
MESAZHI I SHENJTËRISË SË TIJ LEONIT XIV
PËR DITËN BOTËRORE TË LIX TË PAQES
1 janar 2026
Paqja qoftë me ju të gjithë.
Drejt një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse
“Paqja qoftë me ty!”
Kjo përshëndetje shumë e lashtë, sot ende e përditshme në shumë kultura, në mbrëmjen e Pashkëve u mbush përsëri me një fuqi të re mbi buzët e Jezusit të Ringjallur. «Paqja qoftë me ju» (Gjn 20,19.21) është Fjala e Tij që jo vetëm uron, por realizon një shndërrim përfundimtar në atë që e pranon dhe kështu në mbarë realitetin. Për këtë arsye, pasardhësit e Apostujve i japin zë çdo ditë dhe në mbarë botën revolucionit më të heshtur: “Paqja qoftë me ju!”. Që nga mbrëmja e zgjedhjes sime si Ipeshkëv i Romës, kam dashur ta përfshij përshëndetjen time në këtë shpallje korale. Dhe dëshiroj ta ritheksoj: kjo është paqja e Krishtit të Ringjallur, një paqe e çarmatosur dhe një paqe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse. Ajo buron nga Hyji, Hyji që na do të gjithëve pa kushte.[1]
Paqja e Krishtit të Ringjallur
Ai që e ka mundur vdekjen dhe ka shembur muret e ndarjes ndërmjet qenieve njerëzore (khs. Ef 2,14) është Bariu i Mirë, i cili e jep jetën për grigjën dhe që ka shumë dele edhe përtej rrethimit të vathës (khs. Gjn 10,11.16): Krishti, paqja jonë. Prania e Tij, dhurata e Tij, fitorja e Tij pasqyrohen dhe rrezatojnë në këmbënguljen e shumë dëshmitarëve, nëpërmjet të cilëve vepra e Hyjit vazhdon në botë, duke u bërë madje edhe më e dukshme dhe më e ndritshme në errësirën e kohëve.
Kontrasti ndërmjet errësirës dhe dritës, në të vërtetë, nuk është vetëm një figurë biblike për të përshkruar mundimin nga i cili po lind një botë e re: është një përvojë që na përshkon dhe na trondit në raport me sprovat që hasim, në rrethanat historike në të cilat jemi thirrur të jetojmë. Prandaj, të shohësh dritën dhe të besosh në të është e domosdoshme që të mos fundosesh në errësirë. Bëhet fjalë për një kërkesë që nxënësit e Jezusit janë të thirrur ta jetojnë në mënyrë të veçantë dhe të privilegjuar, por që, në shumë rrugë, di të hapë një shteg në zemrën e çdo qenieje njerëzore. Paqja ekziston, dëshiron të banojë në ne, ka fuqinë e butë për të ndriçuar dhe zgjeruar mendjen, i reziston dhunës dhe e mund atë. Paqja ka frymëmarrjen e amshimit: ndërsa së keqes i bërtitet “mjaft”, kurse paqes i pëshpëritë “përgjithmonë”. Në këtë horizont na ka futur i Ringjalluri. Në këtë parandjenjë jetojnë veprueset dhe vepruesit e paqes që, në dramën e asaj që Papa Françesku e ka quajtur “lufta e tretë botërore në pjesë”, ende i rezistojnë ndotjes së errësirës, si rojtarë në natë.
E kundërta, domethënë ta harrosh dritën, për fat të keq, është e mundur: atëherë humbet realizmi, duke iu dorëzuar një përfytyrimi të pjesshëm dhe të shtrembëruar të botës, nën hijen e errësirës dhe të frikës. Sot nuk janë të paktë ata që i quajnë realiste rrëfimet pa shpresë, të verbra ndaj bukurisë së tjetrit, harrestare të hirit të Hyjit që vepron gjithmonë në zemrat njerëzore, sado të plagosura nga mëkati. Shën Augustini i nxiste të krishterët të ndërthurnin një miqësi të pazgjidhshme me paqen, që, duke e ruajtur atë në thellësinë e shpirtit të tyre, të mund ta rrezatonin përreth ngrohtësinë e saj të ndritshme. Ai, duke iu drejtuar bashkësisë së tij, shkruante kështu: «Nëse doni t’i tërhiqni të tjerët drejt paqes, mbajeni atë ju të parët; jini ju, para së gjithash, të qëndrueshëm në paqe. Që t’i ndizni të tjerët, duhet ta keni ju, brenda vetes, dritën e ndezur».[2]
Të dashur vëllezër e motra, le të jemi të hapur ndaj paqes, edhe kur e kemi dhuratën e besimit, edhe kur na duket se nuk e kemi atë! Ta pranojmë dhe ta njohim atë, në vend që ta konsiderojmë të largët dhe të pamundur. Paqja, para se të jetë një synim, është një prani dhe një udhë. Edhe pse e kundërshtuar si brenda ashtu edhe jashtë nesh, si një flakë e vogël e kërcënuar nga stuhia, ta ruajmë atë, pa harruar emrat dhe historitë e atyre që na e kanë dëshmuar. Ajo është një parim që udhëheq dhe përcakton zgjedhjet tona. Edhe në vendet ku kanë mbetur vetëm rrënoja dhe ku dëshpërimi duket i pashmangshëm, pikërisht sot gjejmë njerëz që nuk e kanë harruar paqen. Ashtu si në mbrëmjen e Pashkëve Jezusi hyri në vendin ku ndodheshin nxënësit, të frikësuar dhe të shkurajuar, po ashtu paqja e Krishtit të ngjallur vazhdon të përshkojë dyer dhe barriera nëpërmjet zërave dhe fytyrave të dëshmitarëve të tij. Është dhurata që na mundëson të mos e harrojmë të mirën, ta njohim atë si fitimtare, ta zgjedhim sërish dhe së bashku.
Një paqe e çarmatosur
Pak përpara se të kapej, në një çast intimiteti të thellë, Jezusi u tha atyre që ishin me Të: «Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota». Dhe menjëherë shtoi: «Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet» (Gjn 14,27). Shqetësimi dhe frika, sigurisht, mund të kishin të bënin me dhunën që së shpejti do të vërsulej mbi Të. Por edhe më thellë, Ungjijtë nuk e fshehin se ajo që i hutoi nxënësit ishte përgjigjja e Tij jo e dhunshme: një udhë që të gjithë, Pjetri i pari, ia kundërshtuan, por mbi të cilën Mësuesi kërkoi të ndiqej deri në fund. Udha e Jezusit vazhdon të jetë shkak shqetësimi dhe frike. Dhe Ai ua përsëritë me vendosmëri atyre që do të donin ta mbronin: «Shtjere shpatën në mill» (Gjn 18,11; khs. Mt 26,52). Paqja e Jezusit të Ringjallur është e çarmatosur, sepse e çarmatosur ishte lufta e Tij, brenda rrethanave të caktuara historike, politike dhe shoqërore. Për këtë risi, të krishterët duhet të bëhen së bashku dëshmitarë profetikë, duke kujtuar tragjeditë në të cilat shumë herë janë bërë bashkëfajtorë. Shëmbëlltyra e madhe e gjykimit të fundit i fton të gjithë të krishterët të veprojnë me mëshirë në këtë vetëdije (khs. Mt 25,31–46). Dhe, duke vepruar kështu, ata do të gjejnë pranë vetes vëllezër e motra që, në rrugë të ndryshme, kanë ditur ta dëgjojnë dhimbjen e tjetrit dhe janë çliruar në brendësi nga mashtrimi i dhunës.
Edhe pse sot nuk janë të paktë njerëzit me zemër të gatshme për paqe, një ndjenjë e madhe pafuqie i pushton përballë rrjedhës së ngjarjeve, gjithnjë e më të pasigurt. Që në kohën e tij, Shën Augustini vinte në dukje një paradoks të veçantë: «Nuk është e vështirë ta kesh paqen. Është, në fund të fundit, më e vështirë ta lavdërosh atë. Nëse duam ta lavdërojmë, kemi nevojë për aftësi që ndoshta na mungojnë; shkojmë në kërkim të ideve të duhura, peshojmë fjalitë. Por nëse duam ta kemi, ajo është aty, në dorën tonë, dhe mund ta zotërojmë pa asnjë mund».[3]
Kur e trajtojmë paqen si një ideal të largët, përfundojmë duke mos e konsideruar skandaloze që ajo të mohohet dhe madje që të bëhet luftë për të arritur paqen. Duket sikur mungojnë idetë e duhura, fjalitë e peshuara, aftësia për të thënë se paqja është afër. Nëse paqja nuk është një realitet i përjetuar, për t’u ruajtur dhe për t’u kultivuar, agresiviteti përhapet si në jetën familjare ashtu edhe në atë publike. Në marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe qeveritarëve, arrihet deri aty sa të konsiderohet faj fakti që nuk përgatitemi mjaftueshëm për luftë, për t’iu përgjigjur sulmeve, për t’iu kundërvënë dhunës. Shumë përtej parimit të mbrojtjes së ligjshme, në planin politik kjo logjikë kundërvënëse paraqitet si e dhëna më aktuale në një destabilizim planetar që, dita-ditës, po merr përmasa gjithnjë e më dramatike dhe të paparashikueshme. Nuk është rastësi që thirrjet e përsëritura për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe vendimet që rrjedhin prej tyre paraqiten nga shumë qeveritarë me justifikimin e rrezikshmërisë së tjetrit. Në të vërtetë, forca frenuese e pushtetit dhe, në veçanti, parandalimi bërthamor, mishërojnë irracionalitetin e një marrëdhënieje ndërmjet popujve që nuk bazohet mbi të drejtën, drejtësinë dhe besimin, por mbi frikën dhe sundimin e forcës. «Si pasojë – siç shkruante tashmë për kohën e vet Shën Gjoni XXIII – qeniet njerëzore jetojnë nën ankthin e një uragani që mund të shpërthejë në çdo çast me një shkatërrim të paimagjinueshëm. Sepse armët ekzistojnë; dhe nëse është e vështirë të bindesh se ka njerëz të aftë të marrin mbi vete përgjegjësinë e shkatërrimeve dhe vuajtjeve që një luftë do të shkaktonte, nuk përjashtohet që një ngjarje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme të ndezë shkëndijën që vë në lëvizje aparatin luftarak».[4]
E pra, gjatë vitit 2024 shpenzimet ushtarake në nivel botëror janë rritur me 9,4% krahasuar me vitin e mëparshëm, duke treguar një prirje të pandërprerë prej dhjetë vitesh dhe duke arritur shifrën prej 2.718 miliardë dollarësh, domethënë 2,5% të PBB-së botërore.[5] Për më tepër, sot duket se sfidave të reja po u përgjigjemi, përveçse me përpjekjen e jashtëzakonshme ekonomike për riarmatimin, edhe me një rirreshtim të politikave arsimore: në vend të një kulture të kujtesës, që të ruajë ndërgjegjësimet e pjekura gjatë shekullit XX dhe të mos harrojë milionat e viktimave, po promovohen fushata komunikimi dhe programe edukative, në shkolla dhe universitete, ashtu edhe në media, të cilat përhapin perceptimin e kërcënimeve dhe transmetojnë një nocion thjesht të armatosur të mbrojtjes dhe të sigurisë.
Megjithatë, «ai që do vërtet paqen, ai i do edhe armiqtë e paqes».[6] Kështu Shën Augustini rekomandonte të mos shkatërrohen urat dhe të mos këmbëngulej me regjistrin e të qortuarit, duke preferuar rrugën e dëgjimit dhe, sa të jetë e mundur, të takimit me arsyet e tjetrit. Gjashtëdhjetë vjet më parë, Këshilli II i Vatikanit u mbyll me vetëdijen për një dialog urgjent ndërmjet Kishës dhe botës bashkëkohore. Në veçanti, Kushtetuta Gaudium et spes tërhiqte vëmendjen mbi zhvillimin e praktikës luftarake: «Rreziku karakteristik i luftës moderne qëndron në faktin se ajo i jep pothuajse mundësinë atyre që zotërojnë armët më të avancuara shkencore të kryejnë këto krime dhe, për njëfarë lidhje të paepur, mund të nxisë vullnetet e njerëzve drejt vendimeve më mizore. Prandaj, që kjo të mos ndodhë më kurrë në të ardhmen, ipeshkvinjtë e të gjithë botës, tani të bashkuar, u lutën të gjithëve, veçanërisht qeveritarëve dhe komandantëve të lartë ushtarakë, që të vlerësojnë vazhdimisht, para Hyjit dhe para gjithë njerëzimit, peshën e madhe të përgjegjësisë së tyre».[7]
Duke ritheksuar thirrjen e të Etërve të Koncilit dhe duke vlerësuar dialogun si rrugën më efektive në çdo nivel, konstatojmë se avancimi i mëtejshëm teknologjik dhe aplikimi në fushën ushtarake i inteligjencave artificiale kanë radikalizuar tragjedinë e konflikteve të armatosura. Po ravijëzohet madje një proces i papërgjegjësisë të liderëve politikë dhe ushtarakë, për shkak të rritjes së “delegimit” te makineritë të vendimeve që lidhen me jetën dhe vdekjen e njerëzve. Është një spirale shkatërruese, pa precedent, e humanizmit juridik dhe filozofik mbi të cilin bazohet dhe nga i cili ruhet çdo qytetërim. Duhet të denoncohen përqendrimet e mëdha të interesave ekonomikë dhe financiarë privatë që shtyjnë shtetet drejt kësaj rruge; por kjo nuk mjafton, nëse njëkohësisht nuk favorizohet zgjimi i ndërgjegjeve dhe i mendimit kritik. Enciklika Fratelli tutti paraqet Shën Françeskun e Asizit si shembull të një zgjimi të tillë: «Në atë botë plot me kulla roje dhe mure mbrojtëse, qytetet zhvillonin luftëra të përgjakshme ndërmjet familjeve të fuqishme, ndërkohë që rriteshin zonat e varfra të periferive të përjashtuara. Atje Françesku pranoi brenda vetes paqen e vërtetë, u çlirua nga çdo dëshirë për të sunduar mbi të tjerët, u bë një nga të fundmit dhe përpiqej të jetonte në harmoni me të gjithë».[8] Është një histori që dëshiron të vazhdojë në ne dhe që kërkon të bashkojmë përpjekjet për të kontribuar ndërsjelltas për një paqe çarmatosëse, një paqe që lind nga hapja dhe përvujtëria ungjillore.
Një paqe çarmatosëse
Mirësia është çarmatosëse. Ndoshta për këtë arsye Hyji u bë fëmijë. Misteri i Mishërimit, që arrin pikën më të ulët në zbritjen në ferr, fillon në kraharorin e një nëne të re dhe shfaqet në grazhdin e Betlehemit. «Paqe në tokë» këndojnë engjëjt, duke shpallur praninë e një Hyji të pambrojtur, nga i cili njerëzimi mund të zbulohet i dashur vetëm duke u kujdesur për Të (khs. Lk 2,13-14). Asgjë nuk ka fuqinë të na ndryshojë më shumë se një fëmijë. Dhe ndoshta është pikërisht mendimi për fëmijët tanë, për të vegjlit dhe për ata që janë të brishtë si ata, që na prek zemrën (khs. Vap 2,37). Për këtë, i përndershmi Paraardhës i imi shkruante se: «Brishtësia njerëzore ka fuqinë të na bëjë më të kthjelltë për atë që zgjatë dhe për atë që kalon, për atë që jep jetë dhe për atë që vret. Ndoshta për këtë shpesh priremi të mohojmë kufijtë dhe të shmangim njerëzit e brishtë dhe të lënduar: ata kanë fuqinë të vënë në diskutim drejtimin që kemi zgjedhur, si individë dhe si bashkësi».[9]
Shën Gjoni XXIII e futi për herë të parë perspektivën e një çarmatosjeje të plotë, që mund të afirmohet vetëm përmes rinovimit të zemrës dhe të mendjes. Ai shkruante në Pacem in terris: «Por duhet të pranojmë se ndalimi i armatimeve me qëllime luftarake, pakësimi i tyre efektiv, dhe, aq më tepër, zhdukja e tyre janë të pamundura ose gati të tilla, nëse në të njëjtën kohë nuk fillon një çarmatim i plotë; pra, nëse nuk çarmatosen edhe shpirtrat, duke punuar sinqerisht për ta shpërbërë, në ta, psikozën e luftës: gjë që, nga ana e vet, bën që kriterin e paqes që mbahet në ekuilibrin e armatimeve, ta zëvendësojë parimi se paqja e vërtetë mund të ndërtohet vetëm në besimin e ndërsjellë. Ne mendojmë se bëhet fjalë për një objektiv që mund të arrihet. Meqenëse ai kërkohet prej arsyes së drejtë, është shumë i dëshirueshëm dhe me dobinë më të madhe.»[10] Ky është një shërbim themelor që fetë duhet t’ia ofrojnë njerëzimit që vuan, duke vigjiluar mbi përpjekjet gjithnjë e më të mëdha për të shndërruar në armë edhe mendimet edhe fjalët. Traditat e mëdha shpirtërore, ashtu si përdorimi i drejtë i arsyes, na çojnë përtej lidhjeve të gjakut ose etnike, përtej atyre vëllazërive që njohin vetëm ata që janë të ngjashëm dhe refuzojnë ata që janë të ndryshëm. Sot shohim se kjo nuk është e mirëqenë. Fatkeqësisht, bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e peizazhit bashkëkohor të tërhiqen fjalët e besimit në përplasje politike, të bekohen nacionalizmat dhe të justifikohet fetarisht dhuna dhe lufta e armatosur. Besimtarët duhet ta mohojnë aktivisht, para së gjithash me jetën e tyre, këto forma blasfemie që errësojnë Emrin e Shenjtë të Hyjit. Prandaj, përveç veprimit, është më e domosdoshme se kurrë të kultivohet lutja, përshpirtëria, dialogu ekumenik dhe ndërfetar si rrugë paqeje dhe si gjuhë të takimit ndërmjet traditave dhe kulturave. Në mbarë botën, është e dëshirueshme që «çdo bashkësi të bëhet një “shtëpi e paqes”, ku mësohet të shuhet armiqësia nëpërmjet dialogut, ku praktikohet drejtësia dhe ruhet falja».[11] Sot më shumë se kurrë, me të vërtetë, duhet treguar se paqja nuk është një utopi, nëpërmjet një kreativiteti pastoral të kujdesshëm dhe frytdhënës.
Nga ana tjetër, kjo nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen e të gjithëve nga rëndësia e dimensionit politik. Ata që janë të thirrur në përgjegjësi publike në nivelet më të larta dhe më të kualifikuara, «ta konsiderojnë thellësisht problemin e rivendosjes paqësore të marrëdhënieve mes bashkësive politike në planin botëror: rivendosje e bazuar në besimin e ndërsjellë, në sinqeritetin ndër bisedime, në besnikërinë ndaj angazhimeve të marra përsipër. Ta shqyrtojnë problemin derisa të gjejnë pikën nga ku është e mundur nisja drejt marrëveshjeve të çiltëra, të qëndrueshme, të frytshme».[12] Kjo është rruga çarmatosëse e diplomacisë, e ndërmjetësimit, e së drejtës ndërkombëtare, e cila, fatkeqësisht, mohohet nga shkeljet gjithnjë e më të shpeshta të marrëveshjeve të arritura me mundim, në një kontekst që do të kërkonte jo delegjitimizim, por përforcim të institucioneve mbinacionale.
Sot, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë më shumë se kurrë të ekspozuara ndaj pabarazive të pushtetit ndërmjet të fortëve. Si ta banojmë një kohë destabilizimi dhe konflikti duke u çliruar nga e keqja? Duhet të motivojmë dhe të mbështesim çdo iniciativë shpirtërore, kulturore dhe politike që mban gjallë shpresën, duke kundërshtuar përhapjen e «qëndrimeve fataliste, sikur dinamikat në veprim të prodhoheshin nga forca anonime dhe impersonale dhe nga struktura të pavarura nga vullneti njerëzor».[13] Nëse, me të vërtetë, «mënyra më e mirë për të sunduar dhe për të avancuar pa kufij është të mbjellësh mungesën e shpresës dhe të ngjallësh mosbesim të vazhdueshëm, edhe pse i maskuar me mbrojtjen e disa vlerave»,[14] një strategjie të tillë duhet t’i kundërvihet zhvillimi i shoqërive civile të vetëdijshme, formave të asociacionizmit të përgjegjshëm, eksperiencave të pjesëmarrjes jodhunore, praktikave të drejtësisë riparuese, si në shkallë të vogël, ashtu edhe të madhe. Këtë e theksonte qartë edhe Leoni XIII në Enciklikën Rerum novarum: «Ndjenja e dobësisë së vet e shtyn njeriun të dëshirojë që ta bashkojë veprën e vet me atë të të tjerëve. Shkrimi i shenjtë thotë: Më mirë janë dy së bashku se njëri vetëm; sepse më mirë paguhen për punën e vet, sepse, kur rrëzohet njëri, e ngrit tjetri. Mjerë i vetmi! Kur të rrëzohet s’do të ketë kush ta çojë (khs. Kish 4, 9-10). Dhe gjetiu: «Vëllai i ndihmuar nga vëllai është më i fortë se kalaja (Fu 18, 19)».[15]
Urojmë që ky të jetë fryti i Jubileut të Shpresës, i cili ka inkurajuar miliona njerëz të rizbulojnë vetveten si shtegtarë dhe të fillojnë brenda vetes atë çarmatosje të zemrës, të mendjes dhe të jetës, ndaj të cilave Hyji nuk do të vonojë të përgjigjet duke përmbushur premtimet e Tij: «Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plore e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë. Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!» (Is 2,4-5).
Nga Vatikani, 8 dhjetor 2025.
LEONI XIV
Përktheu: Rev. «DRITA»
———————————————————————–
[1] Khs. Bekimi apostolik «Urbi et Orbi» në Lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit (8 maj 2025).
[2] Augustini i Hiponës, Fjalimi 357, 3.
[3] Njëjtë, 1.
[4] Gjoni XXIII, Letra enciklike Pacem in terris (11 prill 1963), nr. 60.
[5] Khs. SIPRI Yearbook: Armaments, Disarmament and International Security (2025).
[6] Augustini i Hiponës, Fjalimi 357, 1.
[7] Koncili II i Vatikanit, Kushtetuta pastorale Gaudium et spes, nr. 80.
[8] Françesku, Letra enciklike Fratelli tutti (2 tetor 2020), nr. 4.
[9] Françesku, Lettera al Direttore del Corriere della Sera (14 mars 2025).
[10] Gjoni XXIII, Letra enciklike Pacem in terris (11 prill 1963), nr. 61.
[11] Fjalimi drejtuar ipeshkvinjve të Konferencës Ipeshkvore të Italisë (17 qershor 2025).
[12] Gjoni XXIII, Letra enciklike Pacem in terris (11 prill 1963), nr. 63.
[13] Benedikti XVI, Letra enciklike Caritas in veritate (29 qershor 2009), nr. 42.
[14] Françesku, Letra enciklike Fratelli tutti (3 tetor 2020), nr. 15.
[15] Leoni XIII, Letra enciklike Rerum novarum (15 maj 1891), nr. 37.

Postimi Tjetër

