
Nga Don Agim QERKINI
“U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde,
lartësimi i duarve të mia porsi flia e mbrëmjes.”
Ps 141(140)
Hyrje
Krahas fjalës si mjet komunikimi, liturgjia njeh edhe një gjuhë tjetër që nuk shprehet me fjalë. Ajo është gjuha e simboleve përmes të cilëve në Kishë shënohet një realitet i caktuar. Duke marrë parasysh rëndësinë që ato kanë në ngjarjet liturgjike, me qëllim le të përmendim kalimthi shumë prej tyre, për tu përqendruar më pas tek tema mbi kemin. Në këtë mënyrë, edhe vetëm qëndrimi i trupit mund të bëhet shprehje e shpirtit. Liturgjia njeh të qëndruarit në këmbë, në gjunjë dhe ulur, ecjen (procesionet), përkuljen, shtrirjen në tokë (të Premten e madhe apo gjatë shugurimeve). Pastaj, gjestet me duar; bashkimi i tyre, shtrirja, ngritja, hapja e duarve, bërja e shenjës së kryqit, rrahja e kraharorit, urimi i paqes apo larja e duarve. Duhet përmendur se në shumë veprime rituale përdoren objekte simbolike, sikurse është uji për pagëzime apo për bekime, lyerja me vaj të shenjtë, puthja e altarit dhe Ungjillit, përgatitja e dhuratave, paraqitja e bukës dhe verës, përzierja e verës me ujë, përdorimi i kemit, thyerja e Bukës së shuguruar etj. Gjatë vitit kishtar, mund të veçohet përhirja në fillimin e kohës së Kreshmëve, mbulimi i kryqeve, bekimi dhe procesionet me rremba e palma, larja e këmbëve (të Enjten e madhe), shërbesa e Dritës (Vigjilja e Pashkëve); bekimet e ndryshme, siç është buka e Pashkëve apo frutave të tokës gjatë kremtimeve të falënderimit e kështu me radhë.[1] Në vijim të këtij teksti rëndësi të madhe do ti kushtohet kemit, që siç e shohim, është njëri ndër simbolet e shumta që liturgjia përdor për të shprehur mesazhin, ndjenjën dhe qëndrimin shpirtëror të personit besimtar dhe të bashkësisë. Si vepër publike e bashkësisë së krishterë që konsiderohet liturgjia e shenjtë, ajo ka zhvilluar një gjuhë të pasur simbolike gjatë shekujve, që sot hasim në kremtimet e ndryshme dhe që e përbëjnë gamën e jetës liturgjike të katolikëve në botë. Prandaj mund të thuhet se solemnitetet liturgjike, në këtë aspekt, janë performanca erëmirë e shpirtit kremtues dhe e ekzistencës së Kishës Katolike. Rrallë mund të takojmë katolikë, madje edhe jo katolikë, që nuk do të jetë mahnitur ndonjëherë nga bukuria e kremtimeve liturgjike, në veçanti ato solemne. Kemi erëmirë e tymi që e krijon atë ‘magji’ aromatike të reve derisa lartësohet për ta prekur qiellin, përbëjnë ndër figurat më të shpeshta që prekin çdo shpirt pjesëmarrës në to.
Kemi, si simbol liturgjik i lartësimit erëmirë të lutjes së bashkësisë së besimtarëve, është përdorur që në kohët e hershme të Kishës në kremtimet solemne liturgjike, duke i mbushur hapësirat e kishave me aromën e këndshme, saqë të gjithë e kuptonin se bashkësia është në festë. Madje, sikurse do të shikojmë edhe më poshtë, besimtarët pjesëmarrës në kremtimin liturgjik ishin në gjendje, që në bazën e aromës së kemit, të dallonin se për çfarë ceremonie bëhej fjalë.
Kjo traditë që ka vazhduar të pasurohet ndër vite e shekuj, ka bërë që të krijohen edhe kemoret dhe kembajtëset, si mjete të përshtatshme për ruajtje dhe kemosje. Përdorimi i kemores gjatë historisë dhe rëndësia e djegies së kemit, si pjesë e liturgjisë, ka pasur gjithmonë e simbolikën e thellë të kushtimit, ndonëse, ndër kohë ajo ka marrë forma të ndryshme, qoftë në lidhje me përdorimin e kemit apo lutjet e bekimit të tij etj. Kjo traditë dinamike, e zhvillimit dhe pasurimit të saj , do të vazhdojë deri pas reformës liturgjike të Koncilit II të Vatikanit.
Pa marrë parasysh zhvillimin që ka pësuar gjatë historisë, ajo që mbetet edhe tani e pandryshueshme dhe më e rëndësishmja është simbolika që ka: ndërlidhja me përshpirtërinë dhe lutjen, sepse lartëson mendjen e shpirtin drejt qiellit, sikur ngritët “tymi erëkëndshëm para Hyjit bashkë me lutjet e shenjtërve” (Zb 8, 4).
Pikërisht këtë rëndësi, e shpreh kemi edhe në ditët tona, mu ashtu sikurse na mëson Shën Pali apostull “për erën e jetës që shpie në jetë. Faleminderit Hyjit, i cili na nderon përherë me fitore në saje të Krishtit dhe përmes nesh shpërndan në çdo vend erën e këndshme të dijes së vet” (2 Kor 2, 14. 16).
Për këtë simbol të bukur që i shoqëron aktet liturgjike, kremtimet e solemnitetet tona kishtare, le të sjellim disa informacione historike, kuptimin dhe rëndësinë e përdorimit të tij në Kishë, me theks të veçantë gjatë kremtimeve eukaristike, por edhe gjatë adhurimit dhe salikimeve. Pika të përzgjedhura qëllimisht edhe për vetë faktin se këto kremtime liturgjike shoqërohen me kem më shpesh edhe në kishat tona.
- Origjina
Përpara së të flasim për përdorimin e kemit në liturgjinë e Kishës, le të ndalemi për pak çaste për të medituar mbi zanafillën e kemit, si një element shumë të hershëm në historinë e njerëzimit, posaçërisht në njeriun besimtarë, religjioz. Duke iu referuar Besëlidhjes së Vjetër, por edhe kulturës së popujve të Lindjes, mësojmë për kemin si për një element që është përdorur në objektet e kultit por edhe nëpër shtëpi, qoftë për të nderuar hyjnitë, qoftë edhe për aromën e këndshme në hapësira banimi por edhe si element terapeutik.
Kemi është një substancë me origjinë bimore që rrjedh si rrëshirë nga pemët Bosvellia sacra (Boswellia carteri), dhe nxirret nga lëvorja e trupit që rritet si pemë deri në 2-3 metra lartësi. Ato rriten në një distancë të konsiderueshme prej njëra-tjetrës dhe ka rreth 25 lloje të ndryshme. Për shkak të temperaturës dhe sasisë së reshjeve, ato rriten në rajone ku përshtaten me kushtet klimatike. Kështu, vendet më të njohura ku gjenden këto bimë përveç në Afrikë (në Etiopi, Somali, Eritre, Sudanin Jugor, Ugandë, Kenia) janë edhe India e sidomos Jugu i Arabisë, por edhe në pjesët bregdetare të Jemenit dhe Omanit. Për shkak të tokës së thatë, ato rriten deri në disa qindra metra larg njëra-tjetrës.[2]
- Paraqitje historike lidhur me përdorimin e kemin
Kjo substancë erëmirë njihet që nga kohërat e lashta. Që prej mijëvjeçarit të tretë para Krishtit janë gjetur dëshmi arkeologjike dhe ikonografike ku mund të shihet përdorimi i tij. Aty bëhet fjalë për rolin e kemit, që përveç të tjerave, përdorej në nderim të hyjnive. Kështu, në tekstet e piramidave dëshmohet një teologji fillestare e përdorimit të kemit, ndërsa egjiptianët e lashtë janë të parët që kemit i japin kuptimin sakral.
Në botën e lashtë greke, në kohën e Homerit kemi ishte i panjohur. Me gjasë, në shekullin e VII para Krishtit, Fenikasit e sjellin këtë substancë në Greqi, para së gjithash si dhuratë për të nderuar Afroditën, hyjneshën e tyre.
Për sa i përket botës Romake, shekulli III para Krishtit llogaritet si kohë e njohjes dhe përdorimit të kemit. Ata besonin se pak kem në nderim të hyjnive, mund t’i bëjë zotat që t’ua plotësojnë lutjet e tyre. Kushtimi i kemit shoqërohej me një gotë verë të kushtuar të cilën e zbraznin po ashtu në zjarr. Përveç kësaj, kemin e përdornin edhe në shenjë nderimi të altarëve kushtuar hyjnive, ndaj të cilëve shprehnin nderim dhe adhurim.[3]
- Kemi në Bibël
Në kontekstin hebraik, shprehja lebonah (temjan-kem) lë të kuptohet diçka e bardhë dhe e shkëlqyer. Kuptimin e kultit/kultual e gjejmë në Librin e Daljes (30, 34-36): “Zoti i tha përsëri Moisiut: “Merr erëra të mira: storaks, oniks, galban të erëndshëm dhe kem të pastër në pjesë të barabarta. Punoje një përzierje erërash të mira si i bëjnë erëbërësit ‑ të kripur, të pastër e të shenjtë. Pasi ta kesh grimcuar e bërë pluhur një pjesë prej saj, vëre para Dëshmisë në Tendën e takimit, ku do të takohem me ty: temjani të jetë për ju një gjë tejet e shenjtë.”
Besimtari i Besëlidhjes së Vjetër, lutjen e tij dhe paraqitjen e flisë në tempull e identifikon me ngritjen e tymit të kemit dhe ngritjen e duarve për lutje: “U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes” (Ps 141, 2).
Kur flasim për kemin, vijmë te konstatimi që lidhet me kushtimin që u tha më lart. Pra, “era e mirë që ngjitet si tym, tregon lëvdatën drejtuar hyjnisë” (Ur 18, 21; Ps 141, 2; Zb 8, 2-5; 5, 8); “të djegësh kemin është njësoj si të adhurosh e të zbutësh Zotin” (1 Mbr 22, 44; 1 Mak 1, 55). Pikërisht, lëvdata, lutja drejtuar Hyjit, siç e shohim edhe në Fjalorin e teologjisë biblike, mund të themi se është kuptimi kryesor i rëndësisë dhe përdorimit të kemit në liturgji.[4]
Në lidhje me kemin, mësojmë edhe nga këndvështrimi në kuptimin e interpretimit mesianik, ku përveç arit, edhe kemi shihet si simbol i lavdërimit të Hyjit. “Ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Hyjit” (Iz 60, 6). Më pas, gjatë vizitës së tre Mbretërve Foshnjës hyjnore në Betlehem, ata i “dhuruan ar, kem e mirrnë” (Mt 2, 11).
Kemosja/kemimi përmbledh në vetvete simboliken e zjarrit dhe aromës. Tymi që lartësohet është shenjë imitimi, i ngjashëm me renë që simbolizon ngritjen e lutjeve drejt qiellit sikurse duart e lartësuara për lutje (Ps 140,2; 24,1). Ndezja e kemit është vepër adhurimi dhe i përgjigjet paraqitjes së flisë së kushtuar, ndërsa aroma i shton asaj edhe dimensionin e gëzimit, pëlqimit dhe bukurisë. Lutja dhe flija e pëlqyer prej Hyjit, e ka gjetur shprehjen e vet simbolike në lartësimin e aromës së këndshme (Zan 8, 21).
Përdorimin e kemit nuk e gjejmë vetëm në kultin hebraik, por është i pranishëm në të gjitha shërbesat pagane, sidomos në atë romake. Mbase kjo është arsyeja pse të krishterët romak perëndimor në fillim hezitonin ta përfshinin kemimin në liturgjinë e tyre, duke kujtuar martirët e shumtë të cilët nuk pranuan që para perandorëve të nderojnë hyjnitë e tyre.
- Historik i shkurtër i përdorimit të kemit në liturgji
Kisha e hershme e ka njohur profecinë e Malakisë profet: “I madhërueshëm është Emri im ndër popuj, e në çdo vend i digjet kem dhe i kushtohet fli e pastër Emrit tim” (Mal 1,11), mirëpo, për një kohë të gjatë ka refuzuar përdorimin e kemit në liturgji. Tertuliani thoshte se i krishteri paraqet tjetër fli, “lutjen e shpirtit të pastër e mbushur me Shpirtin Shenjt, e jo kokrrat e kemit” (Apolog. 30; De Idol., XI, 2). Edhe Shën Augustini shprehet në mënyrë të ngjashme: “Hyji kërkon prej nesh flinë e falënderimit, duke theksuar që “të mos shkojmë për kem në Arabi”. Megjithëse kemi nuk është përdorur në liturgji, ai ka shërbyer për përdorim shtëpiak për freskim të hapësirave, dhe për shkak të aromës së këndshme. Në këtë kuptim kemi është përdorur nganjëherë edhe në kishë. Përmenden kemoret e mëdha të cilat Konstantini ia kishte dhuruar bazilikës së Lateranit. Në përshkrimet e mëvonshme (Shek. VII) shpesh përdoret shprehja “odor suavitatis”, erë e këndshme, aromë. Ndërsa, prej shekullit VII dhe VIII kemi hy në liturgjinë romake, ndoshta edhe për faktin se shumica e Papëve, ishin me prejardhje nga lindja.[5]
Në atë kohë, qëllimi parësor i përdorimit të kemit kishte të bënte me nderimin e Papës dhe Ungjillit.[6] Pra, në këtë kohë kemosja më shumë ishte e lidhur me personin e Papës së Romës se sa veprimin apo ngjarjen liturgjike. Përdorimi paralel mund të shihet edhe në shekullin e XIII kur kemi përdoret për mbretin që vinte në Romë. Me atë rast kleri e priste me kryqe në duar dhe me kemore.
Edhe sot në procesione në fillim barten kemorja dhe kryqi. Besimtarët janë të thirrur të marrin frymën e dhuntive të Zotit në veprën shëlbimprurëse të Jezu Krishtit duke qenë edhe vetë pjesë e shpalljes dhe veprimit, si dhe është ecje e bashkësisë në procesion në praninë e Hyjit që nuk është vetëm një ngjarje e zakonshme. Pastaj, kemosja e dhuratave shpreh paraqitjen tonë të plotë në duar të Zotit, sipas shembullit të Krishtit, i cili në simbolet e bukës dhe verës është fli e gjallë e Atit për njeriun.
Nën ndikimin e liturgjisë galikane, në shek. IX, Kisha katolike në Romë filloi ta përdorë kemin në meshë. Së pari për kemosje të altarit, pastaj klerit dhe dhuratave të paraqitura, deri kur në fillim të shekullit XIV vendosen rregullat e përdorimit të cilat kanë qenë në fuqi deri në Koncilin II të Vatikanit.
- Lutjet dhe bekimi i kemit
Në fillimet e përdorimit të tij, kemi nuk është bekuar, ndërsa në kemore e vendoste shërbyesi që e mbartte atë. Por, në ceremonialin e shek. IX flitet për këtë gjë. Aty thuhet se ipeshkvi e vendos kemin në kemore, por pa thënë kurrfarë lutje. Pas shekullit XI i shtohet lutja që përmend Shën Gabrielin, duke iu referuar vegimit të Zakarisë, ndërsa më vonë shfaqet emri i Shën Mihillit në lidhje me tekstin e Librit të Zbulesës: “Dhe ja, një tjetër engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem për ta kushtuar bashkë me lutjet e të gjithë shenjtërve mbi lterin e artë para fronit. Nga dora e engjëllit tymi erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me lutjet e shenjtërve” (Zb 8, 3-4).
Më tej, në lidhje me lutjet e bekimit të kemit, megjithëse kemosja në kontekstin e bekimit i besohet diakonit, lutjen e thotë kryesuesi i kremtimit. Tradita njeh dhe dallon kemin e bekuar dhe jo të bekuar. Përderisa i dyti përdorej për bekim të laikëve, i pari përdorej për kemim të altarit. Gjatë reformës liturgjike të Koncilit II të Vatikanit, vendoset të mos ketë lutje të caktuar për bekim të kemit, por, para fillimit të kremtimit liturgjik mund të bekohet me lutjen e përgjithshme.
Burimet që i referohen bekimit të kemit, psh. mesharët pas Koncilit të Trentos, e vendosin te riti hyrës (introitus) dhe bekimit para shpalljes së Ungjillit. Kështu, një nga lutjet e bekimit thotë: “Ab illo benedicaris, in cuius honore cremaberis”. “Le të bekojë Ai në emrin e të cilit do të ndizesh”.
Një lutje tjetër e bekimit thotë: “Benedic, Domine, hoc incensum vel thymiama a te creatum, et praesta, ut accetabile sit tibi in odorem suavitatis” (Bekoje, o Hyj, këtë kem që e ke krijuar, bëj të jetë i pëlqyeshëm për ty si aromë e këndshme).[7]
Pastaj, brenda ritit të kushtimit të dhuratave, duke e vendosur kemin në kemore, thuhej kjo lutje: “Per intercessionem beati Michaelis Archangeli, stantis a dextris altari incensi, et omnium electorum suorum, incensum istud dignetur Dominus benedicere, et in odorem suavitatis accipere” (Me ndërmjetësinë e të lumit Kryeengjëllit Mihill, i cili rri në të djathtën e altarit për kemim dhe të gjithë të zgjedhurve të tij, le të jetë ky kem i denjë që ta bekojë Hyji dhe ta pranojë për erë të këndshme).[8]
Deri në shekullin e XIII në vend të Kryeengjëllit Mihill, gjendet emri i Kryeengjëllit Gabriel. Ky zëvendësim ka mundësi të ketë ndodhur edhe për shkak të traditave të ndryshme në lidhje me tekstet, por edhe për shkak të nderimit të shtuar të Shën Mihillit në mesjetë. Përveç kësaj, si mundësi merret parasysh edhe teksti i Zbulesës: “Dhe ja, një tjetër engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem për ta kushtuar bashkë me lutjet e të gjithë shenjtërve mbi lterin e artë para fronit” (Zb 8, 3).[9]
- Përdorimi i kemit gjatë meshës
Thuhet se në kohët e hershme, kur njerëzit kalonin pranë kishës në të cilën po mbahej ndonjë kremtim liturgjik, në bazë të aromës së kemit kanë mundur ta dallojnë se për çfarë kremtimi liturgjik bëhej fjalë: A është vigjilja e Krishtlindjes apo e Pashkëve, liturgji salikimi, lutja e mëngjesores apo mbrëmësorja, adhurim apo të tjera. Pra, dikur është përzgjedhur edhe lloji i kemit, që me aromën e këndshme të tij të shprehej gjendja shpirtërore dhe shpirti i uratës. Në kohët e mëvonshme dhe ditët tona përdorimi dhe llojet e kemit nuk e kanë më këtë theksim të madh të komunikimit liturgjik.[10]
Nëse në të kaluarën kemosja ishte e obliguar në meshët solemne, sot dhuratat e përgatitura mund të kemohen në çdo meshë. Kjo për të simbolizuar kushtimin e flisë së Kishës dhe lutjen e saj e cila lartësohet në nderë të Hyjit. Në Romë, përveç përvojës së djegies së kemit në kemoret e palëvizshme, njihet vetëm përvoja e bartjes dhe përdorimit të kemores gjatë hyrjes, procesionit para Ungjillit dhe daljes, e jo sikurse e njohim në kohët tona përvojën e përdorimit të kemit.
- Procesioni hyrës
Para se të fillojë kremtimi i meshës dhe kur të jenë bashkuar besimtarët, meshtari dhe të gjithë ata që kanë ndonjë shërbim te altari, përgatiten për procesion, ndërsa para kryqit që shoqërohet me qirinj, prin kemorja.[11] Pasojnë shërbyesit e tjerë, diakoni, lexuesi, dhe në fund ipeshkvi ose meshtari që kryeson liturgjinë e vendos kemin në kemore para nisjes së procesionit. Ky rregull kryesisht ndiqet edhe në ritet hyrëse liturgjike në përgjithësi.
Nëse e analizojmë këtë radhitje në aspektin teologjik, atëherë do të ishte e pasaktë që procesionit t’i prijë kemi, pasi që shenjat kryesore në procesion janë kryqi dhe ungjilli, e që na flasin për praninë e Krishtit rreth së cilit besimtarët bashkohen për të kremtuar misterin pashkor. Edhe në procesionet solemne të Romës së lashtë shërbyesit e bartnin para mbretit një enë me prush e kem duke e nderuar atë si hyjni. Mirëpo, në liturgjinë e krishterë, përdorimi i kemit nuk paraqet një ritual të tillë. Ecuria e gjithë ceremonisë dhe kthesa kristologjike ndodh në formë graduale, kështu që elementet që e shoqërojnë ceremoninë janë të orientuara drejt dëftimit të Krishtit, që është kuptimi i gjithë kremtimit.[12]
Bazuar në përshkrimet e Ordo Romanus I të shekullit VII, gjatë procesionit para ipeshkvit të Romës, bartej kemorja e artë me kem, ndërsa shtatë akolitë bartnin qirinjtë. Kemi dhe qirinjtë janë përdorur si pjesë përbërëse e liturgjisë pontifikale si dhe për të nderuar autoritetin papnor. Ndërsa, nëse liturgjinë e kryesonte ndonjë ipeshkëv tjetër, atëherë kemorja dhe qirinjtë nuk barteshin para ipeshkvit, por para diakonit. Më vonë kemi do të jetë i pranishëm në të gjitha meshët që udhëheqin ipeshkvijtë e prej shekullit IX edhe në meshët e udhëhequra nga meshtarët.
Rendi i rregullt i procesionit hyrës është: Kemi, akoliti që bart kryqin, pranë tij shërbyesit me qirinj, akolitët dhe ndihmësit e tjerë, diakoni që mbart ungjillin, meshtarët që bashkëmeshojnë, dhe kremtuesi udhëheqës i liturgjisë.
- Kemosja e Ungjillit
Ritet që shoqërojnë leximet, duhet të shënojnë praninë e Krishtit që ato e shpallin.[13] Prandaj, te ritet që lidhen ngushtë me përgatitjen dhe shpalljen e Ungjillit, kemosja ka një rol të veçantë. Në kohët e vona kemi bartet më vete deri të vendi i shpalljes. Zakonisht, kur fillon të këndohet aleluja, nëse nuk ka procesion, kemi vendoset në kemore, qoftë te selia, apo edhe direkt te amboni. Diakoni (ose dikush tjetër që shpall Ungjillin) e merr atë në altar dhe shkon te amboni. Ndërsa e shoqërojnë ministrantët me qirinj dhe kem. Pas përshëndetjes hyrëse, para se të lexohet Ungjilli, bëhet kemosja me tre lëvizje të kemorës (3×3).
Rendi i hershëm romak, i shekullit VII e përshkruan kështu procesionin gjatë ungjillit: “Diakoni vjen te altari, dhe pasi ta ketë puthur Ungjillin, e ngre atë me duart e veta. Dy diakonë ndihmës shkojnë para tij duke e bartur kemoren e ngritur lart, ndërsa para tyre shkojnë dy akolitë me qirinj të ndezur, të cilët me të arritur te amboni ndahen në dy anët e tij.”[14]
- Kemosja e dhuratave
Ndërsa në të kaluarën kemosja ishte e detyrueshme në meshët solemne, sot, dhuratat e përgatitura mund të kemohen në çdo meshë.[15] Pas përgatitjes së bukës dhe verës në altar, atëherë mund të bëhet kemosja e dhuratave. Ky rit ka për qëllim të shprehë se “dhuratat dhe lutjet e Kishës që ajo i paraqet, lartësohen para Hyjit mu ashtu si tymi e aroma e këndshme e kemit”. Në lidhje me kemosjen e dhuratave, por edhe të kemosjeve tashme të rregullta, përvoja e ritit franko-germane daton që në shekullin e VI. Mirëpo, nga shekulli i IX janë të njohura detaje të përpikta në lidhje me përdorimin e kemit në liturgjinë romake. Në atë kohë, nëpër kishat e Romës, pas kemosjes së Ungjillit, kemi nuk është sjellë më në altar. Për dallim nga ajo përvojë, në liturgjinë galikane përdorej për kemim të Ungjillit por edhe tek dhuratat që kushtohen. Pastaj, pas kemosjes së dhuratave, kemi vendosej mbi altar. Megjithatë, shekulli i XII merret si periudha që e përcakton kemosjen e dhuratave. Ndërsa, kjo pjesë e kemosjes si shtesë e kësaj përvoje në Kishë, sikur buron nga ritet që lidhen me procesionin hyrës. Në liturgjinë e lashtë galikane, përgatitja e dhuratave bëhej para meshës. Pastaj, në fillim të Eukaristisë, dhuratat silleshin brenda solemnisht dhe ishin të shoqëruara edhe me kem. Kur arrinin para altarit atëherë bëhej kemosja e dhuratave. Mënyra e kemosjes bëhej në formë të kryqit apo të rrethit, duke iu referuar lutjes së psalmistit[16]: E para, e shoqëruar me lutjen: “Incensum istud a te benedictum ascendat ad te Domine”, ndërsa ajo në formë të rrethit me lutjen tjetër: “Tua misericordia et descedat super nos”. Përndryshe, në lidhje me lutjet përcjellëse për kemim të dhuratave, që nga koha e Koncilit të Trentos nuk përdoret më lutja “Incensum istud... ”Riti aktual përcakton që dhuratat e përgatitura dhe altari të kemosen prej celebruesit kryesor. Pastaj, duhet theksuar se janë dy elemente që veçohen tek dhuratat; buka dhe vera. Edhe kemosja e tyre në formë të rrethit e tregon këtë rëndësi, ku përfshihen shenja e kryqit, dhe që te dyja shprehin formën që thërret bekim.[17]
- Kemosja i altarit
Sikurse kemosja e dhuratave apo përvoja e kemosjes në përgjithësi, kjo ceremoni dhe simbolikë e ka historinë e vet edhe në lidhje me altarin,. Gjatë liturgjisë romake në shekujt e parë kur kemi përdorej vetëm në procesionet e hyrjes së Papës si dhe për shpalljen e Ungjillit, në vende të tjera, sikurse ajo në viset galikane, kemi fillon të përdoret edhe në pjesë të tjera liturgjike, siç është kemosja e altarit. Kjo përvojë e tyre mbështetet në shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër, sepse, shumë rite dhe detaje nga përvoja e judaizmit janë marrë, pasuruar dhe përshtatur në liturgjinë e krishterë. Kjo vlen edhe të përmendet edhe te rëndësia e altarëve, qoftë në lidhje me shugurimin apo edhe kemosjen e tyre.
Në lidhje me kemosjen e altareve, Meshari gelasian, përveç lutjeve të shugurimit, përshkruan edhe kemosjen duke e quajtur si fli kushtimi shpirtëror. Pra, edhe pse është e vështirë të përcaktohet koha e saktë e kësaj përvoje në Kishë, shekulli VII llogaritet si periudha kur fillon të përdoret kemi si pjesë përbërëse e liturgjisë së shugurimit të altareve.
Nderimi i altarit i referohet Krishtit sepse është simbol i tij.[18] Sa i përket altarit ai kemoset dy herë brenda meshës; krejt në fillim, pas hyrjes në procesion dhe në fillim të shërbesës Eukaristike, pasi të jenë sjellë dhe përgatitur dhuratat në altar. Për dallim nga kemosjet e tjera në liturgji, kemosja e altarit është e përshkruar në mënyrë precize: Së pari, nëse altari është i ndarë nga muri, kemosja bëhet përreth tij; së dyti, nëse nuk është i ndarë nga muri, meshtari e kemos fillimisht anën e djathtë të tij, pastaj anën e majtë. Nëse ka kryq në altar ose aty afër, më së pari kemohet kryqi; nëse është pas altarit, atëherë e kemos kur kalon përpara tij.[19]
- Kemosja e personave
Kemosja e personave origjinën e ka të hershme dhe si duket lidhet me traditën e lashtë të parfumimit të hapësirës së kishës apo ambientit ku kremtohej liturgjia, siç ishte e njohur kjo përvojë në Antioki në shekullin e katërt. Disa shekuj më vonë edhe në Perëndim mbizotëronte kjo ide në lidhje me kemosjen e ambienteve.
Përndryshe, ajo që sjell ORV, flet për parfumimin e ambienteve si simbolikë e aromës së këndshme të Ungjillit. Të pranishmit thithin këtë aromë që del prej kemores (acceptat odore incensi). Pra, kemosja e personave nuk e ka për qëllim nderimin e veçantë të tyre. Thalhofer/Eisenhofer kemosjen e personave e shohin si “cultus latreuticus indirectus”, që nënkupton se në Shëlbuesin e tyre, në saje të pagëzimit ata janë bërë Tempull i Shpirtit Shenjt në të cilën nderohet Krishti. Se laikët nderohen si pjesë e Trupit mistik të Krishtit, në këtë rast mbështetet edhe në Letrën e parë të Shën Pjetrit: “Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme” (1 Pj 2, 9).[20]
Pra, pasi të jenë kemosur dhuratat dhe altari, siç është përvojë bëhet kemosja e të pranishmëve në meshë në bazë të hierarkisë; së pari celebruesi kryesor, klerikët, kori, autoritetet civile (kur janë të pranishëm) dhe i gjithë populli.
Përndryshe, para dhe pas kemosjes parashihet përkulja e thellë, dhe, zakonisht, në formë të luhatjes së trefishtë të kemores kemohet i Shenjtërueshmi Sakrament, reliket e Shën Kryqit dhe figurat e Krishtit, dhuratat Eukaristike, Kryqi në altar, Ungjilli, qiriu i Pashkëve, kremtuesi kryesor dhe besimtarët; pra, të gjitha realitetet në të cilat shihet prania e Zotit. Ndërsa, me lëkundjen dy herë të kemores, kemosen reliket dhe figurat e shenjtërve, përderisa me një lëkundje kemohet altari gjatë lëvizjes rreth tij.[21]
- Përdorimi i kemit gjatë adhurimit
“Lidhja e vendosur mes të Shenjtërueshmit Sakrament dhe kemit, u mor si e mirëqenë sikurse bëhej edhe në të gjitha festat e tjera publike në ditët kur bëhej një expositio sanctissimi (ekspozim i të Shenjtërueshmit Sakrament), por edhe në të gjitha procesionet teoforike.
Në bazë të ritit të Trentos, kemosja e dyfishtë ishte përshkruar si për adhurimet ashtu edhe për procesionet, përkatësisht në fillim ose para marrjes së monstrancës nga Altari dhe para bekimit përfundimtar.
Në rastin e adhurimit Eukaristik në kishë, koha e saktë e kemosjes e përcaktuar saktësisht ka qenë e debatuar edhe nga vetë rubricistët. Monstranca kemosej ose para ose pas ekspozimit të saj në qendrën e altarit. Kjo e fundit ka qenë dekretuar nga Kongregata për Ritet e Shenjta, sepse korrespondonte me Kanonin Romak. Kemosja e dytë bëhej gjatë strofës “Genitori“ të himnit “Pange lingua“, ndërsa dy strofat e fundit kanë qenë përcaktuar të këndoheshin në këtë moment.
Kjo praktikë është e kuptueshme të kryhet në momentin e ngritjes së Hostes gjatë kremtimit Eukaristik. Edhe pas reformës liturgjike të Palit VI, përdorimi i kemit konsiderohet të jetë rregulli për ekspozimin e të Shenjtërueshmit Sakrament në një monstrancë. Edhe nëse përdoret një enë tjetër për ruajtjen e tij, kemosja mund të bëhet gjithsesi. Ashtu si në ritin Tridentin, akti i kemosjes duhet të bëhet në fillim dhe në fund të ekspozimit të tij gjatë një himni në nder të të Shenjtërueshmit Sakrament. Në adhurimet më të gjata, në vende të ndryshme sot gjenden kemore të palëvizshme, që vendosen përpara altarit dhe gjatë kohës së adhurimit e mbushin kishën me aromë kemi. Megjithatë, duhet patur parasysh se kemi që del nga kemorja e zakonshme është më tepër si shenjë lutjeje, nga ana tjetër, ajo e ndezur në kemore kuptohet më shumë si shenjë adhurimi dhe nderimi.“[22]
- Kemosja gjatë salikimeve
Në lidhje me përdorimin e kemit gjatë salikimeve, dëshmon edhe Tertuliani (shek. II), kështu që, kjo na bën me dije se një përvojë e tillë ekzistonte shumë herët në Kishë. Mirëpo, si dëshmi e parë dhe definitive e përdorimit të kemit në ceremonitë e varrimeve merret ajo e Pjetrit prej Aleksandrisë e vitit 311. Varrimet përjetoheshin si fitore triumfuese. Gjatë procesionit drejt varrezave barteshin palmat si shenjë e fitores, por edhe qirinj dhe kemore duke kënduar himne. Varrimet e krishtera, në dallim nga përvojat antike (jo të krishtera), kishin një karakter plot shpresë në ringjallje.[23] Prandaj edhe kemi, si simbol i nderimit, kishte kuptimin e shoqërimit të një ngjarjeje festive. Po në këtë frymë, ceremonitë e salikimit zhvillohen edhe më vonë, si në shekullin IV kur dëshmohet për balsamimin e trupit apo bartjen e kemit e të qirinjve, ashtu në shekullin VI, sillen dëshmi të përdorimit të kemit dhe substancave të tjera aromatike në varret e Shenjtërve në Romë.
Ritet e shekujve XV dhe XVI flasin për shtimin e përdorimit të kemit gjatë ceremonisë së varrimit, si në shtëpinë e të vdekurit, pastaj në kishë, pas “Requiem”, për bekim të varrit, por edhe pasi të jetë lëshuar trupi në varr. Në të shumtën e rasteve pas bekimeve me ujin e bekuar përdorej edhe kemi.
Liturgjia e Trentos nuk e parasheh kemosjen në shtëpinë e të vdekurit, por trupin e kemosë/kemon në kishë pas “Requiem” duke lutur lutjen “Ati ynë” me zë të ulët. Pastaj te varri, nëse nuk ishte i bekuar behej bekimi dhe arkivoli spërkatej me ujë të bekuar dhe kemosej.
Tani, sikur e parasheh Riti i Trentos, edhe në ditët tona, në shtëpinë e të vdekurit zakonisht përdoret vetëm uji i bekuar, ndërsa, “pas meshës së salikimit mbahet riti i porositjes së fundit dhe përshëndetjes së të vdekurit, ku parashihen stërpikja me ujë të bekuar, që përkujton pagëzimin me të cilin i ndjeri qe regjistruar për jetën e pasosur, dhe kemosja me të cilin nderohet trupi i të ndjerit, si tempulli i Shpirtit Shenjt.[24]
III. Kemorja
Kur flitet për kemoret, hasim në emërtime të shumta greke e latine që përdoren për të: P.sh.. Libanotos, thymiaterium, fumigatorium, incensorium etj. Fjala është për enën e punuar prej ari, argjendi, bakri, bronzi, mesingu apo hekuri. Për ta bartur apo luhatur ajo ka tre ose katër zinxhirë të lidhur, ndërsa, gjatësia e tyre varet nga mënyra e përdorimi të saj.[25]
Për kemoret ka dëshmi që nga koha e Konstantinit, qoftë për ato të palëvizshmet apo të varura. Në fillim kanë pasur forma të ndryshme dhe varej nga mënyra e kemosjes. Disa ishin të vendosura në tokë, të përforcuara në mbajtëse apo këmbë, të tjera që ishin të varura në tavan apo vende të tjera, ndërsa të tjerat ishin lëvizëse dhe barteshin në dorë, sikur i njohim në ditët tona. Kemoret bartëse në liturgji janë të njohura që nga viti 400.
Shënimet e para për kemoret i sjell Liber Pontificalis (I, 174.177.233), ku përveç dhuratave që Konstantini i bën bazilikës në Lateran, përmenden edhe disa kemore të rënda në peshë si dhe një sasi e madhe kemi. Një shembull i kemores me formën e parë sot ruhet në Manheim dhe daton nga shekulli IV apo V.
Format e kemoreve të para liturgjike para mesjetare janë të njohura nga shembujt e liturgjisë siriane dhe ato kopte, por edhe nga pamjet që shihen në mozaikët siç është ai në kishën e Shën Vitos dhe Shën Apolinarit në Ravena.[26]
Në kapakun e kemores është hapësira që mundëson qarkullimin e ajrit, por edhe daljen e tymit aromatik. Pastaj, si atëherë edhe tani zakonisht janë katër zinxhirët, tre prej tyre që janë të ngjitur në mbajtësen në formë unaze, ndërsa i katërti që lëviz për të ngritur e lëshuar kapakun e kemores, megjithëse siç e kemi cekur, kemoret e hershme ishin të hapura.
Përveç kemores, po përmendim edhe një enë përcjellëse të saj që është e njohur me emrin naveta[27] (prej latinishtes – navis, navicula/anijëz). Në shqip e ka kuptimin e anijëzes. Ajo rregullisht është në shoqërim të kemores, sepse në të bartet dhe ruhet kemi. Ky emër përdoret që prej shekullit XII/XIII, dhe quhet ashtu sepse që atëherë kishte formën e anijes. Përveç saj, për marrjen dhe vendosjen e kemit në kemore, që nga shekulli i XI hyn në përdorim edhe luga e vogël e njohur me emrat latin si: busta, buxta, pyxis, capsella, scrinium, capsula, vas, vasculum, scutella, acerra[28], dhe emrat u jepen mbi të gjitha për shkak të formës që kanë, e në këtë rast ndërlidhen me formën e anijes.
Krejt në fund të kësaj përsiatjeje, mbetem me shpresën që ky shkrim modest për kemin dhe përdorimin e tij në liturgji, të jetë i dobishëm për lexuesin shqiptar, sepse, te shumë popuj të tjerë tashmë ekziston një literaturë e gjerë për sa i përket historisë, përdorimit dhe traditave në lidhje me kemin. Për më tepër, dëshiroj që të jetë një nxitje për të punuar në pasurimin e literaturës sonë kishtare, përkatësisht liturgjike, qoftë në lidhje me simbolet apo me fjalorin kishtar në gjuhën tonë, qoftë me materiale studimore të kësaj natyre, në nder e lavd të Hyjit e në të mirë të Kishës sonë./drita.info
Literatura e përdorur:
Bibla, përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Botuar nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Tiranë 2011.
Meshari Romak, botimi tipik i tretë, Tiranë 2014.
Xavier Léon-Dufour (ed.), Fjalor i Teologjisë Biblike, Chirico, Napoli, 2005.
Kongregata për Kultin Hyjnor, Rendi i Salikimeve, Drita 1969.
Biskupski Ceremonijal, KS, Zagreb 1987.
Pfeifer Michael, Der Weihrauch, Geschichte – Bedeutung – Verwendung, Verlag Fridrich Pustet, Regensburg 2018.
Šaško Ivan, Liturgijski simbolički govor, Glas Koncila, Zagreb 2004.
Kunzler Michael, La liturgjia della Chiesa, Jaca Book, Milano 1996.
Adam Adolf / Haunerland Winfried, Corso di liturgjia, Queriniana, Botimi i ri, Brescia 2013.
Živo vrelo, Liturgijsko-pastoralni list, Tamjan i kad u liturgiji, Zagreb, Numri 2/2011.
[1] Khs. Adam Adolf / Haunerland Winfried, Corso di liturgia, Queriniana, Botimi i ri, Brescia 2013, fq. 84-90.
[2]Khs. Pfeifer Michael, Der Weihrauch, Geschichte – Bedeutung – Verwendung,Verlag Fridrich Pustet, Regensburg 2018, f. 13.
[3]Po aty. Pfeifer, M., vep. e cit.: Mbi përvojën e përdorimit të kemit në Lindje dhe në Mesdhe, shih f. 23-41, këtu Pfeifer, f. 37.
[4]Xavier Léon-Dufour (ed.), Fjalor i Teologjisë Biblike, Chirico, Napoli, 2005, f. 1007.
[5]Khs. Po aty., f. 146-147.
[6]Po aty., f. 147.
[7]Khs. Šaško I., vep. e cit., f. 149.
[8]Khs. Pfeifer M., vep. e cit., f. 142.
[9] Šaško, Ivan, „Tamjan i kad u liturgiji – od molitava do pastoralnih mogućnosti“. Živo vrelo, Zagreb 2011 / 2, fq. 7.
[10]Khs. Šaško Ivan, Liturgijski simbolički govor, Glas Koncila, Zagreb 2004, f. 145.
[11]. Khs. Pfeifer M., fq. 63-67. Meshari Romak në Rregulloren e Përgjithshme nr. 49 te ritet fillestare, me të arritur te altari flet për nderimin e tij dhe kemosjen.
[12]Khs. Kunzler Michael, La liturgjia della Chiesa, Jaca Book, Milano 1996, f. 286.
[13]Kunzler., f. 301.
[14]Po aty. f. 68. Meshari Romak në Rregulloren e Përgjithshme nr. 175, flet për kemosjen te shërbesa e Fjalës, natyrisht, fjala është këtu për leximin e Ungjillit. Diakoni që bartë Ungjillarin paraprihet nga një kembartës, i cili bart një kemore me kem tymues dhe nga shërbestarë me qirinj të ndezur“.
[15]Khs. Kunzler, f. 315.
[16]“U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, lartësimi i duarve të mia porsi flia e mbrëmjes” Ps 141, 2.
[17]Khs. Pfeifer M., f. 73. Meshari Romak, Rregullorja e Përgjithshme nr. 75, flet për përgatitjen e dhuratave dhe kemosjen e tyre, por edhe të kryqit dhe altarit, si dhe të meshtarit dhe të popullit.
[18]Khs. Kunzler M., f. 286.
[19]Po aty., Pfeifer M., f. 77-83.
[20]Khs. Pfeifer M., f. 86. Lidhur me kemin dhe përdorimin e tij në detaje, shih edhe: Biskupski Ceremonijal, KS, Zagreb 1987: Aty është e përshkruar çështja e përdorimit të kemit në liturgji. Sa i përket komosjes së përsonave shih nr. 92.
[21]Šaško I., vep. e cit., f. 150.
[22]Khs. Pfeifer M.,vep. e cit., f. 89-90.
[23]Khs. Pfeifer M., vep. e cit., f. 117-122.
[24]Khs. Rendi i Salikimeve, Kongregata për Kultin Hyjnor, Drita 1969, Vërejtjet paraprake nr. 10.
[25]Khs. Šaško I., vep. e cit. f. 418.
[26]Po aty.
[27]Po aty., fq. 420.
[28] Po aty.

Postimi i Mëparshëm
