
Nga Don Frok ZEFI
Shkupi, Letnica dhe Kratova
Në relacionin e tij mbi vizitën kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit, në vitin 1706, arqipeshkvi Pjetër Karagiq, shkruan se në qytetet e Kratovës e të Shkupit, ku gjendej edhe selia e arqipeshkvisë, si dhe në Letnicë, si famullitar dhe misionar apostolik shërbente dom Pal Joshi, i cili merrte nga Kongregata për Përhapjen e Fesë, një ndihmë vjetore prej 30 skudësh. Në të treja vendbanimet jetonin rreth 170 besimtarë të krishterë, ndërsa në Shkup mungonte një godinë kishtare, dhe për këtë arsye mesha mbahej në kapelë. Kisha që kishte ekzistuar më parë, ishte djegur kur ushtria e sulltanit kishte hyrë në Serbi. Në Kratovë, njëlloj si në Letnicë, kisha ishte shndërruar në një gërmadhë nga osmanët të cilët nuk lejonin rindërtimin e saj.[1]
Dom Pal Joshi, ishte i lindur në Posovë, që i përkiste arqipeshkvisë së Sofjes në Bullgari. Në këtë kohë ai ishte student në kolegjin ilirik të shën Pjetrit dhe shën Palit në Fermo, ku ishte regjistruar më 01 mars të vitit 1681. Më 27 tetor të vitit 1686, sapo mbaroi studimet, u largua nga kolegji,[2] dhe sipas relacionit të dom Pjetër Karagiqit qysh prej vitit 1692, dom Pal Josha ishte një i burgosur nga osmanët, ndërkohë që shërbente si famullitar në Novo Bërdo.[3] Ndërsa në relacionin e 20 gushtit të vitit 1696, dom Pjetër Karagiq njofton se dom Pal Josha, i cili më parë shërbente si bari shpirtëror në Janjevë dhe në Prishtinë, ishte larguar nga këto famulli për shkak të varfërisë së madhe që mbizotëronte atje. Kjo ishte edhe arsyeja se pse ai shërbente herë në Beograd të Serbisë, e herë në Sofje të Bullgarisë, ndërsa së fundi ndodhej në Timishoarë. Në vjeshtë të atij viti pritej që ai të kthehej në Beograd, e me atë rast do të ndalej edhe në Shkup, prej nga do të nisej për shërbim në Kratovë e në Letnicë, nëse do ti jepej ndihma që më parë e merrte si misionar në Kratovë.[4]
Në fakt dom Pali ishte emëruar si misionar në Kratovë, prandaj më 20 shtator të vitit 1698 ai e njofton Kongregatën se në statusin e misionarit kishte shërbyer në Kratovë, në Kumanovë, në Shkup, në Letnicë, në Janjevë dhe në Vushtri. Ai gjithashtu informonte se po e kryente shërbesën misionare qysh prej vitit 1691. Megjithatë, duhet thënë se ai ishte përballur edhe me sfida e me vështirësi të tjera, të cilat i kishte kaluar me durim; një prej vështirësive ishte krijuar për shkak të Mahmut pashës nga Peja i cili e kishte burgosur, burgim prej të cilit kishte dalë me mundim të madh duke paguar një gjobë prej 380 dukatësh. Një herë në vit shkonte në Sofje, në Beograd dhe në Timishoarë, për shkak se besimtarët e atyre vendeve qysh prej vitit 1692 nuk kishin një bari shpirtëror të tyre. Sa kohë që ai ishte i angazhuar me këtë vizitë, e zëvendësonte dom Pjetri nga Hasi.
Ekonomikisht jetonte mes peripecish të mëdha, dhe të ardhurat vjetore prej 20 lirash nuk i mjaftonin, për shkak se i duhej që të mbante pranë edhe një tjetër klerik, e pikërisht për këtë arsye shkroi një kërkesë në formë lutjeje që ajo shumë ti rritej në 40 lira në vit. Mirëpo nëse Kongregata nuk ia rriste ndihmën ekonomike, ai do të ishte i detyruar që të kërkontë lëmoshë në Austri ose në Stamboll, me qëllim që të shlyente borxhet që i kishte qysh prej kohës kur kishte qenë i burgosur. Aktualisht, vendet ku ai po shërbente kishin mbetur pa një bari shpirtëror, për shkak se ipeshkvi i Pultit, Karagiqi, që administronte arqipeshkvinë e Shkupit, nuk po ia dilte që të gjente askënd që ta zëvendësonte.[5] Në dokumentin e titulluar, “ Viset e paganëve që janë të paplotësuara: arqipeshkvia e Shkupit në Serbi si dhe ipeshkvia e Shkodrës në Shqipëri”, flitet edhe për Pal Joshin duke raportuar se ai ishte misionar i arqipeshkvisë së Shkupit, por edhe një kandidat i mundshëm për arqipeshkëv të Shkupit.[6] Vetëm se në këtë rast, ishte paksa e vështirë që të realizohej ky propozim, sepse si arqipeshkëv ishte emëruar Pjetër Karagiqi.
Gjatë vizitës së parë të arqipeshkvit Pjetër Karagiq në vitin 1706, dom Pali ishte misionar në Kratovë. Në relacionin mbi vizitën kanonike të arqipeshkvisë së Shkupit, që e kishte shkruar Vinçenc Zmajeviqi, arqipeshkëv i Barit bashkë me arqipeshkëv Karagiqin, vizitori Zmajeviq shkruante se, si famullitar në Shkup po shërbente dom Pal Joshi, i cili dikur kishte qenë student në Fermo. Mes të tjerash, Zmajeviqi e lavdëronte dom Palin, pasi e shihte se ai përpiqej që ti mbante marrëdhëniet e mira me osmanët duke iu dhënë atyre dhurata të çmuara.[7]
Përveç këtij relacioni të arqipeshkvit Zmajeviq, edhe arqipeshkvi Karagiq në vitin 1707 kishte dërguar një relacion në Romë, përmes të cilit njoftonte se në qytetet e Kratovës, Shkupit dhe Letnicës, si famullitar dhe si misionar apostolik po shërbente dom Pal Joshi, i cili merrte një ndihmë vjetore prej 30 skudësh. Gjatë kësaj kohe, në të treja vendbanimet jetonin rreth 170 besimtarë të krishterë. Ndërkohë duhet theksuar se, në Shkup nuk kishte godinë kishtare, pasi ajo ishte djegur nga ushtria osmane. Ndërsa në Kratovë gjendej kisha e Ngritjes së shën Mërisë në qiell, e cila ishte më pak e dëmutar, thuajse njëlloj e dëmtuar si ajo ishte edhe kisha e shën Gjergjit në Letnicë. Në çdo rast osmanët nuk lejonin riparimin e tyre.[8]
Pas kësaj vizite, dom Pali u emërua si ipeshkëv i Sofjes me propozim të arqipeshkvit të Barit, Vinçenc Zmajeviqit.[9] Dom Gjon Nikollë Kazazi si vizitor apostolik i Bullgarisë, dëshmonte arsyet se pse arqipeshkëv Pali ishte njeri i mirë, shpirtbardhë, modest dhe një drejtues i njohur i kishës. Ndërsa fliste sesi u duhej ikur mosmarrëveshjeve me heretikët por edhe keqtrajtimeve të tyre, dom Gjon Nikollë Kazazi këshillonte që mes besimtarëve të krishterë duhej të ekzistonte harmonia njëlloj si në kohën e arqipeshkëv Pal Joshit, për të cilin dom Gjoni kishte dëgjuar shumë në popull. Arqipeshkvi Josha drejtonte arqipeshkvinë e Shkupit me një mençuri të madhe, dhe në harmoni me heretikët, të cilët e nderonin dhe e respektonin aq shumë, saqë kur ai kalonte në sheshin e qytetit të gjithë ngriheshin në këmbë në shenjë respekti e nderimi për të. Ndaj osmanëve nuk ishte asnjëherë dorështrënguar, sepse kishte për qëllim që të fitonte simpatinë e tyre duke ua zbutur kështu egoizmin dhe arrogancën me dhurata të shumta e të çmuara, deri në ditën kur vdiq.[10] Si arqipeshkëv i Sofjes, Pal Joshi ndërroi jetë më 03 korrik të vitit 1719 nga mortaja, dhe në ditët e fundit të jetës së tij, për të u kujdes prifti dom Pjetër Milloshçeviq.[11]
Në relacionin mbi vizitën kanonike të vitit 1710, arqipeshkvi Karagiq shkruante se në qytetet e Krakovës, Shkupit, dhe në fshatin e Letnicës famullitar dhe misionar apostolik ishte dom Nikollë Visha, i cili merrte një ndihmë prej 30 skudësh në vit. Në Kratovë gjendej kisha e Ngritjes së shën Mërisë, e cila ishte thuajse e rrënuar. Ndërsa në Shkup, duke qenë se kisha e shën Mërisë ishte djegur plotësisht nga ushtria osmane, nuk kishte godinë kishtare dhe të gjitha shërbesat kishtare kremtoheshin në një shtëpi private të përshtatur si kapelë, nga ku në raste rreziku të gjithë kishin mundësi që të largoheshin me shpejtësi. Në Letnicë, gjithashtu ishte e njëjta gjendje, infrastruktura kishtare ishte tërësisht e rrënuar edhe atje. Në të treja këto vende, jetonin rreth 190 besimtarë të krishterë.[12]
Në relacionin mbi vizitën kanonike të arqipeshkvisë në vitin 1713, arqipeshkëv Karagiqi, shkruante se në qytetet e Shkupit e të Kratovës, si dhe në fshatin Letnicë, si famullitar dhe si misionar shërbente dom Nikollë Visha, i cili merrte një ndihmë prej 30 skudësh në vit nga Kongregata për Përhapjen e Fesë. Në Kratovë gjendej kisha e Ngritjes së shën Mërisë në qiell, e pikërisht deri në atë kohë mesha ishte kremtuar aty, mirëpo arqipeshkvi nuk e dinte se deri kur mund të vazhdohej që mesha të kremtohej aty, pasi gjendje e saj përbënte rrezik për besimtarët, ndërkohë që osmanët nuk e lejonin riparimin e saj. Në Shkup, falë ndërhyrjes së ambasadorëve të Dubrovnikut, ishte bërë e mundur që të merrej një leje nga sulltani dhe ishte ndërtuar një shtëpi, e cila po shërbente si kapelë, e ku kremtohej edhe mesha. Ekzistonte një frikë e madhe, për shkak se qeveritarët osman thoshin se godina e kishës ekzistonte vetëm për të mbledhur të holla ng populli. Në këtë periudhë kohore, duhet thënë se në Letnicë gjendeshin dy kisha, ajo e Ngritjes së shën Mërisë, dhe ajo e shën Gjergjit, e që të dyja ishin katandisur në gërmadhë. Ndërsa në të treja vendbanimet e përmendura më sipër, në këto kohë jetonin 190 besimtarë të krishterë.[13]
Në relacionin e vitit 1716, arqipeshkëv Karagiqi dokumentonte se në qytetet e Kratovës dhe të Shkupit, si dhe në fshatin e Letnicës, shërbente si famullitar dhe si misionar dom Nikollë Visha, i cili merrte një ndihmë vjetore prej 30 skudësh nga Kongregata për Përhapjen e Fesë. Në të treja këto vendbanime, në këtë kohë jetonin 200 besimtarë të krishterë.[14]
Ndërsa në relacionin e vitit 1716, arqipeshkëv Karagiqi shkruante se në qytetet e sipërpërmendura shërbente si famullitar dhe si misionar dom Nikollë Visha, i cili merrte nga Kongregata një ndihmë vjetore prej 30 skudësh. Situata vazhdonte që të ishte e njëjtë si në relacionin e mëparshëm. Në të treja vendbanimet e sipërpërmendura jetonin 256 besimtarë të krishterë, mes të cilëve ishin pagëzuar 40 fëmijë.[15]
Nga relacioni i arqipeshkëv Karagiqit i vitit 1722, mësojmë se në qytetet e Shkupit, të Kratovës, si dhe në fshatin e Letnicës, shërbente si famullitar dom Nikollë Visha. Gjendja në arqipeshkvi vazhdonte të ishte njëlloj si më parë.[16]
Në relacionin e vitit 1725, arqipeshkëv Karagiqi shkruante se në qytetin e Shkupit që ishte edhe selia ipeshkvnore, në qytezën e Kratovës dhe në fshatin e Letnicës, kudo nëpër këto zona ishte duke shërbyer dom Nikollë Visha i cili merrte si ndihmë një shumë prej 30 skudësh nga Kongregata. Gjithashtu mësojmë se në muajin tetor të atij viti, dom Nikollë Visha kishte ndërruar jetë, dhe në vend të tij arqipeshkvi kishte emëruar dom Ndre Braçanin, i cili deri atëherë kishte shërbyer si misionar në Pejë dhe fliste gjuhën shqipe, kroate dhe atë turke, të cilat ishin edhe gjuhët që fliste popullsia në këto zona.[17]
Pra, siç mund të kuptohet në shtesën e këtij relacioni, arqipeshkëv Karagiqi, dokumentonte se në qytetin e Shkupit gjendeshin 8 shtëpi besimtarësh të krishterë me 60 frymë gjithsej. Në qytezën e Kratovës që ishte pjesë e këtij misioni gjendeshin 3 shtëpi besimtarësh të krishterë, me 22 frymë në tërësi, ndërsa në Letnicë gjendeshin 20 shtëpi besimtarësh të krishterë, me 180 frymë në tërësi. Dom Nikollë Visha, i cili kishte shërbyer si misionar, kishte pagëzuar rreth 30 fëmijë.[18]
Dom Ndre Braçani, sipas relacioneve që kemi lexuar, kishte lindur në Prizren.[19] Ai kishte studiuar në Romë, pranë kolegjit urbanian, prej nga ishte kthyer në vitin 1706, në vendlindjen e tij, në arqipeshkvinë e Shkupit.[20] Menjëherë pas kthimit nga Roma, arqipeshkëv Karagiqi e kishte emëruar misionar në Prizren,[21] ku po shërbente si ndihmës i dom Anton Lindit, që në atë kohë shërbente si famullitar i Prizrenit.[22] Është me interes fakti se arqipeshkëv Karagiqi në relacionet e tij të viteve 1706 dhe 1707, nuk flet fare për dom Ndreun si famullitar ndihmës në famullinë e Prizrenit, por flet vetëm për dom Anton Lindin i cili shërbente si famullitar dhe si misionar apostolik. Infomacionin se ishte emëruar si misionar në Prizren, dom Ndre Braçani e kishte dhënë personalisht kur kishte qenë në Romë në vitin 1736. Në vitin 1710, arqipeshkëv Karagiqi e përmend dom Ndreun si kapelan të tregtarëve dubrovnikas në Novi Pazar, të cilin materialisht e mbështeste Republika e Dubrovnikut.[23] Viti 1713, e gjen dom Ndreun, si kapelan të tregtarëve dubrovnikas.[24] Sipas relacionit të Karagiqit të vitit 1716, mësojmë se dom Ndreu ishte ende kapelan i tregtarëve dubrovikas në Novi Pazar, dhe merrte një ndihmë vjetore prej 50 realësh nga Republika e Dubrovnikut.[25]
Pas dëbimit të françeskanëve nga Peja, nga Zogaj dhe nga Rugova, pashai nga Peja i kishte kërkuar një leje me shkrim dom Ndre Braçanit, që nga Novi Pazari të mund tu shërbente besimtarëve të krishterë.[26] Duke qenë se e njihte problematikën e besimtarëve të krishterë në Pejë, arqipeshkëv Karagiqi e emëroi dom Ndreun si famullitar në Pejë.
Në relacionin e vitit 1722, arqipeshkëv Karagiqi shkruante se në qytetin e Pejës si dhe në fshatrat rrotull, disa prej të cilave ishin tre ditë larg ecje në këmbë nga Peja, famullitar ishte dom Ndre Braçani të cilit i ishte akorduar një ndihmë nga Kongregata e Shenjtë, të cilën nuk dihej se kush e merrte në fakt.[27] Siç kuptohet, emërimi i dom Ndre Braçanit nuk ishte një emërim publik, pasi ai në deklaratën e tij të lëshuar në Romë në vitin 1736, thoshte se, sipas urdhrit të arqipeshkvit ai u kishte shërbyer besimtarëve të krishterë në mënyrë të padukshme, [incognito], sidomos atyre që jetonin nëpër fshatra të largët, duke u përballur me shumë sakrifica e madje edhe me rreziqe për jetën.
Kur osmanët e kishin kuptuar këtë, e kishin burgosur dom Ndreun, i cili vuajti një kohë të gjatë i burgosur, dhe ia doli të dilte vetëm pasi pagoi një gjobë prej 150 pjastrash.[28] Për shkak të keqtrajtimeve të shumta me të cilat ishte përballur në Pejë, arqipeshkvi Karagiq ishte detyruar që ta transferonte dom Ndreun në Kratovë, pasi ndërroi jetë dom Nikollë Visha, në tetorin e vitit 1725. Gjatë pushtimit të Beogradit nga ushtria austriake, duke qenë se dom Ndreu kishte shpëtuar 22 familje besimtarësh të krishterë nga islamizimi, osmanët e kishin sulmuar pa mëshirë, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë dhe në trup.[29] Shenjtat dhe gjurmët e torturave dhe keqtrajtimeve që kishte përjetuar, i ishin vërejtur edhe gjatë vizitës së tij në Romë.[30]
Si misionar në Kratovë, dom Ndreu keqtrajtohej shpesh dhe përjetonte mundime të mëdha; e kishin plaçkitur, e kishin torturuar, e kështu nuk kishte asnjë të ardhur apo mundësi për të jetuar, çka e pamundësonte edhe pagesën e një borxhi prej 250 pjastrash që kishte, duke mos harruar as taksat që nuk ndaleshin asnjëherë. Të gjitha këto rrethana rënduese e kishin detyruar që të braktiste misionin dhe shtëpinë e tij, për të shkuar në perandorinë austriake, duke e siguruar jetesën përmes mëshirës së besimtarëve.[31] Pasi e kishte pranuar një ndihmë fare të vogël që i ishte dhënë aty ku ishte, dom Ndreu ishte larguar për në Vjenë, ku kardinali që ishte edhe arqipeshkëv, e kishte pritur me përzemërsi, si dhe i kishte dhënë edhe rekomandimin me të cilin dom Ndreu kishte shkuar në Romë, për t’ia paraqitur mjerimin e tij Kongregatës për Përhapjen e Fesë.[32] Kardinali Zigmund Koloni, ia kishte drejtuar rekomandimin e tij kardinalit Vinçens Pjetri, i cili në atë kohë ishte përfaqësues i Kongregatës.[33]
Në atë rekomandim, kardinal Koloi shkruante se dom Ndreu, e meritonte ndihmën e kardinalit përfaqësues, për shkak se ishte misionar apostolik në Shqipërinë osmane, ku e kishte kryer shërbimin e tij me mençuri, duke u përballur me tortura dhe keqtrajtime të shumta. Ai e meritonte ndihmën pasi kishte merita të mëdha para Zotit, e për shkak se kishte fituar edhe respektin e veçantë të besimtarëve të krishterë.[34] Ky rekomandim i shkruar nga kardinal Koloni, mbante datën e 08 tetorit të vitit 1735.
Së bashku me këtë rekomandim të kardinalit, në arkivin historik të Propagandës për Përhapjen e Fesë gjenden edhe dy shënime të tjera zyrtare. Njëri prej shënimeve është regjistri i pagesave të ndihmave vjetore për misionin e Kratovës, ndërsa shënimi tjetër lidhet me ndihmat e veçanta dhënë për dom Ndreun, si dhe leja e shpenzimeve të udhëtimit për kthimin e tij në Kratovë. Në shënimin e parë shkruhej se dom Ndre Braçani, misionar në Kratovë, merrte një ndihmë vjetore prej 20 skudësh, ndihmë kjo që ai e kishte marrë posaçërisht prej 01 marsit të vitit 1732, por që më vonë i ishte dërguar bashkë me shumat e përbashkëta të të gjithë misioneve në Serbi, që i ishin dërguar arqipeshkëv Summës, dhe shuma totale ishte 170 skudë vjetor, ku ishte e përfshirë edhe shuma e caktuar për dom Ndreun, me të cilin ishte paguar edhe misioni në Kratovë prej 01 prillit të vitit 1732 e deri më 01 dhjetor të vitit 1734.[35] Në shënimin e dytë që mban datën e 28 shkurtit të vitit 1736, dom Ndreu shkruante se duhej që ti jepej ndihma për meritat që kishte, si dhe për të mbuluar shpenzimet e rrugës.[36]
Gjatë kohës së qëndrimit në Romë, dom Ndreu i kishte shkruar Kongregatës për Përhapjen e Fesë dy lutje. Në lutjen e parë, të 16 prillit të vitit 1736, dom Ndreu thoshte se ishte një prift shekullar, që vinte nga Prizreni, që kishte qenë student në kolegjin Urbanian e që aktualisht po shërbente si misionar apostolik në Kratovë, në arqipeshkvinë e Shkupit. Me rastin e vizitës në qytetin e shenjtë, ai ishte pajisur edhe me autorizime të ordinarit të tij (Mikel Summa), për të vizituar vendet e shenjta, vizita të cilat ai i kishte kryer normalisht.
Me ndihmën e Zotit si dhe me bekimin e papës, duke pasur edhe mbrojtjen e senatit të Dubrovnikut, ai do të kthehej së shpejti për të ruajtur “grigjën e çmuar të deleve të tij.” Kur të kthehej, dëshironte që të rregullonte një kapelë e cila kishte mbetur nën autoritetin osman, dhe që duke qenë se ishte dëmtuar, e kishte të nevojshëm riparimin e kallëpit të hostisë, piksidës për bekimin e shenjtë, kryqit, librit të shenjtë, dhe lexuesit në gjuhën kroate. Për besimtarët nevojiteshin, rruzaret, medaljonet dhe kryqet, rrjedhimisht dom Nderu ishte i detyruar që bashkë me besimtarët e tij, ti lutej Zotit për kishën e shenjtë.[37]
Në lutjen e dytë që mban datën e 18 majit të vitit 1736, dom Ndreu tregonte se kishte kaluar kohë e gjatë qysh kur kishte qenë mes grigjës së tij. Njëkohësisht lutej që ti paguhej edhe ndihma vjetore për këtë kohë gjatë së cilës ai gjendej jashtë misionit të tij, e nëse ishte e mundur të bëhej mbarë që edhe pagesa për një vit ti jepej paraprakisht, me qëllim që të shlyente borxhet. Për ta pasur të mundur që të plotësonte “nevojat e tij shtëpiake” lutej që Kongregata të nxirrte një dekret, që i jepte garanci se askush nuk mund ta transferonte nga misioni i Kratovës, ku edhe po shërbente si misionar. Lutej me këmbëngulje për lëshimin e atij dekreti, sepse nuk ishte në gjendje që të vizitonte besimtarët nëpër misionet e tjera që gjendeshin jashtë famullisë.[38]
Në dëshminë e tij para Kongregatës në Romë, dom Ndreu tha se ishte larguar me shpresë se Kongregata do ta kuptonte gjendjen në të cilën ai ndodhej, për shkak se kishte 30 vjet që po jetonte një jetë të vështirë si misionar duke shërbyer falë ndihmës së Zotit për forcimin e fesë së krishterë në Serbi, dhe si përfundim dëshironte që të kthehej atje, për ta përfunduar jetën në shërbim të Zotit dhe të atyre besimtarëve që jetonin në kushte mjerane.[39] Për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit, si dhe për të shlyer borxhet që kishte marrë, dom Ndreu kishte kërkuar nga Kongregata një mbështetje ekonomike në shumën e 150 skudëve.[40]
Përveç rekomandimit të kardinal Kolonit, dom Ndreu kishte marrë me vete në Romë edhe relacionin e arqipeshkvit të Shkupit, Mikel Summës, që verifikonte vërtetësinë dhe arsyeshmërinë e kërkesave që do të parashtronte dom Ndreu atje.[41]
Për zgjidhjen dhe për plotësimin e kërkesave të dom Ndreut, u angazhua personalisht kardinali përfaqësues i Kongregatës për Përhapjen e Fesë. Ekziston gjithashtu, edhe një dokument i Kongregatës me vendimin e kardinalit përfaqësues, me anë të të cilit merrte një zgjidhje pozitive kërkesa e parë e dom Ndreut. Në atë dokument thuhet se për kërkesën e tij, pati diskutime më 28 shkurt, dhe në fund u vendos që dom Ndreut ti jepej një ndihmë ekonomike në shumën e 50 skudëve, dhe kjo do ti jepej vetëm një herë, me qëllim që të kthehej në vendlindjen e tij. Prej sendeve liturgjike, iu lejuan: këlshejt dhe patena, një veladon, një meshar, një kallëp për hosten, dy kartona të shtypur me pjesët e pandryshuara të meshës (2 Carte glorie), dhe një libër lutjesh në gjuhën kroate. Përveç këtyre iu lejua edhe një numër i caktuar devocionesh.[42]
Në përgjigjen ndaj kërkesës së dytë, shkruhej se dom Ndreu ishte personalisht i pranishëm në Kurie, ku kishte kërkuar që ti jepej një ndihmë e veçantë për shkak të keqtrajtimeve dhe dëmeve të shumta që kishte pësuar. Më poshtë, po paraqesim me radhë kërkesat që parashtroi dom Ndreu:
- Ti jepeshin të gjitha ndihmat që i takonin misionit të Kratovës, të cilat nuk i kishte marrë gjatë kohës së mungesës së tij për shkak të misionit, me qëllim që me to të shlyente borxhet.
- Të nxirrej një dekret fuqiplotë, me anë të të cilit ai do të sigurohej se nuk do të transferohej nga misioni i Kratovës, për shkak se ishte i mplakur dhe nuk ishte më i aftë të vizitonte besimtarët në misionet e tjera, gjë që më parë e kishte bërë me dëshirë të madhe.
- Ti jepej paraprakisht një ndihmë ekonomike me afat një vjeçar.
Për kërkesën e parë, iu përgjigjën, “informoheni zyrtarisht,”; për kërkesën e dytë iu përgjigjën, “le të rekomandohet arqipeshkvi!”; dhe për kërkesën e tretë i dhanë si përgjigje, “e pranuar!” [43]
Arsyeja se përse dom Ndreu nuk u kthye në Kratovë, nuk na është bërë me dije. Arqipeshkvi i Shkupit, Gjon Nikollë Kazazi në relacionin mbi vizitën kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit, më 03 dhjetor të vitit 1747 shkruan: “Dy piftërinjtë që kishin qenë student të kolegjit Urbanium jashtë Serbisë, janë, dom Ndre Braçani, që është tepër i moshuar, madje më i moshuari nga të gjithë, dhe që aktualisht ndodhet tek imzot Summa në territoret austriake, dhe Pjetër Rosai i cili është i njohur për Kongregatën e Shenjtë. Kongregata për Përhapjen e Fesë, nuk e ka detyruar që të kthehet në arqipeshkvinë tonë, ashtu siç e detyron betimi. Për shkak të tolerimeve të tilla nga ana e Kongregatës, ekziston rreziku që edhe priftërinjtë e tjerë të veprojnë në të njëjtën mënyrë, dhe kështu ti braktisin ato vise të zhytura në mjerim për shkak të presionit dhe të torturave të mëdha.”[44]
Arqipeshkvi Mikel Summa, në relacionin e tij të vitit 1729, thoshte se dom Ndre Braçani, një student i kolegjit Urbanian, kryente detyrën e misionarit në Shkup dhe kujdesej për tetë shtëpi besimtarësh të krishterë ku jetonin 15 frymë. Gjithashtu prej këtij relacioni, mësojmë se dom Ndreu kishte pagëzuar katër meshkuj dhe tre femra. Misionari i përmendur kujdesej edhe për Kratovën, që ishte rreth dy ditë ecje në këmbë larg Shkupit, ku ishin tre shtëpi besimtarësh të krishterë me 15 frymë, e ku ai kishte krezmuar tre meshkuj e dy femra. Në misionin e Shkupit bënte pjesë edhe misioni i Letnicës me 23 shtëpi besimtarësh të krishterë, ku jetonin 198 frymë, e ku ishin pagëzuar 20 meshkuj dhe 21 femra.[45]
Në relacionin mbi vizitën kanonike të arqipeshkvisë së Shkupit, të vitit 1735, arqipeshkëv Summa shkruante se misioni në Shkup kishte për famullitar dom Ndre Llumbeshin, një student i kolegjit të Loretos, që merrte një ndihmë vjetore prej 30 skudësh. Në Shkup gjendeshin tetë shtëpi besimtarësh të krishterë, me 45 frymë. Nën kujdesin e atij misionari ishte edhe Kratova, e cila ishte larg dy ditë ecje në këmbë, me 25 shtëpi besimtarësh të krishterë ku jetonin 250 frymë. Në atë mision ishin pagëzuar 22 meshkuj dhe 30 femra.[46]
Sipas relacionit të arqipeshkvit Gjon Nikollë Kazazi, që mban vitin 1743, famullia e Kratovës së bashku me Shkupin merrte nga Kongregata për Përhapjen e Fesë një ndihmë vjetore prej 15 cekinësh.[47] I njëjti arqipeshkëv, në relacionin e vitit 1747, shkruante se Shkupi ishte shtëpia e famullisë, por ishte e pamundur që të mirëmbahej.[48] Letnica në këtë kohë, kishte një livadh që e kishin lënë djerrinë, si dhe një mulli të cilin e shfrytëzonin osmanët.[49] Në relacionin e vitit 1750, arqipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi shkruante se në Shkup ku më parë gjendej një katedrale, gjendej edhe shtëpia e famullisë, dhe se më parë aty ishin dy shtëpi famullie, që për shkak të taksave të larta dhe numrit të vogël të besimtarëve ishin të vështira për tu mirëmbajtur, e pikërisht kjo ishte edhe arsyeja se përse prifti nuk banonte në Shkup. Në Kratovë më parë gjendeshin një kishë dhe një shtëpi famullie, që tashmë ishin rrënuar, dhe në vend të tyre myslimanët kishin ndërtuar disa objekte publike.[50]
Në relacionin e 08 majit të vitit 1755, arqipeshkëv Tomë Tomiçiq njoftonte Kongregatën për Përhapjen e Fesë se në Shkup gjendej vetëm një shtëpi besimtarësh të krishterë, ndërsa në Letnicë ishin 13 shtëpi të tilla, për të cilat kujdesej dom Pjetër Berisha, një student i kolegjit të Loretos.[51]
Dom Pjetër Berisha kishte lindur në Gjakovë, dhe dom Gjon Nikollë Kazazi duke u kujdesur që arqipeshkvia e Shkupit të mos mbetej pa priftërinj për shkak të gjendjes së vështirë të shkaktuar nga lufta, i kishte dërguar arqipeshkëv Summës të riun Pjetër në Zarë, duke i kërkuar që arqipeshkëv Vinçenc Zmajeviqi ti përgatiste një rekomandim dhe ta dërgonte me studime në Itali. Më 08 korrik të vitit 1738, arqipeshkëv Zmajeviqi i shkruante Kongregatës për Përhapjen e Fesë duke iu referuar edhe relacionit të Kazazit, se arqipeshkvia e Shkupit prej një kohe të gjatë nuk kishte dërguar asnjë student për të studiuar në kolegjin e Fermos apo në atë të Loretos. Arqipeshkëvi Zmajeviq lutej që Pjetri të pranohej në kolegjik ilirik të Loretos, si një student i arqipeshkvisë së Shkupit, edhe pse vendi në kolegj i parashikuar për atë arqipeshkvi kishte një vit e gjysmë që ishte zënë. Arqipeshkvi Zmajeviq thoshte se, vikari i përgjithshëm Gjon Nikollë Kazazi kishte pohuar se, arqipeshkvisë së Shkupit i duheshin urgjentisht priftërinj, dhe se ai kishte frikë se mund të ndodhte diçka e ngjashme me Bullgarinë ku ishin ekzekutuar dy priftërinj, të cilët nuk i kishte zëvendësuar askush për shkak se në kolegje nuk kishte studentë nga Bullgaria. Pikërisht për këtë arsye, arqipeshkëv Zmajeviqi e kishte dërguar Pjetër Berishën në Itali, ku ky i fundit “kishte përparuar shumë në gramatikë”, dhe ku ishte konsideruar si tepër i zgjuar dhe i përshtatshëm për thirrje shpirtërore.[52]
Mbi bazën e rekomandimit të arqipeshkëv Zmajeviqit, Pjetri ishte pranuar si student i Kongregatës për vitin 1738, ku edhe kishte nisur studimet në kolegjin ilirik të Loretos. Në regjistrin e studentëve të atij kolegji për vitin 1739, është shënuar se Pjetri kishte një vit që ndiqte rregullisht studimet, se ishte nga Gjakova, se ishte 18 vjeç, dhe se ndiqte studimet në lëndën e gramatikës, duke zënë vendin e parashikuar për ipeshkvin e Ninit.[53] Pjetri qëndroi në kolegj plot katër vite, dhe gjatë gjithë kësaj kohe kishte zënë vendin e lënë bosh nga ipeshkvia e Ninit, duke i përfunduar studimet për lëndën e gramatikës.[54] Regjistri i studentëve të vitit 1742, shënonte se Pjetri ishte 21 vjeç.[55] Duke qenë se nuk kemi mundur ta njohim regjistrin e studentëve prej vitit 1742 deri në vitin 1745, nuk mund ta themi me siguri se kur i mbaroi Pjetri studimet, por sipas të gjitha përllogaritjeve ai u kthye në vendlindje në vitin 1744, për shkak se u shugurua si prift në vitin 1745.
Arqipeshkëv Gjon Nikollë Kazazi, duke folur për priftërinjtë e arqipeshkvisë së tij, në relacionin e vitit 1747, në fund fare, si më të riun përmend dom Gjon Berishën, një ish-student i kolegjit të Loretos.[56] Në relacionin e vitit 1780, arqipeshkëv Nikollë Kazazi shkruan se e kishte shuguruar të riun Pjetër Berisha si prift në vitin 1745.[57]
Ndërsa në relacionin mbi vizitën kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit, në vitin 1756, arqipeshkëv Tomë Tomiçiqi shkruante se Kratova ishte një qytezë ku gjendeshin dy shtëpi besimtarësh të krishterë, dhe se bariu shpirtëror i tyre ishte dom Pjetër Berisha. Ishte pikërisht ai që kujdesej për famullinë e Letnicës, ku gjendeshin 15 shtëpi besimtarësh të krishterë. Dom Pjetri shquhej për cilësi të veçanta në shërbesë, dhe për këtë gëzonte respektin e bashkësisë së krishterë.[58]
Në relacionin e tij të vitit 1760, arqipeshkvi Matej Mazreku njoftonte se më 25 maj, ai së bashku me shoqëruesin e tij kishte arritur në Letnicë. Mes të tjerash, ai shkruante se besimtarët e asaj famullie ishin shumë të varfër, e meqë për shkak të varfërisë nuk mund ti përmbushnin detyrimet që u kishin ngarkuar osmanët, këta të fundit i burgosnin e i keqtrajtonin. Gjithashtu, ipeshkvi shkruante se, shpesh nëpër viset e tyre kalonin shqiptarët e islamizuar që rrëmbenin çdo gjë që shihnin e që mund ta merrnin. Ata ia kishin dalë që tu rrëmbenin besimtarëve të krishterë një pjesë të madhe toke dhe pasurie, ndërsa tetë shtëpive u kishin rrëmbyer mullinjtë. Të gjitha ato që ata kishin plaçkitur, kapnin vlerën e më shumë se 1.000 cekinë.[59]
Besimtarët e krishterë në gjendjen ku ndodheshin ishin tërësisht të varfëruar, dhe arqipeshkvi kishte frikë se kjo do ti shtynte që të kalonin në islamizëm, pasi nuk u krijohej asnjë mundësi për ti përballuar gjobat dhe taksat e larta që u kërkoheshin. Ndërkohë në Letnicë mungonte shtëpia famullitare, për shkak se famullitari ishte gjithmonë i rrezikuar nga shqiptarët e islamizuar çka e detyronte që të strehohej në vende të ndryshme, ose të ikte në famulli të tjera. Sa i takon infrastrukturës kishtare, duhet thënë se ajo linte për të dëshiruar, pasi edhe ato dy kisha të vjetra që kishin ekzistuar në famulli, tashmë ishin rrënuar. Famullia e Letnicës në këtë periudhë kishte 18 shtëpi besimtarësh të krishterë me 277 frymë, dhe arqipeshkvi ia kishte dalë që të bekonte 78 besimtarë mes tyre.
Për shkak të rrethanave të vështira, arqipeshkvi nuk kishte guxuar që të vazhdonte rrugën për në Kratovë, duke qenë se malet ishin të mbushura plot me banditë. Megjithatë, arriti të nisej për atje në vjeshtë, i shoqëruar nga një jeniçer dhe nga shumë persona të tjerë. Përgjatë udhëtimit kishin rënë pre e sulmeve të 15 banditëve shqiptarë, dhe ia kishin dalë që të shpëtonin gjallë, falë ndihmës së fshatarëve të fshatrave rrotull. Netëve kishin fjetur maleve, për shkak se nuk kishin guxim që të kalonin nëpër fshatrat që ishin të mbushura jo vetëm me banditë por edhe me osman të njohur e të pushtetshëm. Më në fund arritën në Kratovë, në mbrëmjen e 12 tetorit të vitit 1760.[60] Në atë famulli gjendeshin vetëm tre shtëpi të besimtarëve të krishterë me 21 frymë, mes të cilëve arqipeshkvi kishte pagëzuar tetë besitmarë. Duke qenë se kishte shumë pak besimtarë të krishterë, popullata jo e krishterë i ndihmonte për raste varrimesh, e reciprokisht edhe besimtarët e krishterë shkonin në varrimet e jo të krishterëve si dhe në darkat e përmortshme që shtronin ata.
Arqipeshkvi i lutej Kongregatës që ajo të mos i ndalonte besimtarët që të silleshin kështu, pasi ata ishin të detyruar që të silleshin kështu, shpesh edhe kundër vullnetit të tyre. Nga Kratova, arqipeshkvi u nis për në Shkup. Ky qytet në këtë kohë kishte më shumë se 20. 000 shtëpi, dhe aty jetonin edhe popullata të tjera, të tilla si: armenët, grekët, serbët dhe hebrenjtë. Vlen të thuhet se në Shkup gjendeshin vetëm tre shtëpi besimtarësh të krishterë, me rreth 15 frymë. “Besimtarët e krishterë të arqipeshkvisë së Shkupit,” shkruante arqipeshkëv Mazreku, “i kishin kishat dhe priftërinjtë e tyre, së bashku me reliktet e tyre të shenjta e të çmuara.” Të gjitha këto u zhdukën në luftrat e kohëve të mëvonshme, në të cilat shumë të krishterë u vranë, ndërsa të tjerët u shpërngulën, e çka mbeti kaloi në islamizëm.[61]
Në po të njëjtin relacion, ai flet për priftërinjtë e famullisë së tij duke thënë se atje ishte famullitar dom Pjetër Berisha, për të cilin, sipas kuptueshmërisë sonë, jepte një gjykim shumë të ashpër,[62] mirëpo duke qenë se dom Pjetri tashmë nuk jetonte më, e duke qenë se arqipeshkvi kishte respekt për familjen e tij, rasti i tij kaloi në heshtje. Ndihmësi i dom Pjetrit kishte qenë dom Ambrozio Bosko, për të cili arqipeshkvi shprehej kështu: “Prifti që sapo ka ardhur është dom Ambrozio Bosko nga Kratova. Ai ka ardhur me urdhër të Kongregatës së Shenjtë, e së fundi u shugurua nga imzot Gjergj Vlladani, i cili ka qenë ipeshkëv i Sapës, e që e kam dërguar për famullitar ndihmës pranë dom Pjetër Berishës. Ky prift është shumë i sjellshëm dhe i dëgjueshëm, por gjithashtu tepër i varfër dhe i zhytur në borxhe, mirëpo punon me zell të madh në shërbimin apostolik. Duke qenë se nuk ka shtëpi, ky famullitar është në lëvizje të përhershme nga njëri fshat në tjetrin; dhe këtë e bën edhe që tu shpëtoj keqtrajtimeve.”[63]
Në relacionin e vitit 1764, arqipeshkëv Mazreku njoftonte se më 08 nëntor të atij viti, duke përcjellë dy priftërinj dhe një qeveritar osman, kishte filluar edhe vizitën e tij të dytë kanonike. Kur kishte arritur në fushën e Kumanovës, si arqipeshkvi ashtu edhe shoqëruesi i tij kërkuan strehim tek një fshatar shqiptar mysliman në fshatin Miratovc, mirëpo ky i fundit kishte refuzur që t’i mikpriste. Në këto rrethana, arqipeshkvi bashkë me dy priftërinjtë shoqërues qe detyruar që ta kalonte natën nëpër male, duke u përballur me të ftohtin e madh dhe me rrezikun e vazhdueshëm të ndonjë sulmi nga bandat apo nga ushtarët osman. Në mëngjesin e ditës tjetër, shumë herët ia kishin dalë që të arrinin në Kratovë. Pikërisht aty, besimtarët e krishterë sërish i kishin kërkuar arqipeshkvit që të mos ua ndalonte pjesëmarrjen nëpër festat dhe ceremonitë mortore të jo të krishterëve, për shkak se ata në raste dhe situata të ndryshme u shkonin në ndihmë.
Shkupi në këtë kohë kishte vetëm katër shtëpi besimtarësh të krishterë, dhe kjo i dha mundësinë arqipeshkvit që të largohej shpejt prej aty, edhe i shtyrë nga fakti se së shpejti në atë qytet do të vinte një qeveritar osman bashkë me 3.000 ushtarë. Mirëpo në udhën e kthimit për në Letnicë, ata kishin përjetuar gjëra të tmerrshme.
Pasi i tejkaluan gjithë vështirësitë dhe rreziqet, arritën në famullinë e Letnicës, ku gjendeshin katër fshatra dhe lagje të shpërndara andej – këtej; atje kishte vetëm 23 shtëpi besimtarësh të krishterë ku jetonin 300 frymë, dhe pikërisht aty arqipeshkvi ndenji pesë ditë. Pikërish ndërsa ishin duke e vizituar atë famulli, atje erdhi tagrambledhësi osman i shoqëruar nga 12 persona. Sapo erdhi, taksidari urdhëroi banorët që ti përgatisnin një gosti të madhe, ndërsa për ata që nuk i kishin paguar taksat e rënda ai i kishte gati prangat, mirëpo arqipeshkvi u kishte ardhur në ndihmë besimtarëve duke paguar për ta dy a tre real.
Kur vizitoi Letnicën, arqipeshkvi vërejti një zakon aspak normal, sipas të cilit duhej që të ruhej tradita e kumbarisë mes besimtarëve të krishterë e atyre jo të krishterë. Ai ishte përpjekur që t’i jepte fund kësaj gjëje, por jo të krishterët nuk e kishin pranuar në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij. Madje në një rast u krijua një situatë e pakëndshme, sepse një kumbarë jo i krishterë kishte pranuar që të mos dilte kumbarë, vetëm kur kishte mësuar se vetë arqipeshkvi personalisht do të dilte si kumbarë i dy të fejuarve, të cilët më vonë do t’i kurorëzonte dom Gjon Logoreci, që ishte vikari i tij i përgjithshëm.[64]
Në po të njëjtin relacion, arqipeshkëv Mazreku dëshmonte se dom Ambrozio Bosko, që ishte transferuar si famullitar në Rugovë, ndërkohë që banonte në Pejë, refuzonte që të dëgjonte si dhe e kishte kundërshtuar emërimin e tij si famullitar në Letnicë, ku në marrëveshje me pashain osman, e pasi e kishte korruptuar këtë të fundit, ia kishte dalë që të qëndronte ende me banim në Pejë.[65]
[1] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat. 1706, vol. 728.
[2] BARTOCCETTI Vittorio, Il Colegio ilirico di San Pietro di Fermo (1663-1746), Studia Picena, v. XI,
Anno, 1935, f. 162.
[3] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 422.
[4] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 529.
[5] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 426.
[6] ASCPF, SC, Servia, vol. 1, ff. 612 – 613v.
[7] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 512,
515.
[8] AAV, S. Congr, Concilli, Scopien, Relat, 1707, vol. 728.
[9] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 545.
[10] ASCPF, SC, Concilii, Visita 1742v. 215, f. 180rv, Visita delle Diocesi di Soffia e Nicopoli nella Bulgaria.
[11] PANDŽIĆ dr. Bazilije, Život i rad nadbiskupa Marka Andrijaševića ( 1670 – 1740), Nova et Vetera vol. 1-2,
Sarajevo 1987, f. 62 – 63.
[12] AAV, S. Congr. Concili, Scopien, Relat. 1710, vol. 728.
[13] AAV, S. Congr. Concili, Scopien, Relat. 1713, vol. 728.
[14] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1716, vol. 728.
[15] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1719, vol. 728.
[16] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1722, vol. 728.
[17] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1725, vol. 728.
[18] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, shtesë e relacionit prej vitit 1725, vol. 728.
[19] ASCPF, SOCG, vol. 686, f. 20.
[20] ASCPF, SOCG. vol. 685, f. 208.
[21] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1707, vol. 728.
[22] ASCPF, Acta, Rescriptum ad S. Officium, v. 106, 28 shkurt 1736.
[23] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1710, vol. 728.
[24] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1713, vol. 728.
[25] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1716, vol. 728.
[26] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1719 vol. 728.
[27] AAV, S. Congr. Concilii, Scopien, Relat., 1722, vol. 728.
[28] ASCPF, SOCG, v. 685, f. 208.
[29] ASCPF, Acta, Rescriptum ad S. Officium, vol. 106, 28 shkurt 1736. ASCPF, SOCG, v. 685, f. 208
[30] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 208.
[31] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 208rv.
[32] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 208v.
[33] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 209.
[34] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 209.
[35] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 210.
[36] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 214.
[37] ASCPF, SOCG, vol. 686, f. 20rv.
[38] ASCPF, SOCG, vol. 686, f. 20rv.
[39] ASCPF, SOCG, vol. 685, f. 196.
[40] ASCPF, Acta, Rescriptum ad S. Officium, vol. 106, 28 shkurt 1736.
[41] ASCPF, Acta, Rescriptum ad S. Officium, vol. 106, 28 shkurt 1736.
[42] ASCPF, Acta, Rescriptum. Arbitrio Emi. Praefecti qui die 30 anni.
[43] ASCPF, Acta, Rescriptum, Annuerunt, vol. 106, 28 maj 1736.
[44] ASCPF, SOCG, Visita 1747, vol. 741, f. 42.
[45] ZEFI Frok, Mihael Summa nadbiskup Skopski (1695-1777), Osjek (1994), f. 44.
[46] ZEFI Frok, Mihael Summa nadbiskup Skopski (1695-1777), Osjek (1994), f. 47 – 48.
[47] ASCPF, SOCG, vol. 716, f. 201v.
[48] ASCPF, SOCG, Relat., 1747, vol. 741, f. 41.
[49] ASCPF, SOCG, Relat., 1747, vol. 741, f. 41.
[50] ASCPF, SOCG, Relat., 1750, vol. 743, f. 315v.
[51] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 638 –
640.
[52] ASCPF, Acta, diskutime në mbledhjen e Kongregatës, 15 shtator 1738, vol. 108.
[53] ASCPF, Collegi Vari, vol. 35, f. 866.
[54] ASCPF, Collegi Vari, vol. 36, f. 28.
[55] ASCPF, Collegi Vari, vol. 36, f. 35.
[56] ASCPF, SC, Relat., 1747, vol. 741, f. 43v.
[57] ASCPF, SC, Relat., 1750, vol. 743, f. 315.
[58] ASCPF, SC, Relat., 1756, vol. 770, f. 26.
[59] ASCPF, SC, Relat., 1760, vol. 792, f. 151.
[60] ASCPF, SOCG, Relat., 1760, vol. 792, f. 151v.
[61] ASCPF, SOCG, Relat., 1760, vol. 792, f. 152rv.
[62] ASCPF, SOCG, Relat., 1760, vol. 792, f. 154v.
[63] ASCPF, SOCG, Relat., 1760, vol. 792, f. 155rv.
[64] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 652-
656.
[65] RADONIĆ Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd, (1950), f. 652 –
656.

Postimi i Mëparshëm
