
Nga Rezartë Morina
Është e thënë se qenësia e një populli mbetet gjithnjë e lidhur ngushtë me idenë e ruajtjes dhe kultivimit të dy boshteve kryesore: gjuhës dhe kulturës së atij populli, si rrjedhojë veprave letrare. Mbështetur në këtë ide edhe vepra “Sprova e gjuhës” e studiuesit Xhavit Beqiri vjen si refleksion mbi binomin gjuhë e letërsi për popullin shqiptar.
“Sprova e gjuhës” me një sintagmë emërore që qysh në titull bën të qartë përpjekjet e autorit për gjuhën tonë artikulohet në formën e një mozaiku, ku njëzet tekste, organizuar brenda katër kapitujve, shpalosin pikëpamje, mëdyshje dhe nxjerrin përfundime kritike, përherë të argumentuara, mbi elemente, variacione e momentume historike të gjuhës në njërën anë dhe entitete të letërsisë shqipe. Gjuha standarde e dialektet, pozicioni i gjuhëve të vogla përballë atyre më të mëdha, influenca e fjalëve të huaja – barbarizmat në gjuhën shqipe, figurat emanente të letërsisë sonë dhe veprat e tyre që nga Fishta, Mjedja e gjer në autorët e Qarkut të Prishtinës bëhen strumbullari tematik rreth të cilëve ngjizen mendimet kritike të studiuesit Beqiri. Me një qasje të dyfishtë të autorit, prej studiuesi plotësisht objektiv e neutral kur rrah çështjet gjuhësore dhe një dashuruesi të letërsisë kur rreket të ndërtojë përpara lexuesit profilet krijuese të emrave të njohur të letërsisë shqipe, ky libër studimor do të shpalosë momente të rëndësishme të zhvillimit gjuhësor dhe atij letrar, por për më tepër, do të derivojë një diversitet prizmash dhe metodash letrare me të cilat studiuesi do të zgjedhë t’i trajtojë çështjet e veta.
Libri hapet me çështjen e diferencimit mes të folmeve shkodrane, rrafsh lokal ky që do të zgjerohet në rrafshin e dialekteve dhe gradualisht në raportin e tyre me gjuhën standarde. Duke e vrojtuar prej prizmit historik e religjioz (pushtimin Osman dhe ndarjen katolikë-myslimanë), studiuesi Beqiri nxjerr në pah dallimet gjuhësore shprehur me të folme e që influencohen prej dallimeve religjioze në territorin e Shkodrës. Niveli lokal prej të folmes kalon në një rrafsh më të gjerë me çështjen e trajtimit të gjuhës standarde dhe raportit me dy dialektet. Duke përcjellë zhvillimin historik të gjuhës standarde me ngjarjet historike që nga Kongresi i Manastirit, Komisia Letrare e Shkodrës dhe gjer në Kongresin e Drejtshkrimit të Tiranës, studimi ravijëzon procesin e qendërzimit të dialektit toskë si bazë e gjuhës standarde, duke ia pranëvënë njëkohësisht edhe censurimin e dialektit gegë, sidomos në kohën e sistemit socrealist. Në kontekstin historik të periudhës së realizmit, duke marrë për bazë sidomos studiuesin Arshi Pipa dhe qëndrimet e tij, studimi nxjerr imazhin e gjuhës standarde dhe procesit ideologjizues të saj nën sistemin komunist. Duke konfrontuar trajtimin superior të toskës dhe inferior të dialektit gegë, studiuesi Beqiri pasqyron gradualisht prapavijën ideologjike në krijimin e gjuhës standarde, teksa edhe vetë në njërin prej teksteve pohon se “historia e standardizimit të gjuhës shqipe e nënkupton një hije ideologjike të ligjërimit në prapavijë të këtyre proceseve”. Ndaj, jo rrallë hetohet edhe një anim, qëndrim jo aq dashës i autorit karshi standardizimit të gjuhës shqipe, teksa reflekton një indinjatë deri-diku të shprehur për prapavijën politike dhe lidhjen e ngushtë të këtij procesi me udhëheqësin komunist, Enver Hoxhën. Indinjatë eksplicite Beqiri do të shprehë edhe në një tjetër problem gjuhësor – raportin e gjuhës shqipe me gjuhët e mëdha dhe si rrjedhojë, çështjen e barbarizmave në gjuhën shqipe. Duke e parë me shqetësim vërshimin e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, çka e jep edhe të argumentuar nëpërmjet krahasimit të disa artikujve në dy nga gazetat e Kosovës, Beqiri insiston për promovimin e gjuhës shqipe, që e sheh të lidhur jo me qasjen ekstreme puriste, mirëpo me vjeljen e fjalëve të vjetra, pasurisë leksikore që mund të gjendet në gjirin e letërsisë popullore dhe krijimtarinë e emrave të njohur si Fishta, Mjedja, Koliqi.
Këta tre emra të autorëve do të bëhen pjesë e hulumtimit me skajin tjetër të binomit të këtij libri – letërsinë. Beqiri rreket të ofrojë një imazh poliedrik për secilin prej këtyre autorëve teksa numëron kontributin e tyre në një mori rrafshesh përveç atij letrar. Duke piketuar prej Fishtës kontributin si drejtor i Shkollës Françeskane dhe ndikimin në futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi, për të vazhduar me rrafshin krijues të Mjedjes e Koliqit, Beqiri nuk heziton të ngre lavde për këta emra, duke i ngritur në piedestal dhe në shkallën sipërore të aftësisë krijuese dhe lidhjen me traditën.
Në studim nuk lihen anash as autorët e modernitetit, madje portrete krijuese si Anton Pashku paraqiten me një qasje glorifikuese për teknikat e krijimit. Në studimin e tij, studiuesi Beqiri piketon mënyrën e krijimit të romanit “Oh”, me ç’rast ravijëzon në rrafshin stilistik për të gjurmuar ndërtimin fonetik, morfologjik dhe sintaksor e që gërshetimi i tyre në roman derivon thellësinë e romanit, semantikën komplekse që e dallon prej veprave dhe autorëve të tjerë, sidomos socrealizmit. Martin Camaj është autori tjetër që veçohet brenda këtij studimi për lidhjen e ngushtë me traditën, ndërkohë që në krijimin e imazhit të tij studiuesi Beqiri koleksionon pikëpamjet teorike të studiuesve shqiptarë, Sabri Hamitit, Kujtim Rrahmanit, Kujtim Shalës e Anton Nikë Berishës për të artikuluar unin krijues të Camajt në letrat shqipe.
Në poliedrizmin e qasjeve dhe metodave të studimit, studiuesi Beqiri një kapitull të veçantë ia kushton trajtimit të formës dhe strukturës së një teksti letrar, me ç’rast tekstet që zgjedh (“Kuvendime”, “Vulë uji”, “Vjersha malli”, “Deti i Zi”), studiohen detajisht duke zhveshur qoftë simbolikat, shtresimet mbi të cilat ndërtohen tekstet apo me raste personazhet dhe situatat mbi të cilat ndërtohen ato.
Përgjithësisht, këtë mozaik studimesh e karakterizon një diversitet jo vetëm në prizmin e trajtimit të temave, mirëpo edhe në aspektin stilistik të autorit. Një diskurs më shkencor, i përcjellë me argumente, interferime emrash e studiuesish si referenca dhe një qasje objektive e përcjell pjesën në të cilën derivojnë pikëpamjet mbi gjuhën. Ndërkaq, kalimi në temat me karakter letrar imponon një diskurs dhe stil pak më fin, ku emocionet shpalosen dhe toni del më lirik dhe me qasje më eseistike – sikundër ndodh në tekstin për Ibrahim Rugovën, ku Beqiri do t’i kthehet raportit mes krijuesit dhe kritikut.
Ndonëse në një pjesë të teksteve Beqiri mëton të mbetet objektiv, entitetet letrare do ta detyrojnë që të anojë që nëpërmjet vlerësimit të glorifikojë emra e vepra letrare si përfaqësuese të denja të letërsisë shqipe. Dhe me këtë qasje kolorite, me një varietet metodash të hulumtimit (pozitiviste, sociologjike, strukturale e deri në komparatistikë), me argumente që mbështesin pohimet mbi temat e trajtuara, studiuesi Xhavit Beqiri sjell një libër studimor që i shërben jo vetëm gjuhës – si bartës i informacioneve teorike dhe që kronologjikisht përcjell ngjarje të rëndësishme gjuhësore (si çështja e standardit), por njëkohësisht edhe letërsisë me valorizimin e emrave dhe veprave që vazhdojnë ta dëshmojnë dhe ta ruajnë universalitetin e vet./drita.info
(Teksti është lexuar si paraqitje e librit, në takimet kulturore “Pena e Dritës” në Bibliotekën “Ernest Koliqi”, në Prishtinë, më 19 shkurt 2026)

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër
