Leoni XIV nënshkruan nxitjen apostolike “Dilexi te”, mbi dashurinë ndaj të varfërve

Në ditën kur Kisha kremton Shën Françeskun e Asizit, Papa ka nënshkruar dokumentin e parë, me titull “Të kam dashur”, i cili do të paraqitet në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë më 9 tetor, në orën 11:30, nga kardinalët Czerny dhe Krajewski, së bashku me një françeskan minor dhe një motër të vogël të Jezusit.

 

Dilexi te, “Të kam dashur”: kështu titullohet dhe ka si temë dashurinë për të varfërit nxitja e  parë apostolike e papnisë së Leonit XIV. Papa e nënshkroi dokumentin këtë mëngjes, më 4 tetor, në festën e Shën Françeskut të Asizit, në Bibliotekën private të Pallatit Apostolik të Vatikanit, në praninë e zëvendësit të Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvit Edgar Peña Parra. Titulli i nxitjes ka një asociom nga enciklika e katërt dhe e fundit e pararendësit Françesku, Dilexit nos “Mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të Zemrës së Jezu Krishtit”, e datuar më 24 tetor 2024. Po sot, Salla e shtypit e Selisë së Shenjtë ka bërë të ditur se botimi dhe konferenca e paraqitjes së dokumentit të Papës Prevost do të zhvillohen të enjten e ardhshme, më 9 tetor, në orën 11:30.

Në konferencën për shtyp do të marrin pjesë kardinali Michael Czerny, jezuit, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor Integral, dhe kardinali Konrad Krajewski, lëmoshtari i Shenjtërisë së Tij dhe prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë (Lëmoshëria Apostolike). Së bashku me ta do të prezantojnë dokumentin fra Frédéric-Marie Le Méhauté, provincial i Françeskanëve Minorë të Francës/Belgikës, doktor në teologji, në lidhje nga distanca, dhe motra Clémence, motër e vogël e Jezusit e Vëllazërisë Tre Fontane në Romë. (Vatican News)/drita.info

Shpëndaje: