Papa emëron Nunc të ri Apostolik në Shqipëri Imzot Mirosław Adamczyk

Ati i Shenjtë ka emëruar Nunc të ri Apostolik në Shqipëri Shkëlqesinë e Tij Imzot Mirosław Adamczyk, Argjipeshkëv titullar i Otrikolit, deri tani Nunc Apostolik në Argjentinë.

 

Ati i Shenjtë Leoni XIV ka emëruar sot Nunc të ri Apostolik në Shqipëri, Sh. T. Imzot Mirosław Adamczyk, Argjipeshkëv titullar i Otrikolit, deri tani Nunc Apostolik në Argjentinë.

Imzot Adamczyk ka një përvojë shumë të gjatë në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, duke shërbyer në vende të ndryshme si Madagaskari, India, Hungaria, Belgjika, Afrika e Jugut dhe Venezuela, përpara se të bëhej Nunci në Panamë e pastaj në Argjentinë.

Emërimi i tij si përfaqësues diplomatik i Selisë së Shenjtë në Tiranë nga Papa Leoni XIV, tregon rëndësinë që Vatikani i kushton vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira me shtetin shqiptar dhe mbështetjes së Kishës Katolike vendase. Me këtë rast po kujtojmë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë më 7 shtator 1991, në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë  dhe më 22 prill 1993, me ambasadorin për Republikën e Shqipërisë.

Nunci i ri, Imzot Adamczyk, lindi më 16 korrik 1962 në Gdansk (Poloni) dhe pasi studioi në liceun Detar të Gdynia-s, në vitin 1981 hyri në seminarin e Gdansk-ut. U shugurua meshtar më 16 maj 1987. Ka diplomuar në të Drejtën Kanonike të Kishës dhe flet italisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht e natyrisht polonisht.

Imzot Adamczyk shërbeu si vikar famullitar i Kishës famullitare të Shën Injacit në Gdansk. Më 1 korrik 1993 hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Ka punuar në Nunciaturat Apostolike (Ambasadat e Selisë së Shenjtë )në Madagaskar, Indi, Hungari, Belgjikë, Afrikën e Jugut dhe Venezuelë.

Më 22 shkurt 2013, Papa Benedikti XVI e emëroi Nunci Apostolik në Liberi dhe Argjipeshkëv titullar i Otrikolit. Shugurimin episkopal e mori më 27 prill 2013. Më 8 qershor 2013, Papa Françesku e emëroi Nunci në Gambi. Më 21 shtator të po atij viti edhe Nunci në Sierra Leone. Më 12 gusht 2017, Papa Françesku e emëroi nunc apostolik në Panamë. Më 22 shkurt 2020, Papa Françesku e emëroi nunc apostolik në Argjentinë. Më 14 janar 2026, Papa Leoni XIV e emëroi nunc të ri apostolik në Shqipëri./radiovaticani/

Shpëndaje: