Korona na ka prekur edhe ne …

Apr 26 • Opinion

Nga Veneranda Qerimi-Paluca

 

Mund të duket titull i çuditshëm edhe pak i pa menduar ndërkohë që, në fakt, kjo gjendje nuk besoj të ketë lënë ndonjërin pa e prekur. Qëndrimi në shtëpi, shartimi total i kontakteve sociale dhe fakti i pamundësisë që të mund të kryejmë një jetë normale na ka ndrydhur shpirtin. Në fakt, këtu në diasporë (të paktën në Zvicër) nuk janë rregullat aq strikte dhe ndrydhëse sikurse janë në Shqipëri, Kosovë dhe në shumë vende të tjera, megjithatë nuk mbetemi as ne pa u prekur nga kjo jetë e çuditshme dhe e papritur që po dominon mbarë globin.

Sapo dalim nga shtëpia i dimë mirë adresat se ku do na dërgojë vetëdija jonë, sigurisht në supermarket sepse nuk ka asgjë tjetër të hapur, edhe atje duhet të mbash radhën në mënyrë që të mbrojmë veten dhe të tjerët. Por edhe kur të të arrije radha jote ke frikë të sillesh normalisht brënda supermarketit dhe kur ke mbaruar punë të duket vetja si të ishe totalisht i ndotur, sa që në të dalur dëshiron të lahesh i tëri me dezinfektuesin që ndodhet aty. Disa nga ne vazhdojnë të shkojnë në punë ku edhe atje asgjë nuk duket normale, edhe atje doreza, maska distanca… dhe e gjithë kjo erdhi papritur, ose nuk na dha kohë të përgatiteshim.

Në fakt jemi të shëndetshëm, nuk e mbartim virusin në trup por, ai na ka prekur edhe ne, sepse ka prekur sigurinë tonë, ka mbjellë në ne frikë dhe pasiguri. Dhe jo vetem kaq. Na ka larguar me njerëzit e afërt, me miqtë, me ata që nuk ndajmë të njëjtën çati, na ka ndarë edhe nga takimi me Zotin. Të gjitha ditët janë bërë të njëjta, janë librat liturgjikë dhe ata të lutjes së përditshme që i lejojnë kalendarit të ndërrojë datë, ndërkohë që ditët janë bërë monotone dhe të njëjta. Në fillim u shokuam, më pas u mësuam pak disi dhe tani ka filluar të na shkundë malli të „shkelim“ derën e Kishës. Jo vetem për të hyrë brënda, për të bërë një lutje, por për ti dhënë shpirtit pushim dhe për ta ushqyer atë me Trupin e të Vetmit që na mban. E në fakt, sikurse shtohet malli për njerëzit e dashur, dita ditës bëhet i padurueshëm malli i mungesës së pranisë së Trupit Eukaristik në trupin tonë njerëzor.

Një herë u desh të sakrifikonim të dielat, pastaj të mbërthyer pas televizionit u desh të festonim njërën nga festat më të mëdha të besimit tonë, Pashkët. Të këndonim Aleluja në sallonet e shtëpive dhe të uronim ringjalljen e Zotërisë pa e pasë pranuar atë në trupin tonë. E duket se shkretëtira Krezhmore nuk kishte marrë fund as me Pashkët. Shumë shpejt u zbeh edhe ajo festë, ndonëse Shkrimi i Shenjtë çdo ditë me anë të leximeve liturgjike na mbanë akoma në kohën e gëzuar të Pashkëve, thatësira e shpirtit sa vjen e shtohet. Duket si të ishim në një krizë të madhe dashurie me Zotin dhe t’i kemi thënë nuk dua të të takojmë, ose më keq akoma sikur Ai të mos na ketë ardhur në takim dhe të na ketë lënë vetem!

Më shumë se kurrë jehojnë në mua në këtë kohë, fjalët e famullitarit tim të parë: “e diela pa Meshë, nuk është e dielë“, dhe tani kjo fjalë duket aq e vërtetë sa kurrë. Tashmë edhe e diela është bërë si ditët e tjera, sepse takimi më i rëndësishëm i javës na është anuluar dhe nuk e dimë akoma përsa kohë…

E pra edhe ne jemi prekur nga korona, sepse kisha bosh nuk ka prekur vetem sheshin e Vatikanit dhe meshët e kremtimet liturgjike të mbajtura nga Ati i Shenjtë, as vetëm katedralet në të cilat Ipeshkvinjtë tanë duhet të vazhdojnë të kremtojnë meshën pa besimtarë, as vetëm kishat e famullive tona ku edhe aty meshët kremtohen gjallërueshëm nga ata të cilët mbartin peshën e famullive por pa besimtarët. Bosh është edhe shpirti ynë pa praninë eukaristike të Atij të cilit i përkasim. Ajo na ka prekur edhe ne njerëzit e grigjës së thjeshtë të Zotit, që duket sikur na janë prerë krahë e këmbë, as të mund të ecim as të fluturojmë që të mund të jemi “guri“ i gjallë brënda kishës dhe kremtimeve liturgjike. Sikurse është shumë veshtirë për të gjithë ata që kremtojnë pa ne, njëkohësisht është e vështirë për ne t’i lëmë ata të kremtojnë të vetem, ndërkohë që ne ja ngulim sytë telefonit dhe zemren e lëmë të fluturojë deri në kishën më të afërt për të na e sjellë Zotin shpirtërisht.

Ja pra, edhe ne jemi prekur nga kjo gjendje sepse po thahemi dita ditës për Ushqimin që i jep forcë krejt veprimeve të jetës tonë. Me këto vargje të Zbulesës së Shën Gjonit le të ngushëllohemi se Zoti nuk na braktis dhe nuk na le vetëm në këto ditë të vështira, dhe se ditë më të mira do të vijnë. “Më kurrë s’do të ketë uri, më kurrë s’do të ketë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji që është në midis të fronit do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujëra vetë jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.“ (Zb 7, 16-17).

Me forcën që marrim prej këtyre rreshtve nga Shkrimi i Shenjtë, dëshiroj që të falënderoj Zotin por edhe të gjithë Meshtarët dhe bashkësitë rregulltare që kanë mposhtur vetveten dhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit, na kanë mundësuar pjesëmarrjen virtuale në kremtimet liturgjike. Falënderoj Radio Mari-të tona të cilat janë bërë “anëtare“ të familjeve tona me emisionet dhe shoqërimin në këtë sfidë të çuditshme të mijëvjeçarit të ri. Falënderimit tim i bashkëngjes edhe lutjen që Zoti të forcojë të gjithë ata që e vuajnë këtë sëmundje në trupin e tyre dhe të gjithë ata që kanë humbur persona të dashur nga ky armik i padukshëm, që ai t’i ngushëllojë, ndërsa ne të na japë shpresën e qëndrueshme se Ai nuk na braktis dhe së shpejti do të bëhet më mirë. Të dielë të shenjtë!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »