Libri i shtypur është mjet kulture, takimi dhe ungjillizimi

Me rastin e njëqindvjetorit të Libreria Editrice Vaticana, dtën e enjte, më 7 maj, Ati i Shenjtë Leoni XIV i takoi drejtuesit dhe personelin e kësaj shtëpie botuese të Selisë së Shenjtë dhe, me atë rast, mbajti një fjalim domethënës në Sallën e Konsistorit. Në fjalën e tij, Papa vuri në pah rolin e librit si mjet kulture, takimi dhe ungjillizimi, duke theksuar rëndësinë e leximit në formimin e mendimit kritik dhe të shpirtit njerëzor. Duke kujtuar traditën shekullore të botimeve të Vatikanit në shërbim të Magjisterit të Kishës, ai ftoi që libri të mbetet urë dialogu dhe dëshmi e së Vërtetës. Fjalimi përshkohet nga një ton mirënjohjeje, reflektimi dhe shprese për misionin kulturor e shpirtëror të Kishës në botën bashkëkohore.

 

 

PËRSHËNDETJA E ATIT TË SHENJTË LEONI XIV
DREJTUAR DREJTUESVE DHE PERSONELIT TË LIBRERIA EDITRICE VATICANA

Salla e Konsistorit
E enjte, 7 maj 2026

 

Sot takohemi për një përvjetor që mund ta quajmë “familjar”: me rastin e njëqindvjetorit të shtëpisë sonë botuese, Libreria Editrice Vaticana. Ishte viti 1926 kur ajo u bë autonome nga Shtypshkronja e Vatikanit më e vjetër, e themeluar shumë më herët, në vitin 1587. Në këto njëqind vite jete, Libreria Editrice Vaticana u ka shërbyer nëntë Papëve, duke përhapur Magjisterin e tyre si kontribut për shpalljen e Ungjillit në botë.

Do të doja të ndaja me ju tri reflektime të shkurtra në këtë përvjetor, të cilin e di se do ta kremtoni edhe në disa ngjarje ndërkombëtare kushtuar librit.

Libri është, para së gjithash, një rast për të menduar. Në epokën digjitale, vetë materiali fizik i librit na rikujton rolin e mendimit, të reflektimit dhe të studimit. Të lexosh do të thotë të ushqesh mendjen; ndihmon për të formuar një sens kritik të vetëdijshëm dhe të pjekur, si edhe për t’u mbrojtur nga fundamentalizmat dhe shkurtoret ideologjike. Për këtë arsye i nxis të gjithë të lexojnë libra, si një antidot kundër mbylljes mendore, e cila pasqyrohet në qëndrime të ngurta dhe në vizione të reduktuara të realitetit.

Libri është edhe një rast për takim. Kur kemi në dorë një libër, në mënyrë ideale takojmë autorin e tij. Por njëkohësisht takojmë edhe ata që e kanë lexuar para nesh, ata që po e lexojnë, ose ata që do ta lexojnë më vonë. Gjithnjë e më shumë po krijohen raste ku shkrimtarët dhe lexuesit mblidhen së bashku për të folur dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin. Papa Françesku na ka mësuar të jetojmë kulturën e takimit: libri është një urë drejt të tjerëve, një arsye për dialog që na pasuron, një nxitje për të zgjeruar këndvështrimin tonë.

Së fundi, për ne të krishterët libri është një rast për të shpallur Krishtin. E dimë mirë se si leximi i një biografie të një shenjti apo i një reflektimi shpirtëror të paraqitur mirë mund ta prekë zemrën. Virgjëra Mari shpesh paraqitet, në skenën e Lajmërimit, duke lexuar Shkrimet e Shenjta. Shën Ndou i Padovës mban Librin e Ungjijve të hapur, mbi të cilin qëndron Jezusi Fëmijë. Shën Augustinin shpesh e shohim të ulur para një tavoline shkrimi, përballë një libri të madh, dhe ndonjëherë ai mban në dorë një zemër: e vërteta dhe dashuria. Në shkollën e Marisë dhe të Shenjtërve, le të ushqehemi me Fjalën e Hyjit, që ajo ta formësojë mendësinë dhe veprimin tonë.

Të dashur miq, i bëj të miat fjalët që Shën Pali VI ua drejtoi kolegëve tuaj të atëhershëm, kur në vitin 1976 i takoi me rastin e 50-vjetorit të Libreria Editrice Vaticana: ai i nxiti që «të shikonin përpara, për një përditësim të ideve dhe të programeve për të ardhmen» (Fjalimi në 50-vjetorin e L.E.V., 10 korrik 1976). Ju falënderoj për punën tuaj, të cilën ju uroj ta kryeni gjithmonë me përkushtim dhe pasion. Dhe me gjithë zemër ju bekoj secilin prej jush dhe familjet tuaja. Faleminderit.

Shpëndaje: