
Nga Don Lush GJERGJI
Në 50 – vjetorin e lindjes, Don Shtjefën Dodes, përpos fjalimeve, dhuratave, urimeve të përzgjedhura, na dhuroi një “sofër” të vlerave dhe virtyteve njerëzore dhe të krishtera, me veprën e tij “Urtësi Jete. Copëza përshpirtërie të jetës së përdishtme, Drita, Prishtinë 2025.
Qysh në parathënie ai shkruan kështu: “Secili nga ne ecën nëpër botë duke mbajtur me vete një libër të padukshëm: jetëshkrimin e vet.” (Shtjefën Dodes, vep. e cit. f. 7)
Shkrimi dhe botimi i Don Shtjefnit ka së pari karakter biblik, pastaj filozofik dhe teologjik, pedagogjik dhe së fundi edhe katekistik, pa dyshim kulturor dhe shpirtëror, duke përfshirë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen (Lexo: Po aty, f. 10 – 17).
Urtësia e jetës Don Shtjefni e definon kështu: “Ruaje jetëshkrimin tënd si një vend të shenjtë! … Mos ki frikë ta shikosh me sy të hapur, por as mos e shiko kurrë pa Zotin.” (Po aty, f, 17)
Struktura e librit Urtësia e jetës ka 5 kapituj, sipas numrit të 50 vjetorit të lindjes së tij.
Kreu i parë përshkruan rrënjët, thirrje e tij meshtarake, identitetin dhe shërbimin priftëror gjatë faqeve 18 – 49.
Kreu i dytë trajton njeriun e brendshëm, shpirtin, paqen, si dhe lufta e brendshme mes trupit, psikes dhe shpirtit (f. 52 – 81).
Kreu i tretë ndërmarrja shpirtërore – fjala, mëshira, mirësia (f. 83 – 111).
Kreu i katër trajton marrëdhëniet familja, shoqëria (f. 115 – 147).
Kreu i pestë, i fundit, udhëtimi i fesë – ecja me Krishtin, shpresa dhe dashura (f. 151 – 185).
Autori Don Shtjefën Dodes bënë një rrëfim dhe përshkrim të brendshëm të jetës së tij, që është e ngjashme edhe me jetën tonë. Ai gjithnjë thekson jetën e fesë – jetës me Zotin, të afërmin dhe me vetveten, si elemente bazë të jetës së krishterë.
Ja një përshkrim më i thellë, mjaft tipik dhe karakteristik; “Për nga natyra ime, jam më shumë i prirë për aktivitet dhe efikasitet sesa për qetësi dhe heshtje. Po udhëtimi im, pjekuria ime shpirtërore më ka mësuar vlerën e pranisë së heshtjes me Zotin… Në këtë rrugëtim zbulova dallimin e madh mes pritjes së kotë dhe pritjes së dobishme.” (f. 92)
Dhe përfundimi tejet domethënës: “Le ta përjetojmë pritjen në kuptimin e ardhjes në mënyrë të dobishme.” ( f. 99)
Mbi dashurinë ai ndër të tjera shkruan kështu: “Dashuria nuk është një vepër e pandërprerë, një lumturi që zgjat pa ndërprerje. Ajo mbart me vete një të vërtetë të thellë dhe shpesh të dhimbshme: nuk ka dashuri pa dhimbje,” (f. 103).
Dashurinë e krishterë ai e sheh kështu: “Ajo nuk është një ndjesi kalimtare, por një thirrje për të dhuruar veten, një akt vullneti dhe besimi,” (F. 104)
Rreth jetës së vërtetë mes dashurisë dhe vuajtjes, ai pohon: “Vuajtja që pranohet me dashuri bëhet shëlbuese. Vuajtja pa dashuri është barrë. Vuajtja me dashuri është flijim, Vuajtja e bashkuar me Krishtin bëhet shëlbim. “ (f. 145)
Ky kuptim dhe kjo dritë hyjnore e fesë nuk vjen prej nesh, as prej të tjerëve, por është fryt i fesë dhe dashurisë flijuese dhe dhuruese, që së bashku i japin shije dhe kuptim jetës sonë edhe atëherë nuk çdo gjë duket e kotë dhe e zbrazët.
Mos të harrojmë që Jezsui thotë: “Unë jam rruga e vërteta dhe jeta” (Gjn 14, 6).
“Ky mesazh na kujton në çdo udhëtim të ri, në çdo hap të pasigurt, Ai është me ne,” (f. 111 -112)
Jetën si marrëdhënie në kuptimin e krishterë, Don Shtjefni e trajton dhe shpjegon si fuqi tërheqëse: “Marrëdhëniet e shëndetshme na edukojnë, na pasurojnë, na sfidojnë, por edhe na formojnë. Ato janë shtrati ku pastrohet karakteri dhe, ku zemra ngrohet…
Një fëmijë rritet sepse dikush e do. Një i ri gjen drejtimin sepse dikush e dëgjon. Një familje ecën përpara sepse dikush fal. Një bashkësi mbijeton sepse dikush shërben. Dashuria është ajri që i mban gjallë të gjitha këto.
Njeriu që dhuron dashuri, kthehet u bekuar, jo gjithmonë me duartrokitje, por me një gëzim të brendshëm q[ s’mund askush ta dh uroj, askush tjetër , sepse dashuria e dhënë nuk humbet ajo është si fara që edhe kur e harron bë tokë, shpërthen në jetë dhe në kohën e vet.” ( f. 116)
Libri i Don Shtjefën Dodes duhet lexuar, meditua, mundësisht në jetë edhe zbatuar dhe dëshmuar me jetën tonë të krishterë./drita.info
(Teksti është lexuar si paraqitje e librit, në takimet kulturore “Pena e Dritës” në Bibliotekën “Ernest Koliqi”, në Prishtinë, më 19 shkurt 2026)

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

