
MESAZHI I ATIT TË SHENJTË LEONIT XIV
PËR KRESHMË 2026
Të dëgjojmë dhe të agjërojmë.
Kreshma si kohë kthimi
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kreshma është koha kur Kisha, me përkujdesje amnore, na fton ta vendosim sërish misterin e Hyjit në qendër të jetës sonë, që besimi ynë të rifitojë hovin e saj dhe zemra të mos shpërndahet mes shqetësimeve dhe shpërqendrimeve të përditshme.
Çdo udhë kthimi nis kur lejojmë që të na arrijë Fjala dhe e pranojmë me bindje shpirtërore. Ekziston, pra, një lidhje e thellë ndërmjet dhuratës së Fjalës së Hyjit, hapësirës së mikpritjes që ne i ofrojmë dhe shndërrimit që ajo kryen. Për këtë arsye, udhëtimi kreshmor bëhet një rast i volitshëm për t’ia vënë veshin zërit të Zotit dhe për ta ripërtërirë vendimin për ta ndjekur Krishtin, duke ecur me Të në udhën që ngjitet drejt Jerusalemit, ku kryhet misteri i mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Tij.
Dëgjimi
Këtë vit do të doja të tërhiqja vëmendjen, para së gjithash, mbi rëndësinë e dhënies së hapësirës Fjalës nëpërmjet dëgjimit, sepse gatishmëria për të dëgjuar është shenja e parë me të cilën shfaqet dëshira për të hyrë në marrëdhënie me tjetrin.
Vetë Hyji, duke iu zbuluar Moisiut nga kaçuba e ndezur, tregon se dëgjimi është një tipar dallues i qenies së Tij: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij” (Dal 3,7). Dëgjimi i klithjes së të shtypurit është fillimi i një historie çlirimi, në të cilën Zoti përfshin edhe Moisiun, duke e dërguar të hapë një udhë shpëtimi për bijtë e Tij të rënë në skllavëri.
Është një Hyj që përfshihet, që edhe sot vjen e na afrohet me mendimet që bëjnë të dridhet zemra e tij. Prandaj, dëgjimi i Fjalës në liturgji na edukon për një dëgjim të vërtetë të realitetit: mes shumë zërave që përshkojnë jetën tonë personale dhe shoqërore, Shkrimet e Shenjta na bëjnë të aftë të dallojmë atë zë që ngrihet nga vuajtja dhe padrejtësia, që të mos mbetet pa përgjigje. Në mënyrë që të nxisim këtë hapje të brendshme të gatishmërisë për të pranuar, duhet të lejojmë që Hyji të na mësojë të dëgjojmë siç bëri Ai, derisa të arrijmë të njohim se “gjendja e të varfërve është një klithmë që, në historinë e njerëzimit, i drejtohet vazhdimisht jetës sonë, shoqërive tona, sistemeve politike dhe ekonomike dhe, jo të fundit, edhe Kishës”.[1]
Agjërimi
Nëse Kreshma është kohë dëgjimi, agjërimi përbën një praktikë konkrete që na përgatit për ta pranuar Fjalën e Hyjit. Përmbajtja nga ushqimi, në të vërtetë, është një ushtrim asketik shumë i lashtë dhe i pazëvendësueshëm në udhën e kthimit. Pikërisht sepse përfshin trupin, e bën më të dukshme se për çfarë kemi “uri” dhe çfarë e konsiderojmë thelbësore për mbajtjen tonë. Prandaj shërben për të dalluar dhe rregulluar “orekset”, për ta mbajtur zgjuar urinë dhe etjen për drejtësi, duke e çliruar nga dorëzimi dhe duke e formuar që të bëhet lutje dhe përgjegjësi ndaj të afërmit.
Shën Augustini, me hollësi shpirtërore, lë të shihet tensioni ndërmjet kohës së tashme dhe përmbushjes së ardhshme që përshkon këtë ruajtje të zemrës, kur vëren se: “Gjatë jetës tokësore u takon njerëzve të kenë uri dhe etje për drejtësi, por të ngopen me të i përket jetës tjetër. Engjëjt ngopen me këtë bukë, me këtë ushqim. Ndërsa njerëzit kanë uri për të, të gjithë gjakojnë në dëshirë për të. Ky gjakim në dëshirë e zgjeron shpirtin dhe ia rrit aftësinë”.[2] Agjërimi, i kuptuar në këtë mënyrë, na mundëson jo vetëm ta disiplinojmë dëshirën, ta pastrojmë dhe ta bëjmë më të lirë, por edhe ta zgjerojmë atë, në mënyrë që të drejtohet kah Hyji dhe të orientohet për të vepruar në të mirën.
Megjithatë, që agjërimi ta ruajë të vërtetën e vet ungjillore dhe t’i shmanget tundimit për ta bërë zemrën krenare, ai duhet të jetohet gjithmonë në fe dhe në përvujtëri. Ai kërkon të mbetet i rrënjosur në bashkimin me Zotin, sepse “nuk agjëron me të vërtetë ai që nuk di të ushqehet me Fjalën e Hyjit”.[3] Si shenjë e dukshme e angazhimit tonë të brendshëm për t’iu shmangur mëkatit dhe së keqes me ndihmën e hirit, agjërimi duhet të përfshijë edhe forma të tjera përmbajtjeje që synojnë të na ndihmojnë të fitojmë një stil jete më të thjeshtë, sepse “vetëm askeza e bën të fortë dhe autentike jetën e krishterë”.[4]
Prandaj, do të doja t’ju ftoja në një formë shumë konkrete përmbajtjeje, shpesh pak e vlerësuar; për përmbajtjen nga fjalët që godasin dhe plagosin të afërmin. Le të fillojmë ta çarmatosim gjuhën tonë, duke hequr dorë nga fjalët therëse, nga gjykimi i menjëhershëm, nga të folurit keq për atë që mungon e nuk mund të mbrohet, nga shpifjet. Përkundrazi, të përpiqemi të mësojmë të peshojmë fjalët dhe të kultivojmë mirësinë: në familje, mes miqve, në vendet e punës, në rrjetet sociale, në debatet politike, në mjetet e komunikimit, në bashkësitë e krishtera. Atëherë shumë fjalë urrejtjeje do t’ua lënë vendin fjalëve të shpresës dhe të paqes.
Së bashku
Së fundi, Kreshma vë në dukje përmasën bashkësijore të dëgjimit të Fjalës dhe të praktikës së agjërimit. Edhe Shkrimi i Shenjtë e thekson këtë aspekt në shumë mënyra. Për shembull, kur rrëfen, në Librin e Nehemisë, se populli u mblodh për të dëgjuar leximin publik të Librit të Ligjit dhe, duke praktikuar agjërimin, u përgatit për rrëfimin e fesë dhe për adhurim, në mënyrë që ta ripërtërinte besëlidhjen me Hyjin (khs. Neh 9,1-3).
Po ashtu, famullitë tona, familjet, grupet kishtare dhe bashkësitë rregulltare janë të thirrura që gjatë Kreshmës të përshkojnë një udhëtim të përbashkët, në të cilin dëgjimi i Fjalës së Hyjit, si edh klithja e të varfërve dhe e tokës, të bëhet formë e jetës së përbashkët dhe agjërimi të mbështesë një pendesë të vërtetë. Në këtë horizont, kthimi nuk ka të bëjë vetëm me ndërgjegjen e individit, por edhe me stilin e marrëdhënieve, me cilësinë e dialogut, me aftësinë për t’u lënë të sfidohemi nga realiteti dhe për të njohur atë që e orienton me të vërtetë dëshirën, si në bashkësitë tona kishtare, ashtu edhe në njerëzimin e etur për drejtësi dhe pajtim.
Shumë të dashur, le të kërkojmë hirin e një Kreshme që ta bëjë më të ndjeshëm veshin tonë ndaj Hyjit dhe ndaj të fundmëve. Le të kërkojmë forcën e një agjërimi që të përshkojë edhe gjuhën, që të pakësohen fjalët që plagosin dhe të zgjerohet hapësira për zërin e tjetrit. Dhe le të angazhohemi që bashkësitë tona të bëhen vende ku klithma e atij që vuan të gjejë mikpritje dhe dëgjimi të lindë udhë çlirimi, duke na bërë më të gatshëm dhe më të zellshëm për të kontribuar në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë.
Me zemër ju bekoj të gjithë ju dhe udhëtimin tuaj kreshmor.
Nga Vatikani, 5 shkurt 2026, përkujtimi i Shën Agatës, virgjër dhe martire.
LEONI PP. XIV
Përktheu: Rev. “DRITA”
—————————————————————
[1] Nxitja apostolike Dilexi te (4 tetor 2025), 9.
[2] Shën Augustini, Dobia e agjërimit, 1, 1.
[3] Benedikti XVI, Katekeza (9 mars 2011).
[4] Shën Pali VI, Katekeza (8 shkurt 1978).

Postimi i Mëparshëm
