Festa e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit – Nëna e të gjitha Kishave

E diela XXXII gjatë vitit – viti C – Festa e kushtimi të Bazilikës së Lateranit

 

Leximi i parë   1 Mbr 8, 22-23. 27-30

Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, o Zot.

 

Lexim prej Librit të parë të Mretërve

Në ato ditë, Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e tija drejt qiellit dhe tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besëlidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër. Dhe njëmend, a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova! Por, deh, vëri veshin lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: ‘Këtu do të jetë Emri im’! Dëgjoje lutjen që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend”!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   95

 

Ref:  Ejani ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë.

—————————————-

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëbuesit tonë

t’i dalim para me falenderje,

t’i këndojmë këngë hareje.

—————————————-

Sepse Hyji i madhërishëm është Zoti,

Mbret i madhërueshëm mbi të gjitha zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës,

të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti – ai e krijoi,

duart e tija e formuan tokën.

—————————————-

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

—————————————-

 

Leximi i dytë   1 Pjt 2, 4-9

Jeni të zgjedhur që si gurë të gjallë të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, afrohuni Atij – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, 5 që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin. Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë: “Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!” Për ju, pra, që besoni – nder; kurse për ata që nuk besojnë – “guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit”.  E: “Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa”. Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.  Porse ju jeni: “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete”, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.! Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Ja po vjen koha, e tani është, thotë Zoti,

kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin

në shpirt e në të vërtetë.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 4, 19-24

Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë Samaritanja i tha Jezusit: “Zotëri ‑ vijoi gruaja ‑ po shoh se je profet. Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.” Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha ‑ e tani është!‑ kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë. Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Dialogu i Jezusit me gruan samaritane pranë pusit të Siharit – nga i cili merret Ungjilli (Gjn 4,19-24) i kësaj të diele, festë e kushtimit të Bazilikës së Romës – është një terren i ndërlikuar. Ishte i tillë, atëherë, edhe për Samaritanen, e cila duhej të nxirrte në dritë jetën e saj përballë fjalëve të atij Mësuesi të panjohur. Por ky dialog është i ndërlikuar edhe për lexuesin modern, i cili do të donte t’i përkulte fjalët e Jezusit sipas shijes dhe interesit të vet…

E kam fjalën këtu për interpretimin e nxituar të atyre që shohin në pohimet e Jezusit për kultin një hedhje poshtë të përgjithshme të jashtësisë: sikur “adhurimi i Hyjit në shpirt e të vërtetë” të nënkuptonte, në fund të fundit, heqjen dorë nga kishat dhe ritet e jashtme.

Fjalët e Mësuesit ishin sigurisht në polemikë me debatet “klerikale” të kohës, në të cilat Judenjtë viheshin përballë Samaritanëve: të parët pohonin epërsinë e tempullit të Jerusalemit, të dytët i kundërviheshin me lutjen në malin Garizim. Kontesti ishte qartësisht i pafrytshëm: në njëfarë mënyre mund ta krahasojmë me disa prej çështjeve tona të kota për vendet…

Kritika e Jezusit nxjerr në pah pikërisisht sterilitetin e asaj kundërshtie; megjithatë, fjalët e tij nuk e mohojnë thjesht dhe vetëm kultin e jashtëm. Në fakt, shprehja “shpirt dhe e vërtetë” – sipas fjalorit të Shën Gjonit – nuk tregon një realitet shpirtëror të kundërvënë ndaj trupit, një realitet të brendshëm të kundërvënë ndaj të jashtmit: ajo shënon përparësinë e Hyjit – që është Shpirt dhe e Vërtetë – përballë veprimeve njerëzore, madje edhe atyre fetare.

Prandaj, kulti “në shpirt e të vërtetë” nuk është një kundërvënie ndaj lutjes së brendshme personale përballë kultit të jashtëm publik. Përkundrazi, “të adhurosh Hyjin në shpirt e të vërtetë” do të thotë të pranosh publikisht se Hyji vepron para nesh dhe më mirë se ne, përtej vetë praktikave tona fetare.

Një pranim i tillë, në atë kohë, kishte marrë fytyrën konkrete të Jezusit: pikërisht në historinë e tij – në fjalët e tij publike, në gjestet e tij të dukshme, në njerëzoren e tij të prekshme – shfaqej përparësia e Hyjit. “unë nuk fola prej vetvetes – përsëriste Jezusi në prag të mundimit të Tij – porse ai që më dërgoi ‑ Ati ‑ Ai më urdhëroi çka të them, çka të flas” (Gjn 12,49-50).

Në të njëjtën mënyrë, sot, pranimi i përparësisë së Hyjit merr fytyrën e besimtarëve që e kujtojnë Jezusin: dhe për këtë arsye nuk reduktohet thjesht në brendësinë e ndërgjegjes, por ka nevojë për një shprehje të caktuar publike. Në këtë pikëpamje, edhe kulti i jashtëm është i domosdoshëm: pa të – pa kisha dhe pa rite – nuk ekziston një bashkësi; por sidomos bëhet e vështirë të dëshmohet origjinaliteti i veprës së Hyjit në histori.

E kemi provën me banorët e Kuneos, por edhe bashkësi të tjera kur ndodh një mbyllje për shkaqe të ndryshe. Prej disa muajsh kisha e Zemrës së Krishtit – në qendër të qytetit – qe mbyllur për punime të rëndësishme restaurimi. Mbyllja e godinës nuk ka sjellë ndonjë pezullim të veprimtarisë baritore të famullisë: ajo vazhdoi rregullisht në kapela të tjera dhe në ambientet e tjera të bashkësisë. Megjithatë, mungesa e përkohshme e kishës ka krijuar një farë hutimi, sipas vetë besimtarëve: sepse është e vështirë të dëshmohet përparësia e Hyjit pa kisha dhe pa rite!

Diçka e ngjashme ndodhi në atë kohë me gruan samaritane pranë pusit të Siharit: ajo do të kishte dashur t’i përgjigjej vetëm – në fshehtësinë e zemrës së saj – nevojës për shpëtim që e shtynte nga brenda; por nuk mundi assesi ta bënte atë pa ndërmjetësimin publik të Jezusit. (Don E.D.)

 

Lutja e Besimtarëve

M. Në ditën kur kremtojmë përvjetorin e kushtimit të Bazilikës së Lateranit, nënës së të gjitha kishave, të lutemi për Kishën e Romës dhe për të gjitha bashkësitë e krishtera të shpërndara në botë.

L. Të lutemi së bashku dhe të themi: Shenjtëroje Kishën tënde, o Zot.

L. Për Kishën e shenjtë të Romës, e cila kryeson në dashuri tërë bashkimin katolik: mbështete me ndihmën tënde dhe bëje të shfaqet para botës si tempull i shenjtë, i ndërtuar me gurë të gjallë e të çmuar. Të lutemi.

L. Për Atin e Shenjtë Leonin XIV, ipeshkvin e Romës, të cilin e ke zgjedhur si bari dhe udhëheqës të të gjithë besimtarëve: bekoje shërbesën e tij dhe bëje që me fjalën dhe shembullin të ndërtojë popullin që i është besuar. Të lutemi.

L. Për bashkësitë famullitare, të cilat i thërret të shpallin fjalën tënde: jepu Shpirtin e urtisë dhe bëji që për brezat e rinj të jenë dëshmitarë të një feje të motivuar dhe koherente. Të lutemi.

L. Për më të fundit e shoqërisë, të cilët ti i shikon me mëshirë e butësi: dëgjo britmën e tyre për ndihmë dhe bëje që të pranohen me zemërgjerësi e të mbështeten prej bashkësisë së krishterë. Të lutemi.

L. Për ne, të mbledhur për të dëgjuar fjalën tënde: na shndërro në tempull të gjallë të hirit dhe bëje që Shpirti të banojë gjithnjë në zemrat tona. Të lutemi.

M. O Hyj, që me gurë të gjallë dhe të zgjedhur përgatit një banesë të amshuar për lavdinë tënde, vazhdo të derdhësh hirin tënd mbi Kishën, që populli i besimtarëve të përparojë gjithnjë në ndërtimin e Jerusalemit qiellor. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Shpëndaje: