Një lutje për Gjithësinë. Fillon Viti i Veçantë kushtuar enciklikës “Laudato si’”

May 23 • Kisha në botë

Këtë të diele, më 24 maj, me “Lutjen e përbashkët për tokën dhe njerëzimin”, fillon një Vit i Veçantë kushtuar Enciklikës “Laudato Si’”. Promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, do të karakterizohet nga takime të shumta për t’u thelluar në temën e ekologjisë së gjithanshme.

 

Ekologjia e gjithanshme të bëhet paradigmë e re e drejtësisë, sepse natyra nuk është një “kornizë e thjeshtë” e jetës njerëzore: ky, thelbi i Enciklikës së dytë të Papës Françesku, “Laudato si’”, që i kushtohet kujdesit për globin, shtëpinë tonë të përbashkët. Nënshkruar nga Papa më 24 maj 2015, në solemnitetin e Rrëshajëve, e botuar më 18 qershor të po atij viti, deri të dielën e ardhshme, dokumenti është në qendër të “Javës së Veçantë”, që përkujton përvjetorin e tij të pestë.

 

2020-2021: një Vit i Veçantë

Por, ka edhe më. Pikërisht të dielën, më 24 maj, me një “lutje të përbashkët për tokën dhe njerëzimin”, do të fillojë një Vit i Veçantë, kushtuar “Laudato si’”, promovuar nga Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Të gjitha ngjarjet e takimet e tij do të përqendrohen mbi temën e ekologjisë integrale, që përfshin njeriun me 360 gradë e jo vetëm natyrën. Ky Vit i Veçantë, i cili do të përfundojë më 2021, ka si objektiv të propozojë impenjimin e përbashkët drejt një zhvillimi të qëndrueshëm global, për t’u realizuar brenda 7 viteve. Të shumtë, protagonistët e tij: familjet, dioqezat, urdhrat fetare, universitetet, shkollat, institucionet shëndetësore dhe bota e biznesit, me vëmendje të veçantë për ndërmarrjet bujqësore.

 

Në gjurmët e Këngës së Krijesave

Kujtojmë se Enciklika, e ndarë në gjashtë kapituj, e merr titullin nga fjalët e Shën Françeskut të Asizit e nga “Kënga e Krijesave” në Bibël.  Shën Françesku lëvdonte Zotin për motrën Tokë e Papa Françesku vihet për udhë bashkë me Të Vobektin e Asizit për të shpjeguar rëndësinë e ekologjisë së gjithanshme, e cila duhet të kthehet në paradigmë të re për drejtësinë, duke bashkuar shqetësimin për natyrën me barazinë shoqërore për të varfërit e me impenjimin në shoqëri.

 

Të kujdesemi për Gjithësinë, për të shpëtuar bukurinë e krijuar nga Zoti

Në Enciklikë, Ati i Shenjtë nënvizon se duhet investuar në formimin për një ekologji të gjithanshme, që njerëzit ta kuptojnë më mirë se ambienti është dhuratë e Zotit, trashëgimi e përbashkët, e cila duhet administruar e jo shkatërruar. Janë të mjaftueshme, edhe gjestet e vogla të përditshme: mbledhja e diferencuar e mbeturinave, përdorimi i mirë i ujit dhe i ushqimeve, fikja e dritave të panevojshme, veshja e një rrobe më shumë, në vend të ndezjes së ngrohjes, sidomos aty ku dimri nuk është aq i acartë. Kështu, mendon Papa Bergoglio, do ta ndiejmë se “kemi përgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj botës”. Enciklika fton edhe t’i kthejmë sytë kah Sakramentet, në veçanti, kah Eukaristia, e cila “bashkon qiellin me tokën dhe na orienton të bëhemi kujdestarë të gjithë Krijimit të Zotit”. Pikërisht për këtë e lëvdojmë Hyjin me atë “Laudato si’”, përfundon Papa Françesku, sepse “përtej diellit, në fund të fundit, do të takohemi ballë për ballë me bukurinë e Zotit”.

 

Ndryshim rrënjësor

Në Enciklikë, Papa Françesku kërkon një ndryshim rrënjësor të jetës së përditshme, ndryshim, që bëhet urgjent sidomos në këto kohë pandemie, siç shpjegon në mikrofonin tonë, koordinatori i sektorit Ekologjia të Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, atë Joshtrom Kureethadam:

Gjithë Viti i Përvjetorit të Veçantë, që fillon këtë muaj muaji, shpresojmë të shndërrohet në kohë hiri për të kthyer rrugë! Ajo, që na tronditi edhe përsa i përket Covid-19, është se nuk mund të kthehemi në mënyrën e vjetër të jetesës, por duhet të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë, më vëllazërore e më të qëndrueshme.

 

Ka shumë nisma për mbrojtjen e Gjithësisë. Cilat janë ato më thelbësoret, sipas Dikasterit tuaj? Si do të zhvillohet ky Vit i Veçantë?

Mund ta ndajmë në tri etapa. Së pari, kemi Javën “Laudato Si’”, që po zhvillohet nga 16 deri më 24 maj, e cila, në një farë mënyre, e promovon këtë përvjetor të veçantë. Ka disa nisma. Na bëri përshtypje edhe pjesëmarrja e madhe: qindra organizata, mijëra njerëz, madje, me ngjarje e takime të shumta. Që më 24 maj, propozuam një Lutje, që do të lexohet në mesditë, në të gjithë botën. Pastaj vjen Koha e Gjithësisë, nga 1 shtatori deri më 4 tetor e, më pas, nga mesi i qershorit, po mendojmë për një webinar (bashkim i fjalëve web dhe seminar). Gjithnjë në qershor duhet të dalë edhe një tekst ndërdikasterial e, pastaj, në tetor, do të organizojmë këtë takim të shumëpritur për aleancën arsimore, që u shty, për shkak të koronavirusit. Në nëntor, një takim tjetër shumë i rëndësishëm, edhe ky i shtyrë, “Ekonomia e Françeskut”. Kulmi do të arrijë nga maji i vitit të ardhshëm, kur do të kemi një konferencë ndërkombëtare. Gjatë këtij përvjetori, do të fillojmë shumë projekte të tjera, si kapela “Laudato si’”, e cila është pothuaj gati këtu në Romë, për të udhëtuar pastaj nëpër botë. Por, edhe projekte shumë-vjeçare, si për shembull, një rrugëtim 7-vjeçar me familjet, dioqezat, shkollat, universitetet, spitalet, botën e biznesit (sidomos me ndërmarrjet bujqësore) e me urdhrat fetare. Kemi menduar edhe për çmime “Laudato si’”, që vlerësojnë impenjimin e njerëzve në projektet shumëvjeçare. Gjithçka, për të promovuar veprime konkrete dhe gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh situatën e planetit.

 

Në qendër të ekologjisë së gjithanshme është njeriu. Edhe pandemia na dëshmoi se njerëzit varen nga njëri-tjetri. Cila është rruga për të arritur vëllazërimin njerëzor?

Kriza e koronavirusit, nga njëra anë, nxorri në pah brishtësinë tonë, por edhe marrëdhëniet, lidhjen, ndërvarësinë. Solidariteti është i rëndësishëm: nuk mund ta kapërcejmë as këtë krizë a as ndonjë krizë tjetër, pa solidaritet, siç tha Papa Françesku në katekizmin, që mbajti për Ditën e Tokës. Nëse ecim së bashku dhe marrim përsipër përgjegjësinë për njerëzit më të brishtë ndërmjet nesh, vetëm atëherë, mund t’i përballojmë krizat globale. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »