
Nëpërmjet një letre të publikuar në faqen zyrtare të Argjipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Sh. T. Imzot Arjan Dodaj, argjipeshkvi metropolit i kësaj argjipeshkvie ka uruar ipeshkvin tonë për emërimin në krye të Konfrencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare “Shën Çirili dhe Metodi”, duke shprehur afërsi vëllazërore dhe duke mirënjohur këtë detyrë si besim dhe vlerësim i Kishës për shërbesën e tij ipeshkvore.
Po e japim letrën e plotë të arqipeshkvit, Imzot Arjan Dodaj:
I dashur vëlla në Krishtin dhe në Episkopat,
Shkëlqesia Juaj, Imzot Dodë Gjergji
Ipeshkëv i Prizren-Prishtinë,
President i Konferencës “Shën Çirili dhe Metodit”
Me nderim të veçantë dhe gëzim të thellë shpirtëror mora lajmin për emërimin Tuaj në detyrën e Kryetarit të Konferencës Ipeshkvore të Shën Çirilit dhe Metodit. Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për këtë besim të ri që Kisha nëpërmjet kësaj Konference Ipeshkvore, përfaqësuese e katër shteteve, ju ka besuar, si shenjë e vlerësimit për shërbimin Tuaj baritor dhe përkushtimin e palodhur ndaj Kishës së Krishtit dhe grigjës së Tij.
Ky emërim përbën një burim krenarie dhe shprese për Kishën në Kosovë, për mbarë popullin shqiptar si biri i dashur i saj dhe për të gjithë besimtarët e realitetit kishtar që Ju thirreni të udhëhiqni, veçanërisht në një kohë kur bota jonë përballet me sfida të mëdha, pasiguri dhe tensione që kërkojnë urtësi, maturi dhe dëshmi të besueshme të Ungjillit të paqes.
Shërbimi yt në këtë mision të rëndësishëm merr një domethënie të veçantë edhe në dritën e trashëgimisë shpirtërore të Shën Nënë Terezës, bijës sonë të shenjtë, e cila me karizmën e saj universale diti t’i shërbejë përtej çdo dallimi etnik, kulturor apo historik, duke e bërë dashurinë e Krishtit të prekshme për çdo njeri. Në këtë frymë, jam i bindur se udhëheqja juaj do të jetë shenjë uniteti, dialogu dhe harmonie vëllazërore mes popujve dhe traditave të ndryshme që përbëjnë Konferencën Ipeshkvore të Shën Çirilit dhe Metodit.
Duke të siguruar për afërsinë time vëllazërore dhe mbështetjen shpirtërore, ju kujtoj në lutjet e mia, duke ju besuar ndaj përkujdesjes Amnore dhe ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, Zojës së Letnicës, që t’ju shoqërojë në këtë shërbim të lartë me hirin e Saj dhe ju forcoftë në çdo hap të misionit tënd baritor.
Zoti ju bekoftë me paqe, shëndet dhe forcë shpirtërore, dhe Ai e bekoftë mbarë Konferencën Ipeshkvore të Shën Çirilit dhe Metodit, si dhe popujt që, në mëshirën e Tij, Ju janë besuar.
† Arjan Dodaj F.d.C.
Arqipeshkëv Metropolit Tiranë-Durrës


Postimi i Mëparshëm
