E ENJTJA E MADHE: Kelku yt, o Zot, është dhuratë shpëtimi

Apr 9 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E Enjtja e Madhe (A)

 

Leximi i parë   Dal 12, 1-8.11-14

Pashkët janë një festë antike pranverore e barinjve shtegtarë, dhe marrin një dome-thënie të re me daljen nga Egjipti të hebre-njve. Pashkët bëhen flija përkujtimore e kalimit të Egjiptit nga skllavëria në liri. Pjesa biblike do t’u bëjë aktuale atyre që dëgjojnë në ditët e sotme ngjarjen e ka-luar. Çdo vit, bashkësia kremton përkujtimin e Pashkëve sikur të ishte hera e parë.

 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit. Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thoniu: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. Por po qe se numri i anëtarëve është më i vogël se sa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le ta marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin. Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me bukë të pabrume dhe me barishte të hidhura. Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandalet në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse janë Pashkët e Zotit! Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hynitë e Egjiptit; unë Zoti! Gjaku do t’ju shërbejë për shenjë në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë farosjeje, kur unë do t’i sulem dheut të Egjiptit. Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  116

 

Ref: Kelku yt,o Zot, është dhuratë e shëlbimit

———————————-

Si do t’ia shpërblej Zotit

për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngreh gotën e shëlbimit

e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

———————————-

E çmueshme është para Zotit

vdekja e shenjtërve të tij.

O Zot, unë jam shërbëtori yt,

shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.

———————————-

Ti i këpute hekurat e mi:

Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,

me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit

në praninë e mbarë popullit të tij.

———————————-

 

Leximi i dytë    1 Kor 11, 23-26

Apostulli Pal na përshkruan tregimin e themelimit të Eukaristisë duke e prezantuar si Pashkën e re në vend të asaj hebraike. Jezusi është qengji i vërtetë i Pashkëve që është flijuar për ne. Duke marrë pjesë në flijimin e tij, takojmë të gjithë historinë e dashurisë së Hyjit për ne, që bëhet bukë e përditshme, e cila na mbështet në dashurinë ndaj vëllezërve.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falenderua, e theu dhe tha: “Ky është Korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë. Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: Duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha juve.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli    Gjn 13, 1-15

Jezusi ka dashur të lajmërojë dishepujt e tij nëpërmjet fjalës dhe shembullit: “Kush është më i madhi ndër ju, do të bëhet më i vogli, dhe kush qeveris do të bëhet si ai që shërben”. Ne jemi dishepujt e një Hyji që ka bërë një zgjedhje; të zërë në tavolinë vendin e skllavit, dhe ka zgjedhur vdekjen e skllavit. Nuk do të mund të merrnim pjesë në mundimet e Krishtit pa u veshur me përparësen e shërbëtorit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët – ata që ishin në botë – i deshi deri në pikën e fundit. Dhe, gjatë darkës – pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtojë – Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente – u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqir, me të cilin ishte ngjeshur.  Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?” “Ç’po bëj unë – i përgjigji Jezusi – ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.” Pjetri i përgjigji: “Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!” “Nëse nuk do të laj – i tha Jezusi – nuk do të kesh pjesë me mua.” Simon Pjetri i përgjigji: “Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kryet!” Jezusi i tha: “Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët – dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.” Prej se e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.” Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. Nëse, pra, unë – Zotëria dhe Mësuesi – ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të beni edhe ju.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Është e kotë të kërkojmë lumturinë në realitetet jashtë nesh, kur nuk kuptohet që ajo është brenda nesh. Jemi të lumtur kur jemi të aftë t’u dhurojmë të tjerëve vetveten pa rezerva.

“Jezusi u ngrit nga darka, … filloi t’ua lajë këmbët nxënësve”. Jezusi bëhet mësues i bashkimit dhe i shërbimit. Larja e këmbëve dhe Eukaristia kanë të njëjtin mesazh, janë sekreti i vërtetë i të qenurit i lumtur.

Darka është paraprijëse e vdekjes së Jezusit mbi kryq dhe kryqi është shprehja më e lartë e dashurisë që shpëton të gjithë njerëzit. Jezusi, që dhurohet në Darkën, paraprin dhuratën e Golgotës e na tregon rrugën që duhet të ndjekim: të jemi dhuratë njëri për tjetrin për të mos dështuar në jetë.

“Hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh”. Këto dy gjeste na kujtojnë fjalët e himnit për Filipianët: Jezusi “u zhvesh nga vetvetja” e “mori statusin e një shërbëtori”. Edhe ne në Pagëzim, jemi zhveshur nga njeriu i vjetër e jemi veshur me Krishtin. “Nëse, pra, unë, Zotëria dhe Mësuesi, ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’i lani këmbët njëri-tjetrit”. Jezusi “u zhvesh nga vetvetja” nga statusi i tij si Mësues dhe Zot, dhe “u vesh” me statusin e shërbëtorit.

Çdo herë që ne kremtojmë Eukaristinë, bashkohemi me Krishtin shërbëtor duke iu bindur urdhërimit të tij të dashurisë për t’i larë këmbët njëri-tjetrit ashtu si ai na i ka larë neve. Nëse i afrohemi kungimit pa qenë sinqerisht të gatshëm për t’i larë këmbët njëri-tjetrit, ne nuk e pranojmë denjësisht Trupin e Krishtit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Zoti Jezus na ka bërë një propozim dashurie dhe shërbimi shumë angazhues. Duke njohur varfërinë dhe dobësinë tonë, t’i drejtohemi Atit me besim.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Eja, o Zot, na ndihmo.

L. Për Papën tonë të shenjtë Françeskun, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët që të jetojnë hirin e shërbimit të tyre duke iu dhuruar në mënyrë të palodhur Zotit dhe vëllezërve. Të lutemi.

L. Për bashkësitë e krishtera që të reali-zojnë gjithnjë e më mirë thirrjen e tyre në shërbim të njerëzve në kërkimin e së vërte-tës dhe në veprime konkrete bamirësie. Të lutemi.

L. Për besimtarët në Krishtin që të arrijnë bashkimin e plotë dhe të mund të ulen në të njëjtën tryezë për të kremtuar së bashku Pashkët e Zotit. Të lutemi.

L. Për ne të gjithë, që kremtojmë Pashkët e Zotit, të mund të zbulojmë Eukaristinë si tryezë dhe gëzimin që i përkasim një bashkësie. Të lutemi.

M. Na mëso, o Zot Ati ynë, të vihemi në shkollën e Krishtit, Mësuesi e Zoti ynë. Na dhuro gëzimin dhe forcën për të shër-byer çdo ditë ty dhe njerëzve të shpëtuar prej teje. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al) 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »