Shenjtëria flet bukur edhe shqip

Nga Dom Fatmir KOLIQI

 

Në vargun e shumë librave për Shën Nënë Terezën, jetën dhe veprën e saj të dashurisë ndaj më të varfërve të botës, i shtohet edhe ky me dëshmitë e përjetimeve të atyre që e kanë përcjell për së afërmi dhe kanë shijuar pjesëmarrjen e Shenjtës në jetët e tyre.

Pikërisht ky aspekt, librin e bën jo vetëm vepër dokumentare apo biografike, por një grishje për të marr guximin për të nisur një shtegtim të përbrendshëm të përvujtërisë, të përkushtimit ndaj tjerëve dhe kauzave ekzistenciale, i cili na dërgon në jetësimin e dashurisë dhe arritjen e shenjtërisë, që është shkaku dhe qëllimi i njeriut.

Puna e vyer e autorëve nuk është vetëm një përmbledhje intervistash apo një rrëfim biografik i figurave që qëndruan pranë Nënë Terezës gjatë jetës së saj misionare. Është edhe një dëshmi e gjallë për një person të jashtëzakonshëm të kohës sonë, në të cilën hiri mbrumi jetën e saj duke krijuar një zemër të përflakët me dashuri për të tjerët.

Përmes rrëfimeve të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe kujtimeve të ndritshme të motrës Gabriela, autorët nxjerrin në pah personin konkret ku qielli dhe toka prekeshin: aty ku shërbimi për të varfrit bëhet lutje, dhe lutja bëhet dritë që nuk shuhet, në errësirën e mjerimit dhe indiferencës.

Edhe vetë titulli i librit “Nga misioni në shenjtëri” bartë një grishje të shpirtit dhe tregon një shtegtim të tillë; jo vetëm një kalim kronologjik, por një rritje mistike, një udhëtim që fillon në Shkupin e krishterimit abëror, vazhdon në rrugët e mjerimit të Kalkutës dhe përfundon në dritën e amshume. Ky udhëtim është ndarë me miq e bashkëudhëtar, me motra në shpirt dhe mish, që ndan jo vetëm dhimbjen dhe varfërinë, por edhe sakrificën e heshtur – e kjo bëhet një shtegtim Kairos-i (çaste të gjalla shpëtimi) për tjerët.

Gonxhe Bojaxhiu – Shën Nënë Tereza, dhe Nasta Mihilli – motër Gabriela, janë dy zemra shqiptare që e dhuruan krejtësisht jetët e tyre për dashurinë e Krishtit. Dhe ashtu si Krishti, që u lartësua me jetën e dhuruar, ato e gjetën lavdinë jo në pallate e tribuna, por në rrobat e thjeshta, në aromën e vuajtjes, dhe në lotët e fëmijëve të braktisur. Faqet e këtij libri janë të përshkuara me përulësi, përkushtim dhe të mbushura me dritë. Lexuesi nuk ecën nëpër fjalë, por nëpër kujtime të jetës, nëpër ato shenja që shenjtëria ka lënë në botën e përkohshme.

Rrëfimi i Don Lush Gjergjit është një dritare që hapet drejt thellësive të shpirtit të Nënë Terezës. Ai flet jo si një studiues i largët, por si një bir shpirtëror që ka ecur përkrah saj, ka dëgjuar fjalët dhe heshtjen e saj, ka ndjerë peshën e shërbimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së saj. Në intervistën me motrën Ivana, lexuesi zbulon një dimension tjetër të Nënë Terezës, atë të përkushtimit ndaj rrënjëve të saj, ndaj Shqipërisë, ndaj njerëzve të saj, edhe atëherë kur e kishte lartësuar bota në ikonë të bamirësisë dhe shërbimit ndaj të mënjanuarve.

Motra Gabriela, përmes kujtimeve të mbesës së saj, Stifela Gabriel, rishfaqet si një shoqe e përjetshme e Nënë Terezës. Ajo nuk kërkoi asgjë për vete, por dha gjithçka për të tjerët. Dhe kjo nuk është vetëm një dëshmi historike; është një thirrje që del nga vendshërbimi i saj në Kalkutë, për të mos harruar kurrë se dashuria që sakrifikon nuk vdes kurrë.

Ky libër na vjen si një dëshmi e drejtpërdrejt për Shenjtëreshën tonë, për pasurinë e madhe që Zoti i ka dhuruar popullit tonë me jetën e saj. Prandaj, si i këtillë libri prek ndërgjegjen tonë, që të mos harrojmë Nënën, por ta bartim në qeniet tona atë kujtesë të gjallë se shenjtëria nuk është e largët, as abstrakte, por ajo është afër nesh, në çdo akt dashurie të heshtur, në çdo gjest dhurimi falas dhe në çdo sakrificë të paemërt.

“Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – Nga misioni në shenjtëri” mund të shpërbej si një ftesë për çdo zemër, që nuk kënaqet vetëm në magjinë e mbyllur të botës, por e dëshiron atë të lartën, shenjtërinë, jo si legjendë, por si mënyrë jetese.

Ky libër, që po botohet në tri gjuhë – shqip, maqedonisht dhe anglisht – është një dhuratë për të gjithë ata që besojnë se drita e Zotit mund të shndërrohet në duar që shërbejnë, në buzë që falin, në sy që shohin më të braktisurit si më të dashurit e Hyjit. Për ne, shqiptarët, është edhe më shumë: është një dëshmi e papërmbytshme se shenjtëria di të flas bukur edhe shqip. (parathënie e librit)

Shpëndaje: