
Nga Don Fatmir Koliqi
Të kujtosh ngjarje të mëdha historike të identitetit kombëtar, siç është ngjarja e 2 marsit 1444, nuk do të thotë të jetosh i përhumbur në njëfarë nostalgjie, por ta bësh atë kujtesë me përgjegjësi mbi të cilin ndërton besë-lidhje, duke ju shmangur tundimit që ajo të shndërrohet në një strehë për t’u fshehur nga e tashmja.
Një popull pa kujtesë humbë drejtim. Por, një popull që e kujton në mënyrë të vetëdijshme të kaluarën e tij identitare, e përdor atë si busull për të përballuar sfidat e kohës. Sot, si dikur, sfidat thuajse janë po ato, përveçse kanë ndryshuar modalitetet, duke mos përjashtuar këtu edhe ideologjitë bashkëkohore që relativizojnë përkatësinë identitare, fragmentojnë kulturën, shkëpusin marrëdhëniet ndërvëllazërore dhe harrojnë rrënjët nga të cilët ka lëshuar shtat trupi kombëtar.
Më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë – aty ku sot prehet kujtesa e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut – u mblodhën princat arbërorë për një akt që do të hynte në histori si Besëlidhja e Lezhës. Ky kuvend, i njohur si Kuvendi i Lezhës, përtej një aleance ushtarake kundër Perandorisë Osmane është një vetëdijeje e lartë kombëtare, një afirmim i identitetit dhe një akt besimi në forcën e bashkimit rreth një ideali e një vizioni.
Në kohën kur principatat arbërore vepronin të ndara, Skënderbeu arriti të mblidhte në një kuvend të përbashkët. Ky bashkim përbënte një akt novator në historinë mesjetare shqiptare: besëlidhjen, unitetin si strategji mbrojtje dhe si vizion politik. Kuvendi e shpalli Skënderbeun prijës, duke ia njohur autoritetin e tij moral, politik dhe ushtarak. Nga ky moment fillon një epokë rezistence 25-vjeçare që do të shënojë jo vetëm historinë shqiptare, por edhe ekuilibrat e Evropës juglindore dhe siguri për Kontinentin.
Fjala “besëlidhje” ka një peshë më të madhe që tejkalon aleancat e thjeshta politike. Besë-lidhja buron nga kodi i nderit, nga fjala e dhënë, nga një ethos kulturor ku besa është themel relacional, sikur për marrëdhënie ndërpersonale ashtu edhe për ato shoqërore. Në këtë kuptim, Kuvendi i Lezhës ishte dhe do të mbetet, në thelb, një akt i ndërgjegjësimit të lartë se, identiteti nuk mbrohet vetëm me shpatë, por me besë, me unitet dhe me vetëdije për trashëgiminë. Prandaj, Kuvendi i Lezhës bëhet një paradigmë bashkimi dhe qëndrese për të ardhmen; kur arbërit bashkohen rreth vlerave themelore, ata bëhen të pathyeshëm përballë çdo armiku.
Çfarë do të thotë sot të jemi bij e bija të atyre që u mblodhën në Lezhë?
Kuvendi i Lezhës mëson se identiteti ruhet e ndërtohet me besë e bashkëpunim, për t’u bërë mburojë në ruajtjen e vendit, gjuhës dhe kulturës si pasuri të shenjta; përbashkim për t’i tejkaluar dallimet që mos të bëhen shkak përçarjeje dhe kështu edhe dobësim për thyerje; ndërtimin e institucioneve të forta mbi vlerat e drejtësisë dhe dinjitetit, dhe për t’i përballuar ideologjitë e kohës me mendje të kthjellët dhe identitet të qartë.
Skënderbeu nuk i zhduku dallimet mes princave, por mbi dallimet e tyre ai i bashkoi rreth një qëllimi më të madh – të përbashkët. Edhe sot, nuk kemi nevojë të jemi identikë për t’u bashkuar; mjafton të ndajmë të njëjtin përkushtim për ruajtjen e identitetit dhe të trashëgimisë së etërve.
Kështu, Kuvendi bëhet edhe model për ta ndërtuar të ardhmen mbi trashëgiminë e etërve. Sepse trashëgimia nuk është një muze, ku shkojmë e vizitojmë dhe vetëm e kundrojmë, por është një farë kujtese e çmuar, që duhet të (ri)mbillet në tokën e sotme me përgjegjësi, për të dhënë gjithnjë fryte të reja në kohë.
Lezha na e kujton edhe një gjë të rëndësishme se për ta mbajtur të qëndrueshëm kombin, shtetin dhe identitetin, kemi nevojë për tri shtylla: kujtesën, besëlidhjen dhe vizionin e guximshëm. Kujtesa për të mos harruar rrënjët – nuk ka komb e identitet pa rrënjë. Besëlidhje për të kapërcyer ndarjet – unitet për fuqi. Vizioni i guximshëm për t’u përballur me çdo sfidë, qofshin ato ushtarake, kulturore apo ideologjike – vetëdije e plotë për atë që duhet mbrojtur e për atë që duhet ndërtuar.
Prandaj, sot në kujtim të ndërrueshëm, Kuvendi i Lezhës bëhet edhe një thirrje për përgjegjësi dhe vetëdije për të mos harruar, për t’u bashkuar dhe për të ndërtuar të sotmen mbi pasurinë e trashëgimisë sonë, duke na bërë me dije se një popull që di të bëjë besëlidhje me historinë e vet, ai di të ndërtojë me dinjitet edhe të ardhmen e tij.

Postimi i Mëparshëm
