
“Paqja me ju…” (Gjn 20,21)
Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,
Vëllezërve në fe e gjak, dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë!
Të dashur vëllezër dhe motra,
Ndryshe nga festa e Krishtlindjes, ku krijohet një atmosferë festive, gëzimi dhe hareje familjare, Pashkët përmbledhin në vetvete një seriozitet më të thellë dhe një përjetim më madhështor. Kjo sepse gëzimi i kësaj feste kalon përmes dramës së Kryqit, përmes vuajtjes dhe heshtjes së Varrit. E kur festimi kalon përmes sakrificës, gëzimi bëhet më i pjekur, më domethënës dhe më kuptimplotë. Këndej, Pashkët nuk na ofrojnë thjesht një hare për dhuratën që na jepet, por një ndjesi të thellë çlirimi, paqeje dhe triumfi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. Pasi, lumturia që buron prej kësaj, na mundëson të depërtojmë më thellë në misterin e Krishtit të Ringjallur.
Kisha, nga ana e saj, duke na shoqëruar në përvojën pendestare të Kreshmës dhe duke celebruar, gjatë Treditëshit të Shenjtë, misterin e Darkës së Fundit, mundimet e Kalvarit dhe vdekjen në Kryq, na përgatit të zbulojmë misterin e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit dhe ta gëzojmë fitoren e Tij. Sepse në Ngjalljen e Krishtit, të gjithë ne kemi fituar jetën.
Me këtë gëzim, Kisha mban gjallë shpresën e bijve të saj dhe e nxit botën të guxojë të shpresojë, edhe atëherë kur zymtësia e padrejtësive dhe e urrejtjes krijon hijet e veta në mendjet njerëzore; kur lakmia i ngurtëson zemrat dhe kur kërcëllima e armëve dhe zhurma e tyre na pengojnë të shohim plotësisht plagët që shkakton urrejtja dhe pasojat që sjellin luftërat. Pavarësisht gjithë kësaj, Kisha beson se mbetet i përmbushur premtimi i dhënë: se në Të, të gjithë do të kemi jetën (khs. Rom 5,18).
Në Kryqin e Krishtit gërshetohet e gjithë drama e njerëzimit: vuajtja, padrejtësia, braktisja, urrejtja njerëzore dhe errësira e vdekjes. Dhe pikërisht aty, ku gjithçka duket e humbur, shpërthen drita e shpëtimit dhe shfaqet jeta, që shenjtëron të vdekshmit mbi tokë, që në Krishtin e Ringjallur shpresojnë jetën e pasosur. Kështu që, Kryqi nuk është fundi, por çelësi që hap portat e jetës së re, kurse Ringjallja, nuk nënkupton kthim në jetën e mëparshme, por shndërrim i vetë realitetit të jetës dhe të vdekjes, duke i dhënë njeriut një horizont të ri dhe një shpresë që nuk zhgënjen.
Prandaj ne, që kemi besuar, gëzojmë dhe njëkohësisht lartësojmë zërin në duke kënduar “Hosana” dhe “Aleluja”, sepse në ne ndërthuret mjerimi ynë, lavdia e Hyjit dhe bukuria e jetës së re. Këndej, kur këndojmë, ne shpallim dhe njëkohësisht dëshmojmë se Jezusi, i lindur dhe i kryqëzuar, është gjallë, dhe se Ai është Shpëtimtari i të gjithëve. Atë, Hyji e ka ringjallur prej së vdekurish, dashuria e Tij ka triumfuar mbi urrejtjen njerëzore dhe se iu është rikthyer lavdisë së Tij.
Kështu që, e keqja nuk do të ketë fjalën e fundit mbi të mirën dhe paqja e Tij do të mbretërojë përgjithmonë. Na mbetet vetëm ta shpallim Ngjalljen e Tij, të jetojmë me shpresë dhe, në përditshmërinë e jetës sonë, t’i bindemi të Ringjallurit, pasi urrejtja dhe lakmia, hakmarrja dhe e keqja janë kryqëzuar së bashku me Krishtin; ndërsa paqja, dashuria, gëzimi, shpresa dhe vetë jeta na dhurohen në të Ringjallurin (khs. Rom 6,4-6).
Po ashtu, jemi të thirrur t’i ftojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë – në zemrat e të cilëve vepron ky hir shprese, edhe pse në mënyrë të fshehtë e të heshtur – që të bashkohen me ne në këtë gëzim dhe përpjekje që, ndërsa shpresojmë në amshim, ta jetojmë mbi tokë në paqe e pajtim dhe ta ruajmë bashkëjetesën ndërfetare dhe dashurinë ndërvëllazërore mes nesh, pa u dorëzuar para zymtësisë përçarëse që vjen nga jashtë apo marrëzisë që buron nga brenda nesh. Pasi kohën që Hyji na ka dhuruar për të jetuar mbi tokë, nuk duhet ta humbim duke luftuar njëri-tjetrin, por ta shfrytëzojmë për ta ruajtur paqen mes nesh, në vendin tonë dhe në zemrën e secilit.
Ia besoj Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur secilin prej jush dhe i lutem Atij për nevojat tuaja, që në zemrën e secilit prej nesh të mbretërojë dashuria, në familjet tona harmonia dhe në vendin tonë paqja. Në mënyrë të veçantë, ia paraqesim Atij të gjithë ata që janë në skajet e shoqërisë: të varfrit dhe të harruarit, të mirët që vuajnë në heshtje, të nëpërkëmburit nga padrejtësitë dhe të plagosurit nga luftërat e kësaj bote. Le të jetë dashuria e Krishtit balsam për plagët e tyre, dritë në errësirën e tyre dhe forcë që i ngre në dinjitetin që u përket si bij të Hyjit. Dhe le të na bëjë edhe ne vegla të kësaj dashurie, që askush të mos mbetet i përjashtuar nga shpresa e Ngjalljes dhe nga paqja që buron prej saj.
Për shumë mot Pashkët, Aleluja!

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

