmijërinë e mesme, kurse e dëshiruar, por jo e domosdoshme në pubertet. Të gjithat që do të mund t’i themi mbi mungesën e atit për fëmijën, mund të thuhet me një fjali: bota e fëmijës pa të atin është më e varfër se sa jeta e fëmijës me të atin. Kjo botë këtu është marrë në kuptim më të gjerë të saj, kështu që përfshinë edhe botën e brendshme të ndjenjave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: bota e nënës gjithsesi është e ndryshme nga ajo e atit, kurse askush nuk mund të jap atë çka nuk ka. Domethënë, asnjë nënë nuk mund të jap atë çka jep i ati.

Të vështrojmë edhe diçka në këtë kontekst. S’ka dyshim që në vitet e para të zhvillimit afektiv të fëmijës, roli i nënës është më i rëndësishëm se sa roli i atit. Megjithatë, humbja e nënës s’është aq tragjike sa humbja e atit. Shkaku është paksa banal: gati s’ka raste që ndonjë fëmijë të rritet pa nënë ose nënë-zëvendësuese, krejtësisht në shoqërinë mashkullore: përherë gjendet ndonjë ndërrim për nënën në personin e tezes, motrës më të vjetër, gjyshes apo edukatores. Ka më shumë raste kur fëmija rritet tërësisht në shoqërinë femërore. Humbja e nënës shkakton traumë më të madhe te djali se sa te vajza, që zakonisht ka si pasojë vështirësitë në marrëdhënie intime ndaj femrave: ose femrat do të largohen prej tij, ose ai do t’u hakmerret, kështu që së pari do t’ju “thyej zemrën”, e  më vonë do t’i braktisë. Hakmarrjen, në fakt, e ka ndaj nënës, për të cilën mendon se e ka braktisur padrejtësisht kur ishte i vogël. (Mund të mbështetem përsëri në rastin konkret të punës në Këshillimore. Fjala është për një mashkull, i cili, sipas fjalëve të tija, “e ka nënçmuar gruan e vet për dhé”, e prandaj e ka lëshuar. Të njëjtën lojë e luan me gruan aktuale, që parashihet të ketë të njëjtin përfundim).

2. Ndarja – Çdo ndërrim, i cili e nxjerr fëmijën nga ambienti i tij i zakonshëm, mund të shkaktojë traumë. Fëmijët dhe pleqtë vështirë shpërngulen, vështirë ndahen prej komodinës së tyre, vështirë ndahen nga njerëzit. Për fëmijën ndërrimi i banesës mund të jetë një tronditje e vërtetë. Megjithatë, varrë të këtilla shërohen relativisht lehtë. Por, në jetën e fëmijës ekzistojnë dy ndërrime të cilat lëndojnë thellë dhe e bëjnë jashtëzakonisht të ndjeshëm për dashuri. Këto janë ndarja e prindërve dhe lindja e vëllait apo motrës së vogël.

Nuk dëshirojmë të futemi në problemet morale të ndarjes, por dëshirojmë të vëzhgojmë vetëm se si e përjeton fëmija ndarjen e prindërve të vet. Sot, shumica e psikologëve janë të mendimit që s’ka kuptim që prindërit të rrinë së bashku vetëm për hatër të fëmijës, nëse vërtetë nuk i lidh asgjë tjetër njëri me tjetrin. Përndryshe, prindërit e këtillë padashur do t’ia bëjnë me dije fëmijës se ai është fajtor për fatkeqësinë e tyre, sepse sikur të mos ishte ai, ata do të ndaheshin e do të jetonin të lumtur. Në atë mënyrë ata nxisin tek fëmija ndjenjën e fajit, prej së cilës nuk do të mund të lirohen gjatë gjithë jetës. Porse kjo nuk do të thotë që ndarja e prindërve s’do të le gjurmë të thellë në shpirtin e fëmijës. Përkundrazi, ai tashmë është i lënduar. Fëmija humb njërin prej prindërve, zakonisht të dy, sepse në vetëdijen e tij ata jetojnë bashkë.

Reagimi normal i çdo humbjeje është pikëllimi. Fëmija do të reagojë me pikëllim, me depresion, ndaj ndarjes, humbjes së prindërit i cili e braktisë. Ky është moment kritik për aftësinë e zhvillimit të ardhshëm të dashurisë. Prindi, te i cili do të jetojë fëmija, duhet ta kuptojë këtë gjendje të tij, d.m.th. është e natyrshme të jetë i pikëlluar, e nuk duhet t’i kërkohet me çdo kusht të jetë i gëzuar. Te fëmija, pikëllimi dhe depresioni nuk manifestohen aq verbalisht sa në çrregullimin e funksioneve vegjetative. Mbas ndarjes fëmija tregon sjellje regresive, bëhet monoton, i keq, ndoshta do të fillojë përsëri të laget në shtrat, humb apetit, s’bën gjumë të mirë. Një gjendje e tillë mund të zgjasë me muaj. Do të ishte veprim i gabuar nëse fëmija dënohet për këtë arsye; përkundrazi, duhet treguar duresë të madhe ndaj tij. Më tutje, fëmijës duhet t’i lejojmë të flas lirshëm për prindin e humbur, për ndjenjat që ka për të. Natyrisht, s’është lehtë për prindin me të cilin jeton fëmija, p.sh. nëna e cila është braktisur prej burrit, nuk dëgjon me qejf të bijën e cila flet me mallëngjim për të atin. Por, duke marrë parasysh zhvillimin psikik të fëmijës, kjo është e domosdoshme, sepse vetëm kështu mund të zbusë deri diku humbjen.

3. Lindja e vëllait apo motrës së vogël. – Edhe ky rast i takon traumave normale në zhvillimin e fëmijës. Por nevojiten shumë finesa e dashuri, që prindërit mos t’ia rrisin këtë traumë. Shikuar objektivisht, fëmija humb shumë prej privilegjeve të deritashme: kohën dhe vëmendjen e prindërve tash e tutje duhet ta ndajë me ardhacakun, ndoshta kjo edhe do t’i ndalet, sepse për të voglin do të kujdesen më tepër. Edhe në këtë humbje, fëmija reagon duke u tërhequr në vetvete, me depresion. Porse edhe ndjenja e vetmisë është e paduruar, kështu që ai duhet të ndërmarrë diçka që të lirohet nga kjo ndjenjë e rëndë. Zakonisht, për të arritur këtë qëllim, fëmija zhvillon sjellje agresive ndaj konkurrentit, që përcillet me një dozë të fortë xhelozie. Mekanizmi tjetër mbrojtës është regresi: në fantazinë e tij identifikohet me foshnjën, bëhet dhe sillet sikur të jetë i tillë, dhe në atë mënyrë i detyron prindërit të kujdesohen intensivisht për të sikurse për të voglin. Të gjitha këto, në fakt, janë sinjale të nevojës për dashuri.

Në këtë kontekst, dashuria e urtë prindërore tregohet kështu që mos ta dënojnë fëmijën jashtë mase dhe në mënyrë disproporcionale, për shkak të këtyre reagimeve. Përkundrazi, duhet t’i jepet zemër se tashmë është i rritur dhe mund të kujdesohet për vete, ta forcojnë vetëdijen e tij. Kjo arrihet me lëvdatat që i bëhen për veprat e tija. Megjithatë prindërit s’duhet të shkojnë në skajin tjetër e t’ia besojnë atij kujdesin e foshnjës dhe punë të tjera, sepse ashtu ia marrin lirinë e fëmijërisë. Për më tepër, udhëzohen të mos e lënë vetëm me foshnjën, që pavetëdijshëm të mos i bëjë ndonjë të keqe. Arsyeja kryesore e shumë neurozave të mëvonshme është raporti i pazgjidhur i konkurrencës ndër vëllezër, përkatësisht përjetim i të lënit pas dore nga ana e prindërve për shkak të fëmijës tjetër./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »