Dantedì: ditë kushtuar Dante Alighieri | 25 mars

Më 25 mars, kultura evropiane ndalet për një çast për të përkujtuar Dantedì, ditën kushtuar Dante Alighieri—poetit që jo vetëm i dha zë gjuhës italiane, por i dhuroi njerëzimit një nga vizionet më të thella të shtegtisë shpirtërore dhe njerëzore. Nuk është rastësi që kjo datë lidhet simbolikisht me fillimin e udhëtimit të Komedisë Hyjnore: një shtegtim që përshkon Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën, duke u bërë një pasqyrë e jetës së njeriut dhe e kërkimit të tij për kuptim.

Si i tillë, Dante nuk konsiderohet vetëm si një poet i madh i së kaluarës, por një bashkëkohës i përhershëm. Sepse, ajo që ai përshkruan, nuk është thjesht vetëm një botë përtej, por drama e brendshme e çdo njeriu: rënia (ferri), pastrimi (purgatori) dhe shpresa për dritë (parajsa). Në këtë kuptim, Komedia Hyjnore, përveçse një poemë botërore dhe njëra prej veprave letrare më të më mëdha të të gjitha kohëve, ajo është edhe një itinerar i shpirtit, një hartë e ndërgjegjes njerëzore që vazhdon të flasë fuqishëm edhe sot.

Në zemër të kësaj shtegtie qëndron një forcë e vetme: Dashuria – “M’shtyn me t’folun dashunija” (it. “Amor mi mosse, che mi fa parlare” Purgatori, kënga II, vargu 72). Autori nëpërmjet këtij vargu të thjeshtë dhe të thellë, njëkohësisht, përmbledh jo vetëm motivimin e Beatriçes, por edhe vetë lëvizjen e universit dantesk. Dashuria, për Danten, nuk është një ndjenjë, por parimi që vë në lëvizje jetën, që e çon njeriun përtej vetes, që e thërret drejt së vërtetës. Pa këtë dashuri, shtegtimi i jetës do të ishte i pamundur; me të, edhe terri bëhet i kalueshëm.

Në këtë dritë, Dantedì na grishë për të rimenduar raportin tonë me kulturën; që mos të jetë kultura një luks për pak njerëz, por një nevojë themelore e shpirtit. Ajo është një mënyrë nëpërmjet së cilës njeriu mëson ta lexojë veten, ta kuptojë botën dhe ta ndërtojë një horizont ku jeta merr kuptim e vërtetë.

Pikërisht këtë mision e përqafon edhe revista dhe shtëpia botuese “DRITA”: ta bëjë kulturën një mjet të gjallë, të aftë të flasë me kohën tonë dhe të shoqërojë njeriun në udhëtimin e tij të rritjes, realizimit. Në epokën tonë të shpejtë dhe shpesh sipërfaqësore, pa kohë për fjalën dhe artin e saj, rikthimi te fjala e thellë, te reflektimi dhe te e bukura bëhet një akt rezistence kulturore dhe shpirtërore.

Sepse, në fund të fundit, a nuk është çdo njeri një shtegtar. E, çdo shtegtim ka nevojë për një dritë që e udhëheq. Dante na mëson se kjo dritë është dashuria, ajo që “lëviz diellin dhe yjet e tjerë” (it. “l’amor che move il sole e l’altre stelle”, Parajsa, Kënga XXXIII, vargu 145). Dhe nëse lejojmë që kjo dashuri të na udhëheqë edhe në raportin tonë me kulturën, atëherë çdo lexim, çdo fjalë, çdo reflektim bëhet një hap më afër vetvetes dhe së vërtetës.

Në këtë frymë, Dantedì bëhet një grishje për të bërë shtegtinë tonë të brendshme—me guximin për të kaluar përmes terrnajave të këtejshme, me shpresën e pamposhtur për të arritur Dritën.

Gëzuar Dantedì!

 

Revista dhe Sh. B. “Drita”

Shpëndaje: