Dokumenti “Quo vadis, humanitas?” : zhvillimi teknologjik dhe personi

U publikua dokumenti “Quo vadis, humanitas?” i cili reflekton mbi “sfidën epokale” të antropologjisë kristiane në epokën e Inteligjencës Artificiale. Rreziqet e “infosferës” dhe kriza e demokracisë; rëndësia e historisë për të luftuar “amnezinë kulturore”; devijimet e “epokës urbane” që i shndërron pragjet në kufij. Realizimi i vetvetes nuk do të thotë vetë-fuqizim, por mirëpritje e lirë e dhuratës së jetës dhe dashurisë së Zotit si Maria.

 

Quo vadis, humanitas? – Ku po shkon, njerëzim?. Titulli i dokumentit të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar (CTI) – i miratuar nga Leoni XIV më 9 shkurtin e kaluar dhe i publikuar më 4 mars – përmbledh plotësisht arsyet themelore dhe qëllimin përfundimtar të tij: sot, përballë një nxitimi teknologjik të paprecedentë, teologjia dëshiron të ofrojë “një propozim teologjik dhe baritor” që e koncepton jetën njerëzore si “vokacion integral” dhe “bashkëpërgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj Zotit”, në dritën e Ungjillit.

I frymëzuar nga vizioni i kushtetutës së Koncilit II të Vatikanit Gaudium et spes, dokumenti i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar “Quo vadis, humanitas?” (“Ku po shkon, njerëzim?”), i cili trajton sfidën e madhe që paraqet epoka e Inteligjencës Artificiale për kuptimin e njeriut, propozon një qasje teologjike dhe baritore që e sheh jetën njerëzore si thirrje të plotë, në marrëdhënie me Zotin dhe me të tjerët.

Mesazhi qendror i dokumentit është i qartë: e ardhmja e njerëzimit nuk përcaktohet nga teknologjia, por nga cilësia e marrëdhënieve dhe nga besnikëria ndaj dinjitetit të personit.

Në kapitullin e parë analizohet zhvillimi bashkëkohor mes dy poleve: trans-humanizmit, që synon përmirësimin e kushteve njerëzore përmes shkencës dhe teknologjisë, dhe post-humanizmit, që rrezikon të zëvendësojë vetë njeriun me forma hibride njeri-makinë (si ideali i “cyborg”-ut). Përballë këtyre rrymave, feja e krishterë nuk refuzon përparimin, por kërkon një sintezë ku njeriu mbetet qenie e krijuar, trup dhe shpirt, me dinjitet të patjetërsueshëm.

Një vëmendje e veçantë në dokumentin “Quo vadis, humanitas?” i kushtohet teknologjisë digjitale, e cila nuk është më thjesht mjet, por një ambient jetese që formëson mendimin, marrëdhëniet dhe identitetin. Në “infosferë”, individi rrezikon të humbasë ndjenjën e vetvetes, ndërsa opinioni publik manipulohet përmes algoritmeve dhe logjikës së “like”-ve. Kjo sjell polarizim, tribalizim të debatit politik dhe krizë të demokracive perëndimore, sepse bëhet gjithnjë e më e vështirë të pranohet ajo që na bashkon si qenie njerëzore. Po ashtu, Inteligjenca Artificiale – sidomos në formën e saj më të avancuar – mund të përqendrojë pushtet të madh ekonomik e politik, duke krijuar rrezik kontrolli social dhe manipulimi.

Dokumenti “Quo vadis, humanitas?”ndalet edhe te pasojat ekonomike dhe mjedisore të zhvillimit teknologjik. Ai denoncon modelin e shfrytëzimit të pakufizuar të burimeve natyrore, që ka krijuar “borxhin ekologjik” midis Veriut dhe Jugut global. Të varfrit paralajmërohen se mund të trajtohen si “dëme kolaterale” të progresit shoqëror, nëse mungon drejtësia dhe solidariteti. Prandaj në dokument theksohet parimi i së mirës së përbashkët dhe nevoja që ekonomia t’i shërbejë njeriut, jo e kundërta.

Në planin kulturor, Komisioni Teologjik Ndërkombëtar vëren humbjen e ndjenjës së historisë: kultura e kujtesës zëvendësohet nga një “amnezi kulturore”, ku gjithçka reduktohet në një të tashme të përhershme digjitale. Pa rrënjë në të kaluarën, e ardhmja humbet shpresën. Në të ashtuquajturën “urban age”, hapësirat globale dhe metropolitane rrezikojnë të kthehen në vende anonime e pa identitet, ku “kufijtë” zëvendësojnë “pragjet” e takimit. Globalizimi uniformues dobëson përkatësinë ndaj familjes, popullit dhe traditës – elemente që formësojnë identitetin personal.

Kapitujt vijues të dokumentit “Quo vadis, humanitas?” trajtojnë temën e identitetit, i cili piqet në dashuri dhe në marrëdhënie autentike. Njeriu nuk realizohet përmes vetë-fuqizimit teknik (“human enhancement” ) (përmirësimi njerëzor) pa kufij, por duke pranuar trupin si dhuratë, përfshirë dallimin mashkull-femër, me dinjitet të barabartë dhe thirrje për bashkim. Dokumenti “Quo vadis, humanitas?” mbron gjithashtu edhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara dhe thekson se çdo jetë ka vlerë të pafund, sepse është fryt i dashurisë krijuese të Zotit.

Një theks i fortë vihet në këtë dokument të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar edhe mbi marrëdhëniet e personit: me tjetrin, me komunitetin, me popullin, me Kishën dhe me krijimin. Njeriu është thirrur të jetë kujdestar i përgjegjshëm i botës, jo manipulues arbitrar i saj. Kriza ekologjike lidhet pikërisht me humbjen e harmonisë mes dimensionit material dhe atij shpirtëror.

Në përfundim, dokumenti “Quo vadis, humanitas?”pohon se e ardhmja e njerëzimit nuk vendoset në laboratorë bioinxhinierie, por në aftësinë për të jetuar tensionet e kohës pa humbur hapjen ndaj misterit të Zotit. Modeli i vërtetë i realizimit njerëzor është Virgjëra Mari, e cila e pranoi lirisht dhuratën e Zotit. Vetë-realizimi nuk është vetë-përmirësim teknik, por pranimi i jetës dhe dashurisë si dhuratë – dhe ndërtimi i një njerëzimi të ri mbi bazën e marrëdhënieve, jo të teknologjisë./radio vatikani

Shpëndaje: