Letërsia e vjetër shqipe, një periudhë me rëndësi për studimet mbi historinë e studimeve tona letrare

Apr 24 • Kulturë, Letërsi

Nga Evalda Paci

 

Një panoramë e gjerë studimore ka gjetur frymëmarrje përmes vëzhgimesh e hulumtimesh që ofron letërsia e vjetër shqipe, e përfaqësuar nga vepra të një rëndësie themelore për shumë arsye.

Bashkëlidhja e natyrshme që kërkohej të vendosej mes rrethanave të botimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe dhe zhvillimeve të historisë së njohjes së librit, më saktë, librit të shtypur në Evropë e më tej, në areale më të përcaktuara, mbetet një linjë për t’u ndjekur përherë, nëse kemi parasysh referencialitetin e vijueshëm që kësaj tradite i atribuonte filologu Mario Roques (1875-1961), por dhe studiues të tjerë të filologjisë dhe historisë së teksteve në gjuhën shqipe, që iu kushtuan këtyre argumenteve me studime konkrete dhe kontribute po aq reale sa i përket gjurmimit dhe rigjurmimit të tyre në arkiva e biblioteka të Evropës. Studime tematike që rindërtojnë jo vetëm historikun e dokumentimit më të hershëm shkrimor të shqipes përmes veprash me një paracaktim të qartë ndaj liturgjisë dhe praktikës së besimit të krishterë mbeten udhërrëfyes parësorë sa i përket njohjes së vetë ecurisë e zhvillimit që natyrshëm morën botimet në fjalë, që përfaqësojnë letërsinë kishtare në gjuhën tonë, në veçanti atë të shekujve me rëndësi për shtypshkrimin si praktikë dhe kulturë.

Dhe pse për këto tekste e vepra flitet në revista e në të përkohshmet e kohës, në veçanti në ato të fillimit të shekullit të kaluar, kronologjizimi i saktë dhe njohja e ecurisë së botimit të këtyre ekzemplarëve nuk ka ardhur menjëherë e në radhën e duhur. Tërheq vëmendjen në këtë drejtim vetë Mario Roques, në veprën e tij Recherches sur les anciens textes albanais, Paris, 1932, ndërkohë që pikërisht me këtë botim të vyer i jepte orientim trajtimit në një metodologji të përshtatshme njohjeje vetë teksteve të letërsisë së vjetër shqipe dhe perspektivës ekdotike të receptimit të tyre.

Me një tjetër kontribut domethënës dhe që i shërben njohjes nga afër të një monumenti leksikografik kryesisht dygjuhësh e që përbën një nga veprat më me rëndësi të letërsisë së vjetër shqipe (Dictionarium latino-epiroticum, per R.F. Blanchum, Romae, 1635), Roques po në vitin 1932 rinënvizon rëndësinë e përafrimit të studiuesve me vlerat që ruan një letërsi e tillë, e pasur në burime dhe modele referimi, por dhe në autorë e përpilues veprash letrare e fetare. Parathënia me të cilën ai introdukton Dicionarin latinisht-shqip të Frang Bardhit, në një botim të natyrës fotostatike, mbetet një tjetër platformë studimore mbi këtë vepër të rëndësishme, pa të cilën vështirë të mund të mendohet vetë kontributi i autorit tonë të Gjashtëqindës në lidhje me leksikun e shqipes dhe qasjen gjegjëse me gjuhën latine e ndonjë variant tjetër eventual gjuhësor.

Gjithashtu me veprën-traktat të së njëjtës periudhë (Recherches sur les anciens textes albanais, 1932), që nuk lë jashtë vëmendjes kriterin kronologjik dhe mëtimin për të njohur që në burimet më të hershme ekzistencën e kësombllave të veprave të një letërsie kishtare që gjindej e dokumentuar në biblioteka të rëndësishme të Evropës, Roques i shërben në të njëjtën kohë dhe një domosdoshmërie tjetër, pikërisht asaj të realizimit të botimit mbi kritere sa më të përcaktuara filologjike të tyre, gjë që do ta vendoste vetë traditën letrare e shkrimore përkatëse në një orientim shkencor njohjeje nga të gjithë të interesuarit për historinë e shkrimit shqip dhe atë të letërsisë së shkruar shqipe.

Nuk lihen jashtë vëmendjes së filologut e orientalistit frëng dhe monumente të tjera shkrimore, që në të vërtetë përbëjnë dëshmi fragmentare të të shkruarit të shqipes, por njëkohësisht ishin gjithashtu dokumentim i sprovave për ta evidentuar një gjuhë të tillë si jona, mjaft me interes dhe në atë kohë për studimet në fushë të indoevropianistikës dhe gjuhësisë së krahasuar. Do të shihet qartë dhe më vonë, jo vetëm në ato vite të rëndësishme për promovimin e trashëgimisë kulturore të reflektuar me shkrim mbi shqipen se dokumente shkrimore më fragmentare do të vijonin të ishin objekt i një interesi të qartë studimor, aq më tepër kur bëhej fjalë për të saktësuar dhe evidentuar kronologjikisht realizimin e teksteve specifike që u përkisnin traditave liturgjike që pikërisht në dekadat e para të shekullit të kaluar u studiuan në vepërza e trajtesa shkencore më vete.

Me autorë që reflektuan një kujdesim të qartë për shqipen dhe tekstet më të hershme të lëvrimit të një kulture fetare të ngulitur me kohë në viset tona, me vepra që sot e kësaj dite përfaqësojnë monumente të mirëfillta letrare e gjuhësore, por dhe modele përpilimi poezish sakrale tashmë mjaft të vlerësuara për përmbajtjen dhe ndërtimin metrik, një letërsi si ajo e vjetër shqipe qëndron në themel të rindërtimit të vetë panoramës së historisë së shkrimit shqip e të pleiadës së autorëve që më tej do të vijojnë të përshtaten në modele përpilimi e hartimi veprash të ngjashme nga paracaktimi e brendia.

Ecuria e realizimit të varianteve doktrinare e të librave kishtarë me një tematikë të përcaktuar e me një destinacion po aq të paracaktuar do të mund të gjindet e konkretizuar në sprovat e Tetëqindës, me shqipërimet e përmbushura nga prelatë të kohës (Basile S.I., Guagliata S.I.), një pjesë e të cilëve ishin dhe misionarë që detyra i lidhte me viset tona e me shërbesat që kryheshin pranë tyre.

Realizimi i tyre në objektivin e pranëvendosjes së shqipes pranë gjuhësh që me gjasë u shërbenin gjithashtu misionarëve të huaj (rasti i G. Guagliatës S.I.,1845) në praktikën shërbestare bën të mundur gjithsesi që dhe trashëgimia leksikore e gjuhësore e shqipes të gjejë reflektim në raste ndërtimesh të veçanta që janë genuine të saj, në kuptimin themelor të fjalës.

Të tilla përpilime, në ndonjë rasë dhe në variant dygjuhësh dëshmojnë vijimësinë në ndërtime, forma shprehjeje dhe tipare gjuhësore që ishin përvijuar herët falë sprovave të Gjon Buzukut (1555), Pjetër Budit (1618-1621), Frang Bardhit (1635), Pjetër Bogdanit (1685), Imzot Nikollë Kazazit (1743), të gjithë të përfshirë në çështjen e ruajtjes së identitetit gjuhësor dhe pasurisë së shqipes sonë, ndërkohë që dhe falë shqipërimeve dhe përshtatjeve të Engjëll Radojës (1820-1880) e Imzot Ndre Logorecit (1830-1891) do të shihet gjithashtu e trashëguar një prirje e tillë konservimi dhe kujdesi të përveçëm.

Të gjitha këto ndihmesa janë konkretizuar në botime që në një pjesë të madhe u botuan dhe nën kujdesin e Kongregacionit të Propagandës.

Mbas botimit nën siglën e tipografisë përkatëse të këtij kongregacioni të Dicionarit latinisht-shqip të Frang Bardhit (Romë, 1635), do të vërehet se në të njëjtën ecuri do të shohin dritën e botimit mjaft vepra të tjera, një pjesë dhe me destinacionin e qartë dhe të rëndësishëm të të qenit instrumente praktike në liturgjinë e orëve, po aq e rëndësishme për t’u njohur në procese të një përditshmërie që bëhet objekt dhe në dekretet e Kuvendit të parë të Arbënit, të botuar për herë të parë si akte konciliare në vitin 1706, për t’u pasuar më tej nga variante të tjera, të përgatitura nën një vështrim kujdesues ribotimi, me vëmendje të qartë ndaj kuptimit të fjalëve, fjalive dhe sintagmave të caktuara, që në origjinë ishin përpiluar si tekste në gjuhën latine.

Theksimi nga ana jonë në këtë trajtesë të thukët e eksiztencës së varianteve të veprave të caktuara i shërben nënvizimit të një ideje qendrore, që qëndron në themel të inicimit të saj: variantistika e njohur e veprave të cituara më sipër, aq më tepër në lidhje me botimet e ribotimet e Doktrinës së krishterë e më tej me aktet e Kuvendit të parë të Arbënit (Concilium Provintiale sive Nationale Albanum, 1703) rishtron si parësore një perspektivë njohjeje përqasëse të veprave të letërsisë së vjetër shqipe, përfaqësuar që në krye të herës me monumente të mirëfillta shkrimtarie dhe letrarësie.

Vijimësia në terminologjinë që i karakterizon të tilla vepra bën të mundur që të rijetojë pikërisht nëpërmjet tyre një trashëgimi e plotë në ndërtime e elemente kyçe, që do të gjindet e reflektuar deri në burimet më të vona të letërsisë kishtare në gjuhën shqipe, jo vetëm në atë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, por dhe në botimet e viteve ‘60 që do të shohin dritën e shtypit jashtë kufijve të Shqipërisë, duke u paraqitur si përpilime të përgatitura mbi shqipërime tekstesh referenciale në greqishten e Testamentit të Ri apo dhe në variante në gjuhën latine. Nuk janë të pakëta në këtë drejtim as variante ungjijsh të përpiluara në këtë periudhë apo ndonjë dekadë më vonë që presin akoma të shohin dritën e botimit në një të ardhme të afërt, të shumëpritur prej shumëkujt. Një mozaik i kësaj natyre do të dojë kohë të gjatë për t’u plotësuar në mënyrë përfundimtare, duke qenë përherë në pritshmëri pasurimi vetë tematika e veprave që u cekën dhe në këtë trajtesë tonën.

Të gjitha këto botime pasurojnë një panoramë studimore që duke u marrë në konsideratë që në fillesat që i gjejmë të dokumentuara në kohë më të hershme, me gjithë ndryshimet që mund të paraqesin në tipare të caktuara të ndërtimit të tyre e që lidhen dhe me periudhat e zhvillimit e lëvrimit të shkrimit shqip, mund të thuhet që ka një jetëgjatësi të konsiderueshme, që koha e bën përherë më interesante për studiuesit e disiplinave të filologjisë dhe dijes së albanologjisë./drita.info

Comments are closed.

« »