Imzot Dodë Gjergji i dërgon letër solidariteti kryetarit të BISH pas sulmit në Tiranë

Apr 19 • Kisha në Kosovë

Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, i ka dërguar letër solidariteti kryetarit të BISH, z. Spahiu, pak orë pas sulmit në Xhaminë në rrugën e Kavajës në Tiranë. Ai ka shprehur pikëllimin e tij për këtë akt të shëmtuar dhe ka shpreh solidaritet me BISH dhe me të plagosurit. 

Më poshtë po e japin letrën e plotë të ipeshkvit.

 

Shumë i nderuar z. Spahiu,

                                                     me hidhërim dhe me pikëllim të thellë mora lajmin për ngjarjen e shëmtuar që sot ka ndodhur në Xhaminë e rrugës së Kavajës, në kryeqytetin e Shqipërisë, ku pesë besimtarë të Bashkësisë Tuaj mbetën të plagosur.

Jam i bindur që personi, i cili e ka shkaktuar këtë tragjedi, do të merr përgjigjen e merituar para organeve të drejtësisë në Shqipëri, por edhe personalisht, dëshiroj të gjykoj këtë akt të papranueshëm për gjithë ne shqiptarët, pa marrë parasysh cilit besim i takojmë. Aktet e tilla dhune dhe kërcënimi të jetëve të njerëzve nuk duhet të ndodhin në asnjë realitet të shoqërisë sonë, e aq më pak në vendet e kultit dhe në muajin e Ramazanit.

Këndej, shpreh solidaritetin me Bashkësinë Tuaj, si dhe me familjet e të plagosurve. Njëkohësisht, me gjithë besimtarët katolikë në Kosovë, lus Zotin për shërimin sa më të shpejt të tyre.

Shfrytëzoj rastin që t’Ju uroj agjërim të lehtë gjatë këtij muaji të Ramazanit!

 

Dodë Gjergji, 

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë

Comments are closed.

« »