
Në 100-vjetorin e lindjes së Martin Camaj (21 korrik 1925 – 21 korrik 2025)
Nga Evalda PACI
Botimi i një punimi të plotë studimor, me gjasë me një paracaktim disertacioni nga ana e Camajt vjen në një moment zhvillimesh që në lidhje me botimet e librave kishtarë në gjuhën tonë mund të quhet i pasuruar, dhe pse në vendin tonë konteksti real reflektonte të tjera prirje dhe perspektiva ndryshimesh.[1] Në vitin 1958, nën kujdesin e Namik Ressulit vjen i riprodhuar korpusi tekstor i librit të Gjon Buzukut, i pasuar nga një shtojcë a aparat kritik me përbërje tekstesh latine që ofrojnë një bazë të mirë referenciale për studiuesit e pjesëve të veprës, në veçanti në qasjen tekstore e filologjike. Po në këtë periudhë, falë sprovave për të shqipëruar ungjijtë nga greqishtja e Testamentit të Ri, edhe Dom Zef Oroshi (1912-1989) do të kontribuojë në pasurimin e një kuadri të tillë studimor me një variant të Ungjillit simbas Matheut, për të cilin ai vetë konfirmon se e ka punuar mbi bazën e origjinalit në gjuhën greke.[2] Pak vite më vonë, Meshari i të kremteve, që ka për përpilues e kujdesues Atë Daniel Gjeçajn O.F.M. (1913-2002), vjen në një ecuri të natyrshme të ndihmesave që bëjnë të mundur njohjen e një gjuhe të liturgjisë me lidhje të hershme me dokumentimet shkrimore në shqipe, me gjithë përpjekjet që kësaj të fundit t’i reflektohen vlera e përveçime që pikërisht të tilla tekste përmbajnë në ndërtim dhe elemente të veçanta shprehësie e ndërtimi.
Studiuesit e sipërcituar, Camaj e Ressuli i përmbahen denominimit Meshar për ekzemplarin më të përmendur në historinë e shkrimeve të hershme shqipe, madje një emërtim i tillë në vijimësi do të gjindet dhe në ballinën e botimit kritik e filologjik dyvëllimësh që sheh dritën e shtypit në vitin 1968, mbas kujdesimit shembullor të E.Çabejt. Në formimin e Camajt njohja e teksteve dhe e traditës së receptimit të shkrimit të shenjtë në areale ballkanike që nuk u lanë jashtë vëmendjes as nga Mario Roques (1875-1961) e pikërisht në shekujt që lidhen drejtpërdrejt me zhvillime në lidhje me përdorimin e Ritualit romak në këto vise, përbën një premisë dhe një vlerë të pamohueshme. E dëshmojnë një fakt të tillë përveçimet që i përkasin një sfere terminologjike të veçantë, por dhe analizimet që veç një njohje e thelluar e traditës, e përkatësisë dokumentare dhe e veçorive të zhvillimit i bën të mundura dhe për më tepër të besueshme e burime të sigurta referimi.
Në vëzhgimet e Camajt mbi librin e Buzukut gjurmohen dimensionet e sinkronisë në hulumtim, ndërkohë që pikërisht falë kontekstualizimit që u bën vështrimeve paraardhëse mbi këtë të fundit, studiuesi ynë bëhet në mënyrë të natyrshme pjesë e një kuadri diakronik tipik për vetë problematikat që paraqet një ekzemplar i kësaj natyre.
Konsiderimi i një tradite paraardhëse vëzhgimesh nuk cenon origjinalitetin e pikëpamjeve që Camaj parashtron mbi historinë e ekzemplarit, që tashmë pothuaj unanimisht e konsiderojmë të një përkatësie kronologjike që në vetvete mbart një domethënie të lidhur me zhvillime të rëndësishme për botën e bibliofilisë evropiane, më tej dhe atë të librit të shtypur në Evropë.
Bota e librit u përfshi dhe u promovua ndjeshëm falë kësaj teknologjie që nënkuptonte disponimin e një numri më të madh kopjesh për të njëjtin përpilim, gjithashtu dhe një prestigj të rinovuar të figurës së editorit, botuesit, korrektorit, por dhe asaj të stampatorit.
Prania e këtyre hallkave të sipërcituara gjurmohet ndjeshëm si në proceset e pashmangshme të avancimit teknologjik të shtypshkrimit, ashtu dhe në vepra të shekujve tipikë për promovimin e kësaj teknologjie, ndikuese dhe në zhvillimet e kulturës së librit në gjuhën shqipe. Për veprat e letërsisë së vjetër shqipe, një qenësi e tillë elementesh që përbëjnë dëshmi dhe për rrugëtimin e tyre drejt finalizimit për shtyp dokumentohet apo pritet të dokumentohet në sythe dhe pjesë introduktive apo përmbyllëse, nën kujdesimin e vetë autorëve që u referohen stampatorëve apo mbështetësve të punës së tyre me tekste dedikatore, tipike për periudhën në të cilën libri i shtypur po bëhej një medium i fuqishëm propagandimi.
Me pamjaftueshmërinë e të dhënave që do të duhej të ofronte një kolofon duke pasur parasysh që qysh në përballjen më të parë me gjendjen e ekzemplarit u konstatua dhe mungesa e faqeve të para të kësombllës, vetë vendi i botimit, por dhe i entit institucional që mund ta kishte porositur botimin e tij, vijon të mbetet një çështje në proces diskutimesh, me një orientim më të përcaktuar vitet e fundit falë sprovave konkrete të koleges Lucia Nadin.
Pikërisht me veprën që e botuar në vitin 1960 në serinë Shêjzat i kushtohet mbi të gjitha hulumtimit të thelluar të pjesëve të këtij ekzemplari, Camaj zbulon një aspekt qenësor të personalitetit të tij, pikërisht në orientimin studimor ndaj çështjeve themelore që qëndrojnë në pikënisje të historisë së ekzemplarit të vitit 1555.
Më herët vlerësimi i komponenteve që për botues të caktuar përbënin materien primare në proceset teknike të realizimit të kësombllave ishte marrë në vështrim analitik prej filologut frëng Mario Roques, ndërkohë që edhe në vëmendjen e Camajt vijnë si objekt vëzhgimi çështjet e qarkullimit material në shekujt XV-XVI, fakt që zgjeron me të drejtë linjat e hulumtimit për studiuesit e historisë së librit në fjalë. Përveç pikëpamjeve që Camaj i ka shprehur duke konsideruar pikërisht një qarkullim të tillë e më tej dhe përdorimin e elementeve materiale që shërbenin dhe si dalluese për teknologjinë e tipografive të caktuara, prirja e tij orientohet ndaj vatrash të tjera të zhvillimit të editorisë në arealin italik, në të cilat mund të kishte parë dritën e shtypit ekzemplari në gjuhën shqipe i vitit 1555.[3] Dhe pse nuk e thellon pikërisht në punimin e sipërcituar si një tezë të mirëfilltë, Camaj shprehet për një mundësi alternative të vendit të shtypjes së ekzemplarit, fakt që nuk ka kaluar pa vëmendje as nga studiuesit e historisë së kësaj periudhe, orientuar ndaj risive të shënuara në fushë të shtypshkrimit në arealin italik, ndërkohë që çështje të censurës dhe pretendime graduale të pushtetit të kësaj censure konkretizoheshin nga hierarkitë përkatëse shtetërore dhe kishtare. Mund të duket rastësore si vërejtje, duke pasur parasysh faktin që autori i punimit u ka kushtuar vëmendje të përqendruar çështjeve të interpretimit tekstor e të verifikimit të ndikimeve në disa pikëpamje në proceset e përpilimit të një korpusi përmbledhës siç paraqitet libri i orëve dhe meshari i vitit 1555, por më tej, dhe me studime të kohëve të fundit që kanë bërë objekt shqyrtimi pikërisht çështjen e ndalimit apo censurimit para qarkullimit të librave të praktikës kishtare në arealin venecian në një periudhë që përkon me atë të realizimit për shtyp të librit të Buzukut, me shumë mundësi dhe këto gjykime të Camajt duhen rimarrë në konsideratë dhe me një vëmendje të veçantë.[4]
Në mbështetje të çështjes së vështrimeve thellësisht analitike të aspekteve të ndërtimit të tekstit e të konfigurimit ikonografik në përbërjen e këtij libri, si dy komponente që nuk ndahen lehtë në këto raste, vetë burimet që citohen në trajtesat e Camajt (Zonghi, Le antiche carte fabrianesi, Fano, 1884; Briquet, Les filigranes- Dictionnaire Historique des marques du papier, tome II, Genève, 1907) përbëjnë elemente të një aparati kritik të domosdoshëm në ndihmë të verifikimeve që më sipër i cilësuam si themelore në proces të njohjes më të thelluar të vetë strukturës së ekzemplarit.
Në këtë seri reflektimesh mbi kontributin e tij, që në punimin e vitit 1960 paraqitet i artikuluar në një renditje të arsyetuar në pikëpamje nënsistemesh dhe orientimesh të gjurmimit tekstor, do të duhet të nënvizonim që interpretimet e Camajt mbi elementet ikonografike që me mbështetje nga burime mirëfilli referenciale sillen në vëmendje pothuaj tridhjetë vite më parë nga Mario Roques, dëshmojnë ndër të tjera jo vetëm analizimin autoptik të figurave të caktuara, por dhe dobinë e një metode të tillë hulumtimi, që në vendin tonë ka munguar plotësisht në kushtet e mosdisponimit të vetë ekzemplarit, si dhe në pamundësinë reale për ta verifikuar së afërmi kopjen e vetme të tij.
Fatmirësisht, efikasiteti i një natyre të tillë vështrimesh që vlerësojnë imazhe e entitete shenjore të caktuara e me një domethënie të veçantë në përbërje librash të tillë, shfaqet i rikonsideruar vitet e fundit me ngulmim e maturi nga studiuesja dhe kolegia e përkushtuar Lucia Nadin. Gjithashtu edhe çështjet e studimit të pjesëve e të teksteve të veçanta (u referohemi të quajturave Litaniae sanctorum) të bashkëlidhura me traditën e teksteve kishtare të viseve kroate në shekuj të së njëjtës periudhë u ndërmorën për analizë kritike e filologjike, por dhe për reflektime të cilave u kishte ardhur koha nga kolegu ynë Joachim Matzinger.
Mund të thuhet me plot gojën që falë orientimit ndaj disiplinave themelore nga ana e Roques, Camajt, por dhe falë konsiderimit të dijeve komplementare për nga rendi hierarkik, qenësore gjithsesi për përgjigjet që mund të ofronin, letërsia e vjetër shqipe jo vetëm ka gëzuar vëmendjen e duhur, por dhe ka qëndruar qartësisht larg vështrimeve sipërfaqësore, që nuk do i bënin aspak nder kontekstualizimit të saj në panoramizimet historike e diakronike të studiuesve të saj.
Njohës i përditësuar i të dhënave që ofroheshin në atë kohë dhe nga periodikët shkencorë shqiptarë në të cilët reflektonin ndihmesat dhe sprovat e tyre E.Çabej, I.Zamputi, Q.Haxhihasani, Camaj konsideron me një objektivitet të qartë dhe këto të fundit, duke i bërë pjesë të trajtimit serioz në sythe të rëndësishme të punimit të tij. Falë vështrimeve kritike që nuk munguan nga ana e Marlekajt, Ressulit, Camajt, kjo traditë shkrimore, bashkë me vetë çështjet e studimit tekstor e filologjik të teksteve të vjetra shqipe nuk mbeti pa vëmendje e pa u reflektuar si pjesë e një arsenali dituror e bibliografik në biblioteka e arkiva të rëndësishëm të kujtesës shkencore evropiane.
Pjesë e një plejade kontribuesish që e përuruan mozaikun e hulumtimeve ndaj veprave të letërsisë së vjetër shqipe me një frymë kulture evropiane, me orientimin e qartë ndaj evidentimit të burimeve arkivore që e plotësojnë domosdoshmërisht këtë të fundit, Camaj ndërtoi një tjetër gur miliar në iterin kërkimor ndaj dëshmive shkrimore më të rëndësishme në gjuhën shqipe./drita.info
————————————-
[1] Camaj M., Il “Messale” di Gjon Buzuku; contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Roma, 1960.
[2] Shih pikërisht Dhiata e Ré: Ungjilli i Jezu Krishtit simbas Shën Matheut, përkthye në shqip prej tekstit origjinal kritik greqisht nga D.Zef Oroshi, Romë, 1960.
[3] Camaj M., Il Messale di Gjon Buzuku: contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Romë, 1960, f.9.
[4] Ottone A., Il privilegio del Messale riformato. Roma e Venezia fra censura espurgatoria e tensioni commerciali, në Privilegi librari nell’Italia del Rinascimento, Franco Angeli, Milano, 2019.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

