Leoni XIV: Pagëzimi na bën pjesë të kulturës së jetës

Papa Leoni XIV takohet në Vatikan me tetëqind neofitë dhe katekumenë francezë, në Romë për shtegtimin e tyre jubilar. U kujton se “bëhemi të krishterë të vërtetë” kur e lejojmë Zotin të na prekë me hirin e Tij hyjnor në jetën e përditshme, përmes rrugëtimit tonë personal. Përndryshe, do të jemi “të krishterë për interes, për zakon a për lehtësi”.

 

Po e japim fjalimin e plotë të Papës:

 

FJALIMI I SHENJTËRISË SË TIJ PAPËS LEONI XIV
DREJTUAR KATEKUMENËVE DHE NEOFITËVE FRANCEZË NË SHTEGTIMIN JUBILAR NË ROMË

Salla e Bekimit
E martë, 29 korrik 2025

 

 

Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Paqja qoftë me ju.
Faleminderit, Eminencë!

 

Të dashur të rinj, miq të dashur,

Për të filluar, ju përshëndes të gjithëve ju që keni ardhur në numër kaq të madh në Romë për të përjetuar shtegtimin e shpresës. Përshëndes ipeshkvin, Monsinjor Jean-Philippe Nault, i cili nuk është këtu, si dhe të gjithë ipeshkvijtë që ju shoqërojnë, si dhe kapelanët dhe katekistët tuaj.

Çfarë gëzimi të shohësh të rinj që angazhohen në fe dhe duan t’i japin kuptim jetës së tyre, duke u lënë të udhëhiqen nga Krishti dhe Ungjilli i tij! Pagëzimi na bën anëtarë me të drejta të plota të familjes së madhe të Hyjit. Nisma vjen gjithmonë prej Tij dhe ne i përgjigjemi asaj duke përjetuar dashurinë e Tij që na shpëton. Në udhën tuaj si katekumenë dhe të sapo pagëzuar, secili prej jush bën një takim personal me Zotin në bashkësinë që e mirëpret. Ne e njohim vetveten personalisht si bij dhe bija të Hyjit përmes pagëzimit tonë «në emër të Atit», i cili na ofron birësimin, «të Birit» që na fut në jetën dhe marrëdhënien e tij me Atin, dhe «të Shpirtit Shenjt», burimi i çdo dhurate (khs. Gal 4,6). Shën Pali zbulon efektin thelbësor të pagëzimit kur u shkruan Galatasve: “Sepse, gjithësa jeni pagëzuar në Krishtin – me Krishtin jeni veshur” (3,27).

Pagëzimi na bën pjesë të bashkësisë me Krishtin dhe jep jetë. Ai na angazhon të heqim dorë nga një kulturë vdekjeje që është shumë e pranishme në shoqërinë tonë. Kjo kulturë vdekjeje shfaqet sot nëpërmjet indiferencës, përçmimit të tjetrit, përdorimit të drogës, kërkimit të një jete të lehtë, një seksualiteti që bëhet vetëm argëtim dhe objektifikimit i personit njerëzor, padrejtësisë etj.

Pagëzimi na bën dëshmitarë të Krishtit. Në ritin e pagëzimit, ka një shenjë shumë të fuqishme: është momenti kur marrim qiriun e ndezur nga qiriu i Pashkëve. Është drita e Krishtit të vdekur dhe të ngjallur që angazhohemi ta mbajmë të ndezur, duke e ushqyer me dëgjimin e Fjalës së Hyjit dhe me bashkimin e vazhdueshëm me Jezusin në Eukaristi. Shën Ambrozi nuk lodhej kurrë së përsërituri: “Omnia Christus est nobis! – Krishti është gjithçka për ne!”, një ftesë për të qenë dëshmitarë autentikë të Zotit. Ai thoshte gjithashtu me fjalë plot dashuri për Jezusin: “Omnia Christus est nobis! Nëse dëshiron të shërosh plagët e tua, Ai është mjeku; nëse digjesh nga ethet, Ai është burimi freskues; nëse je i shtypur nga faji, Ai është drejtësia; nëse ke nevojë për ndihmë, Ai është forca; nëse frikësohesh nga vdekja, Ai është jeta; nëse dëshiron qiellin, Ai është udha; nëse ikën nga errësira, Ai është drita… Shijoni dhe shikoni sa i mirë është Zoti; i lum ai që shpreson në Të.” (De virginitate, 16, 99).  Për të jetuar të lumtur dhe në paqe, jemi të thirrur të vendosim shpresën tonë te Jezu Krishti.

Duke ndjekur Zotin, edhe ju jeni kripa e tokës dhe drita e botës (khs. Mt 5,13-14). Kisha ka nevojë për dëshminë tuaj të bukur të fesë për të rritur gjithnjë më shumë dhe për të qenë pranë çdo personi në nevojë.

Katekumenati është një rrugëtim feje që nuk përfundon me pagëzimin, por vazhdon gjatë gjithë jetës, me momente gëzimi dhe momente të vështira. Siç na kujton Shën Augustini:
“Po të mos ishte Ai [Krishti] shpresa jonë, nuk do të mund të na printe. Na prin sepse është udhërrëfyesi ynë; na prin me Veten e Tij sepse është udha jonë; na prin drejt Vetvetes sepse është atdheu ynë.” (Shën Augustini, Koment mbi Psalmin 61)

Jeni të thirrur të ndani përvojën tuaj të fesë me të tjerët, duke dëshmuar dashurinë e Krishtit dhe duke u bërë dishepuj misionarë. Mos u mjaftoni vetëm me njohjen teorike, por jetoni fenë tuaj në mënyrë konkrete, duke përjetuar dashurinë e Hyjit në jetën tuaj të përditshme. Rruga e fesë mund të jetë e gjatë dhe ndonjëherë e vështirë, por mos u dekurajoni, sepse Hyji është gjithmonë i pranishëm për t’ju mbështetur. Siç na kujton profeti Isaia: “Mos druaj se me ty jam, mos u shmang se unë jam Hyji yt; do të të bëj të fortë, unë do të të ndihmoj.” (Is 41,10) Është themelore të përjetoni Hyjin në lutje, në marrjen e sakramenteve – veçanërisht në rizbulimin e sakramentit të Pajtimit – dhe në jetën bashkësiore, me qëllim për t’u rritur në fe dhe në dashuri.

Të dashur miq, me ndihmën dhe mbështetjen e barinjve tuaj, të vëllezërve dhe motrave më të mëdha në fe, dhe sipas shembullit të shenjtërve që përballuan vështirësitë e kohës së tyre, ju inkurajoj të qëndroni të lidhur me Zotin Jezus. Nuk lindim të krishterë, por bëhemi të tillë kur prekem nga hiri i Hyjit. Megjithatë, kjo “prekje” shprehet përmes zgjedhjes sonë të menduar mirë dhe udhës sonë personale. Pa këto kushte të vërteta, do të mbajmë vetëm etiketën e të krishterit – të krishterit për rehati, nga zakoni apo komoditeti. Bëhemi të krishterë të vërtetë kur lejojmë që fjala dhe dëshmia e Jezusit të na prekin personalisht në jetën tonë të përditshme. Në mes të turbullirave tuaja, të vetmisë dhe thatësisë, të keqkuptimeve dhe lodhjeve, u rrënjofshin zemrat tuaja në Të, që është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjn 14,6), burimi i çdo paqeje, gëzimi dhe dashurie.

Faleminderit!
Të lutemi së bashku lutjen “Ati Ynë”.

[Ati Ynë… Bekimi]

Gëzuar Jubileun!

Marrë nga A Catecumeni e Neofiti dalla Francia (29 luglio 2025) | LEONE XIV

Përkthimi: Rev. “Drita”

Shpëndaje: