Kisha Katolike në Kosovë rifillon kremtimin e meshëve me pjesëmarrje të besimtarëve

Jun 1 • Kisha në Kosovë

Pas më shumë se dy muaj të mosmundësisë së kremtimit të meshëve dhe veprave tjera liturgjike me popull nëpër kishat katolike në Kosovë, për shkak të pandemisë covid-19, Kisha katolike në Kosovë, më 28 maj 2020, ka rifilluar kremtimin e meshëve me popull, me besimtarë/e, nëpër të gjitha kishat e dioqezës. Kjo u bë e mundur pasi situata në Kosovës përkitazi me gjendjen e pandemisë është stabilizuar, për çka Ministri në detyrë i Shëndetësisë z. Arben Vitia, në një konferencë për media më 25 maj, lajmëroi për lehtësimin e masave dhe mundësinë e pjesëmarrjes së besimtarëve në ceremoni fetare, duke respektuar udhëzimet e nevojshme.

Të dielën, më 31 maj, në ditën e festës së Rrëshajëve, ishte e para meshë me pjesëmarrje të shumët të besimtarëve nëpër të gjitha kishat në Kosovë, e në veçanti në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të cilësi i priu ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, me bashkëmeshim me meshtarët që shërbejnë në Prishtinë.  

Besimtarët katolikë me gëzim dhe mall u bashkuan në katedrale, në meshën e orës 11:00 si zakonisht, por tani duke iu nënshtruar një protokolli, rregullave që ishin paraparë nga IKSHPK-së dhe Dioqeza Prizren-Prishtinë.  Që në hyrje të katedrales është vendosur tuneli dezinfektues nëpërmjet të cilit kaluan besimtarët, ndërsa në bankat e saja janë të shënuara me shenja se ku mund të ulen, deri në 4 veta, për të respektuar distancën e nevojshme sipas udhëzimeve. Kurse për familjarët ishte e lejuar që të ulen afër njëri-tjetrit, ashtu si e shpjegoi gjatë meshës famullitari i Prishtinës dhe zëdhënësi i Dioqezës, Don Fatmir Koliqi. Ai më tutje dha edhe disa udhëzime për pjesëmarrje në meshë dhe lutje të cilat i kanë dhënë IKSHPK-së dhe Dioqeza.

Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e tij, ju është drejtuar besimtarëve të pranishëm dhe atyre që ndiqnin live-streaming, nëpërmjet medieve të Kosovës (RTK, KLAN, Kosovapress), duke e falënderuar Zotin që përsëri mund të takohen në Katedrale për kremtuar meshën së bashku, sepse  nuk ishte e lehtë që deri tash të kremtoheshin meshët pa praninë e besimtarëve:

E di që gjatë kësaj kohe keni pasur shumë dhimbje dhe shumë vështirësi të pranoni që nuk mund të vini e të merrni pjesë në meshë. Por, siç e keni përcjell nëpërmjet medieve dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, ju keni parë se keni vazhduar t’i kushtohemi Zotit, kemi vazhduar të shërbejmë kultin hyjnor që Krishti na i ka lënë amanet. E ju mjerisht është dashur të merrni pjesë në këtë shërbesë vetëm shpirtërisht nga distanca, nga shtëpitë tuaja, duke e afruar shpirtin e juaj në kishë, nëpërmjet uratës dhe meditimit. Natën e Pashkëve në vendet e juaj kemi ndezur nga një qiri, për të simbolizuar praninë e juaj.”

Ai u bëri thirrje të gjithë besimtarëve që të respektojnë udhëzimet e institucioneve të IKSHPK-së dhe Dioqezës, që të kalojmë pa brenda gjatë këtyre ditëve deri sa të kalojë krejtësisht pandemia.

Unë e di që nuk është mirë që të qëndroni në kishë me maska, sikur të ishim mjek. Por, tani duhet të bëhemi mjek të shëndetit tonë, secili duhet të bëhet mjek i shëndetit të vet. Andaj, duhet të mbaj ato rekomandime të cila ne i kemi përcaktuar së bashku me institucionet shëndetësore në vendin tonë”. Ipeshkvi në vazhdim i falënderojë të gjithë mjekët e institutit të shëndetit publik, të klinikës infektive dhe gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë kohë të pandemisë në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve dhe vazhdojnë të shërbejnë për ta munduar krejtësisht atë që të mund të kalojnë me gjendjen e plotë normale.

Ju falënderoj juve besimtarëve që keni qenë të dëgjueshëm ndaj nesh dhe jeni përpjekur t’i respektoni udhëzimet dhe masat që janë kërkuar.” – ishin fjalët e ipeshkvit.

Me këto masa dhe udhëzime, besimtarët u shprehën shumë të kënaqur dhe të lumtur që tani kanë mundësi të marrin pjesë përsëri fizikisht në kishë, në meshë dhe në lutjet tjera./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »