Arkeologji/Rizbulimi i altarit të perëndisë Merkur dhe adhurimi i tij në Dardani

May 28 • Histori, Kulturë

Nga Haxhi MHMETAJ

 

Ekspeditë e arkeologëve të Institutit Arkeologjik të Kosovës e kryesuar nga autori i këtij shkrimi, gjatë hulumtimeve në Komunën e Istogut në fshatin Kosh rizbuloi altarin e hyjit Merkur. Fshati Kosh ndodhet në anën e majtë të lumthit Gujafq, rreth 11 – 12 km në juglindje të Istogut. Altari për të cilin një kohë të gjatë nuk dihej ku ndodhet u gjet brenda kishës së kohës së re, kushtuar Zojës së Bekuar, Ai që nga vitet tridhjeta të shekullit të kaluar është përvetësuar nga popullata serbe dhe vendosur në përdorim dytësor si shtyllëz për mbajtjen e tryezës së shenjtë të kishës. Para disa vitesh,për fat të keq, tryeza e vjetër është zëvendësuar më një tryezë të re betoni, e cila peshon rreth treqind kilogram dhe rrezikon dëmtimin e monumentit.

Mbishkrimin e altarit e kishte botuar i pari historiani, filologu dhe arkeologu Nikolla Vuliq, në vitin 1931, në revistën Spomenik, duke mos dhënë as foto apo skicë. Vuliqi nuk e kishte pasur rast ta shoh altarin. Ai e kishte interpretuar e transkriptuar më gabime, sipas një dorëshkrimi, të cilin ia kishte dërguar një mësues fshati. Pas Vuliqit mbishkrimi i altarit do të botohet nga autorë të tjerë shqiptar e serb, gjithnjë pa dokumentacion të kompletuar, skica apo foto, dhe me gabime. Altari tash po botohet më mbishkrim të plotë dhe me foto. Është gdhendur e formësuar në gurë të bardhë gëlqeror. Sipas të gjitha gjasave është bartë e vendosur në kishë nga një qendër arkeologjike e periudhës së antikitetit të shek. II – VI pas Krishtit, e cila ndodhet në toponimin “Drenje” në perëndim të fshatit. Altari është lëmuar dhe profilizuar në tri anë. Kapiteli tij ka qenë i hijeshuar në anën e përparme më akroterë këndorë më nga një gjete palmete, kurse zbukurimi i mesit siç duket edhe ai realizuar më gjete palmete, është shlyer e dëmtuar thuajse në tërësi. Edhe baza e altarit është profilizuar.

Dimensionet e altarit janë: lartësia 57cm, fusha mbishkrimore 26.5 x 23cm, kurora 30 x 16cm, baza: 30 x 18cm. Lartësia e shkronjave 2. 4cm.

Mbishkrimin përbehet nga katër rreshta dhe ruhet në tërësi. Në formulën e rreshtit të fundit janë venë shenjat e pikësimit, pikat.

Lexohet dhe transkriptohet: MERCURIO / M VULPIUS / SEVERIANUS / L (ibens) M(erito) P(osuit).

Mbishkrimi tregon që altari i është kushtuar hyjit Merkurit, nga dedikuesi M. Ulpius Severianus. Altari i takon shek. II. pas Krishtit.

Hyji Merkur i njëjtësuar më hyjin Hermes ishte njëri nga dymbëdhjetë hyjnitë më të adhuruar të panteonit të antikitetit. Për nga atributet është i ngjashëm edhe hyjin etrusk Turnus. Ishte hy i tregtisë, kasnec i hyjnive, mbrojtjes i tregtarëve dhe i udhëtarëve (viator), mbrojtës i mashtruesve e hajnave, sikurse edhe shoqërues i shpirtrave në boten e amshuar (psihopomp).

Në Dardaninë qendrore,Kosovën e sotme adhurimi i hyjit Merkur është dëshmuar në fshatin Saradran të Komunës së Istogut. Ky hyjni në Sardaran sikurse në Kosh, dëshmohet në formë epikgrafike. E gjejmë në një pllakë mermeri të murosur, në përdorim dytësor, në kullën e familjes Maraj të shekullit XIX, ku kishte të skalitur mbishkrimin: …MERCUR/… ALLATOR /… ULP(ius) VIAT(or). Ka të ngjarë të jetë sjellë në kullë nga qyteza antike e Baicës së Istogut. Kognomeni Viator përputhet më epitetin e hyjit, viator, që do të thotë mbrojtës i udhëtarëve. Merkurin e gjejmë në qytetin antik të Ulpianës në dy shtatore të imëta bronzi dhe në një altar mermeri, në një bust – aplikë bronzi në fshatin Studençan të Therandës (Suharekës). Dhe së fundi hyji Merkur dëshmohet edhe në një sarkofag plumbi (të pa botuar), të realizuar bukur artistikisht, i cili u zbulua në vitin 2015 në pallatin mbretëror të antikitetit, në Dresnik të Klinës. I takon shek. II pas Krishtit. Në ketë sarkofag Hermesi (Merkuri) në 17 paraqitje relievore, shfaqet në cilësinë e Hermesit Psihopomp, hyjit që përcjellës shpirtrat në botën e amshuar./drita.info

 

Fotoja në ballinë: Altari i perëndisë Merkur nga Koshi. Foto & dizajn nga Dukagjin Mehmetaj.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »