Papa: formimi i krishterë kërkon durim, shoqërim dhe mbrojtje

Pjesëmarrësit në Asamblenë Plenare të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Leoni XIV i sqaroi se formimi i krishterë nuk është thjesht transmetim i doktrinës, por ndarje e jetës, me “kushtim të pakursyer”. Papa inkurajoi të favorizohen shtigjet tërheqëse, që çojnë në sakramente, zhvillimin e shtigjeve që përfshijnë çdo fushë dhe “parandalimin e të gjitha formave të abuzimit të të miturve dhe të njerëzve të ligshtë, si dhe shoqërimin dhe mbështetjen e viktimave”.

 

Formimi i krishterë si vepër sinergjie dhe bashkësie, është shenjë “që e bën të lindë” fenë. Kjo, karakteristika që theksoi Papa në fjalimin e tij sot paradite, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Asamblenë e tretë Plenare të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen e Jetën. Takimi, që nisi më 4 shkurt e deri sot 6 shkurt në Kurien e Përgjithshme Jezuite, në Romë, u përqendrua në temën Derisa të jetë formuar Krishti në ju”, marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Galatasve. Papa Leoni e trajtoi sot këtë temë, për të nxjerrë në pah specifikat e një arti që, sipas tij, duhet të vendoset brenda një dinamike e cila, edhe me dhimbje, e çon dishepullin në bashkim jetik me vetë Shëlbuesin.

 

Jo vetëm transmetim i një doktrine, por dhurim i Jetës

Papa vëren se, nganjëherë, në Kishë, figura e formuesit si “pedagog” që transmeton udhëzime, mbizotëron mbi atë të “atit dhe saktëson:

Misioni ynë, megjithatë, është shumë më i lartë, kështu që nuk mund të ndalemi thjesht në transmetimin e doktrinës, të respektit ose të etikës, por jemi të thirrur të ndajmë atë që jetojmë me bujari, dashuri të sinqertë për shpirtrat, gatishmëri për të vuajtur për të tjerët dhe përkushtim të pakursyer, si prindërit që flijojnë veten për të mirën e fëmijëve të tyre.

 

Dimensioni Komunal i Formimit

Duke cituar Evangelii Gaudium, Leoni larton përmasën e përbashkët të formimit:

Nuk është vetëm neshtari, katekisti apo udhëheqësi karizmatik, ai që lind fenë, por Kisha, Kisha e bashkuar dhe e gjallë, e përbërë nga familje, të rinj, beqarë, persona të shenjtëruar, të frymëzuar nga bamirësia dhe për këtë arsye të etur për të qenë frytdhënës, për t’u transmetuar të gjithëve, dhe veçanërisht brezave të rinj, gëzimin dhe përsosurinë e kuptimit, që e jeton.

 

Parandalimi i të gjitha formave të abuzimit të të miturve dhe të ligshtë 

Në fjalimin e Papës ka udhëzime kushtuar angazhimit të Kishës për formim, duke pranuar se është art që nuk mund të improvizohet dhe që “kërkon durim, dëgjim, shoqërim dhe verifikim”. Rruga, që duhet ndjekur, është ajo e farës së sinapit, duke aluduar në aftësinë për të bërë që edhe gjërat më të vogla të japin fryte, siç e kanë përjetuar disa shenjtorë që Papa i quan “gjiganë të shpirtit”: Shën Injaci i Lojolës, Shën Filip Neri, Shën Jozef Calasanzi, Shën Gaspar del Bufalo, Shën Gjon Leonardi.

Ati i Shenjtë Leoni XIV kujton gjithashtu edhe traktatin e Shën Augustinit De catechizandis rudibus, i cili mund të jetë burim frymëzimi, dhe shpreson të “nxisë shtigje jete të qëndrueshme, tërheqëse dhe personale, që çojnë në Pagëzim e në Sakramente, ose në rizbulimin e tyre”; të ndihmojnë ata që nisin një udhëtim feje për të zhvilluar e për të nxitur një mënyrë të re jetese që përfshin çdo aspekt privat e publik, siç është puna, marrëdhëniet dhe sjellja e përditshme. Në veçanti, shton:

Të nxisim në bashkësitë tona aspektet formuese, që synojnë respektimin e jetës njerëzore në të gjitha fazat e saj, veçanërisht ato që kontribuojnë në parandalimin e të gjitha formave të abuzimit të të miturve dhe personave të ligshtë, si dhe të shoqërojmë dhe të mbështesim viktimat./radiovatikani

Shpëndaje: