Letër e Imzot Dodë Gjergjit dërguar meshtarëve në Treditëshin e Shenjtë të Pashkëve

Apr 9 • Kisha në Kosovë

Prishtinë, e Enjtja e Madhe, më 9 prill 2020

 

 

Fort të dashur vëllezër në meshtari,

me dashurinë e Krishtit të Ringjallur, Princit të paqes, burimit të dashurisë dhe dhënësit të jetës, shpirtnisht ju marrë ngrykë të gjithëve së bashku, e sakramentalisht veç e veç, në këto ditë të gëzimit të fesë dhe të përvojës së përvjetshme të Treditëshit të Shenjtë, të Pashkëve të Zotit tonë Jezu Krishtit.

Si asnjëherë tjetër, gjatë këtyre kreshmëve Ju kam shkruar disa herë, por, për fat të keq, për të ndarë me ju trishtimin e për t’iu komunikuar udhëzime e vendime të dhimbshme lidhur me gjendjen e krijuar nga Covid-19, që në një mënyrë na ka detyruar të ndryshojmë radikalisht mënyrën e jetës sonë baritore dhe formën e komunikimit me besimtarin.

Që kur kam ardhur ndër Ju, si bari i Kishës në Kosovë, gjithnjë me ka prirë entuziazmi, vendosmëria dhe vullneti për të vepruar pa përtesë e për të sakrifikuar mundë, djersë dhe shëndet, vetëm e vetëm që të kryenim sa më parë e se sa më mirë punët që e çonin përpara Kishën tonë e t’i garantonim asaj një të ardhme të sigurt. Kështu e kam pa, sidomos ringritjen e Kishë sonë në Dioqezë, formimin e seminaristëve dhe të meshtarëve të rijnë, kthimin e atyre që moti na kanë braktisur dhe ndërtimin e Katedraleve tona. Nuk mund të fsheh intencionin se sa shumë kam dëshiruar ta përfundojmë sa ma shpejtë Shenjtëroren Shën Nënë Tereza në Prishtinë, Konkatedralen e Dioqezës, që të kisha mundësi t’Ju takoja në Eukaristi, e të celebroja me Ju e me popullin besimtarë të kremtet e ndryshme. Ndoshta jam brengosur ndonjëherë nëse do të vinit, por se do të vijë koha e të detyrohem të Ju them mos ejani, e t’iu ndaloj besimtarëve të vinë në kishat e tyre famullitare ku ju shërbeni, këtë kurrë nuk e kam menduar. E, qoftë kjo hera e fundit e mos u përsërit më!

Megjithatë, e gjithë kjo si gjest dashurie, për Ju dhe grigjën, për jetët e besimtarëve dhe për shëndetin e tyre.

Vëllezërit e mi në Krishtin Kryemeshtar, bijtë e mijë sakramental, miq në shpirt, bashkëveprues në shërbesa e shërbim, në shpallje të Lajmit të Gëzueshëm, në punën tonë të palodhshme në vreshtin e Zotit, pastrues të vathëve e barinj të deleve, ju bashkëvuajtës të këtyre ditëve, dua t’iu falënderoj me gjithë zemër që qetësisht dhe me fe keni pranuar e zbatuar udhëzimet që ju kam dhënë. Dua të ju falënderoj për shërbesën dhe shërbimin që bëni në famullit tuaja, duke përdorë të gjitha hapësirat që na lejon gjendja e shkaktuar e Covid-19 dhe mundësit që na i japin mediat sociale, që të tregoni afërsinë e bariut, kujdesin amnor dhe gatishmërinë e shërbëtorëve të Hyjit për të qenë sa më pranë besimtarëve e besimtareve, po edhe nevojave të tyre.

Vëllezër, nesër po ashtu do të detyrohem të kremtoj Meshën e Krizmës pa praninë tuaj, por jo pa ju, pasi ju do të jeni me mua në uratë pranë Krishtit Eukaristik, që na bashkon në një trup të vetëm. Po edhe unë do të ju paraqes të gjithëve në Kelkun e Shëlbimit, e në Meshën e Darkës së Zotit, do të kungoheni me të njëjtin kungim e do të pini prej të njëjtit kelk.

Ju në Kishat tuaja, pranë Krishti të pranishëm, do të ripërtërini premtimin meshtarak, ku, si asnjëherë tjetër, do të ndieni mungesën e ipeshkvit, sikurse unë do të ndjejë mungesën e pranisë tuaj. Por, jemi të vetëdijshëm se jemi të gjithë pjesë e të njëjtës Meshtari të Krishti, që lusim të njëjtën uratë që buron nga frymëzimi i të njëjtit Shpirt Shenjt, që e kemi marrë në shugurimin tonë, të dëgjueshëm ndaj të njëjtës Fjalë që kumbon në mendjet dhe zemrat tona dhe të nxitur me të njëjtën dashuri që buron nga Krishti Bariu i Mirë. Po edhe dashuria e përbashkët që kemi për besimtarët që iu shërbejmë, na mundësojnë që në distancë të jemi të bashkuar, të shpërndarë të jemi unik dhe larg a larg ta përjetojmë njëri-tjetrin.

Vëllezër fort të dashur, ta falënderojmë Zotit, për hirin që na ka dhuruar, duke na bërë  pjesëmarrjes të Meshtarinë e tij:

  1. Duke na besua Fjalën – duke na bërë shpallës, zbatues dhe zëdhënës të Ungjillit para njerëzve. Nën heshtjen e lutjes dhe meditimit, kjo Fjalë na frymëzon në iniciativën e karizmës, na nxitë për veprim baritor e meshtarak, na qorton ndërgjegjen, na frenon të mos biem në tundim, na ngushëllon në momentet e dëshpërimit dhe kur jemi të rrëzuar nën barrën e mëkatit, na jep fuqinë e shpirtit, që të ngritemi dhe të vazhdojmë udhëtimin e jetës sonë, ku ligështia, mëkati, sprova e Zotit, urrejtja e njerëzve dhe marrëzia jonë, na vejnë përpara rrugës së “Kalvarit” personal, gjatë gjitha ditëve të jetës tonë në tokë. Në këto rrethana jemi të thirrur të jemi predikuesit e Fjalës së Zotit, nëpërmjet saj të ngushëllohemi dhe ngushëllojmë njeriun, të gjejmë guximin që ta jetojmë e t’ua shtjellojmë grigjës që na është besuar, dhe me ta për t’ia shpallur botës.
  2. Duke na shugurua – na ka bërë pjesë të sakrificës së Kryqit dhe flisë së Pashkëve tona. Që do të thotë se neve na u besua t’ia paraqesim Hyjit kushtin e Abelit dhe njëkohësisht ta shërbejmë atë sakrificë, që Krishti në vazhdimësi dëshiron t’ia paraqet Atit Qiellor. 

Nëpërmjet kësaj shërbese të Sakrificës së Kryqit, në të njëjtën kohë “kryhet gjykimi i botës, shfaqet pushteti i të kryqëzuarit”,  “kremtohet ngadhënjimi i Birit, dhe shfaqet mbi ne fuqia e Shpirtit Shenjt, që ditën e Rrëshajëve e përfshiu Kishën dhe e ka rrëmbyer secili prej nesh në ditën e shugurimit. Me fuqinë e këtij Shpirti, Krishti i bashkon të gjitha gjymtyrët e trupit Tij, për t’ia paraqitur Atit flinë e lavdit e, në të njëjtën shërbesë, të cilën na ka besuar që ne ta shërbejmë, i ushqen gjymtyrët e Tija me bukën e jetës së pasosur.

  1. Duke na bërë shërbyes – E falënderoj Zotin që na ka thirr, Kishën që na ka zgjedhë, po edhe secilin prej jush që keni pranuar, t’i shërbeni Kishës në meshtari. Njëkohësisht, ju siguroj se e vetmja gjë që më brenë shpirtin është vetëdija për padenjësinë time, për hirin që mu dha, të jam bari i kësaj Kishe, kujdestar i Fjalës, shërbyes i Ungjillit dhe mbikëqyrës i meshtarisë suaj. 

Ju kërkoj ndjesë që s’kam arrit t’ju jam pranë sa keni pasur nevojë gjatë këtyre ditëve! Po edhe Ju nxis, o vëllezër, që t’i qëndrojmë pranë njeri-tjetrit duke e ndjerë unitetin sakramental, gjallërinë e gjymtyrës të të njëjtit trup, ngrohtësinë e të njëjtit shpirt dhe dashurinë e të njëjtës zemër. Sepse vetëm kështu do të jemi të gjallë dhe do të kemi jetën në Krishtin e Ringjallur.

Vëllezër fort të dashur,

në fund Ju uroj që të kremtoni shenjtërisht këto tri ditë të shenjta, në agjërim dhe lutje të veçantë e shumë intensive, bashkë me besimtarët e famullive tuaja, që Krishti i Ringjallur, të na ndihmoj të përballemi me këtë të keqe të ditëve tona.

Për shumë mot!

 

Ipeshkvi Juaj Doda

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »