1700 Vjet nga Koncili i Nikesë: Aktualiteti Teologjik, Eklezial dhe Ekumenik

Nga Visar Berisha

 

“Jezu Krishti, Biri i Hyjit, Shpëtimtar” – Thellimi sistematik i trashëgimisë nikeane

Dokumenti i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar nuk kufizohet në një ripohim formal të formulës nikeane, por ndërton një hermeneutikë teologjike të saj për kohën tonë. Ai e lexon Nikenë jo si monument doktrinar të ngrimë, por si norma normans/ normë që rregullon për kristologjinë dhe soteriologjinë bashkëkohore.

 

  1. Dimensioni ontologjik: homoousios si garanci e realitetit të zbulesës

Në thelb të dokumentit qëndron riafirmimi i identitetit ontologjik të Birit me Atin. Formula: “genitum, non factum, consubstantialem Patri”/ “i lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm/bashkëthelbësor me Atin.” shpallet jo vetëm si mbrojtje kundër arianizmit historik, por kundër formave të reja të subordinacionizmit teologjik, që shfaqen sot në trajta funksionaliste ose simboliste.

Dokumenti thekson se zbulesa nuk është komunikim i thjeshtë informacioni hyjnor, por vetëdhanie personale e Hyjit në Birin. Nëse Krishti do të ishte një krijesë e lartësume, atëherë zbulesa do të ishte e ndërmjetësume në mënyrë jo përfundimtare. Vetëm sepse Ai është Deus verus, zbulesa ka karakter absolut dhe përfundimtar.

Këtu del në pah lidhja e brendshme midis kristologjisë dhe epistemologjisë teologjike: njohja e Hyjit është e mundur sepse Ai vetë është bërë i njohshëm në një Person që ndan të njëjtën esencë me Atin.

 

  1. Dimensioni soteriologjik: shpëtimi si pjesëmarrje në jetën trinitare

Dokumenti e zhvendos theksin nga një kuptim juridik i shpëtimit drejt një kuptimi ontologjik-participativ. Në vazhdimësi me traditën patriste lindore, shpëtimi kuptohet si divinizatio ose theosis. Këtë më së miri e përimton formula e famshme e Shën Athanasit:

“Ipse enim homo factus est, ut nos deificaret.”/“Ai u bë njeri që ne të bëhemi hyjnorë.”

Kjo nuk nënkupton se njeriu bëhet Hyj sipas esencës (per essentiam), por se merr pjesë në jetën hyjnore per gratiam.

Në këtë kuadër, formula nikeane bëhet themeli i një antropologjie të ngritur: “Qui propter nos homines et propter nostram salutem descendit de caelis.”/ I cili për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.”

Ky “propter nos” nuk është metaforik. Ai tregon hyrjen reale të Hyjit në historinë njerëzore. Dokumenti argumenton se vetëm një Krisht që është realisht Hyj dhe realisht njeri mund të jetë ura ontologjike midis krijesës dhe Krijuesit.

Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për teologjinë e hirit, për sakramentologjinë dhe për kuptimin e Kishës si sacramentum universale salutis/ “Sakramenti universal i shpëtimit”.

 

  1. Dimensioni trinitar dhe pneumatologjik

Dokumenti nuk mbetet në kristologji të izoluar, por e vendos atë brenda ekonomisë trinitare. Pohimi i Nikesë hap rrugën për zhvillimin e plotë të doktrinës trinitare, të artikuluar më tej në Kostandinopojë (381).

Rrjedhimisht, pohimi:

“Et in Spiritum Sanctum, Dominum et vivificantem/”Dhe në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës”

nuk është shtesë dytësore, por përfundim i domosdoshëm i ontologjisë së Birit. Nëse Biri është consubstantialis Patri, atëherë edhe veprimi i Shpirtit në Kishë është pjesëmarrje në të njëjtën jetë hyjnore.

Dokumenti sugjeron se një kristologji e shkëputur nga trinitaria çon në reduktime antropocentrike; ndërsa një kristologji nikeane ruan strukturën teocentrike të fesë.

 

  1. Sfida bashkëkohore: relativizmi dhe pluralizmi

Në kontekstin aktual kulturor, dokumenti përballet me dy rreziqe:

  • relativizimin e unicitetit të Krishtit,
  • fragmentarizimin e së vërtetës në narrativa paralele.

Duke iu referuar traditës dogmatike, ai riafirmon se universaliteti i shpëtimit në Krishtin nuk është pretendim dominimi, por pohim i një të vërtete që ka natyrë universale për shkak të vetë qenies së Birit si Logos krijues.

Kështu, Nikea bëhet kriter kritik për çdo kristologji që rrezikon të reduktojë Krishtin në figurë etike, revolucionare ose simbolike.

 

III. “In Unitate Fidei” – Nikea si paradigmë e unitetit eklezial

Letra apostolike “In Unitate Fidei” e Papa Leoni XIV ofron një lexim eklezial dhe baritor të trashëgimisë nikeane.

 

  1. Nikea si akt kolegjial dhe sinodal

Papa e paraqet Koncilin si shprehje të unitetit episkopal rreth së vërtetës së zbuluar. Nikea nuk ishte triumf i një partie teologjike, por kërkim i përbashkët i së vërtetës nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt.

Në këtë dritë, ajo bëhet model për proceset bashkëkohore të sinodalitetit. Uniteti nuk arrihet përmes kompromisit doktrinar, por përmes dallimit të përbashkët të së vërtetës.

Formula: “Credo in unum Deum” paraqitet si themel i çdo communio kishtare. Pa unitetin e fesë, nuk mund të ketë unitet sakramental.

 

  1. Ecclesiologia e rrënjosur në Credo

Letra thekson lidhjen organike midis Besojmes dhe natyrës së Kishës. Kisha është bashkësi e atyre që rrëfejnë të njëjtën fe trinitare. Pohimi i unitetit hyjnor bëhet themel i unitetit eklezial.

Në këtë kuptim, Nikea është akt themelues i asaj që më vonë do të artikulohet si communio ecclesiarum. Rrënja e unitetit nuk është strukturore, por teologjike.

 

  1. Dimensioni ekumenik

Papa e sheh 1700-vjetorin si kairos për afrimin ndërkishtar. Meqenëse Nikea paraprin ndarjet e mëdha historike, ajo mbetet territor i përbashkët doktrinar për Kishën Katolike dhe Kishat Ortodokse.

Credo-ja nikeane-konstantinopojane përbën bazën mbi të cilën dialogu ekumenik mund të thellohet jo në minimumin e përbashkët, por në thellësinë e përbashkët.

 

  1. Thirrja shpirtërore dhe eskatologjike

Letra e Papës nuk mbetet në nivel institucional. Ajo fton në ripërtëritje të jetës së besimit përmes rikthimit në Credo si akt liturgjik dhe ekzistencial.

“Et expecto resurrectionem mortuorum et vitam venturi saeculi.”/ “Dhe pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosun.”

Ky horizont eskatologjik mbron Kishën nga reduktimi sociologjik dhe e rikthen në misionin e saj thelbësor: dëshminë për jetën e pasosun.

 

  1. Rëndësia e përkthimit në gjuhën shqipe

Përkthimi i këtyre dokumenteve në shqip ka vlerë të veçantë teologjike dhe kulturore.

  1. Stabilizimi terminologjik – Termat si consubstantialis, incarnatio, salvatio, kërkojnë ekuivalencë të saktë konceptuale. Përkthimi kontribuon në konsolidimin e një leksiku dogmatik shqip.
  2. Inkulturimi i fesë – Sipas parimit klasik gratia non tollit naturam, sed perficit eam, hiri nuk e zhduk kulturën, por e përsos atë. Përkthimi është akt inkulturimi, ku e vërteta universale mishërohet në gjuhën dhe ndërgjegjen e një populli.
  3. Pjekuria akademike – Teologjia shqiptare fiton qasje të drejtpërdrejtë në reflektimin magjisterial bashkëkohor, duke e futur diskursin lokal në dialog me teologjinë universale.

 

Përfundim

1700-vjetori i Koncilit të Nikesë nuk është një përvjetor simbolik, por një kairos eklezial.

Formulimi: “Deum verum de Deo vero”/”Hyji i vërtetë prej Hyjit të vërtetë” mbetet kriteri i ortodoksisë dhe themeli i shpresës soteriologjike. Në një epokë relativizmi dhe fragmentarizimi, rikthimi në Nikenë është rikthim në burimin trinitar të unitetit.

Dokumenti i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar e thellon këtë burim në planin sistematik; “In Unitate Fidei” e Papa Leoni XIV e përkthen atë në program jetësor të Kishës.

Në këtë kuptim, Nika nuk është thjesht e kaluar e lavdishme, por e ardhme e domosdoshme e krishterimit./drita.info

 

(Teksti është lexuar si paraqitje e dy librave, dokumenteve, në takimet kulturore “Pena e Dritës” në Bibliotekën “Ernest Koliqi”, në Prishtinë, më 19 shkurt 2026)

Shpëndaje: