ÇAST HISTORIK: Për herë të parë Papa dhe Mbreti i Anglisë luten bashkë në Kapelën Sikstina

Një çast historik këtë paradite, 23 tetor, në Vatikan. Monarkët britanikë, gjatë vizitës shtetërore, morën pjesë në kremtimin për të lavdëruar Zotin Krijues. Para lutjes, Familja Mbretërore u takua me Papën e pastaj, në Sala Regia, shkëmbyen dy ekzemplarë orkidesh, që të shprehnin kështu angazhimin e tyre të përbashkët për kujdesin ndaj krijimit

 

Afresket e Michelangelo-s, ngjyrat intensive të kupolave, mrekullia e Gjyqit të Mbramë, me dy gishtat – ai i Zotit dhe ai i njeriut – që gati-gati takohen… Pamje e cila pasqyron mirë atë që ndodhi në Kapelën Sikstine me Kishën Katolike dhe Kishën e Anglisë, anëtare e bashkimit anglikan, që u lutën dhe lavdëruan Zotin së bashku. Dy realitete që flasin vetë nga prania e Papës Leoni XIV dhe Mbretit Charles, afër në dialog dhe në shtegtim drejt unitetit: çast historik për të dyja Kishat, që nuk ka ngjarë që prej 500 vjetëve.

Familja Mbretërore mbërriti në Vatikan në orën 10:50 të paradites, pasi kaloi nëpër Harkun e Kambanave dhe u prit në Oborrin e Shën Damasit, sipas protokollit për vizitat shtetërore. Pas interpretimit të himnit anglez Zoti e ruajtë Mbretin nga Banda e Xhandarmërisë, me pjesëmarrjen e Gardës Zvicerane, Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla, veshur me të zeza e me një vello të hollë, hynë në Pallatin Apostolik. Hyrja u pasua nga audienca private e Papës me sovranët, e ndjekur nga disa takime paralele: Mbretëresha Camilla vizitoi Kapelën Pauline, ndërsa Mbreti Charles u takua me Kardinalin Pietro Parolin në Sekretarinë e Shtetit.

 

Angazhim i përbashkët për krijimin

Sot, më 23 tetor, shërbesa ekumenike e lutjes në latinisht dhe anglisht filloi në orën 12:20. Është vulë e marrëdhënieve të mira ndërmjet palëve, por edhe përmbushje e dëshirës së monarkut anglez, Guvernatorit Suprem të Kishës së Anglisë, i cili kishte ndërmend t’i jepte vizitës shtetërore një përmasë të fortë shpirtërore, veçanërisht gjatë Jubileut të Shpresës. Vizita, fillimisht e planifikuar për në prill, por më vonë e anuluar për shkak të vdekjes së Papës Françesku, kishte për qëllim gjithashtu të vinte në pah angazhimin e përbashkët për Krijimin, nga ana e Mbretit Charles dhe Papës argjentinas, dhjetë vjet pas botimit të Laudato si’. Një temë që Papa Leoni XIV dëshironte ta vazhdonte dhe ta nxirte në dritë.

 

Shën Ambrozi dhe Shën Newman

Natyra ekumenike e shërbesës ndjehet menjëherë në Himnin, që i prin lutjes. Teksti është i Shën Ambrozit të Milanos, Doktor i Kishës, i kënduar në një përkthim në anglisht nga Shën Gjon Henri Newman, anglikan në gjysmën e jetës së tij – e katolik në gjysmën tjetër. Teologu anglez, i cili jetoi në shekullin e 19-të, do të shpallet Doktor i Kishës më 1 nëntor nga Papa. Vetë Mbreti Çarls mori pjesë në shenjtërimin e tij më 13 tetor 2019, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Papa Leoni është përkrah ipeshkvit më të lartë të Kishës së Anglisë, Kryeipeshkvit Stephen Cottrell të Jorkut. Sovranët shoqërohen nga moderatori i Asamblesë së Përgjithshme të këtij viti, Shumë e Nderuara Rosie Frew, Kryeipeshkëv i Westminsterit dhe President i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Anglisë dhe Uellsit, Kardinali Vincent Nichols dhe Kryeipeshkvi i Shën Andreas dhe Edinburgut, Leo Cushley, që përfaqëson Episkopatin Skocez.

 

Koret dhe Liturgjia

Një tjetër shenjë e bashkimit është prania e korit të fëmijëve të Kapelës Mbretërore në Pallatin e Shën Jakobit, në Londër dhe korit të Kapelës së Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor, i përbërë nga të rritur, të ftuar nga Karli dhe Kamila si dhe Kori i Kapelës Sikstine. Kremtimi vijoi me Psalmin 8 dhe më pas, Psalmin 64. E, së fundmi, me leximin në anglisht nga Letra e Romakëve, tema themelore e së cilës është shpresa. Ndërsa tema themelore e këngëve dhe e liturgjisë së zgjedhur, është lavdërimi i madhështisë së Zotit Krijues.

Para se të përfundonte lutja, u interpretua himni “Nëse më doni” nga Thomas Tallis, botuar në vitin 1565. I marrë nga Gjoni 14, vargu 15, na thotë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia; dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë”. Tallis ishte Zotëri i Kapelës Mbretërore, Muzikant dhe Kompozitor Mbretëror për më shumë se dyzet vjet. Kompozoi muzikë si për liturgjinë romake, ashtu edhe për Librin Anglez të Lutjes së Përbashkët.

Papa dhe Kryeipeshkvi Cottrell vijuan me një lutje së bashku drejtuar Zotit Krijues: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Zotit Atë dhe bashkimi me Shpirtin Shenjt, qofshin me ne përgjithmonë”.

Në fund, Leoni XIV dhe Mbreti Charles largohen nga Kapela Sikstine së bashku, duke ecur si vijohet të ecet në rrugën e dialogut ndërfetar pavarësisht dallimeve.

 

Qëndrueshmëria ambientale

Duke u zhvendosur në Sala Regia, Papa dhe Mbreti Charles morën pjesë në një takim mbi qëndrueshmërinë mjedisore, të prezantuar nga Motra Alessandra Smerilli, Sekretare e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Shkëmbimi simbolik i dy ekzemplarëve identikë Cymbidium, nga familja e orkideve, i Papës dhe i sovranit, shpreh një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin për krijimin e Zotit. Kjo bimë e veçantë njihet për forcën dhe qëndrueshmërinë e saj, si dhe aftësinë për t’u përshtatur dhe për të lulëzuar edhe në kushte të vështira. Është simbol shprese dhe vendosmërie, që shpreh përgjegjësinë e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme, në harmoni me shtëpinë tonë të përbashkët.

Pasdite, familja Mbretërore do të vizitojë Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, e cila, së bashku me Abacinë Benediktine ngjitur, ka lidhje të forta me Kurorën e Anglisë. Në njohje të lidhjeve historike dhe progresit të bërë në rrugën e pajtimit ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishës së Anglisë, Kryeprifti i Bazilikës, Kardinali James Michael Harvey dhe Abati i bashkësisë monastike, Dom Donato Ogliari, me miratimin e Papës Leoni XIV, do t’i japin Madhërisë së Tij Mbretit Charles III titullin “Royal Confrater” i Shën Palit.

Me këtë rast, u krijua një karrikë me stemën e Mbretit Charles, njëherësh me frazën latine Ut unum sint – ““Që të jenë një”, shkëputur nga kapitulli 17 i Ungjillit të Shën Gjonit. /Radio Vatikani

Shpëndaje: