
Të dashur lexues të revistës “DRITA”, gjatë muajit maj do të paraqesim në seri të shkrimeve mbi përshpirtërinë mariane, pasi ky muaj i kushtohet Marisë Virgjër, Nënës së Zotit tonë Jezu Krishtit.
Në shkrimin e parë do të ndalemi te një nga lutjet më të dashura e më të lashta të Kishës Katolike, që janë Litanitë e së Lumes Virgjër Mari, e njohur gjerësisht si Litanitë Lauretane.
Një lutje që shumë prej nesh e lusin shpesh, ndoshta në fund të Rruzares, ndoshta në muajin maj apo tetor, por që rrallëherë kemi pasur mundësinë ta soditim në thellësinë e saj historike dhe teologjike. Litanitë Lauretane nuk janë thjesht një varg thirrjesh të përsëritura; ajo ato janë një udhëtim shpirtëror, një portret i gjallë i Marisë, ku çdo titull zbulon një virtyt, një mision dhe një dhuratë që Hyji ia ka besuar Nënës së Birit të Tij. Çdo “lutju për ne” është një akt besimi, përvujtërie dhe shprese.
Ky shkrim i sotëm do të shërbejë si hyrje dhe historik i shkurtër, për të kuptuar se si lindi kjo litaní, si u përhap në Kishë dhe pse ajo mbetet edhe sot një lutje kaq e dashur dhe aktuale për besimtarët. Ndërsa, në shkrimet në vazhdim, çdo javë do të ndalemi veç e veç në secilën thirrje të litanive, për ta shpjeguar dhe për ta jetuar më thellë përmes meditimit dhe lutjes. Të lejojmë gjatë që gjatë këtij muaji të bukur të majit, që Zoja e Bekuar, Virgjëra Mari të na udhëheq me dashurinë e saj amnore drejt Birit të saj, Jezu Krishtit.
Tekstet janë marr nga: https://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html
Përthimi dhe përshtatja për revistën “Drita”nga Adelina Palushi
Litanitë Lauretane: Historia, Kuptimi dhe Lutja
Nga Administratura Savelli, 6 tetor 2025
Prej shekujsh, besimtarët katolikë i kanë lutur Litanitë lauretane si një praktikë shpirtërore tejet e thellë. Ato nuk janë thjesht një varg thirrjesh për t’u recituar, por një udhëtim mistik në shpirtin e së Lumes Virgjër Mari, që na fton t’i soditim hiret e panumërta që Hyji ia dhuroi asaj.
Nëse ndonjëherë të është dukur se recitimi i kësaj lutjeje ishte i nxituar ose i thatë, atëherë ke humbur një thesar të pasur bukurie teologjike. Litanitë janë një formë lutjesh thellësisht soditëse, ku çdo titull shërben si një dritare shpirtërore, duke e përqendruar zemrën tonë te përsosmëria e Marisë dhe te ndërmjetësimi i saj i fuqishëm.
Çka janë litanitë e Loretos? Një histori e shkurtër
E njohur zyrtarisht si Litanitë e së Lumes Virgjër Mari, ato morën emrin popullor nga shenjtërorja e nderuar mariane e Loretos, në Itali. Le të kthehemi në shekullin XVI: shtegtarë që udhëtonin drejt Shtëpisë së Shenjtë, e nderuar si banesa e Familjes së Shenjtë, zhvilluan këtë lutje ritmike dhe të thellë shpirtërore. Ajo u dëshmua shpejt si një përshpirtëri me fuqi të madhe, aq sa në vitin 1587 Papa Siksti V e miratoi zyrtarisht për përdorim universal në Kishë.
Kjo përshpirtëri u bë portreti shpirtëror më përmbledhës i Marisë, një katalog i hireve të saj, ku çdo titull vepron si një shigjetë teologjike që drejton vështrimin tonë drejt dhuratave të veçanta që Hyji ia ka dhënë asaj.
Litanitë Lauretane
Para se Litanitë të thërrasin qoftë edhe një titull të vetëm për Virgjërën Mari, ajo fillon me një pjesë hyrëse thelbësore, të përqendruar te Trinia e Shenjtë – Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt. Kjo hyrje është vendimtare, sepse na kujton se Maria nuk është burimi i hirit, por marrësja më e madhe dhe ndërmjetësuese e tij. Ajo shërben si një bosht i domosdoshëm teologjik.
Lutja e lashtë Kyrie, eleison (“O Zot, ki mëshirë”) vendos qëndrimin e përvujtërisë, duke na kujtuar se vetëm Hyji është burimi i hirit.
Ky përqendrim fillestar siguron që e gjithë kjo përshpirtëri të mbetet kristocentrike, pasi ndërmjetësimi i Marisë është gjithmonë i drejtuar kah Biri i saj, Jezu Krishti. Vetëm pasi ta kemi pranuar nevojën tonë për mëshirën hyjnore, i drejtohemi ndihmës së Nënës:
“Shën Mari, lutu për ne.”
Soditja mbi virtytet e Marisë
Më pas, Litanitë nisin lavdërimin e saj gjithëpërfshirës, duke i renditur titujt e Marisë në lëvizje shpirtërore, të cilat ofrojnë një terren të pasur për soditje. Ato na ftojnë të meditojmë mbi jetën e saj të brendshme, mbi domethënien alegorike të nxjerrë nga Shkrimi i Shenjtë, si edhe mbi dhembshurinë e saj të pakufishme ndaj nesh.
Litanitë Lauretane tradicionalisht kurorëzojnë recitimin e Rruzares së Shenjtë. Përsëritja e rruazave e përgatit zemrën, ndërsa Litanitë e zgjeron përqendrimin, duke i mbledhur të gjitha misteret në një akt përfundimtar dhe gjithëpërfshirës lavdërimi.
Ta mbash Rruzaren në dorë do të thotë ta bësh lutjen të prekshme dhe konkrete. Ajo shërben si një spirancë për mendjen, duke i lejuar shpirtit të hyjë në përmasën më të thellë soditëse të lutjes.
HISTORIKU
Litanitë Lauretane nuk janë vetëm një lutje e veçantë; forma e litanive ashtu siç e njohim sot, ka rrënjë në një sistem të tërë lutjesh dhe mënyrash për të nderuar Hyjin, shenjtërit e Tij dhe, në mënyrë të veçantë, Zojën tonë. Ajo është një lutje e popullit, më shumë e rrugëve sesa e shenjtëroreve; në thelb, është një lutje procesionale.
Forma e lutjes së litanive mund të gjurmohet që në kohët e Besëlidhjes së Vjetër. Psalmi 136 është një shembull i tillë, me refrenin: “Sepse dashuria e Tij është e amshuar”, që përsëritet pas çdo vargu. Edhe në ditët tona, nëse mendojmë për procesionet në Lurd dhe për himnin e Lurdit, me strofat e tij të shkurtra dhe refrenin e vazhdueshëm Ave, Ave, Ave Maria, kemi një pasqyrë të qartë të kësaj forme lutjeje.
Litanitë janë, në thelb, një formë e thjeshtë lutjeje e zgjatur, në të cilën çdo besimtar mund të marrë pjesë në mënyrë aktive. Romakët e lashtë i donin shumë procesionet dhe, në fund të shekullit IV, ndërsa paganizmi po i linte vendin krishterimit në Perandorinë Romake, edhe procesionet morën një karakter të krishterë, bashkë me to edhe litanitë. Me kalimin e shekujve, u zhvilluan shumë lloje litanish.
Shtegtimet kanë qenë (dhe vazhdojnë të jenë) një pjesë thelbësore dhe shumë e dashur e jetës katolike; me shtegtimin lidhet procesioni dhe, bashkë me procesionet, u zhvilluan edhe litanitë. Litanitë në nder të Zojës, gjatë shekujve XIV–XVI, u bënë veçanërisht të shumta; shpeshherë çdo krahinë zhvillonte litaninë e vet.
Shën Piu V ndërmori një rishikim të lutjeve zyrtare të Kishës dhe, në mars të vitit 1571, botoi (dhe urdhëroi shtypjen e) një Zyrë të re të së Lumës Virgjër Mari, duke ndaluar përhapjen e zyrave kuazi-liturgjike, çka përfshinte edhe shumë prej litanive.
Megjithatë, Litanitë Lauretane mbijetuan. Në Mesjetën e vonë, relativisht paqësore dhe të begatë, shtegtimet në distanca më të gjata u bënë të mundshme dhe të përhapura.. Loreto, një qytet i vogël në veri të Italisë, kishte Shtëpinë e Shenjtë. Sipas traditës, në vitin 1294, engjëjt e sollën në Loreto shtëpinë e vogël të Nazaretit, që kishte qenë banesa e Familjes së Shenjtë.
Meqenëse nuk ishte e mundur të shkohej në shtegtim në Nazaret, besimtarët shkonin në shtëpinë e vogël në Loreto (sot e përfshirë brenda një bazilike). Shtegtarët e pëlqyen dhe e mësuan formën e Litanisë së Zojës që përdorej aty dhe morën kopje të saj në shtëpitë e tyre në mbarë Evropën. Murgjit e Loretos ishin në hap me zhvillimet teknike dhe, që në fillim të viteve 1500, shtegtarët po merrnin me vete kopje të shtypura. Shtypja e tekstit bëri që ai të ishte i qëndrueshëm dhe kështu filloi të përhapej një version i njësuar i Litanitë Lauretane.
Kur Shën Piu V ndaloi litanitë, murgjit e shenjtërores së Loretos, të mësuar t’i recitonin litanitë çdo të shtunë, e rishikuan atë, hartuan një version të ri më biblik, e vunë në muzikë dhe ia paraqitën Romës për miratim. Madje e vlerësonin aq shumë, sa kërkuan që të këndohej edhe në Bazilikën e Shën Pjetrit. E kjo kërkoi pak kohë.
Populli i kishte dashur gjithmonë litanitë dhe ato vazhduan të luteshin në popull. Brenda pak vitesh, çështja e litanive u rishqyrtua. Përfundimisht, Papa, tashmë Siksti V, i cili kishte pasur gjithmonë një përkushtim të veçantë ndaj shenjtërores së Loretos, miratoi përdorimin publik të këtyre litanive. Për një kohë të shkurtër, u përdorën si versioni tradicional ashtu edhe ai i rishikuar biblik, por më vonë ky i fundit doli nga përdorimi dhe ajo që kemi sot është versioni tradicional.
Në vitin 1601, Papa Klementi VIII dekretoi se disa litaní – ato që gjendeshin në librat liturgjikë dhe Litanitë Lauretane – mund të përdoreshin në adhurimin publik. Botimi i litanive të reja pa autorizim të posaçëm u ndalua rreptësisht, po ashtu edhe shtimi i titujve të rinj pa miratim papnor.
Në shumë nga litanitë e hershme, titujt kushtuar Zojës ishin shpesh shumë të zgjeruar. Në kohën kur Litanitë Lauretane u përhapën, titujt u thjeshtuan dhe morën rendin që njohim sot: ata që e përshëndesin si “Nënë”, ata që e përshëndesin si “Virgjër”, e kështu me radhë. Kjo e bënte më të lehtë për t’u mbajtur mend dhe ka të ngjarë të ketë ndihmuar në përhapjen e saj. Jo të gjithë titujt e njohur të Marisë janë të përfshirë; për shembull, “Nëna e dashurisë së bukur” dhe “Shërbëtorja e Zotit” nuk gjenden.
Megjithatë, si shumë lutje të tjera të dashura, Litanitë Lauretane janë lutje e gjallë, veçanërisht e përshtatshme për t’u përgjigjur nevojave të kohëve. Ajo që kemi sot përfshin titujt e Litanisë origjinale të miratuar nga Klementi VIII në vitin 1601, si dhe disa thirrje të reja të shtuara me kalimin e kohës, gjithmonë me miratimin përkatës. Disa prej tyre fillimisht u miratuan për grupe të veçanta brenda Kishës dhe më pas u bënë universale nga Papa i kohës.
Historia e Kishës gjatë shekujve të fundit mund të lexohet edhe përmes këtyre shtesave:
- 1814 – Papa Piu VII shtoi titullin “Mbretëresha e të gjithë shenjtërve”, në shenjë mirënjohjeje për kthimin e tij në Romë pas lirimit nga robëria në Francën napoleonike.
- 1854 – Papa Piu IX shtoi titullin “Mbretëresha e zënë pa mëkatin e rrjedhshëm”, me shpalljen e dogmës së Ngjizjes së Papërlyer.
- 1951 – Me shpalljen e dogmës së Të Ngjiturës së Zojës në Qiell, Papa Piu XII shtoi titullin “Mbretëresha e ngjitur në qiell”.
- 1903 – Shën Piu X shtoi titullin “Nëna e Këshillit të Mirë”, në një kohë kur Kisha po përballej me herezitë moderniste.
- 1915 – Pas tmerreve të Luftës së Parë Botërore, Papa Benedikti XV shtoi titullin “Mbretëresha e Paqes”.
- 1980 – Pas reflektimeve të thella të Koncilit II të Vatikanit mbi natyrën e Kishës, Shën Gjon Pali II shtoi titullin “Nëna e Kishës”.
- 1995 – Në mbrojtje të familjes, i njëjti Papë shtoi titullin “Mbretëresha e Familjeve”.
- 2020 – Papa Françesku, duke theksuar rëndësinë e dhembshurisë në rrethanat e vështira të fillimit të shekullit XXI, shtoi tre thirrje të reja: “Nëna e Mëshirës”, “Nëna e Shpresës” dhe “Ngushëllimi i migrantëve”.
Shpesh mendojmë se Litanitë recitohen në fund të Rruzares pothuajse sikur Rruzarja të mos ishte e plotë pa to. Në të vërtetë, kjo është një praktikë relativisht e vonshme, e futur nga Papa Leoni XIII në vitin 1883. Ishte një kohë kur qeveritë po përpiqeshin të largonin fenë nga jeta publike dhe nga shkollat. Një vit pas fillimit të pontifikatit të tij, Leoni XIII botoi të parën nga trembëdhjetë enciklikat mbi Rruzaren, duke kërkuar një ripërtëritje të përkushtimit ndaj saj. Ai shpalli që festa e Rruzares së Shenjtë të vazhdonte të kremtohej në kujtim të ndihmës së Marisë në Betejën e Lepantos, në fillim të tetorit, dhe që i gjithë muaji tetor të ishte Muaji i Rruzares. Ai kërkoi gjithashtu që Litanitë Lauretane të recitoheshin në përfundim të Rruzares – praktikë që vazhdon edhe sot./drita.info

Postimi i Mëparshëm
