Kreshma si art i dhurimit dhe i heqjes dorë

Nga Dom Fatmir Koliqi

 

Kreshma ka një rol të rëndësishëm në jetën e besimit/arit të krishterë, sepse është një kohë përgatitore për festën e madhe të Pashkës së Krishtit. Kjo kohë katërdhjetëditore besimtarin e vë përballë zgjedhjeve jetësore; si duhet ta përshkojë këtë kohë që të bëhet periudhë e frytshme, kohë vendimi dhe zgjedhjeje, si për jetën personale ashtu edhe për atë bashkësiore. Me pak fjalë, që kjo të ketë një efekt shpirtëror të brendshëm, të thellë e me pasoja fisnikërie.

E para, që duhet të kemi parash është se kreshmën nuk duhet ta reduktojmë thjesht vetëm në një periudhë të kalendarit liturgjik – si një traditë që duhet të kalohet prej një kohe në një tjetër – por duhet marrë, para së gjithash, si një udhëtim kthimi. Është koha kur Kisha, si nënë, fton ta rishikojmë zemrën, ta pastrojmë shikimin dhe ta riorientojmë jetën drejt Hyjit. Siç thotë edhe Shkrimi: “Kthehuni me gjithë zemër kah unë” (Jl 2,12).

Në këtë udhëtim, dinamika është e dyfishtë: të dhurojmë dhe të heqim dorë. Sepse kthimi nuk është vetëm largim nga e keqja, por edhe zgjedhje dhe bërje e së mirës, përmes akteve e gjesteve konkrete.

Para disa kohëve, duke ngreh pyetjen çfarë duhet të dhuroj dhe çfarë duhet të heq dorë gjatë kohës së Kreshmëve, pata renditur krejt spontanisht në këtë dinamikë, disa prej dhurimeve që e përforcojnë jetën shpirtërore të njeriut besimtar (falënderimi, komplimenti, falja, shpresa, vlera, lutja, respekti, ndihma, koha), dhe prej atyre gjërave që duhet të heqim dorë (ankimet, gjykimet e ashpra, hakmarrja, negativizmi, mëkati, paragjykimi, egoizmi, sharjet, thashethemet), si vëmendje e vetëdijshme për gjërat që na pengojnë në rritjen e besimit dhe të qenies sonë krishterore. Pas kësaj, përfundimi vinte natyrshëm si grishje për të shmangur gjëra që na largojnë prej Zotit, e duke ja kushtuar kohën tonë gjërave që e rrisin fisnikërinë shpirtërore! Prandaj, këtu po i rimarrë me një reflektim të shkurtër nxitës, pa i ngarkuar me detaje, që secili pastaj i lirë, duke reflektuar e medituar mbi vetën e tij, do të arrijë të shtojë e të pasurojë këtë udhëtim kthimi nëpërmjet dhurimit dhe heqjes dorë.

 

DHURIMI: të ban me e hap zemrën

Të dhurosh gjatë Kreshmëve nuk do të thotë vetëm të japësh diçka materiale, por e ka kuptimin që të dhurosh diçka nga vetvetja, si kontribut i pasurisë tënde shpirtërore. Prandaj, dhuro:

Falënderim Në një kulturë ankese dhe kërkese, falënderimi është akt kundër-rrymës. Ai na mëson të shohim dhuratën e jetës dhe ta njohim dorën e Hyjit në të përditshmen, së pari për vetën tonë e pastaj edhe për tjerët me të cilët e ndajmë jetën e përditshme.

Komplimente Një fjalë e mirë ngroh zemrën e tjetrit. Shpesh jemi të shpejtë për të kritikuar dhe të ngadalshëm për të vlerësuar. Komplimenti dhe vlerësimi ndihmojnë të shohin anën e mirë të vetja dhe tjetri.

FaljeFalja është akt thellësisht kreshmor. Krishti në Kryq tha: “Fali, o Atë” (Lk 23,34). Të falësh është të lirohesh nga barra e urrejtjes dhe t’i dhashë vetës shansin e jetës së hirit. Falja (ri)krijon marrëdhënie të reja e horizonte shprese.

ShpresëTë dhurosh shpresë do të thotë të dash prani që nuk e përhap errësirën, por dritën. Kreshma përfundon në Pashkë: çdo sakrificë hapet drejt ringjalljes.

Vlerë dhe respekt Çdo njeri mban në vete shëmbëlltyrën e Hyjit. Ta trajtosh me dinjitet njeriun, është akt adhurimi ndaj Krijuesit. Në këtë realacion ne vihemi në fushën e krijimit!

Lutje – Lutja është dhuratë e madhe që mund t’i bëjmë vetes dhe të tjerëve. Ajo na lidh me burimin e jetës. Ajo bëhet një frymëmarrje hyjnore që krijon qetësinë ndërvëllazërore.

Ndihmë dhe kohëKoha është pasuria më e çmuar. Kështu konsiderohej prej lashtësisë. Të dhurosh kohë është të dhurosh një pjesë nga jeta jote, që e ndihmon tjetrin për atë që ai në ato momente ka nevojë.

 

HEQ DORË: të ban me pastrue zemrën

Kreshma është edhe kohë e heqjes dorë prej atyre gjërave që na errësojnë shpirtin dhe bëhen pengesa për të pasur një zhvillim të shëndosh njerëzor dhe krishteror. Prandaj, heq dorë nga:

Ankimet Ankesa e vazhdueshme e mbyll zemrën në pakënaqësi. Mirënjohja e hap atë.

Gjykimet e ashpra – “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni” (Mt 7,1). Të heqësh dorë nga ashpërsia është të pranosh kufirin e dijes sate.

Hakmarrja Është zinxhir që të lidh me plagë. Falja e këput atë dhe bëhet një fashë e shërimit.

Negativizmi Shpirti i errët sheh gjithçka me dyshim. Duke e lejuar të mbushemi me shpirt pozitiv dhe sy të pastruar, arrijmë të largojmë këtë barrë shpirtërore.

Mëkati Është largim nga Hyji. Pendesa është kthim në shtëpi.

Paragjykimi Mbyll derën e dialogut, sepse nuk lejon të hyjmë në jetën e tjetrit. Dashuria e hap atë dhe na mundëson takimin e çiltër.

EgoizmiEgoizmi e vendos “unin” në fron. Kreshma e zhvendos qendrën tek Hyji dhe tek tjetri. Duke ikur nga egoizmi, ne dalim në hapësirë të hapur dhe në takim me tjetrin, pa pasur frikë se do të na merret diçka na vetja jonë.

Sharjet dhe thashethemet Fjalët mund të plagosin më thellë se veprat. Heshtja e matur shpesh është akt dashurie. Goja e matur vjen nga zemra e edukuar!

Kreshma është kohë vetëdijesimi dhe zgjedhjeje: Çka e ushqen mendjen? Çka e mbush zemrën? Çfarë më afron ose më largon nga Hyji?

Kreshma është si njëlloj shkretëtire; hiqen gjërat e tepërta dhe mbajmë thelbësoren. Aty zbulojmë se zemra jonë është krijuar për Hyjin.

Nëse dhurojmë më shumë dashuri dhe heqim dorë nga ajo që na errëson, do të arrijmë në Pashkë me zemër më të bardhë. Sepse ndryshimi i vërtetë krishteror nuk është thjesht disiplinë e jashtme, por është shndërrim i brendshëm. Dhe çdo hap i vogël i bërë me sinqeritet gjatë Kreshmëve është një hap i madh drejt dritës së Ringjalljes./drita.info

Shpëndaje: