Lum ata që nuk panë e besojnë!

Apr 19 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E Diela II e Pashkëve (A) – E Diela e Mëshirës Hyjnore

 

Leximi i parë   Vap 2, 42-47

Ngjallja e Krishtit është një ngjarje e papërsëritshme, por është e nevojshme të gjendet mënyra për ta jetuar çdo ditë.  Në sytë e të krishterëve të parë mënyrë më e drejtë për ta bërë ishte jeta e bashkësisë, domethënë ajo që shprehej në një liturgji shtëpie duke kujtuar fjalët dhe shembujt e apostujve në një klimë gëzimi dhe bashkëndarjeje.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Vëllezërit ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë. Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme. Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët. Shitnin prona dhe pasuri që kishin dhe ua ndanin të gjithëve si kush kishte nevojë. Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin të gjithë së bashku. I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë asish që shëlbohen. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  118

 

Ref: Aleluja, aleluja, aleluja

———————————–

Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

———————————–

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,

e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,

e përjetshme është dashuria e tij!

———————————–

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,

por më përkrahi ndihma e Zotit.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,

Ai është shpëtimtari im.

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi

në tendat e të drejtëve.

———————————–

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë! 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:

të galdojmë e të gëzojmë në të!

———————————–

 

Leximi i dytë    1 Pjt 1, 3-9

Kush beson në Jezu Krishtin e ngjallur prej të vdekurve dhe “të rilindur”; si një person i shëruar nga një sëmundje e rëndë bën sërish planet për të ardhmen, bën hapat e parë drejt një shëndeti të përsosur; mendimi i vdekjes nuk e tremb. Jezusi që ka fituar mbi vdekjen është shpresa e gjallë që na mbështet në ecjen tonë. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të pakufi në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore, për trashëgim të pashkatërru-eshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell; për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.  Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar – shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr – të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e zbulesës së Jezu Krishtit: Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia rritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.   Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!

Aleluja

 

 

Ungjilli    Gjn 20, 19-31

Jezusi i ngjallur u shfaqet dishepujve dhe u jep atyre paqen dhe gëzimin e Atit. Vetëm tani ata e njohin motivin dhe vlerën e vdekjes së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuara u dhurohet atyre paqja e Shpirtit.  Ngjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja, dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”  Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigji: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”  Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Një realitet dhe një ngjarje që janë rijetuar gjithmonë, mbeten të gjallë. Ungjilltari Gjon lidh ditën e ngjalljes me të dielën pasardhëse, tetë ditë më vonë. Çdo tetë ditë ndodh ardhja e të Ngjallurit në bashkësi. Për këtë, e diela është pashka e javës.

“Erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre”. Mundimet dhe vdekja, që dukej se shënonin zhdukjen përfundimtare të Jezusit, në realitet inagurojnë ardhjen e tij, praninë e tij përfundimtare. “Ndërsa dyert e shtëpisë ishin të mbyllura”. I Ngjalluri është tashmë i pranishëm në mënyrë të pandërprerë në mes të miqve të tij e asgjë mund ta ndalojë t’i arrijë.

“Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin”. Jezusi siguron dishepujt se Ai vetë është i gjallë, e prezantohet si i Kryqëzuari nga kraharori i të cilit rrjedhin “gjak dhe ujë”, sakramentet dhe Kisha. Ai është Qengji i therur që dhuron Shpirtin. Ai “i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia!”. Jezusi fton dishepullin të kryejë gjestin e kërkuar, e të veprojë si një besimtar i vërtetë.

Shpesh “Toma” që është në secilin prej nesh është tunduar të “prekë me dorë” e të mos pranojë zërin e dëshmitarëve okularë, që është zëri i Kishës. “Toma i përgjigji: ‘Zotëria im dhe Hyji im!’”. Këto fjalë të ungjillit janë shpallja më e lartë e besimit, shprehin një përfshirje tërësore të personit e një dorëzim të plotë ndaj dashurisë së të Ngjallurit të pranuar si Hyji e Zoti i vetëm i jetës, tregojnë gëzimin se jetojmë gjithmonë me Të.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, të kërkojmë nga Krishti i ngjallur dhuratat e Pashkëve që na ka premtuar.

L. Me besim të themi. Na dëgjo, o Zot.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët: që të jenë në botë dëshmitarë të dashurisë së mëshirshme të Hyjit Atë. Të lutemi.

L. Për popujt, që vuajnë për shkak të luftës dhe të terrorizmit, që të gjejnë në lutje dhe në solidaritet forcën të vazhdojnë të besojnë në të nesërmen. Të lutemi.

L. Për ata që janë në kërkim të Hyjit, që të gjejnë në të krishterët dëshmitarë të besueshëm të dashurisë së Hyjit, Krijues dhe Atë. Të lutemi.

L. Për besimtarët që të rizbulojnë vlerën e ditës së Zotit dhe të angazhohen për ta kremtuar në liturgji, në festë dhe në vepra dashurie. Të lutemi.

M. Dëgjoji, o Atë, lutjet tona dhe na udhëhiq për të ndërtuar bashkimin e vërtetë mes nesh, duke pranuar Zotin Jezus me sinqeritet besimi dhe duke bashkëndarë me vëllezërit shpresën që vjen nga Ti. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesial.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »