
Nga Joseph Ratzinger/Benedikti XVI
Një mik më tha: “Unë nuk ndiej asnjë prani, madje as kur shkoj në kishë të dielën. Shoh vetëm se nuk ekziston asgjë.”
Zoti nuk është diçka që mund ta detyrojmë të bërtasë për praninë e Tij në momente të caktuara. Ne e gjejmë Zotin vetëm nëse heqim dorë për ta nënshtruar atë kritereve të falsifikueshmërisë së eksperimentit modern dhe skemave të provës së ekzistencës, dhe nëse e shohim Atë si Zot. Ta shohësh si Zot do të thotë të hysh me të në një marrëdhënie krejt tjetër. Sendet materiale mund t’i shqyrtoj nga një pikëpamje operative dhe t’i vë nën shtrëngim sepse më janë nënshtruar. Por as edhe një qenie tjetër njerëzore nuk mund ta kuptoj nëse e trajtoj në atë mënyrë. Përkundrazi, mund të kap diçka nga personaliteti i saj vetëm nëse filloj të hyj me empati në shpirtin e tij.
E njëjta gjë vlen për Zotin. Mund ta kërkoj Zotin vetëm nëse heq dorë nga qëndrimi i sunduesit. Përkundrazi, duhet të kem një qëndrim gatishmërie, hapjeje dhe kërkimi. Duhet të jem i gatshëm të pres me përvujtëri dhe t’i lejoj Atij të më shfaqet siç dëshiron Ai, e jo siç do të doja unë.
Por ku është Zoti, saktësisht?
Ai nuk është në një vend të caktuar, siç e shpreh bukur një tregim rabinik. E thënë në formën pozitive: nuk ka asnjë vend ku Ai të mos jetë i pranishëm, sepse është kudo. E thënë në formën negative: Ai nuk mund assesi të jetë atje ku është mëkati. Kur mohimi e ngre mosqenien në fuqi, aty Ai nuk është i pranishëm.
Zoti është kudo, dhe për këtë arsye ka shkallë të ndryshme afrimi ndaj tij: sepse, sa më e lartë të jetë shkalla e qenies, aq më afër tij jemi. Por atje ku hapen arsyeja dhe dashuria, arrihet një formë e re afërsie me të, një mënyrë e re e pranisë së tij. Zoti është aty ku janë të pranishme feja, shpresa dhe dashuria, sepse – ndryshe nga mëkati – këto virtyte teologjike vizatojnë hapësirën që na lejon të hyjmë në përmasat e Hyjit.
Nga kjo pikëpamje, Zoti është në çdo vend ku ndodh diçka e mirë, i pranishëm në mënyrën e tij të veçantë dhe, qartë, përtej thjesht gjithëpranisë. Ne mund ta takojmë dhe të përjetojmë një mënyrë më të thellë të pranisë së tij atje ku afrohemi me ato përmasa që përkojnë më shumë me thelbin e tij më intim, përkatësisht të vërtetën, dashurinë dhe të mirën në përgjithësi.
Kjo prani më e thellë… a do të thotë ndoshta se Zoti nuk është diku në univers, por është këtu, në mesin tonë? I pranishëm në çdo njeri të veçantë?
Po. Këtë e thotë tashmë Shën Pali në Areopag, duke iu drejtuar banorëve të Athinës. Me atë rast ai citon një poet grek: “Në Hyjin jetojmë, lëvizim dhe jemi” (khs. Vap 17,28). Që ne jetojmë dhe ekzistojmë në “atmosferën” e Hyjit Krijues është e vërtetë tashmë nga një këndvështrim thjesht biologjik. Dhe bëhet edhe më e vërtetë sa më shumë që hyjmë në mënyrën specifike të qenies së Hyjit. Mund ta shprehim kështu: atje ku një njeri i bën mirë një tjetri, Zoti është veçanërisht afër. Atje ku, në lutje, dikush e hap zemrën ndaj Hyjit, do ta përjetojë Atë si veçanërisht të afërt.
Zoti nuk është një realitet që mund të identifikohet sipas kategorive fiziko-hapësinore. Afërsia e tij nuk matet me parametra distance hapësinore, me kilometra apo vite drite. Afërsia e Hyjit është një afërsi e themeluar në kategoritë e qenies. Atje ku është e pranishme ajo që pasqyron dhe aktualizon më shumë thelbin e tij – atje ku janë të pranishme e vërteta dhe e mira – aty ne e prekim në mënyrë të veçantë Atë që është i Gjithëpranishmi.
(Card. Joseph Ratzinger, nga kapitulli II i librit-intervistë “DIO E IL MONDO”. Essere cristiani nel nuovo millennio. In colloquio con Peter Seewald; shq. «Hyji dhe Bota. Të jesh i krishterë në mijëveçarin e ri. Bisedë me Peter Seewald)
Përkthimi: Rev. “DRITA”

Postimi i Mëparshëm
