Leoni XIV: më 11 prill, Rruzarja për Paqen “në këtë çast të errët të historisë”

Papa Leoni XIV i bën thirrje popullit të thotë një rruzare për paqen, sot, e shtunë, më 11 prill, në orën 18:00. Lutja do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit, dhe Papa do të ndjekë traditën e paraardhësve të tij që ia patën besuar fatin e njerëzimit Marisë në çastet më të errëta të historisë.

 

Një rruzare për Paqe: Leoni XIV, i cili e bëri paqen “të paarmatosur dhe çarmatosëse” shenjë dalluese të papnisë së tij, i bën thirrje përsëri popullit të tij të sjellë një rreze shprese nesër, e shtunë, më 11 prill, në Bazilikën e Shën Pjetrit “në këtë orë të errët të historisë” të copëtuar nga lufta. Papa e pati bërë këtë më 24 shtator të vitit të kaluar, kur, në fund të audiencës së përgjithshme, bëri thirrje për të lutur rruzaren për paqe çdo ditë gjatë muajit tetor, duke i njoftuar besimtarët se do të kryesonte lutjen e rruzares më 11 tetor 2025, në Sheshin e Shën Pjetrit, si pjesë e Jubileut të Përshpirtërisë Mariane. Data nuk u zgjodh rastësisht, pasi përkon me ditën kur Kisha kremton kujtimin e Shën Gjonit XIII, autor i enciklikës «Pacem in Terris» dhe kujton përvjetorin e hapjes së Koncilit të Dytë të Vatikanit. Paqja, tha Papa në atë rast, duke u bërë thirrje të fuqishmëve të botës të çarmatosen me guxim, para statujës së Zojës së Fatimës, “nuk është frenim, por vëllazërim, nuk është ultimatum, por dialog. Nuk do të vijë si fryt i fitoreve mbi armikun, por si rezultat i mbjelljes së farës së drejtësisë dhe faljes së guximshme”.

Lutja e rruzares do të bëhet nesër në orën 18:00, ndërsa bota përballet me rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, në atë që Papa Françesku e pati quajtur një “luftë e tretë botërore copa-copa”.

Me këtë nismë, Papa i parë amerikano-verior në histori po i bën jehonë kështu një tradite që ka karakterizuar historinë e papateve më të fundit, kur, në momentet më dramatike, pasardhësi i Pjetrit është drejtuar nga figura amnore e Marisë, duke ia besuar Asaj fatin e njerëzimit në orët e tij më të tmerrshme.

Le të kthehemi te disa prej atyre çasteve.

Gjon Pali II: “Kurrë më luftë.” «Zemrat e të gjithë neve janë të mbushura me hidhërim për luftën e vazhdueshme në zonën e Gjirit Persik, nga e cila marrim lajme gjithnjë e më shqetësuese çdo ditë lidhur me numrin e ushtarëve dhe sasinë e armëve të përdorura, si dhe përfshirjen e të gjithë popullsisë civile në konflikt», tha Gjon Pali II gjatë rruzares për Paqen, më 2 shkurt 1991. «E gjithë kjo bëhet edhe më shqetësuese sepse kjo gjendje rrezikon të përhapet në kohë dhe hapësirë, në mënyrë tragjike dhe me pasoja të pallogaritshme».

“Si njerëz dhe si të krishterë nuk duhet të mësohemi me idenë se e gjithë kjo është e pashmangshme dhe shpirtrat tanë nuk duhet të dorëzohen para tundimit të mospërfilljes dhe dorëzimit fatalist dhe njerëzit nuk duhet të thithen në vorbullën e luftës.”

Thirrja: “Ne kërkojmë dritë hyjnore për ata që, në arenën ndërkombëtare, vazhdojnë të kërkojnë shtigje paqeje, duke u përpjekur t’i japin fund luftës dhe që kanë vullnetin e pathyeshëm për të gjetur, në mënyrë paqësore dhe me dëshirë për drejtësi, zgjidhje të përshtatshme për problemet e ndryshme të Lindjes së Mesme. I lutemi Zotit të ndriçojë udhëheqësit e palëve të përfshira në konflikt, në mënyrë që ata të gjejnë guximin për të braktisur rrugën e luftës dhe t’u besojnë sinqerisht negociatave, dialogut dhe bashkëpunimit.”

Dhjetë vjet më vonë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Kullat Binjake në Nju Jork, Papa Gjon Pali II shpalli 14 dhjetorin ditë agjërimi dhe lutjeje për të kërkuar “një paqe të qëndrueshme të bazuar te drejtësia” dhe për një “zgjidhje të përshtatshme për shumë konflikte që e mundojnë botën”.

Papa Françesku: “Le të dhurojmë shkëndija drite në errësirën e konfliktit.” “Ne të lutemi ty, Nënë, për mëshirën e Zotit, ty që je Mbretëresha e Paqes! Kthe shpirtrat e atyre që ushqejnë urrejtjen, bëji të heshtin armët që pjellin vdekjen, shuaje dhunën në zemrën e njerëzve dhe frymëzo projekte paqeje në veprimet e atyre që qeverisin kombet.”

Ishte 6 tetori 2024 kur Papa Françesku, në prag të përvjetorit të parë të sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit, tha këto fjalë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, para ikonës së Zojës së njohur me apelativin «Salus Popoli Romani» – Shëndeti i Popullit të Romës, duke recituar rruzaren për paqen botërore dhe duke i drejtuar një lutje të përzemërt Virgjërës. Tashmë gjashtë muaj pas papnisë së tij, më 7 shtator 2013, Jorge Mario Bergoglio kishte kërkuar lutje për Sirinë, Lindjen e Mesme dhe botën. Pas Sirisë, ishte radha e Republikës Demokratike të Kongos dhe Sudanit të Jugut në vitin 2017.

Në vitin 2020, lutjet për Libanin, një vit më vonë për Afganistanin dhe që prej vitit 2022 për “Ukrainën e drobitur”, të shkatërruar nga një luftë e pamëshirshme.

“Shkundni shpirtrat e atyre që janë të bllokuar nga urrejtja, konvertojini ata që nxisin konfliktet.”

Lutjet drejtuar Virgjërës Mari në rruzaren për paqe, mbajtur më 27 tetor 2023:

“Terini lotët e fëmijëve  që qajnë aq shumë në këtë orë të zezë! Ndihmoni të vetmuarit dhe të moshuarit, mbështesni të plagosurit dhe të sëmurët, mbrojini ata që u është dashur të largohen nga atdheu i tyre dhe më të dashurit e tyre, ngushëlloni shpresën e dëshpëruar dhe të ringjallur. Ne ju besojmë dhe ju kushtojmë jetën tonë, çdo fije të qenies sonë, gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi, përgjithmonë. Ne ju kushtojmë Kishën në mënyrë që, duke dëshmuar dashurinë e Jezusit për botën, ajo të jetë shenjë harmonie dhe vegël paqeje. Ne po ju kushtojmë botën tonë dhe veçanërisht vendet dhe trevat në luftë. Populli besimtar ju quan agimi i shpëtimit: Nënë, na sillni dritën në natën e konfliktit. Ju, vendi i Shpirtit të Shenjtë, frymëzoni shtigje paqeje tek udhëheqësit e kombeve.” /Radio Vatikani

Shpëndaje: