Ratzinger: Krishti është gjithmonë bashkëkohës në historinë e njerëzimit!

Krishterimi është një rrugë drite e pandërprerë që bëhet shtegtim i historisë dhe një prani e pandërprerë e Krishtit. Dhe më duket se ky fakt – që Krishti nuk ka mbetur në të kaluarën, por ka qenë gjithmonë bashkëkohës me të gjitha brezat dhe ka krijuar një histori të re, një dritë të re në histori, në të cilën Ai është i pranishëm dhe gjithmonë bashkëkohës – na bën të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për një nga të mëdhenjtë e zakonshëm të historisë, por për një realitet vërtet Tjetër, që sjell gjithmonë dritë

 

Pyetje: Duke ju referuar Dostojevskit, pyes veten nëse një njeri modern mund të besojë, të besojë vërtet se Jezusi i Nazaretit është Hyji i bërë njeri. Kjo perceptohet si absurde.

Ratzinger: Sigurisht, për një njeri modern kjo është pothuajse e paimagjinueshme, disi absurde dhe lehtë i atribuohet një mendësie mitologjike të një kohe të kaluar që nuk është më e pranueshme. Distanca historike e bën edhe më të vështirë të mendohet se një individ që ka jetuar në një kohë të largët mund të jetë tani i pranishëm për mua dhe të jetë përgjigjja ndaj pyetjeve të mia.

Më duket e rëndësishme atëherë të vërejmë se Krishti nuk është një individ i së kaluarës, i largët prej meje, por Ai ka krijuar një rrugë drite që përshkon historinë, duke filluar me martirët e parë, me këta dëshmitarë që shndërrojnë mendimin njerëzor, që shohin dinjitetin njerëzor të skllavit, që kujdesen për të varfrit e për të vuajturit, dhe kështu sjellin një risi në botë edhe përmes vuajtjes së tyre.

Me ata Mësues të mëdhenj të Kishës që e shndërruan urtinë e grekëve dhe të latinëve në një vizion të ri të botës, të frymëzuar pikërisht nga Krishti, duke gjetur në Krishtin dritën për ta interpretuar botën; me figura si Shën Françesku i Asizit, i cili krijoi një humanizëm të ri. Ose edhe figura të kohës sonë: mendojmë për Nënë Terezën, për Shën Maksimiljan Kolben…

Është një rrugë drite e pandërprerë që bëhet shtegtim i historisë dhe një prani e pandërprerë e Krishtit. Dhe më duket se ky fakt – që Krishti nuk ka mbetur në të kaluarën, por ka qenë gjithmonë bashkëkohës me të gjitha brezat dhe ka krijuar një histori të re, një dritë të re në histori, në të cilën Ai është i pranishëm dhe gjithmonë bashkëkohës – na bën të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për një nga të mëdhenjtë e zakonshëm të historisë, por për një realitet vërtet Tjetër, që sjell gjithmonë dritë.

Kështu, duke u bashkuar me këtë histori, njeriu hyn në një kontekst drite; nuk vihet në marrëdhënie me një person të largët, por me një realitet të pranishëm./drita.info

 

(Kard. Joseph Ratzinger, pjesë e një interviste e realizuar prej  Antonio Socci, te libri: Joseph Ratzinger, Fede, verità, tolleranza. Il cristianesimo e le religioni del mondo”, 2003 (shq. Besimi, e vërteta, toleranca. Krishterimi dhe fetë e botës”)

Përkthimi: Rev. “DRITA”

Shpëndaje: